Rrugëtim mes gjurmësh çame në Igumenicë, Parga e Margëlliç. Shtëpitë e rrënuara, dyert e djegura dhe minarja pa xhami, dëshmi të dëbimit masiv të 66 viteve më parë. Ç’ka mbetur në atë anë të kufirit dhe çfarë ndodh në tokën ku 66 vjet më parë u dëbuan mijëra çamë nga shtëpitë e tyre.

http://thimisamarxhiu.files.wordpress.com/2010/09/101_0106.jpg?w=157&h=210

Këtej kufirit flitet shumë për Çamërinë. Ato ngjarje të viteve ‘44-’45, ku një popullsi e tërë u shpërngul me dhunë, pas qindra vrasjesh e masakrash është ngulitur thellë në memorien e shqiptarëve, po aq sa në marrëdhëniet tona me Greqinë. Po ç’ndodh 66 vjet më pas, në atë anë të kufirit, të quajtur dikur Çamëri? Udhëtimi ynë drejt atyre viseve ka si mision prekjen nga afër të gjurmëve të lëna pas nga mijëra çamë të dëbuar nga shtëpitë e trojet e tyre. Nisemi nga Tirana, për të vazhduar në Janinën e Ali Pashës e pas 11 orësh udhëtim me një autobus të linjës, mbërrijmë në Igumenicë. Porti i Igumenicës, nga hyjnë e dalin çdo orë dhjetëra tragete është pamja e parë që të shfaqet, sapo hyn në këtë qytet. Edhe sot, ky port vazhdon të mbetet ndër më të rëndësishmit e Greqisë, pasi përmes tij kalojnë rrugët tregtare me Italinë. Duke ecur nëpër rrugët e ngushta të Igumenicës, ndeshemi me godina të reja, lokale të tejmbushura nga të rinj që gjerbin frape dhe periptero e te të cilat mund të gjesh çdo gjë. Kjo është Igumenica e ditëve të sotme, ku nën këmbët e detit Jon, banorët e ngeshëm të këtij qyteti nuk e kanë harruar megjithatë zakonin e vjetër të dredhjes së tespive.

***

Mund të ecësh me orë të tëra në këtë qytet, pa dalluar asnjë gjurmë të së shkuarës, e megjithatë, në një nga rrugicat e ngushta veshët arrijnë të kapin disa fjalë familjare. Dy të moshuar, rreth të 70-ave, duke luajtur domino në një prej stolave buzë detit, diç flisnin në shqip. Duke u afruar, fjalët sa vijnë e bëhen më të qarta. Ndalim pranë tyre. Ata ndalin lojën dhe të folurën. “Më falni, shqiptarë jeni?”. Katër sy na shohin dhe heshtin. “Ju dëgjuam që po flisnit shqip. Jeni të lindur në këto zona, apo keni ardhur tani vonë?”. Sërish heshtje, e cila ndërpritet nga përplasja e gurit të dominosë. Asnjëri prej dy të moshuarve nuk flet më, e megjithatë, nuk t’i shqisin sytë. “Xhaxha, jeni shqiptar? - i drejtohem me zë disi më të lartë njërit prej tyre, e këtë herë heshtja thyhet, por prej një përgjigjeje të pakuptueshme. Njëri prej të moshuarve diç foli në greqisht dhe hodhi sytë mbi gurët e dominosë. Mes qindra dilemash, dyshimi tek ç’ka kishim dëgjuar renditej diku në krye. Por përgjigjja nuk vonon të vijë. Një djalë rreth të 30-ave ndalon krah nesh dhe përshëndet në shqip dy të moshuarit. Të habitur, hedhim sytë nga djali, por të moshuarit ia kthejnë përshëndetjen në greqisht. “Na falni zotëri, dëgjuam që po flisnin shqip dhe iu drejtuam dy të moshuarve për të komunikuar me ta, por na e kthyen në greqisht” - i ankohemi të riut, por edhe ky nuk na kushton vëmendje. Nis të flasë me dy të moshuarit në gjuhën e dytë, prej së cilës nuk kuptojmë asgjë. Pas disa çastesh komunikimi, i riu na kthehet duke na pyetur se për çfarë interesoheshim. Pasi i bëjmë të ditur se donim të dinim nëse ishin shqiptarë apo jo, i riu na përgjigjet prerë: “Jo, jo nuk janë shqiptarë, por dinë disa fjalë shqip”. Më të thënë këto fjalë, i riu largohet dhe bashkë me të edhe dy të moshuarit, të cilët mbledhin me shpejtësi dominotë dhe faqet e gazetave mbi të cilat ishin ulur. S’na mbetet tjetër veçse të ikim që aty, me shpresën se do takojmë të tjerë vendës që flasin shqip mes tyre, e flasin shqip me ne.

***

Në një mini-park lojërash për fëmijë, dëgjojmë sërish shqip e rendim drejt tyre, me shpresën e bisede të ndryshme nga ajo e para. “Mirëmbrëma. Shqiptar jeni?” Tjetri të kthehet me të njëjtën gjuhë, e cila ta largon menjëherë shqetësimin: “Mirëmbrëma. Po, jam nga Vlora”. Pasi këtij prezantimi, mesoburri nga Vlora na pyet se çfarë kërkonim në Igumenicë. I bëjmë të ditur qëllimin e vizitës tonë në këtë vend, duke i kërkuar dëshpërimisht ndihmë. “Ata dy të moshuarit që thatë se takuat më parë janë shqiptarë. Janë të lindur në Igumenicë, por nga frika nuk e pranojnë këtë gjë. Nuk është hera e parë që shqiptarë të vjetër, të lindur në këto troje nuk pranojnë të prezantohen si shqiptarë. Nuk duhet t’i paragjykoni, pasi ata i druhen ndonjë largimi nga shtëpitë e tyre dhe më keq, ndonjë sulmi nga persona ekstremistë” - na tregon Artani, i cili prej 15 vitesh jetonte me familjen e tij në Igumenicë. Pas këtyre fjalëve, Artani na bën të ditur se mund të na gjente një person që mund të na thoshte ndonjë gjë në lidhje me dëbimin e çamëve, 66-vite më parë. Bashkë me Artanin, i cili pa dashur u kthye në guidën tonë, ecim nëpër shëtitoren e Igumenicës dhe ndalemi përpara një stoli ku qëndronte një e moshuar. Por të papriturat duket se nuk kanë fund në udhëtimin tonë. Gruaja është greke, quhet Evangjeli e duket se nuk e ka problem të na tregojë atë që di për shpërnguljen e popullsisë çame nga këto troje. Artani i shpjegon të moshuarës se ç’kërkonim në ato anë e ajo na fton të ulemi krah saj. Evengjelia nis të na tregojë në italisht çfarë ka dëgjuar për njerëzit e dëbuar, që dikur ishin fqinjët e saj. “ Unë jam 70 vjeçe dhe ngjarja për të cilën interesoheni ju ka ndodhur kur unë isha vetëm 4-vjeç. Unë vetë nuk mund të them që di gjë, ose mbaj mend gjë nga ajo kohë, por mesa kam dëgjuar dhe më kanë treguar, në atë kohë një numër i madh njerëzish janë dëbuar nga këto troje. Janë vrarë shumë njerëz dhe janë djegur shumë shtëpi. Por siç të thashë, unë vetë nuk kam parë gjë dhe nuk di gjë në lidhje me arsyet e asaj ngjarjeje. Pavarësisht shumë gjërave që janë thënë në lidhje me këtë popullsi të dëbuar dhe mbi shkaqet e këtij veprimi, unë nuk mund të them asgjë të saktë, pasi, përderisa nuk e kam përjetuar vetë atë kohë, nuk dua të bazohem mbi mendimet e njerëzve të tjerë”,- përfundon Evangjelia. Ndahemi me të, duke menduar se qenka e pamundur të takosh një çam në Çamëri e nisim të planifikojmë një tjetër udhëtim, drejt Pargas.

***

Shumë çamë këtej kufirit na kishin bërë të ditur se Parga ishte një ndër mrekullitë e braktisura, por është e vështirë të bindesh për diçka, pa e parë me sytë e tu. Një orë udhëtim nga Igumenica dhe në horizont shfaqet Parga. Në një kodër shtrihen dhjetëra shtëpitë shumëngjyrëshe, të ndërtuara sipas një stili të ngjashëm me Gjirokastrën, por buzë tyre përplasen dallgët e Jonit, që herë merr nuanca blu, e herë të gjelbërta. Endemi nëpër rrugica e ngushta të Pargës, të mbushura me dyqane suveniresh, frutash, lokale, fast-food-e. Një spirancë e madhe qëndron në mes të shëtitores së Pargës dhe fare pranë saj, varka të vogla lëkunden në portin e këtij qyteti.

E ndërtuar buzë një kodre, ku në majë të saj qëndron kalaja, Parga është e ndarë në tre gjinj, ku secili shfaq veçantinë e tij. Një ishull i vogël pak metra larg detit dhe një kishë në të, i qëndrojnë si mburrje kësaj perle, e cila vite më parë ishte e banuar nga popullsi çame. Drejtohemi në një prej kafeneve të shumta buzë detit dhe pranë nesh, disa turistë të huaj flasin për bukuritë e Pargës. Mes bisedës së tyre, hera herës përmenden dhe shqiptarët si një popullsi që ka banuar në këto troje vite më parë, por të huajt nuk i japin shpjegim largimit të tyre nga ky vend. Të zhytur në bisedat e turistëve, por me sytë nga shtëpitë e Pargës, arrijmë të shquajmë diku mbi shtëpitë ekzistuese, disa rrënoja të një shtëpie. Logjika e do të jetë e ndonjë çami të dëbuar, por njerëzit që pyesim ngrenë supet, pa ditur të na japin ndonjë shpjegim. S’na mbetet tjetër veçse pasi kemi shijuar bukuritë e Pargës, ta lëmë pas me një keqardhje të pashpjegueshme. Mes bukurisë së Pargës dhe indiferencës së Igumenicës, vendosim të shkojmë në një tjetër fshat: Margëlliç. Sapo hyn në këtë fshat, syri të rrok një minare me majë të rrënuar, rrethuar prej dhjetëra kryqesh të kishave. Minarja e vetmuar qëndron mbi fshat si dëshmi e gjallë e një epoke tjetër mbi të njëjtën tokë. Në rregullat e Islamit thuhet se një xhami është e detyruar të ndërtohet në një vend, ku së paku përpara saj mbushet një rresht me besimtarë që falen. Jo shumë kohë më parë, edhe përpara asaj minareje pa xhami duhet të jenë mbledhur besimtarët muslimanë, por sot, minarja është gati në të rrënuar. E lënë në harresë mes ferrave e shkurreve, minarja pa xhami e Margëlliçit ngjason me shtëpitë e boshatisura, të braktisura dhe pa zot të kësaj zone... E kotë të kërkosh ndonjë shenjë jete në to. Muret e zhveshura, çatitë e munguara, dyert e djegura dhe harlisja e bimësisë vërdallë janë të vetmet shenja të çamëve në këtë fshat të Greqisë. Të flasësh me banorë të zonës, këtu duket edhe më vështirë se gjetkë. Nga pamja nuk duken aspak miqësorë. Të shqetësuar nga prezenca e një të huaji në një fshat të vogël si Margëlliçi, disa prej tyre vihen në lëvizje për të na dëbuar që aty. Të nxehurit janë tre të rinj, të cilët nisin e flasin greqisht. Pyetjet tona në anglisht i lënë të pakënaqur, e në fytyrat e tyre sa vjen e shtohet irritimi. Ngrenë zërin e na tregojnë me dorë rrugën e daljes, pa na lënë mundësinë të futemi më thellë në shtëpitë e braktisura prej shqiptarëve, këtu e 66 vjet më parë. Në këto troje, fanatikët e hershëm mundohen të evitojnë çdo gjë që mund të lidhë këtë fshat me Çamërinë dhe masakrën e viteve 1944-1945. Për ta, toka është e tyrja dhe e askujt tjetër. Ata janë zotër të saj, edhe pse minarja pa xhami dhe shtëpitë e rrënuara nga koha tregojnë tjetër gjë. Diku tej dëgjohen kambanat e kishës e kjo duket se i qetëson disi tre të rinjtë. Një e moshuar bën tre herë kryqin dhe sytë i ngre nga qielli, por përballet me minaren e vetmuar pa xhami. Në ikje e sipër, i kthejmë edhe një tjetër herë sytë nga Margëlliçi. Minareja është aty, rrënojat e shtëpive gjithashtu ... Mungojnë veç njerëzit.

9 Komente

Nje 5ce per menyren e bukur e te shkrojturit Dhe nje 5*ce per trishtimin dhe fatkeqesine tone kombetare, qe quhet Cameri.

Simboli i Xhamise eshte Cameria sot.

 Ngrenë zërin e na tregojnë me dorë rrugën e daljes, pa na lënë mundësinë të futemi më thellë në shtëpitë e braktisura prej shqiptarëve, këtu e 66 vjet më parë.

 

Tre te rinjte me siguri jane pasardhes Camesh Ortodokse...

dhimbje dhe mesim... Eshte turp e faqe e zeze qe shteti shqiptar nuk ka nje platforme per venien ne vend te nderit te vet, duke bere minimalen: nje kerkese zyrtare demshperblimi. Aq frike kane politikanet tane nga greqia sa per te shmangur permendjen qofte per sy e faqe te ceshtjes came ne fushata elektorale, stimuluan daljen e cameve me forcat e veta politike, duke ja deleguar nje ceshtje shteterore qe ka te beje me te drejtat e shtetasve dhe me dinjitetin e shtetit, nje force politike qe do te jete gjithnje e dores se trete. O sa turp me qene shqiptar ore hej!!!

t,

E drejte por eshte me shume se kaq. Nuk kane frike, ata jane tradhetare. Dhe mos thuaj se jam i eksaltuar kur e them kete. Ka ne bote situata te tilla kur qeveria per nje arsye apo tjeter nuk del dot hapur ne lidhje me nje ceshtje apo tjeter, atehere nen preteksin e fjales se lire ato ( qeverite) inkurajojne OJQte, Nepermejt sherbime sekrete qeverite u japin para , i perkrahin, i keshillojne , u japin informacion etj  ketyre OJQve per te realizuar ate qe duan. Qeveria jone nuk ka frike ajo NUK DO realizimin e ketj qellimi.

Pse te mos financoj nje shoqate me para etj qe te bente zhurmen e duhur ne lidhje me kete ceshtje. Pse te mos financoj qe nje OJQ fetare psh,  ta bleje ate Minarene dhe te nderotj nje xhami atje? Etj etj NUK DO dhe pike.

 Pas 50 vitesh nje reportazh i tille do te behet nga e njejta reviste shqiptare per emigrantet shqiptare te zhvendosur gjate viteve 90' ne athine,selanik, patras, janine etj etj.

mos ki merak daku, deri ateher greket do ken ik per shele. Me kete fertilitet qe kan greket sot pas 50 viteve 60% e "grekeve" do jene emigrante me kombesi te ndryshme. Gjithmon nqs arrin tia dal krizes se mesa shoh Greqia ka per tu bo kurban i kapitalizmit.

E sa jam kapur me çamët në Rraps(Anthusa) fshati mbi Pargë.Ore po pse flisnin shqip në kafene(kur vinte ndonjë grek e kthenin greqishtë bisedën) e në shtëpi,kur thoni se nuk keni lidhje më të qënurit shqiptarë.Përgjigjia e tyre:Në kohën e Ali pashës flitej vetëm shqip dhe nuk na linin të mësonim greqishtë më thonin,gjyshrit dhe prindërit tanë e mësonin fshehur greqishten ja bënin.Po mirë kur ata e paskan mësuar me dhunë shqipen ju pse e përdorni akoma në biseda në kafene e në shtëpi.Ju jeni shqipatrë ortodoks ja u bëja,aty nervozoheshin dhe nuk donin të flisnin më.Që të flasësh shqip me ta duhet të jetosh atje e të futesh në biseda të përditshme jo si kan shkuar këta gazetarët se ashtu kan frik të flasin.Më lartë Rrapsit është një fshat tjetër që vetëm shqip dëgjon Agia(ja kam harruar emrin shqip).Po ashtu në Margëlliç flasin shqip plot dhe në fshatra të tjerë.Në Pargë ke plot nga zona e Progonatit që kan shkuar aty në fund të viteve 1800 fillim 1900.www.youtube.com/watch Dëgjoni ça kan filluar e thonë grekët

tre te rinj "grek", pasardhes te napolon zerves. Mbaju shpirt ,mos dil prej kraharori. Kjo eshte nje deshmi se sa shume u kemi dhene te drejta bollanove ne Shqiperine tone. Megjithate e verteta vonon ,por nuk harron. Ata nuk mundn me ta mulojne diellin me shosh.  SHQIPERI ETNIKE , NGA NISHI NE PREVEZE

Pershendetje te gjitheve!
Ne radhe te pare dua t'Ju falenderoj per komentet e shumta dhe vleresimet per kete shkrim.
Une jam autori i ketij shkrimi dhe per 4 dite kam qene ne ato treva, te cilat me nje fjale te vetme ishin te mrekullueshme. Por mrekullia dhe madheshtia e asaj toke, veniteshe sapo syte te ndeshnin me shtepite e rrenuara dhe gati ne shembje. Ishte nje pamje tronditese qe nuk te linte asnje mundesi per koment.
Persa i perket incidentit ne Margellic, nuk di te them ne ishin grek apo came ortodoks, di vetem te them qe ishin shume te indinjuar nga prezenca ime ate dhe nga fakti qe une isha duke ecur neper fshat dhe duke fotografuar ate. Madje indinjimi i tyre arriti deri aty se ma te uluritura ( gjithmone me greqisht) me detyruan te largohesha me shpejtesi nga ai fshat, pasi nuk e dija ca me priste me pas.
Dhe nje here shume faleminderit te gjitheve.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).