"Për herë të parë në historinë e këtij vendi, këtë vit turistët kanë qënë më të shumtë në numur se sa vetë banorët", tha mú në pikun e sezonit të pushimeve kryeministri Berisha. E vërtetë? E nga ta dimë ne? Nuk kemi asnjë burim tjetër që ta konfirmojë, apo përgënjeshtrojë këtë të dhënë. Por edhe sikur të ish e vërtetë (personalisht kam vesin, që të mos u besoj kryeministrave e qeverive), kjo e dhënë nuk ka ndonjë domethënie kushedi se çfarë. Na duhen të dhëna të tjera, që t'i japim kuptim e vlerë ngrefosjes kryeministrore. Ç'janë këto të dhëna të tjera? Po ja, e dhëna më e parë dhe më e rëndësishme që na lipset të dimë është, se sa kanë qënë të ardhurat prej turizmit këtë vit. Mund të mendohet, se numri i madh i turistëve duhet lidhur me domosdo me të ardhura më të mëdha, por s'është hiç e thënë. Madje, në rastin tonë duhet patur frikë, se është e kundërta, dmth numri më i madh i turistëve shoqërohet paradoksalisht me të ardhura më të vogla. Shqipërinë po e preferojnë për turizëm një ditor; dmth janë të huaj, që kanë zgjedhur të pushojnë në vendet fqinjë, dhe në një nga ditët e relax-it të tyre marrin vendimin për të bërë një vrap pele në vendin egzotik me emrin Shqipëri; hanë një drekë në qytetet kufitare apo bregdetare, e shumta në Tiranë (gjatë drekës pinë ndonjë birrë gjermane apo pak verë italiane), dhe rrugën e kthimit e bëjnë me gëzim më të madh se sa rrugën e ardhjes. Kategoria tjetër është ajo e emigrantëve, që vijnë të vizitojnë të afërmit (këta kryeministri, pasi u hedh një sy regjistrave të doganave, i numëron si turistë), dhe e shqiptarëve nga Kosova, të cilët e marrin rrugën për në Shqipëri mes një motivimi prore patriotik për të bërë pushime prore ekonomike. Me fjalë të tjera, këta janë turistë të varfër e të këputur, të cilët nuk mund t'i lejojnë vetes aventura prej bon vivant-ësh. Vendi i tyre është në Velipojë, në Shëngjin, në Durrës, në Golem, në Gjirin e Lalzit, në Spille. Këto plazhe, duke përjashtuar ca qoshe të blera apo të zaptuara nga zengjinë të improvizuar shqiptarë, e të shndërruara në oaze luksi, janë lënë të degradojnë në favela të shëmtuara. E dini? Provova gjatë korrikut të pushoja nja dy ditë në Velipojë, por ishte një udhëtim që nuk ia këshilloj askujt (ndonëse deti, bregdeti, n'daçi dhe njerëzit, janë të shkëlqyer). E megjithatë, atje më zunë sytë mizëri pushuesish; ishin me mijra. Kryeministri ynë i quan dhe këta turistë. Punë për të! Ai është mësuar të lozë me teprimin. Kohët e fundit ka zënë që shifrat e veta t'i shtjerë në punë për të bërë afermacione të shkallës sipërore të llojit "jemi të vetmit në kontinent që nuk e ndjemë krizën", "jemi vendi me rritjen më të madhe në Europë", "jemi të parët përsa i takon barrës së lehtë fiskale", "jemi vendi më ndjellës për investitorët e huaj", "do të bëhemi superfuqi energjitike", etj, etj.

Ka dhe një lexim tjetër, sigurisht

Po e lë turizmin, dhe po ndalem tek optimizmi kryeministror i bartur, përveç të tjerash, edhe prej frazave të fundit. Sigurisht, ka njerëz që i marrin kallëp këto fraza, por ka të tjerë që duan e dinë të bëjnë një lexim tjetër të realitetit. Është një lexim që mund të bëhet më së pari e më së shpeshti me sy. Edhe kur ky lexim nuk është i saktë, ai të ndihmon të refuzosh leximet e pasakta. Fjala vjen, kryeministri mund ta rendisë gjithë ditën Shqipërinë "të parën", "të vetmen", por ata që, nga halli apo nga qejfi, i vijnë vërdallë vendit të tyre apo vendeve të tjera, nuk heqin shumë për të bërë "zbulimin e madh", sipas të cilit Shqipëria është vendi më i molisur i Ballkanit.

Leximi me sy është pesë me hiç? Po mirë, le të shtjemë në punë leximin tjetër, atë që bazohet mbi shifra, mbi të dhëna, mbi statistika, pa u stepur më shumë se sa duhet nga ideja rrufjane e ekonomistit Aaron Levenstein, sipas të cilit "statistikat janë si breçkat e femrave; të ngacmojnë me çfarë nxjerrin në shesh, por të lënë pa frymë me çfarë mbajnë mbuluar".

Kuptohet, duhen marrë në konsideratë ato statistika, autorët e të cilave nuk kanë interes të trukojnë. Fjala vjen, për të ballafaquar ekonominë e Shqipërisë me ato të vendeve rrotull nesh, unë po zgjedh t'u referohem të dhënave të një institucioni, të cilin, edhe pse jemi të prirur ta mistifikojmë si fabrikues realitetesh, në këtë rast mund të gjejmë plot arsye për ta besuar. Është fjala për CIA-n amerikane; më saktë, për raportin e saj mbi gjendjen e ekonomisë botërore për vitin 2010. Si gjendet ky raport? Fare lehtë, me një search të thjeshtë në google, nën emërtimin "albanian economy 2010". Unë kam bërë një "manipulim" të thjeshtë: kam zgjedhur veç të dhënat mbi vendet e Ballkanit. Me to dua ta bëj krahasimin.

Ah po, mund të hidhen hije dyshimi, ngaqë CIA shumë të dhëna i merr drejtëpërdrejt nga burimet tona qeveritare, apo ngaqë të dhënat nuk janë krejt të freskëta (dita më e afërt e vlerësimeve apo matjeve të bëra është dhjetori i vitit 2009). Mirëpo, këta pengesa egzistojnë objektivisht. Lidhur me faktin që burimi i shumicës së të dhënave të kësaj natyre është qeveria, nuk kemi se ç'të bëjmë. Nuk kemi ku të gjejmë një burim alternativ. Edhe FMN-ja, BB-ja, etj, mbështeten tek statistikat e institucioneve të kontrolluara legalisht apo ilegalisht nga qeveria jonë. Po kështu, nuk kemi ku të gjejmë të dhëna fare të përditësuara; ato dalin në dhjetorin e këtij viti.

Sigurisht, edhe pasi e hedhim pas shpine këtë kokëçarje mbi besueshmërinë e të dhënave, nuk është se na lehtësohet puna. Levenstein-i nuk e ka hequr kuturú atë paralelen mes statistikave dhe breçkave të femrave. Të gjitha të dhënat, të marra veç e veç, nuk të japin ndonjë dorë kushedi se çfarë në përpjekjet për të lexuar saktësisht qoftë fuqinë e ekonomisë së një vendi, qoftë diferencat mes ekonomive të vendeve të ndryshme. Fjala vjen, GDP-ja (shih diagramën nr.1) do të vlente deri në një farë mase si indikator i mirë krahasimi vetëm në rrethanat, kur vendet do të kishin të njëjtin numër popullsie. Edhe GDP-ja për frymë, ndonëse është një indikator më llafazan, nuk na e bën të qartë e të plotë garën mes dy a më shumë ekonomive nacionale. Pse? Sepse $100 në Shqipëri vlejnë më shumë se sa $100 në USA apo në Japoni, dhe vlejnë më pak se sa $100 në Bjellorusi apo Indi.

Atëherë? Atëherë ekonomistët futin në lojë një indikator tjetër: GDP-në e korrektuar nga Pariteti i Fuqisë Blerëse (purchasing power parity). Me fjalë më të varfëra, në këtë rast GDP-ja matet po njësoj me vlerën në dollarë të të gjitha mallrave e shërbimeve, por korrektohet me vlerën reale të një shporte mallrash e shërbimesh më të domosdoshme se të tjerat, ku mund të futet, fjala vjen, çmimi i bukës, i transportit urban, i kafesë, i gazetave, i librave, i një të qethure tek berberi, i një sandwich-i, etj, etj. Vlera e mallrave dhe shërbimeve të kësaj natyre ka për qytetarët shqiptarë atë peshë që realisht ka, dmth shumë më të vogël se kudo gjetkë në Europë e Ballkan (nuk ka shumë vende, ku mund të qethesh me dy dollarë, të blesh një gazetë me 20 cent, e ta marrësh autobuzin urban me 30 cent), por në vlerësimin e GDP-së së korrektuar ato njehsohen me vlerën e të njëjtave mallra e shërbime në vende të tjera (fjala vjen, një e qethur llogaritet e barabartë me më shumë se 10 dollarë). Jemi vetëm ne të avantazhuar në këtë mes? Jo, absolutisht jo. Në shportën e mallrave e shërbimeve të domosdoshme futet dhe çmimi i karburanteve, i bisedave me celularë, i makinave, i paisjeve elektro-shtëpiake, etj, etj, për të cilat ne paguajmë më shumë se sa paguajnë gjetkë. Dhe kështu, ky korrektim nuk është se avantazhon ndokënd; thjesht është një korrektim që duhet bërë se s'bën në funksion të matjes së përpiktë të fuqisë e shëndetit ekonomik të një vendi. Shumica e ekonomistëve janë të mendimit se GDP-ja e korrektuar në këtë mënyrë është një indikator, që jep më shumë e më mirë se të tjerët përmasat reale të një ekonomie (shih diagramën nr.2). Vihet re, që në këtë mënyrë nuk është se përgënjeshtrohet diagrama nr.1; klasifikimi është i njëjti, veçse shifrat janë më reale.

Dhe kështu, avash-avash kemi ardhur tek një indikator tjetër, tek ai i GDP-së për frymë (shih diagramën nr.3), e cila del duke pjesëtuar GDP-në e korrektuar nga Pariteti i Fuqisë Blerëse me numrin e popullsisë (shih diagramën nr.4). Diagrama nr.3 është më domethënësja. Ajo na nxjerr po njësoj zbuluar. Na lë në bisht e na lë pa asnjë alibi. Me një GDP për frymë të barabartë me 6,200 dollarë, Shqipëria është e fundit në rajon. Si gjithmonë.

Korrektime të tjera, por ...

Ka plot njerëz që GDP-në e konsiderojnë një indikator të rremë, ngaqë për ta është e pamundur të matet volumi e vlera reale e mallrave dhe e shërbimeve. Ka mallra e shërbime që nuk faturohen kurrë. E nuk janë pak. Dhe këtu përfshihen lloj-lloj veprimtarish ekonomike që zhvillohen në të zezë, duke filluar me ata fshatarët që shesin pjepra e karrota buzë rrugëve nacionale (rrugës për në Pogradec, apo Shirokë, shesin dhe peshq e ngjala), duke vazhduar me mijra pastruese, mësues privatë, sazexhinj dasmash, punëtorë krahu që për zyrë pune kanë vendin afër ushtarit të panjohur apo urën mbi Lanë tek Brryli, e duke përfunduar me prostitucionin, trafikimet, korrupsionin e pasuritë kolosale të padeklarueshme të politikanëve që e kanë plaçkitur këtë vend. Kjo pjesë gri apo e zezë e ekonomisë reale është më e lartë në Shqipëri se sa diku tjetër, rrjedhimisht do të përbënte një koeficient, me të cilin do të duhej të shumëzohej GDP-ja e matshme.

Por kjo rritje e shifrës së GDP-së nuk është ndonjë gjë që duhet të na gëzojë. Mund të shihet në këtë mes ndonjë efekt pozitiv i momentit, por në një plan perspektiv qederi është gjithsesi më i madh se sa qari. Në fund të fundit, nuk është dëgjuar ndonjë njeri i dijshëm në lëmë të ekonomisë politike të thotë, se "veprimtaritë në të zezë e bëjnë ekonominë më të shëndetshme e më punëmadhe". Rrjedhimisht, t'i besosh këtij fakti është si të ngopesh me lugë bosh. Nuk ka pse të na ngrohë një GDP më e lartë se sa kjo që raportohet, sa kohë që të dhëna të tjera flasin për një ekonomi pa gjallëri, për një ekonomi që mezi lëviz, apo për një ekonomi që, edhe kur lëviz, lëviz kuturú. Ne kemi një GDP më të lartë se sa Maqedonia, Mali i Zi, deri dhe Moldavia e varfër par excellence, të cilën unë e kam bërë tok me vendet e Ballkanit në funksion të kësaj analize (shih diagramën nr.1 e diagramën nr.2); afërmendsh, kemi një popullsi më të madhe. Por më e bukura është që, edhe pse lëmë katër vende pas në renditjen mbi bazën e GDP-së (këtu po fus dhe Kosovën), ne jemi të fundit në renditjen e vendeve të ballkanit mbi bazën e konsumit të energjisë elektrike (shih diagramën nr.5). Shifrat duhen përditësuar, pasi janë të vitit 2007 (nuk kam mundur të gjej shifra të tjera), por nuk besoj se ka ndodhur ndonjë ndryshim kushedi se çfarë dy vitet e fundit. E shumta, mund të kemi lënë pas Kosovën. Epo, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, një ekonomi e ngritur mbi konsumin minimal të energjisë nuk është ekonomi moderne, e nuk ka të ardhshme.

Ndërsa them sa më sipër, nuk është se derdhem posaçërisht mbi këtë qeveri. Kjo e fundit ka plot kusure, por do të ishte e padrejtë që ta ngarkonim në mënyrë ekskluzive me faj për ekonominë, që mezi mbahet më këmbë. Ka plot fajtorë të tjerë në këtë mes, dhe të shumtit syresh nuk janë më në këtë botë; janë në varreza, dhe në arkivat e historisë. Por kjo qeveri ka dy mëkate, njërin prej të cilëve edhe mund t'ia bëjmë kabull; është fjala për dënglat, me të cilat fsheh të vërtetën, e për propagandën, me të cilën kërkon të na hedhë hi syve. Ndërsa mëkati i dytë është i rëndë dhe i rrezikshëm. Është fjala për borxhin publik, të cilin në vitin 2005 e gjeti dukshëm nën nivelin e 50% të GDP-së, e në fund të vitit 2009 e çoi afër nivelit të 60% të GDP-së. Tash që po flasim e kanë kapërcyer këtë nivel. Diagrama nr.6 të trullos me faktin, që vendi më i varfër i rajonit ka borxhin më të madh (kuptohet, pas Greqisë, fati i së cilës po përcaktohet bash prej borxhit të madh të pajustifikuar me një ekonomi të mirëstrukturuar e dinamike). Turqia, që dallohet për një ekonomi vibrante, Kroacia e vogël dhe e begatë, dhe Bosnja e asistuar fort ndërkombëtarisht, e kanë borxhin respektivisht 46%, 47%, dhe 44% të GDP-ve të tyre. Vendet e tjera ballkanike, o prej politikave të kujdesshme lokale, o prej presionit të institucioneve ndërkombëtare, e kanë mbajtur borxhin publik poshtë nivelit të 40% të GDP-së. Ndërsa qeveria jonë po kërkon të marrë borxhe të tjera, s'ka gjë se edhe me kaq, situata është bajagi e rrezikshme. E dëboi misionin e FMN-së veç për këtë arsye: të mos pengohej të merrte borxhe, që me to të bënte vepra publike, që me këto të fundit të mburrej për të fituar kapital elektoral, që me këtë të fundit të rimerrte pushtetin, e që me këtë fundit në duar të shullëhej në diell, siç po shullëhet, pa e çarë kokën që vendin po e fusin në belara të mëdha. Borxhi i madh publik për një vend si Shqipëria është një gjyle e rëndë e lidhur në këmbët tona. Qeverive të ardhshme (asëll-asëll, brezave të ardhshëm) do t'u duhet të merren gjatë me këtë borxh. Deri atëherë, duhet shpresuar që askush të mos na japë borxhe të tjera.


Marre nga gazeta e re Respublika

35 Komente

5* me flamur.

Emo, ta bëri qejfin më duket, foli me shifra. Hallall. Urime dhe për sajtin. Nuk di shumë për projektin në lidhje me të, por vetëm nga emrat, duket me premisa të larta.

ajo faqja ka per ta sabotu peshkun fare smiley

vallahi, po të ketë shkëmbime interaktive midis shkruesve dhe komentuesve, si tek PTF psh, mora plaçkat e ika që këtej unë. lol.

Shumë vl peshku.

sigurisht smiley

Une nuk mund ta di sa qendrojne hesapet e Mucit. Nuk me duken gjera per Mucin perpunimi i ketyre lloj te dhenash. Muci mund te ngrinte problemin qe ku jane keto te dhena, dhe tu bente oponencen nqse ato dilnin dhe ai i gjente ato gabim per cfaredolloj arsye. Muci nuk e kupton dot Levenstein-in; pse ai e ka thene ate muhabetin e bikinit. Muci vazhdon te njejtin avaz te shkronjesit shqiptar: muhabetin e quan analize dhe "hesapin" e quan statistike. Statistiken deskriptive e merr si statistike; tabelat me pjestime dhe nje bar chart ne "me nder teje, excell" e shet si analitike. Nuk eshte as i pari, as i fundit shqiptar qe e ben kete. Mbereter te hesapit dhe te mbajtjes "nje ne mend" duke perthyer gishtin e madh te dores.

Me kete nuk dua te them qe raportimet e shefit te qeverise aktuale nuk jane pordhe ne hava dhe ajer i nxehte. Por nuk i pres nga Muchi te tilla paravolira. Ato grafet mund te kene effect impresionues per gjindjen e zakonshme, mbase (te shoqeruara me "nc nc nc" nga pas), kurse mua qe me lidh puna dite nate me grafe, me bejne te ndihem si i abuzum, pothujse. Mgjthse Muchit mbase i duken big deal, merr vesh... Plus qe, nuk eshte asfare zbulim i madh per te na gjetur nga fundi krahasuar me te tjeret. Nuk jemi me ne kohen e fallacive logjike te tipit "Shqiperia nga vendi me i prapambetur ne europe, eshte shnderruar ne nje vend me ekonomi te zhvilluar dhe bujqesi te perparuar"; sepse nuk mund te thoje "po mire, nga vendi me i prapambetur, tani kujt ia kemi kaluar"? Pra, ca gjera jane te vetkuptueshme tani (per pyetjen e pafajshme pak me siper ate bote "te plasnin brenda&quotsmiley.

PS. Cfare eshte PTF qe ke thene diku me siper?

 Ne rregull eshte ai diagrami 4? Ne boshtin vertikal ka popullsine ne milione e jo ate qe thuhet ne artikull (pariteti i fuqise blerese).

Pariteti i fuqise blerese per fryme eshte diag. 3. Diag. 4 eshte vetem popullsia, ne milione. Dmth, diagrami eshte ne rregull, packa se vetem 3 ka rendesi. 

 Jam duke lexuar sa thote ky shkrim, sebashku me  nje  mikun tim i cili me pyeti:

-Cili nga Nanot i ka shkruar keto bukuranet me vija?

-Mustafai -i thom

-Mi lumte! -shpertheu edhe pse akoma nuk ka marre vesh gje per se ben llaf shkrimi.

Mire mer edhe shkrimi edhe websiti, po pse rubrikat ne website jane ne anglisht nuk e mor vesh??!!

E mire, zgjidh nje model llogaritjeje mbi nje tjeter, se keshtu te konvenion, e nxjerr te paren, e nxjerr te fundit, ..

Pyetja mbetet, artikullshkrues, pertej dënglave, ju vete a jeni me mire sot se 1 ose 2 ose 3 ose 4 ose 5 vjet me pare?

Familja juaj a eshte me mire se 1 ose 2 ose 3 ose 4 ose 5 vjet me pare?

Komshinjte tuaj, a jane me mire se 1 ose 2 ose3 ose 4 ose 5 vjet me pare?

Lagja juaj a eshte me mire se 1 ose 2 ose 3 ose 4 ose 5 vjet me pare?

Qyteti juaj a eshte me mire se 1 ose 2 ose 3 ose 4 ose 5 vjet me pare?

 

hehe ja ku fola dhe unë per çeshtje te ekonomise smiley

familja ime me mire, se ka hyre ne pune motra para dy vjetesh

komshite me keq

lagjia me keq

qyteti me keq

po pra, kaq ishte.

meriten per motren e ka qeveria? se ajo e shkreta, mbaroi shkollen dhe hyri ne pune te nje banke !!

me mire jane, per cdo pike qe ke vene. smiley

Kollaj te thuash qe Shqiperia ka GDP per capita me te ulet apo qe kemi borxh publik te 60%.

Po ndonje diagrame per ecurine e GDP ne keto 2-3-4 vitet e fundit?

Po ndonje diagrame per peshen e borxhit publik per fryme sipas vendeve?

 

Nuk pata kohe me lexu dhe, ne istograme nuk lexohet asgjekund 'burimi i te dhenave' ...

Sdq, per borxhin e akumuluar, variacionin vjetor(ne %), borxhi per banor, dhe duke e krahasuar me cdo shtet tjeter te botes e gjeni ketu.

 e në fund të vitit 2009 e çoi afër nivelit të 60% të GDP-së. Tash që po flasim e kanë kapërcyer këtë nivel.

 

Muci, kurse faqja e The Economist qe bie ti Bektesh na thote qe ne fakt eshte 53% e GDP-se, dhe 2202 dollare per fryme...

 

p.s. Muci pretendon qe te dhenat i ka marre nga faqja e CIAs.

Muci duhet ti kete mare ne kete faqe te dhenat ne fjale, burim i marre si i mireqene qe dine gjithcka, por interpretimi i tyre kerkon nje teknicien(ekonomist)  me qene kredibel per profesionistet ...

Dava Mucesh o burr.  Polimate te papare keta...

fati i së cilës po përcaktohet bash prej borxhit të madh të pajustifikuar me një ekonomi të mirëstrukturuar e dinamike

 

Hehe  Vetem Muci e nxjerr Greqine me ekonomi te mirestrukturuar e dinamike...

 

 Ndërsa qeveria jonë po kërkon të marrë borxhe të tjera, s'ka gjë se edhe me kaq, situata është bajagi e rrezikshme. E dëboi misionin e FMN-së veç për këtë arsye: të mos pengohej të merrte borxhe, që me to të bënte vepra publike, që me këto të fundit të mburrej për të fituar kapital elektoral, që me këtë të fundit të rimerrte pushtetin, e që me këtë fundit në duar të shullëhej në diell, siç po shullëhet, pa e çarë kokën që vendin po e fusin në belara të mëdha.

 

Muc, na dhe shifrat per GDP nominale, ate te PPP-se, GDP per fryme, konsumin e energjise, dhe borxhit publik si perqindje e GDP-se po ku shifrat per shpenzimet ne buxhetin e qeverise Shqiptare per te vertetuar qe ky borxh merret kryesisht per vepra publike?

Ky Muci e ka llogarit faktin se 50% e ekonomise shqiptare vazhdon e jete informale?!

 Shqiperia vazhdon te jete nder vendet me te varfera te evropes dhe me ca duket do te jete e tille edhe per nja 20 vite te tjera minimumi, sado te vijne turiste kosovare me domate e shalqi apo sado te rreje kryeministri ne tv.

Sa bukur i ben reklame faqes online te Mucit kjo cupa. Eshte sjelle e mbeshtjelle dhe e ka gjete karremin per te perhapur sihariqin se ka pare driten e diellit dhe kjo futja kot faqja e Mucit. Une Mucit nuk i lexoj shkrimet e politikes, qe duhet pranuar eshte nje subjekt qe e zoterojne te gjithe ne Shqiperi, jo me t'i lexoj shkrimet per ekonomine.

 Tja lexoje ti shkrimet Mucit ai do vriste veten.

Shifra? Muci? Hajde me, vazhdim i tradites se "analistit te gjitheditur" eshte edhe kjo.

Po ore po, shifra Muci!! Ka vene bile edhe konsumin e energjise per gjithe rajonin, qe si hyn as dreqit ne pune se mund ta interpretosh si t'dush smiley

Prit te shohesh c'do ndodhi kur te gjeje edhe shifrat e pas 2007-es, ne '08-en eshte bere nami smiley

Djema, por edhe sikur gabim ta kete Muçi, vete fakti qe qeveria po e zhyt vendin ne borxhe te huaja, per mua perben nje shqetesim te madh.

Edhe kur flasin apo shkruajne njerzit me fakte nuk ju njihen per prova apo shkrime tamam...... epo kjo eshte kuje ne Shqiperi, asgje nuk perben prove cdo gje eshte genjeshter dhe shpifje sipas disave.....

Te verteten ne memedhembje e thote ai qe eshte ne krye dhe ai dihet kush eshte "Gerdalla"

Muçi 5* e 10  sulmues.

Une mendoj se ajo qe ka nevoje gazetaria shqiptare eshte te shpetohet vete profesioni. Revolucioni do te ndodhe kur te behet nje gazete qe do mbeshtese gazetarin, profesionin e tij, profesionalizmin. Nje gazete ku te raportohet se cfare ndodh ne kete vend, ku ka reportazhe, ku ka kulture, ku ka ekonomi, dhe te gjitha keto te trajtuara profesionalisht: te mesojme njehere se cfare ndodh tamam - tamam ne kete vendin tone. Kjo qe ka bere Muci eshte thjesht edhe nje blog-gazete tjeter ku elita virtuale shqiptare i sherben vanitetit te vet, replikon emrin e vet; sepse Shqiperine kjo elite nuk e njeh dhe nuk do ta njohi, sepse eshte virtuale edhe kur jeton ne Shqiperi.

Prandaj, thellë-thellë, nuk mund të të mos kem xhan... sepse di t'i thuash bukës bukë:

elita virtuale shqiptare i sherben vanitetit te vet, replikon emrin e vet; sepse Shqiperine kjo elite nuk e njeh dhe nuk do ta njohi, sepse eshte virtuale edhe kur jeton ne Shqiperi.

 Sigurisht. Vanitoz jane edhe tipat si ty qe flasin shume dhe s'thone asgje. A kishe ndonje ndonje gje me shifrat e ofruara? Nese jo mos fol,nese po na sill ti apo ekonomistet qe sju dejohet zeri shifrat e tua qe te bejme krahasime.

po mire, ti pse e poston shkrimin kur nuk te pelqen trajtimi? si quhet nga psikanalistet ky fenomen?

pastaj, qe kur na paska tamam-tamamra profesionale, e ku ekzistoka kjo? Per cdo fenomen ekspertet ndahen, si ne interpretim, ashtu dhe ne metodologji etj etj, per te mos folur pastaj per qasjet narrative e metanarrative.

kjo qe ka bere Muci e ka te shkruar vete se c'eshte, nuk eshte gazete lajmi, prandaj eshte e kote te kerkosh aty lajme, raportime, raporte apo reportazhe.

Eshte gazete analize. Pra nuk eshte grazhdi qe mban tagjine qe kerkon ti (inicioje ate grazhd).

Skeptik jam sa te duash per gazeten e Mucit, per arsye objektive dhe subjektive, po dhe ky rrafshimi qe pa lindur mire qe i ben ti me duket i padrejte dhe plot mllef.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).