Administrata tatimore, 7-mujori rezulton me 7% më pak të ardhura. Dobët edhe TVSH-ja

Administrata tatimore nuk po mundet të dalë nga kriza e mosrealizimit të planit të të ardhurave. Edhe pse nuk mungojnë masat e marra, mbledhjet e vazhdueshme, mbledhja me forcë e taksave etj., sërish nuk ka sukses, madje as për të qëndruar në nivelet e një viti më parë, kur vendi po përjetonte panikun e krizës ekonomike. “Shqip” disponon të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, për periudhën janar-korrik 2010, pra 7-mujor, ku rezulton se në total administrata ka mundur të realizojë rreth 93 për qind të planit, me një diferencë në vlerë afërsisht minus 10 milionë euro më pak në buxhet. Krahasuar me një vit më parë, tatimet janë 1 për qind më pak me realizimin, që do të thotë se situata vijon të jetë më negative sa pritej, pavarësisht ndryshimeve në strukturën drejtuese.

Pothuajse të gjitha taksat rezultojnë me humbje në planin e arkëtimeve, përfshi dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që konsiderohet shtylla kryesore e arkëtimeve.

Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sqarojnë për gazetën se, aktualisht administrata po ecën me planin e vjetër të realizimit, dhe se i riu (rishikimi i buxhetit 2010) nuk ka mbërritur ende, kështu që shifrat u referohen parashikimeve të bëra para se të deklarohej zyrtarisht kriza ekonomike. Gjithsesi, duke i krahasuar me vitin e kaluar, sërish Tatimet nuk do të mund të rezultonin me sukses edhe me planin e ri, që parashikon rreth 250 milionë euro më pak.

Jo vetëm periudha 7-mujore, por edhe korriku paraqitet me humbje në mbledhjen e të ardhurave për llogari të buxhetit të shtetit. Nëse si 7-mujor, plani i realizimit të të ardhurave në total ishte 93 për qind, për muajin korrik paraqitet rreth 96 për qind. Të gjitha taksat rezultojnë me plan negativ, si TVSh me 96 për qind apo akciza me 96 për qind. Më keq paraqitet taksa tjetër, Tatimi mbi Fitimi, e cila në periudhën janar-korrik 2010, del me realizimin 89 për qind, kurse vetëm në muajin korrik 88 për qind, krahasuar me planin e vendosur nga Ministria e Financave. Edhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP), taksa që trefishoi të ardhurat në buxhet për tre vite rresht, nuk ka mundur të dalë me sukses, pasi të dhënat nga tatimet tregojnë se plani i realizimit nuk ka shkuar më shumë se 90 për qind, si 7-mujor, kurse në korrik, rezulton 3 për qind më e lartë. Të gjitha të dhënat janë mbi planin e vendosur nga ministria, para miratimit të shkurtimit të të ardhurave me 250 milionë euro.
Dogana

Ndryshe nga tatimet. administrata doganore po e realizon planin e të ardhurave me sukses, si pasojë edhe e koniunkturave apo manovrave procedurale (si referencat doganore). Të dhënat zyrtare, të publikuara tri ditë më parë, tregojnë se, për muajin korrik 2010, të ardhurat në masën 105 për qind, si dhe duke arkëtuar në këtë 7-mujor rreth 8.87 miliardë lekë më shumë ose 15.5 për qind më tepër se 7-mujori i vitit 2009. Në muajin korrik 2010 Administrata Doganore kishte arkëtuar afro 11 miliardë lekë nga 10.4 miliardë të planifikuara duke realizuar planin e të ardhurave në masën 105 për qind ose me një tejkalim prej 503 milionë lekë.



Ndërtuesit, takim te Financat për çmimet

Shoqata ankohet për mosrespektimin e marrëveshjes me administratën tatimore

Shoqata e Ndërtuesve ka zhvilluar këto ditë një takim me disa nga drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Financave. Mësohet se objekt i takimit ka qenë zbatimi i marrëveshjes që ndërtuesit kanë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim-Taksave, sa u takon çmimeve minimale për efekt të tatimeve dhe detyrimeve fiskale. Mësohet nga ndërtuesit që tatimet nuk po i qëndrojnë strikt marrëveshjes me çmimet e caktuara, por kërkojnë të vjelin përtej niveleve të caktuara në paktin e firmosur gati tre vite më parë.

Sektori i ndërtimit po përjeton një situatë të vështirë që prej dy vitesh, si efekt i krizës ekonomike, mungesës së lejeve dhe shtrëngimit të kushteve për kredi nga bankat.

Në disa deklarata rresht, ndërtuesit kanë paralajmëruar se do të marrin masa për zgjidhjen e problemit, ku njëra është thënë se do të jetë edhe greva, duke pezulluar punimet.
Në takimin e ministrisë, palët kanë diskutuar edhe problemet e tjera që lidhen me sektorin, siç janë pallatet e pahipotekuara, çmimet referencë mbi pagat, njësitë e ndërtimit etj.

Tjetër problem lidhet me borxhin që qeveria u ka ndërtuesve. Bëhet fjalë për rreth 50 milionë euro detyrime të papaguara nga qeveria, për punime që ndërtuesit i kanë kryer, por që janë shlyer, si efekt i mungesës së të ardhurave në buxhet. Por si Ministria e Financave ashtu dhe ajo e Transporteve, deklarojnë se nuk kanë asnjë detyrim të prapambetur dhe se ajo çfarë ka ngjarë lidhte me punimet e përshpejtuara të ndërtuesve, përtej mundësive për të paguar ndryshe nga sa thotë kontrata.
 

2 Komente

si ka munci mer ti? rritja ekonomike per ket vit eshte e papare, qe mesa kuptoj une duhet te reflektohej dhe te tatimet. keta mut taksidaresh gjithe diten kot rrine?

po kur te cajne trapin dhe ndertuesit? qiviria thote ju kom pagu, kta thojne s'kena mor gjo!!!! e dine kta at' pun a e di qiviria?

 swed, qeveria i ka pagu mbi referencen e kostos ne leter, mirpo ne praktike, kostoja ka dale pak me e larte gje qe i ka detyruar shum firma ti paguajne nga fondi/xhepi i tyre keto shtesa kostosh qe lindi per arsye te ndryshme. 

Sa per doganat, u be kohe qe ato mbledhin me pak te ardhura, per shkak te marrveshjes MSA , qe e con taksen e produkteve ne zero vitin qe vjen. Ky boshllik po mbushet tani nga tvsh per cdo produkt dhe akciza per alkolrat dhe karburantet. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).