5 shtator 2010

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, 

Është kënaqësi për mua t’ju drejtohem me rastin e fillimit të sesionit të ri të Legjislaturës së XVIII-të të Kuvendit të Shqipërisë, për rolin e rëndësishëm të Kuvendit në përballjen me sfidat që ka vendi dhe qytetarët tanë në këto çaste jetike për të ardhmen.

Por, që të ndërtojmë të ardhmen më mirë është detyrim të analizojmë të kaluarën. E vërteta mbi të kaluarën qartëson natyrshëm edhe të tashmen. 

Një ndjenjë keqardhje dhe zhgënjyese më shoqëroi gjatë gjithë sesionit të parë të kësaj legjislature, por edhe një shpresë se debati politik në Shqipëri do të rikthente demokracinë parlamentare pothuajse të munguar gjatë një viti, duke provuar se ajo mbetet akoma shumë e brishtë ndonëse po i afrohemi dy dekadave të pluralizmit politik.

Keqardhja dhe zhgënjimi shoqëroi edhe qytetarët e vendit tonë, të cilët besuan se 28 qershori i vitit 2009, do t’i jepte fund përvojës negative të betejës politike të tejzgjatur mbi fitimtarët apo humbësit duke marrë përsipër përgjegjësitë politike të rotacionit, të qeverisjes dhe të opozitës.

Fatkeqësisht edhe partnerët tanë ndërkombëtare dhe institucionet politike të Evropës vazhdojnë të mbeten të zhgënjyer nga pamundësia e politikës shqiptare për të krijuar një platformë të përbashkët dhe të qëndrueshme politike, për të gjetur një qëndrim të palëkundur, për të krijuar një marrëveshje të gjerë politike mbi çështjet jetike dhe problemet, të cilat kapërcejnë kufirin e interesave të ngushta, ato partiake e të pushtetit duke humbur kohë jashtëzakonisht të çmuar me beteja të pasuksesshme mediatike. 

Nuk është e rastit që gjatë një viti nuk kemi qoftë edhe një ligj të miratuar me votë të cilësuar. Në kuptimin substancial demokracia funksionale nënkupton nevojën e një konsensusi bazal për të ardhmen e një vendi demokratik. Çdo mazhorancë që vjen në pushtet duhet të dijë se nuk mund të kryejë reforma të rëndësishme pa një votë të gjerë që do të thotë konsensus. 

Roli i Kuvendit dhe kontributi i të zgjedhurve nuk matet vetëm me shpejtësinë e miratimit të ligjeve dhe me numrin e shumtë të tyre, por edhe me mënyrën e miratimit dhe me cilësinë e aftësinë e tyre për t’iu shërbyer lehtësisht qytetarëve dhe vendit, të ardhmes së përbashkët evropiane. 

Sot, ne ndodhemi më afër Bashkimin Evropian se asnjëherë tjetër, në vigjilje të reformës së rëndësishme, por të merituar, të liberalizimit të vizave Shengen, të gatshëm për t’iu përgjigjur detyrimeve tona që rrjedhin nga ky proces i rëndësishëm për qytetarët tanë. Gjatë këtij viti ne presim mendimin e rëndësishëm të Komisionit mbi statusin e ardhshëm politik të Shqipërisë ndaj kësaj strukture. Ky çast do të kërkojë fillimin e një angazhimi të gjithanshëm të një administratë publike të lirë profesionalisht, të reformuar sipas standardeve evropiane, të qëndrueshme, larg emërimeve partiake dhe presioneve politike apo të frikësuar nga pushteti apo ndryshimi i tij.

Por hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt Bashkimin Evropian varen shumë nga reformat për një demokraci funksionale, për një shtet të së drejtës dhe drejtësi të shtetit, për një pushtet gjyqësor të pavarur nga politika dhe tërësisht profesional e për një drejtësi të qytetarëve dhe jo të shtetarëve. 

Reformat e thella politike që domosdoshmërisht duhet të përmbushen, marrin jetë në Kuvend. Kuadri ligjor i miratuar deri sot është një platformë e rëndësishme për të çuar më tej thellësinë dhe cilësinë e reformave. Por jetëgjatësia e një ligji, qëndrueshmëria e një reforme dhe dobishmëria e tyre, kërkojnë më shumë se vullnetin e një force politike. Ato kërkojnë dialog politik, debat të hapur, publik dhe mediatik, pjesëmarrje të grupeve të interesit dhe të profesionistëve të fushës, këshillim me aleatët tanë euroatlantike dhe në fund, miratimin politik në kuvend ose konsensusin e gjerë të forcave politike. Ne nuk duhet të harrojmë që anëtarësimi në NATO na ngarkon jo vetëm me përgjegjësi kombëtare, por edhe rajonale e globale dhe përshtatshmëria e sjelljes dhe e ligjshmërisë sonë me Aleancën është një kusht i padiskutueshëm. 

Unë mbetem me shpresë se ky konsensus do të vijë, jo vetëm për të tejkaluar debatin politik mbi transparencën apo kushtetutshmërinë e zgjedhjeve të fundit politike dhe mbi përcaktimin e numrit të përfaqësuesve politikë në komisionet zonale zgjedhore apo komisionin qendror të zgjedhjeve, por sidomos për të gjetur atë mekanizëm magjik të kontrollit e të numërimit të pakundërshtueshëm të votës së hedhur nga qytetarët tanë dhe vendosjen e besimin reciprok se vota do të mbetet e paprekur, pavarësisht ngjyrimit politik të saj.

Ai mund të prodhojë edhe ndryshime kushtetuese, por të tilla që t’i rezistojnë kohës dhe rotacioneve politike, qëllimeve afatgjata politike dhe interesit kombëtar të integrimit.

Mungesa e konsensusit politik dhe betejat politike sipërfaqësore e të paprincipta kanë një çmim shumë të lartë të kohës së humbur në reforma dhe në integrim. Ato dëmtojnë kohezionin shoqëror drejt ndasive partiake dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e qytetarëve dhe mirëqenien e shoqërisë. 

Organizimi i zgjedhjeve të ardhshme lokale, do të jenë dëshmia e seriozitetit të përgatitjes zgjedhore dhe infrastrukturore sipas standardeve të kërkuara nga qytetarët shqiptarë, nga Bashkimi Evropian dhe prova e maturisë politike përballë interesave kombëtare.

Të nderuar deputetë, 

Roli juaj është shumë i rëndësishëm. Duke bashkuar të gjitha energjitë tuaja pozitive, reformat e nisura nga nevojat e kohës, të shoqërisë, të demokracisë dhe të së ardhmes mund të realizohen me sukses duke e kthyer kështu politikën tek qytetarët dhe besimin tek njerëzit e thjeshtë.

Raporti midis përgjegjësisë, papërgjegjshmërisë dhe imunitetit të një të zgjedhuri është tregues i pagabueshëm i shkallës së pjekurisë së politikës shqiptare dhe demokracisë së saj. Zhveshja e të zgjedhurve nga imuniteti do të lehtësonte organet e prokurorisë dhe gjyqësorin për të vepruar ligjërisht dhe në kohë ndaj akuzave të përditshme për korrupsion, e do të provonte sinqeritetin e deklaratave politike mbi pavarësinë e institucioneve dhe presioneve politike mbi ato. Në kuvend merr jetë fizionomia e harmonisë, balancës dhe respektit të pushteteve.

Shkalla e demokracisë varet sa nga pavarësia e ligjëruar e institucioneve si Prokuroria, Shërbimi Informativ Shtetëror, Gjyqësori, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit aq edhe nga vullneti për të respektuar vendimet e këtyre institucioneve të pavarura duke i zbatuar ato, si dhe nga mënyra e sjelljes dhe komunikimit me këto institucione. 

Harmonizimi i legjislacionit me atë të vendeve demokratike kërkon angazhim serioz në rregullimin, modifikimin, përshtatjen e sistemit të drejtësisë dhe në zgjidhjen e çështjeve të tjera po kaq të rëndësishme për të ardhmen e këtij vendi. Zgjidhja e drejtë e çështjes së pronës, kthimit dhe kompensimit të saj mbetet themeli i funksionimit të një shteti ligjor, guri i provës së demokracisë, luftës së vendosur dhe pa ngjyrime politike ndaj korrupsionit në politikë, administratë e shoqëri. Ajo nuk është vetëm një çështje e të drejtave të njeriut, por garanci për një zhvillim të harmonizuar të ekonomisë dhe mundësi e lehtësi për investime nga sipërmarrës të lirë, vendas dhe të huaj. Ajo është një kusht për t’u integruar dhe si e tillë por edhe si detyrim kushtetues, unë besoj se ky Kuvend do të pasqyrojë vullnetin konsensual për të gjetur zgjidhjen e qëndrueshme dhe afatgjatë.

Përmasat që po merr turizmi, por edhe rëndësia e ruajtjes së mjedisit, vëmendje më e madhe për fushën e shëndetit dhe të arsimit, imponojnë një mbështetje bashkëkohore ligjore me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve përballë zhvillimeve të vrullshme dhe demografike që qendra të veçanta urbane po përjetojnë sot.

Koha për politika largpamëse dhe racionale kërkon vëmendjen tuaj për të bërë pjesë të agjendës parlamentare reformën e riorganizimit administrativo-territorial, e cila nëpërmjet një bashkëpunimi bipartizan do të transferonte në mënyrë të harmonishme dhe të kontrolluar drejt pushtetit lokal sa përgjegjësitë e kompetencat aq edhe burimet e financimet që vijnë nga buxheti i shtetit dhe politikat qendrore të zhvillimit.

Jam shumë i ndërgjegjshëm për vështirësitë e realizimit të plotë të këtyre reformave demokratike, por jam shumë i angazhuar dhe i palëkundur për të dhënë kontributin tim maksimal në procesin e emancipimit politik dhe demokratizimit që kërkon vendi, duke nxitur frymën e dialogut politik, bashkëpunimin midis partive politike, si e vetmja rrugë për t’u shkëputur nga tranzicioni i gjatë, i vështirë e i lodhshëm për të ndërtuar të ardhmen tonë euroatlantike.

Dëshiroj të rikonfirmoj, se Presidenti i Republikës do të vazhdojë të përmbushë misionin e tij në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të garantojë marrëdhënie korrekte institucionale me Kuvendin e Shqipërisë dhe të mbrojë interesat e shtetasve të këtij vendi me cilësinë e Kryetarit të Shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit.

Duke ju uruar suksese dhe një fillim të mbarë, mbetem me besimin se gjatë këtij sesioni, kuvendi do të përmbushë me përgjegjësi detyrimin e tij kushtetues, ligjor, kombëtar dhe qytetar në shërbim të popullit shqiptar. 

Ju faleminderit!

http://www.president.al/shqip/info.asp?id=6082

7 Komente

mekanizëm magjik të kontrollit e të numërimit të pakundërshtueshëm të votës së hedhur nga qytetarët tanë

Z. President, nuk jane kepuce te kuqe - ruby red slippers - mekanizmat e votimit.  Te ishte ashtu, vemi i marrim borxh kepucet e Dorothy's, klik-klik tre here, dhe shkojne votat neper vende. 

Mos i jepni kete ton misticizmi a magjie nje aspekti elementar, edhe pse themelor te demokracise qe kerkohet te konsolidohet (sipas fjalimit.)  Pothuajse 20 vjet duke pritur per zgjedhje reale, te pakontestuara; po i jepni kesaj pritjeje ngjyrat e nje odise-je drejt magjise.  Nuk ka magji.  Vete e thurni diten, dhe shthurni naten ate gjoja tapet magjik. 

 Ai "thes", nuk nxe me shume o Monda.Ne dhjete sllogane  "kaurdiset"  Bamka.Dhe ne nende prej tyre, ja keput katundit.Mundohet te jete  "brenda"....Eh! Do iki dhe ky si te tjeret.Pa lene asnje  gjurme pas.

Po kryetarin e Gjykates Kushtetuese pse nuk e shpall, apo i eshte premtuar te ardhurve te rinj qe do emerohen anetare?

Flet per pavaresi te gjyqesorit dhe nuk thua asnje fjale, qe gjyqesori eshte sektori me i korruptuar ne Shqiperi dhe qe te arrestosh sot nje prokuror/gjykates eshte pothuajse e pamundur edhe po pate prova.

Flet per keqardhje te shqiptareve, te cilet as me 28 qershor nuk njohen zgjedhje te pakontestuara. Po sa eshte kontributi i tij qe keto zgjedhje te mos ishin te pakontestuara? Si President nuk u shpreh denoi ne asnje moment sjelljen shkaterruese te socialisteve. 

Po si president nuk u shpreh as per hajdutllekun e maskarenjeve te PD-se!

 Mik,

presidenti sot ka dekretuar 4 emra si gjyqtare te GjK dhe njekohesisht ka firmosur sa i mjere eshte. Njeri prej emrave eshte mysybet, po mysybet fare.

Sec kam nje ndjesi te cuditeshme per kete lloj presidenti une. Nuk e di, nuk e di.

Me zi se ky vetem Ramiz Alia ka qene.

 ".... Ky çast do të kërkojë fillimin e një angazhimi të gjithanshëm të një administratë publike të lirë profesionalisht, të reformuar sipas standardeve evropiane, të qëndrueshme, larg emërimeve partiake dhe presioneve politike apo të frikësuar nga pushteti apo ndryshimi i tij... " 
 

 

Mirpo me keqardhje eshte vene re se administrata shqiptare eshte me e korruptuara ne bote. Une kam 2 vjet qe kam filluar proçeduren per te marre deshmine e pronesine se shtepise se kohes se socializmit, (e s'kam konflikt me ndonje, se eshte shtepia jone, ne parafabrikat) dhe me gjithate, Hipoteka dhe Gjendja Civile (Lagjia) me sorrollasin per nje çertifikate. Kjo eshte kuj e zeze. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).