A ju kujtohen ditët kur nga emri i personit kuptonit jo vetëm se flitej për dikë me kombësi shqiptare, por edhe nëse ishte femër a mashkull, madje edhe guxonit pa frikë t'i vinit theksin atje ku duhet e ta përdornit emrin nëpër fjali të ndryshme, pa probleme të veçanta gramatikore. Fatkeqësisht vitet e fundit edhe kjo lehtësi ka mbaruar për ne shqiptarët, dhe demokracia, edhe në fushë të emrave të përveçëm për njerëz, ka hapur një vrimë të madhe që do mbushur me material kulturor që tani për tani na mungon. Sot do ju duhet edhe mbiemri që të mund të gjykoni nëse personi është ose jo shqiptar (ndoshta, edhe kjo, jo me siguri), e më pas nuk gjeni dot si ta lexoni të shkretin emër e se ku t'ia vini theksin, nuk merret dot me mend nëse është femër a mashkull, nuk u gjendet dot më as gjinorja e as kallëzorja këtyre emrave. Gjithësa mund të imagjinoni nga këto sajesa të fundit emërore që dëshmojnë mes të tjerash troshitje në kulturën kombëtare, janë disa të dhëna të përgjithshme për pasiguritë, snobizmin, dhe llojin e ëndrrave të kompleksuara, që, prindërit që u dhanë emrin, ushqejnë për fëmijët e vet.

Sot unë flas veç për emrat, dhe jo për kushtet dhe arsyet se si u krijuan këto ëndrra të shprishura në brezin prindëror. Thjesht nga emrat e tyre, mund të kuptosh gjithashtu se këta fëmijë të pafajshëm me emra 'futuristë', kanë lindur vetëm kohët e fundit, dhe merr me mend që do duhet më shumë kujdes institucional e shoqëror për ta e për prindërit e tyre të rinj, që të dalin nga botët e pavërteta fluturake ku gjenden tani. Përndryshe mund të kemi një brez të ardhëm pa identitet, dinjiteti dhe vetëbesimi i të cilit është në pikëpyetje. Po a nuk janë në të tillë pikëpyetje të gjitha produktet social-kulturore të të ashtuquajturit 'tranzicion' pa kokë në Shqipëri?

Pyeta nje shoqen time që ka dy fëmijë relativisht të rinj, të më jepte emrat e miqve të fëmijëve të saj. Vështroni listën: Riçi, Rei, Roi, Brajan, Greg, Tedi, Moris, Juri, Bojken, Glen, Rene', Krist, Irv, Derv, Dilan, Sindi, Sorel, Noel, Monika, Xhoia, Olesia, Eris, Megi, Ava, Era, Rea, Dea, Gea, Mea... Si e fushës së gjuhës më vret syrin (dhe veshin) ky lëmsh transkriptimi ku rregullin nuk e nxjerr dot, sepse asnjëfarë rregulli nuk ndiqet. Më pas kërkoj të depërtoj në idealet e mamave dhe baballarëve (sidoqë mamatë janë numri një në vënien e emrave), dhe, me përjashtim të pak rasteve, e kam të vështirë të gjej gjësendi idealiste. Më bën përshtypje të mirë fakti që vajzat, në shumicën e rasteve këtu më sipër (duhet të them se këto janë vajza rreth 14-15 vjeçare sot, pra nuk janë emra të dhjetëvjeçarit të fundit kur marrëzia amerikane përforcohet dukshëm), mbarojnë me 'a'-në aq tipike për gjuhën tonë e disa të tjera, që aq fort lehtëson lakimin, shqiptimin dhe kuptimin e emrit të tyre në shqip. Po ashtu edhe prirja për emra të shkurtër. Por nuk ndien kund në këtë listë ndonjë farë arome shqiptare.

Mikesha ime ka pasur mençurinë dhe shqiptarinë t'u zgjedhë emrat Sara e Tomi dy fëmijëve të vet, emra që janë shqiptarizuar fort mire, e sot mund të konsiderohen për bukuri të tillë. Janë të shkurtër, të thjeshtë në tingëllimin e shkrimin shqip, lakohen pa problem, nuk kanë komplikime snobizmi ideor apo fonetik, e sidomos, mbarojnë me 'a', për vajzën, e me 'i', për djalin. Ky dallim i fundit që unë çmoj, nuk lidhet aspak me prirje ideologjike feminist apo anti-feministe: thjeshtë lehtëson komunikimin dhe është ekonomik dhe efektiv. Ia di për nder shoqes sime-mama që nuk iu tek t'i fuste një 'h' në fund së bijës për ta autoktonizuar, ose ta quante 'Sarel' që të mos tingëllonte "rëndomtë" si emër i thjeshtë me 'a' në fund, ose ta shkruante të birin si 'Tommy', ose qoftë edhe 'Tommaso' (që me siguri mund të shkruhej edhe 'Tomazo' e më pas mund edhe të lexohej 'Tomaco'), për ta bërë atë të tingëllonte e dukej sa më "si i jashtëm". Idealet e para me të cilat mëkojmë fëmijët tanë që kur nisin të vetë-njihen e vetë-identifikohen, lidhen me ato pak gërma të emrit. Ndaj ato duhen menduar mirë. Por ky shkrim, më shumë sesa shpresë për ndryshim të shpejtë, ka shpresë të ravijëzojë sa më plotë një prirje që dëshmohet sot në emërvënie, që njerëzit më pas të bëjnë zgjedhjet e veta.

Për të pasur një ide më të qartë e sidomos më objektive për çfarë po ndodh sot me emrat e fëmijëve shqiptarë, moda e të cilëve shpesh nis nga Tirana, kërkova listën e gjithë emrave të fëmijëve të ciklit fillor, nga klasa e parë në klasën e pestë, në një nga shkollat publike kryeqytetase, vendosur në mes të asaj që, para njëzet vjetësh, ishte Tirana e vërtetë, atëherë kur Blloku ishte i padepërtueshëm, dhe kur tek "Njëzet e njëshi" ishte cepi pa fort prestigj e karakter i Tiranës. Rreth kësaj shkolle të vjetër, Tirana ka mbetur më përfaqësuese sesa në lagjet ku lëvizjet e ndryshimet e tranzicionit kanë qenë më të nxituara e artificiale.

Gjithsej, në ciklin fillor kjo shkollë anonime ka 445 nxënës, 209 prej të cilëve janë vajza. Mes tyre ka veç 25 persona që kanë emër me kuptim në shqip, sido që dikur kjo ka qenë një prirje e fuqishme (dhe për mua një karakteristikë e bukur sociolinguistike) në antroponomastikën tonë të emrit të parë të personit (praenomen). Po i shkruaj pa përjashtim këta emra të pakët me kuptim që gjeta në këtë korpus studimi, sepse besoj se ndihet në ta idealizmi dhe se është mëkat të harrohen e të birren: Ambël, Erblin, Ilir, Jeta, Blerim, Besart, Betim, Blinera, Arbër, Arbin, Jona, Blerta, Mira, Agim, Kaltrina, Vesara, Edenja, Era, Adri, Erlind, Indrit, Gazmir, Ermal, Jon, Jona. Por vetëm kaq, fatkeqësisht, dhe këta dalin veç nga një herë, ndërsa emrat e huazuar qorrazi e të shkruar sipas një transkriptimi e përshtatjeje gatuar sipas kuzhinës personale dhe kulturës së emërbërësit, janë të shpeshtë: shtatë herë del vetëm emri Sindi (edhe Sindy rrallë). Veç emrave me kuptim, gjallojnë në një pikë afër vdekjes së sigurtë, edhe fare pak emra, dikur shumë të përdorur në Shqipëri sido që herë-herë jo shqiptarë në origjinë. Të tillë janë veç 8 raste në 445 emra: Aida, Aleksandër, Gent, Frida, Andi, Ela, Elda, Mamica. U shtojmë këtyre edhe emrat me kuptim përmendur më lart, dhe bëhen 33 gjithsej.

Pra, sot, siç duket nga sondazhi bazuar në një shkollë të çfarëdoshme kryeqytetase, ndër emrat e fëmijëve shqiptarë veç 1/14 e tyre bartin ende ato shenja që para pak kohësh përbënin tendencën themelore në emërvënie, dhe e bënin antroponomastikën tonë të emrit të parë, të kish një lloj fytyre e të jepte ndjesi kombëtare, të kish kuptim për nga gjinia, dhe të mos ishte pengesë në lakimin e përdorimin strukturor në ligjërimin e përgjithshëm. Nga të dhënat, emrat dikur karakteristikë ndër shqiptarë si Genc, Arben, Artan, Ardian, Alban, Fatos, Gezim, Agim, Fatjon, Skënder, Petrit etj, apo Mimoza, Zana, Majlinda, Albana, Mirela, Edlira, Irena, Drita, Shpresa, Lule etj, marshojnë të vendosur drejt bjerrjes totale.

Po ç'ka ndodhur me ato 13/14-t (pra, pjesën dërrmuese) e emrave të këtyre fëmijëve, që dukshëm shprehin prirjen e vërtetë sot? Ata, pjesërisht, janë dhunuar në formë, e pjesërisht, në përmbajtje. Sidoqoftë, në mënyra të ndryshme e të ngjashme, shprehin prirjen që të mos ngjajnë më si emra shqiptarë. Grupi kryesor janë emrat e marrë kallëp (dhe jo padashje) nga anglishtja, e të transkriptuara sipas qejfit, kulturës, dhe veshit muzikor të prindit: Rei, Cindi, Stivi, Dejv, Hilari, Megi, Pegi, Kejvis, Rod, Klejvis, Stejsi, Kejt, Rigers, Emi, Amy, Brian (por edhe Brajan, Brajën), Keller, Ketler etj janë në krye të vendit. Shumë emra të këtij tipi kanë nisur të shkruhen me 'y' në temë e sidomos në fund, si 'Amy', 'Lily' e 'Kimberly' që jo veç nuk karakterizon shqipen, por edhe vështirëson shqiptimin e tyre, sidomos në format e lakimeve të zhdrejta. Gjithashtu e formuar është edhe prirja për emra italianë që bartin me vete në shqip mbaresën italiane, psh: Sabrino, Donato, Silvio, Mikele etj. Ndër këta emra duket qartë dëshira për t'iu larguar edhe atyre varianteve të emrave të huaj, dikur disi familjarë ndër shqiptarë. Psh: 'Dajana' në vend të 'Diana', 'Silvia' në vend të 'Silva', 'Vivian' në vend të 'Viviana', 'Endi' në vend të 'Andi', 'Kejt' në vend të 'Keti', 'AnnaMaria' në vend të 'Ana' apo 'Marie', 'Piter' në vend të 'Pjetër', dhe (rasti më shprehës) 'Dejv', 'Dejvi' apo 'Dejvy' në vend të 'David'. E urrejmë apo e përbuzim aq shumë veten, xhanëm?(Kjo është çështja!) Personalisht emri 'David' më duket i bukur, dhe të nderon si në Shqipëri, si jashtë saj. Mendoni si do t'i thërrasin këta djem me emrin 'Dejvi' të cilët po rriten të jenë sa më afër idealeve anglofile, fjalavjen në Angli apo Amerikë, po të shkojnë:'Dexhvai' ndoshta?

Por ku theksohen e sidomos si lakohen shumë prej këtyre emrave? Një mama e re një herë më dha të kuptoj këtë: "emri i vajzës sime theksohet e lakohet ku e si dua unë". Pa dashur t'i mohoj kujt lirine e shprehjes, them se emrat vërtet vihen nga mamatë, por ekzistojnë për shoqërinë, ashtu si edhe gjuha në ndryshimin apo zgjedhjen e lirë të së cilës, ne si individë i kemi liritë të kufizuara, dhe kjo për të mirën tonë. Dhe ligji themelor që drejton sjelljen gjuhësore shoqërore është ai i ekonomisë e qartësisë gjuhësore me qëllim komunikimin sa më shprehës dhe efektiv. Origjinaliteti, fantazia individuale, dhe ëndrrat që transmetojnë emrat, të gjitha duhet t'i nënshtrohen kësaj ligjësie themelore mbarënjerëzore. Përndryshe, përbëjnë një përjashtim. E keqja në Shqipëri është që parregullsia (edhe në emërvënie), nuk është përjashtim, por normë.

Në këtë pikë, trilli shndërrohet në mungesë përgjegjësie ndaj foshnjes dhe ndaj gjuhës, kulturës dhe shoqërisë. Si i thotë mamaja të shoqit për vajzën e vet: "Kimberlyun e ftoi mamaja e Amyit për darkë sonte", apo "Kimberlyin e ftoi mamaja e Amysë...", apo në emëror e mban emrin me 'y' e në rasat e tjera e kthen në 'i' duke e shndërruar në pjesë të grupit shqip me alternime morfo-fonematike? Po vjehrrës si i thotë "Mos harro t'i japësh ilaçin Kimberlysë kur kthehet nga shkolla", apo "...Kimberlyit kur kthehet nga shkolla"? Apo e shkurton si në anglisht dhe e thotë "Kim"? Prapë problemi nuk ikën, se s'di nëse do duhej të thoshte "Jepja ilaçin Kimit" apo "Jepja ilaçin Kimës"? Po emri femëror 'Megan', si do lakohet: 'Megana' apo 'Megani', dhe me theks në 'e'-në e rrokjes së parë, apo në 'a'-në e së dytës? Shumë emra të tjerë e plot që s'janë përmendur këtu, krijojnë probleme të ngjashme dhe krejt të justifikueshme për shqipfolësit.

Çuditërisht gjeta ende të gjallë në korpusin e 445 emrave, sidoqë shumë të dobët, kategorinë e emrave arkaikë, sidomos hyrë nëpërmjet fesë. Pra ka vetëm 9 të tillë: Kadri, Ilia, Mexhit, Hafsa, Esma, Refat, Mensur, Muharrem dhe Rami. Është interesante të studiohet shtresëzimi socio-kulturor i këtyre familjeve. Gjithashtu, 54 emrave prej 445 personave, pra mëse 1/9-ës, është e pamundur t'ua gjesh me mend gjininë e bartësit duke përdorur analiza gjuhësore dhe njohje kulturore të mundshme, sado të përpiqesh të imagjinosh përkatësitë gjinore në gjuhët nga mund të jenë marrë. Disa nga këta emra janë kryesisht sajesa fonetike thjesht për të tingëlluar 'ndryshe', pa kriter tjetër kuptimor, estetik apo idhullues. Nga një provë për t'i hamendësuar seksin e personit, unë personalisht gabova gati 40 herë. Nuk është për t'u çuditur që është rritur artificialisht grupi i emrave që u vihen të dy gjinive pa ndonjë kriter: psh, Enid, Nikola, Xhersi, Eni, Kristi etj. Një shqiptar nuk ka sesi të imagjinojë veç nga emri, që Birgit, Argyrion, Rigels, Oniks dhe Xhejs janë meshkuj, ndërsa Enes, Heller, Haris, Enis dhe Kejs janë femra. Pa dyshim që nuk është dukuri e paparë që emrat e përveçëm të shenjojnë si meshkuj ashtu edhe femra, ose që të mos kuptohen menjëherë se ç'seksi i përkasin. Por kjo është diçka e veçantë, dhe kurrsesi një prirje e gjerë si në rastin e këtij grupi të shqipes sot.

PJESA E DYTE

A do të thotë vallë kjo analizë se unë mendoj që emri që merr në foshnjëri, ndikon në sjelljen dhe formimin e personit? Po. Pa dyshim që po, sido që ky nuk mundet kurrë të jetë një formëbërës absolut apo i drejtpërdrejtë karakteri dhe sjelljeje. Më shumë formues ndaj këtyre fëmijëve, është roli i po atyre mendësive prindërore që u bënë shkas për vënien e emrit, mendësi nën dritën e të cilave fëmija do rritet e do ngjizet.
"A duhet që emri të ketë kuptim?- pyeti me dyshim Liza.
-Sigurisht që duhet! - u përgjigj Humpty-Dumpty me qesëndi. -Emri im të jep të kuptosh formën e trupit tim-- por edhe hijeshinë e bukurinë që mbart kjo lloj forme. Sa për emrin tënd, ti mund të kishe pasur thuajse çfarëdolloj forme të mundshme."

E përkthej këtë këmbim thumbues të logjicienit të famshëm e përdorësit të mprehtë të gjuhës, Lewis Carroll, nga "Liza në botën e çudirave", jo dhe aq për të përforcuar sa thashë më lart, por sidomos për të diskutuar pak zgjedhjen e emrit të karakterit të Lizës. Origjinali 'Alice' nuk u thotë asgjë shqiptarëve. E sidomos nuk u thosh gjë në vitin 1944, koha kur libri u përkthye për herë të parë nga origjinali. Zgjedhja e emrit 'Liza' në vend të 'Alice' prej përkthyesve nga origjinali në anglisht bërë nga Hysejn dhe Beqir Çela në vitin '44, është e mençur, kombëtare dhe dëshmon aftësitë e tyre si përkthyes dhe si njerëz kulture. Gjithë përkthimet e botimet e mëpasme të librit deri tek i fundit (me sa di) nga Admir Nako, iu mbajtën emrit 'Liza', emër i njohur në qytetin dhe fshatin shqiptar, i shkurtër, i tingëllueshëm, i shqiptueshëm lehtë, i lakueshëm pa problem. Madje, ndryshe nga përkthyes të tjerë të librit në gjuhë të tjera, përkthyesit Çela gjetën mundësinë edhe të gjejnë një njësi fonetikisht të ngjashme për emrin 'Alice', tingujt e të cilit (sidomos themelor këtu është tingulli e gërma 'l' dhe 's') ruhen pjesërisht në emrin 'Liza'. Nuk ndodhi kështu psh në rusisht, ku përkthyesit iu përmbajtën kuptimit asociativ dhe ndjesive që krijon emri 'Alice' në original, por jo fonetikës së tij, dhe e përkthyen 'Ania'. Përse prindët e sotëm shqiptarë nuk bëjnë dot zgjedhje të tilla të mençura për emrat që u venë fëmijëve të vet, por i braktisin të vetmuar në detin e trazuar të emrave? Nuk besoj se i duan fëmijët e vet më pak se sa Çelat donin karakterin e Lizës, historinë e së cilës po përkthenin. Besoj, nga ana tjetër, se shumë prindër të rinj kanë humbur pusullën dhe besimin në vlera të vërteta njerëzore, dhe i janë turrur modeleve të pakuptim që fabrikohen në një kulturë të rreme materialiste me përmbajtje telenovelash.

Nuk dua aspak të them sot se duhet t'u vemë fëmijëve vetëm emra shqip, apo vetëm emra të thjeshtë në shqiptim e të tingëllueshëm. Jo të gjithë shqiptaret duhet të jenë Bora dhe Arta e jo të gjithë shqiptarët duhet të jenë Jetmir dhe Ilir. Nuk them as se është mirë t'u rikthehemi emrave fetarë. Ose se emrat e vajzave duhet të gjithë të mbarojnë me 'a'. Ose se emrat dikur të zakonshëm si Arben e Zamira duhet pa tjetër të përdoren edhe sot. As se emrat detyrimisht duhet të kenë përmbajtje dramatike apo patetike që t'u ndihet idealizmi si Vullnet, Vendim, Lumturi apo Cclirim. Jo, aspak! Kriteret e zgjedhjes dhe vënies së emrave janë aq të pafund e të larmishme, sa edhe pasionet, ëndrrat, trillet dhe botët njerëzore. Keti është një emër vajze po aq i bukur sa edhe Ana; Vladimir e Marsel, po aq të bukur sa Embara, Yllka, Agim, apo Eva, Ema e Marie. Shumë emra të huaj që po hyjnë sot, mund t'i përshtaten mirë sistemit të shqipes, si Sara, Elton, Anja, Denis, Tea, Pamela, Kevin, etj. (Pa dyshim, duke ruajtur strukturën theksore të shqipes në të shquar e në të pashquar). Hajde, të fusim këtu edhe emrin Ariel, meqë është aq i dashur për mamatë e reja të rritura nën shenjën e filmave Disney. Por sado jo-tipik për shqipen, ai mund t'u bashkëngjitet strukturalisht emrave tradicionalë më bashkëtingëllore, për femra, e kuptimisht së paku bart një ideal lirie, kapërcimi kufijsh, mosbindjeje ndaj prototipeve, të qeni ndryshe, jokonformizmi, që janë të gjitha ide të bukura për t'ia përcjellë fëmijës bashkë me emrin (edhe kur janë stereotipizuar nga Disney).

Ajo që më turbullon më fort kur shoh se çfarë ndodh e që më detyron të shkruaj sot, është boshllëku që përcjellin disa nga kriteret e zgjedhura prej shumë (për fat të keq aq shumë sa krijojnë një tendencë dërrmuese) prindërve të rinj shqiptarë. T'i vësh emrin fëmijës thjesht sepse është emër amerikan, apo thjesht sepse dikush është i famshëm apo i pasur, e aq më shumë, sepse tingëllon jo-shqip... këto janë kritere që pasqyrojnë probleme serioze në mendësinë dhe identitetin e një brezi. Në këtë pikë, emri Marenglen (një akronim rrokjesor nga emrat Marks, Engels e Lenin) vënë gjatë socializmit prej prindërish militantë, emra të tjerë me një farë ngarkese ideologjike si Fatos, Alban e Liri, emrat disi patetikë kosovarë të tipit 'Qëndresa', 'Shkodra'dhe 'Atdhe', apo edhe emrat 'Mjaftime', 'Fundak' apo 'Sherif', 'Kaljopi' a 'Aqif', më pëlqejnë apo jo mua, janë për t'u konsideruar të gjithë të një niveli më dinjitoz, madje edhe emra më të bukur sesa emrat në modën e Tiranës sot. Thua Bukuroshe dhe Engjëllushe të jenë aq më të shëmtuar si emra sesa 'Bela' dhe 'Anxhela', apo shëmtia e ka shtëpinë diku tjetër? Ndonjë prej emrave të sotëm modernë, në periudhën socialiste kur liritë e emërvënies kufizoheshin institucionalisht, mund të shprehte kulmin e një idealizmi lirie, dhe ishte vërtet protestë politike dhe një ndërmarrje e guximshme nga prindërit. Por, si strategjitë ashtu edhe shtytjet ideore personale për vënien e këtyre emrave dikur, dhe përdorimin e tyre sot, janë shumë të ndryshme.

Sidoqë analiza e mësipërme ka synim vetëm orientues e nuk ka rigorozitetin e një studimi të mirëfilltë shkencor, sepse bazohet në një set të dhënash ende të paplotë, ajo shpreh një tendencë të përgjithshme në Shqipëri. Të dhënat dëshmojnë për një kakofoni gramatikore të dendur dhe mosrespektim të tipareve endemike të antroponomastikës së emrave të parë të shqipes. Rezultati është se shqiptarët vetë nuk dinë as ku t'i theksojnë, as si t'i lakojnë, as si t'i thërrasin e as çfarë të presin nga emrat e fëmijëve po shqiptarë. Ndër të paditurit janë edhe vetë prindërit e fëmijëve. Të vetmet prirje strukturore gjuhësore në brumë të shqipes, që hasa, ishin shkurtimi i emrave, një farë shpeshtimi i mbaresës 'i' në fund të emrave të shkurtër të rinj për vajza e për djem (Kejsi, Kejti, Eni, Sindi, Megi apo Arfi, Bjorni, Froi, Erli, Geri, Rejni)--pavarësisht nga lloji krejt jo-shqiptar i emrave, rritja e dallueshme e emrave të huaj me gërmën 'xh', si Merxhilda, Xhensila, Xhefri, Xhanatin, Xhejs, Xhesika, Xhersi etj, si dhe (jo bazuar në korpusin e të dhënave nga shkolla fillore, por si vëzhgim personal i imi) zyrtarizimi i shkurtimeve që dikur përdoreshin veç në sferën private dhe intime, të tipit 'Ben', 'Tan', 'Tit' etj. Por të tria këto prirje duhen verifikuar me një sasi më të madhe të dhënash, para se të konsiderohen si të qena. Ky diskutim nuk ka formë preskrivuese dhe nuk synon t'i diktojë kujt si të zgjedhë emrin e fëmijës së vet. Por më lart, unë synoj të vë në dukje e të tërheq vëmendjen drejt një prirjeje që ka shkaqe shoqërore më komplekse sesa duket në pamje të parë, dhe nuk shpreh një zhvillim të natyrshëm në ecuritë gjuhësore e kulturore të një grupi normal shoqëror.

Gjithashtu tendencat e nënvizuara në shkrim, për hir të dendurisë së pazakontë dhe njësimit artificial të qëllimit në emërvënie, nuk mund të justifikohen thjesht me ndryshimet krejt të pritshme e natyrore të emërvënies që ka gjithnjë karakter historik e ndryshon në kohë. Dukuritë e vëna në dukje, shprehin boshllëk e bjerrje vlerash, jo më dëftyer në rrafshin e zakonshëm publik të grindjeve politike, korrupsionit të të gjitha hallkave, varfërisë ekonomike të pjesës më të madhe të shqiptarëve, shthurjes së institucioneve dhe sidomos shtetit ndër to, por në një nga pikat ku priten kultura jonë kombëtare me intimitetin individual e familjar. Pra nuk është një ndryshim i jashtëm e sipërfaqësor si fytyra publike e një dukurie të re, por një ndryshim identitar. Nga kjo pikëprerje mund të hidhet dritë mbi idealet e shqiptarëve sot, dhe ndikimin e tyre në brezin që vjen. Kuptohet që emrat nuk ua ndryshojmë dot njerëzve, por shkruaj sot me shpresën se të parët qartë të problemit, së paku, mund të ngadalësojë disi këtë furi masive, sidoqë të paqëllimshme, gjuhë- e kulturë-shkaterruese. Homo Albanicus modern, dëshiron të bëhet sa më shpejt e sa më dukshëm homo externus (europian perëndimor apo amerikan), dhe për këtë, (si edhe më parë) ndryshon vetëm pamjen e vet, emrin, duke u përpjekur të mohojë të shkuarën, traditën apo kulturën gjuhësore të vetën, duke përfunduar kështu në një qenie pa tipare, që nuk është më as vetja e as tjetri. Thua të kenë qenë emrat e dikurshëm apo tradicionalë të njerëzve, gjinia transparente dhe lehtësia në të lakuarit shqip, pengesa që shqiptarët të arrinin botën e zhvilluar? 

 
 
 
 
 

23 Komente

Autorja e ka shum mire ketu, sepse s'po mirret vesh, a eshte femer apo djale, personi qe thiret, qe merr çertifikate. Ne Shqiperi ka qene tradite qe emrat e femrave mbaronin me A ose E, ndersa te djemve me I ne shumicen e rasteve, ose me çdo germe perveç A.

 sepse s'po mirret vesh, a eshte femer apo djale, 

smiley Eh te ishte vec emri thuaj. Si i pati ndodhur Begbie te tmerrshem te Trainspotting.  smiley kape te 0.59

U bo bote e keqe, - tha nje plake ne  mehalle.

Ne Shqiperi ka qene tradite qe emrat e femrave mbaronin me A ose E, ndersa te djemve me I ne shumicen e rasteve, ose me çdo germe perveç A.

po po nikolla, nonda, petrika, harrilla, andrea e spo vazhdoj ma tutje

Era na doli jo shqiptar ndersa Sara e Tomi  si te tille.. nejse nejse kuptoj you are right ne permbajtje po se c me bene nje klik keto gabimet ne perzgjedhje..

E fshine kauret  smiley  Po mire mo , ne Korce ka ndodhur kjo , atje rronte dhe Usta Qimua qe i mbaronte emri me A. C'te keqe ka ketu ?

ca the , ca the aman ?

Te meshteta ty pra , per mbaresen me A. Po lexoje shpejt se prape do e fshijne kauret smiley

Grate e Korces thirrnin per ndihme kur u ziheshin tubat e lavamabeve usta Qimon .

Po ne Korvce ti e di qe flitet me shkurtesa e perkedheli dhe ftonin Hidraulikun e famshem .. Usta Qima , hajde se me eshte zene vrima ... smiley

Po ku te lene kauret te dalin emtra myslymane me A smiley

E bere Dijen te gajaset,??Lere se eshte e zene me telenovelat,po se marr vesh si i ka rene loptopi ne dore Dijes jam kurioz ta di?apo cuni nga gurbeti thuaj????????

he ?

Cer kishe me Dijen ti plako ?

T'ka ngle nai kunj ?

 "Homo Albanicus modern, dëshiron të bëhet sa më shpejt e sa më dukshëm homo externus (europian perëndimor apo amerikan), dhe për këtë, (si edhe më par&eumlsmiley ndryshon vetëm pamjen e vet, emrin, duke u përpjekur të mohojë të shkuarën, traditën apo kulturën gjuhësore të vetën, duke përfunduar kështu në një qenie pa tipare, që nuk është më as vetja e as tjetri."

E sakte dhe deshperuese njekohesisht, sepse vlen per nje pjese te mire te shoqerise shqiptare.

 

kot kshu jam kurioz me dit; po moda e emrave te qenve dhe maceve si ka ndryshuar (nëse) ?

macja jone qy n'monizëm quhej Xhejms smiley

Emrat e qeneve dhe te maceve i kane njerzit tani sic na deshmon dhe Eda me siper.

 

Keta te vargmalit e kane bere bukur kete fleteshtypjen mbi punen e emrave:

 

  44,4 KB

skena: nje cader ne nje fushe diku ne amerike. Nje nene, indiane amerike, me djalin e saj te vogel. Mami, pyet femija: pse vellain e quajne bizoni i pergjumur? Leme rehat se s'ta kam ngene, i thote e ema. Mami, po motren pse e quajne shqiponja e kalter? Me ler te bej gjellen, prezervativ i skaduar!

 Gjeja me e tmerrshme qe kam degjuar ndonjehere ishte nje vajze qe doli ne nuk di ca konkursi televiziv ne Shiperi dhe qe quhej Oskeola.

Nuk di kush e mban mend librin "Oskeola prijes i Seminolleve"

e mbaj mend une, e kam patur te preferuar ate liber, me siguri ata qe ia kane vene emrin, ia ken vene vetem nga titulli me qe mbaronte me a smiley , pa e lexuar fare librin smiley

yes yes e mbaj mend edhe unë këtë. Gjithashtu libër të preferuar. Madje... lol kam pat një histori interesante me këtë libër. E kisha gjet duke rrëmuar nëpër sëndukë kur kisha shkuar për pushime në fshat... edhe ahahaha! kishte një çun aty një karrocë me guzhineta. Do ma japësh një xhiro i thashë unë, të të jap këtë librin ta lexosh. smiley E pa ky këtë librin e më tha mu, ik ore çe du unë këtë? smiley edhe sot kur e kujtoj më vjen për të qesh.

Gjëja më e mirë e librave, Flo, është që nuk shiten, dmth nuk kanë vlerë të madhe monetare... prandaj janë të paçmushëm.

Se më kapi filozoflliku tashi mu! smiley

 

pervec te tjerash, ai liber te mesonte se c'qene "metisët" smiley e mban mend ?

Po, po! Edhe më duket sa ta mësonte tek ajo pjesa ku Oskeola ndeshet me një "aligator" që me sa mbaj mend paskësh qënë ndryshe nga një kunkudrill.

 Komshija ime ja vuri emrin goces Ashli edhe me e forta eshte kur e pyesin komshijet 'he mi si e ke ashlijen qe ju befsha kurban..'

Ne kemi nevoje per nje brez tjeter intelektualesh, mbi te gjitha, qe do na kursenin artikujt te tille.

 artikuj të tillë kinkalerikë ...

Perkthimi i Lizes nga Hysejn dhe Beqir Çela ne 1944 duhej nderu me ndonje obelisk gjekund, qe perkthyesit sot te shkonin here here edhe ta preknin kshu si "vend te mire". Per fat, ne perkthimin e radhes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).