Pjesa më e madhe e njerëzve që takoj, nuk e kanë shijuar edhe aq këtë verë. Një stres i pakapshëm, i veshur me pluhur, vapë e zhurmë na mundon vazhdimisht, dhe s'marrim vesh nëse po mërzitemi kot apo plot.
Tani që iku vapa me Paul van Dyk-un, është koha për të bërë një rezyme të verës që kaluam.


Moda e re e DJ-ve
Këtë verë u pa një garë e shfrenuar se cili night club do të sillte më shumë DJ, në Tiranë a në plazh. Madje, edhe atyre që kanë klube barishtesh, ku hahet mish në hell, u hipi qejfi të ftonin ndonjë DJ me emër, për të mos ngelur prapa të tjerëve.
Kryesonte DJ Tiesto e Paul Van Dyk, që me përjashtim të nja 200 qejflinjve, pjesa tjetër e popullsisë, përfshi edhe mua, nuk besoj se janë në gjendje t'i dallojnë nga Sandy Riviera për sa i përket stilit të DJ-llikut. DJ-i me famë mund të vinte edhe një miksim të parapërgatitur e askush s'kishte për ta marrë vesh. D.m.th., se e vuri remiksin DJ Gimi apo e vuri DJ Molella, ata njerëzit super tapë, vështirë se e marrin vesh...
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit apo dhe të Europës, ne kishim argëtimin kulturor më të pasur në DJ, por më të varfrin në larmi e në kulturë. Sepse, DJ-të që vijnë për koncerte, janë argëtim, por jo medoemos aktivitete kulturore. Të mblidhesh në Dhërmi për të bërë bar, për të prishur lek e për të parë femra me bikini deri në 8 të mëngjesit, e për të mos marrë vesh çfarë ndodhi ngaqë ishe tapë, është goxha qejf, por jo aktivitet kulturor.


Tirana, për nga larmia e aktiviteteve kulturore nuk krahasohet në verë as me një qytet si Ohri, e larg qoftë me metropolet europiane. E vetmja gjë që ndodh janë DJ-të.
Megjithatë, secili ka të drejtën të zgjedhë drogën..., pardon, jetën kulturore që i pëlqen.
Çështja nuk është as tek kultura, e as tek gara mes bareve. A kanë mundësi ta marrin edhe për kamerier Sandy Riverën për t'i rritur namin klubit? Bravo!
Çështja është kostoja e këtyre DJ-ve e mbuluar me sponsorë, që në rrugë private kam mësuar se kushtojnë dhjetëra-mijëra dollarë. Dhe lind pyetja, sa e drejtë është që kompanitë e mëdha të investojnë nga paratë e mbledhura nga konsumatorët shqiptarë për DJ të huaj, të cilët marrin dhjetëra-mijëra euro që të hipin 2 orë në majë të dërrasave të një beach bar-i? Sa e moralshme është që fitimet e mbledhura nga harxhet e njerëzve të thjeshtë të shkojnë për të argëtuar 1 mijë të rinj të bërë thumb e dru në Dhërmi?


Ndoshta, ato para, meqenëse qenka e thënë të investohen në art, mund të investohen më me mend tek artistët e rinj, që janë plot me projekte në kokë e që përplasen sa andej këtej për të marrë 1/10 e asaj që mori një DJ për 2 orë të venë një shfaqje teatri.
Ose, nëse teatri nuk konsiderohet edhe aq trendi, ka plot projekte të tjera. Më e pakta do të ishte të investohen në DJ shqiptarë, dhe ka prej tyre që mund të luajnë po aq mirë sa Tiesto me shokë.


Rreziku i vetëm është se ca qindra snobëve të Tiranës, do t'u duket vetja që janë vërtetë në Dhërmi, ndërsa vdesin të shtiren sikur janë në një vend ekskluziv e luksoz.



Moda e vjetër e dasmave

Nga ana tjetër, DJ-të shqiptarë, e panë të arsyeshme që ta nxirrnin bukën e gojës në evenimente më pak mondane. Nga e hëna deri në të premten, lagjet e Tiranës buçisnin nga dasmorë të eksituar e nga ajo lloj muzike që ta shton dëshirën të emigrosh në Kurdistan.

DJ-të shkonin në një dasmë në drekë, në një tjetër në darkë e në tjetër akoma të nesërmen, duke luajtur të njëjtat këngë e duke prodhuar të njëjtën zhurmë. Dasmat konkurronin njëra-tjetrën me foni stadiumi.
Policia e njoftuar nga të katër anët për prishje të qetësisë publike, nuk reagonte dhe ngrinte supet... "Po kanë dasmë".


Moda e heshtjes

Ti sheh TV me zë të lartë për të mbytur zhurmën e përbindshme që vjen nga jashtë. Por, sado që sheh TV, duket se përveç aksidenteve, dhe akuzave për korrupsion nga të katër anët - gjëra që s'kanë të bëjnë me ty që po sheh TV - asgjë nuk ndodh.
Në fakt, kanë ndodhur gjëra, por që nuk janë thënë.
Kjo verë, nuk ka qenë fare pa ngjarje, por ja që ata që drejtojnë këtë vend dhe informacionin e tij e kanë parë të arsyeshme të mos i thonë. Opozita dhe pozita kanë qenë me pushime, pastaj, pse duhet t'i thonë të gjitha? Do t'i thonë vetëm po t'u duhet kohë më vonë.


Akuzat e ndërsjella për korrupsion, a nuk kanë qenë aty prej kohësh? Pse po dalin vetëm tani? Të dyja palët kanë hapur thesin e kërcënojnë: "Ou? E the, ëë? Shih pra, çdo të nxjerr nga thesi kundër teje!"


Mullinjtë me erë që bluajnë lajme, u kujdesën që publiku të marrë dozën e duhur të valiumit, me lajme e emisione që të përgjumin vëmendjen.


Televizionet tona i mbushnin edicionet e lajmeve me voks-pope për shalqinjtë e rërën, dhe orët e drekës me ritransmetime emisionesh. Emisione që janë të pagëlltitshëm edhe kur jepen live, jo më të ritransmetuar pas shumë muajsh në mënyrë monotone, si ajo kënga e shëmtuar që, pasi e ke dëgjuar nja 100 herë, fillon ta këndosh me vete se të bëhet krimb në kokë.


Kjo është mënyra sesi media e manipulon publikun.
Kjo është ajo që do shndërrohemi së shpejti. Një komb i mpirë, i paaftë të reagojë e të kuptojë. Një komb, në trurin e kalbur të të cilit lëviz vetëm një krimb.
Ka gjëra që kanë ndodhur e nuk janë thënë. Media nuk ka raportuar. As unë s'jua them! Do t'ju duket, sikur ka ndodhur një aksident më shumë, në lajme.


Moda e targave ZYCFMSFGDFTZTZJH
Në lajme, pjesa më e madhe e aksidenteve që dëgjoj ndodhin me makina emigrantësh. Kanë ardhur në Shqipëri, vetëm për pak javë dhe sillen si të jenë të zgjidhur prej hekurash.


Makinat me targa LA ose KR, që tradicionalisht mbajnë lart namin për abuzimin me të drejtën që kushdo mund të ketë një makinë, u ndjenë të turpëruara para shkeljeve, agresivitetit dhe abuzimeve të vazhdueshme të makinave me targa të huaja në rrugë.
A nuk duhej të ishin emigrantët ata që sjellin një copë perëndimi? Ata që sjellin qytetari dhe qetësi? Në fakt, ata kishin ardhur vetëm për të gjetur nuse, për t'u ankuar në vox-pope e për të shfryrë ndrydhjen që u shkakton qytetaria e imponuar në Europë. Duket sikur vijnë në Shqipëri për t'u ndjerë mirë, për t'u ndjerë të lirë, për të kaluar me të kuqe sa herë t'u dojë qejfi, e për t'u ndjerë të pandëshkueshëm.
Kur të kthehen në vendet përkatëse, i pret vuajtja e qytetërimit, ecja e qetë e brenda rregullave. Të shkretët! I dhunojnë andej. I detyrojnë të jenë qytetarë. Rroftë Shqipëria, ku mund të bëjnë ç'të duan!


Në fund të gushtit, makinat me targat TZJTNFVBSDCVSDCB largohen, duke u ankuar për Shqipërinë, dhe për rrugët e pasigurta dhe për plazhin që s'të ofron asgjë.


Moda e vjetër e RËRËS

Bregdeti ka arritur deri te fshatrat e Tepelenës. Të paktën për çmimet. Ishin të njëjtat në një fshat tepelenas, si të ishe në bregdet.


Çmimet e ekzagjeruara, patatinat që kushtojnë në dyqanin e fshatit më shumë se në dyqanet në qendër të Tiranës, snobet që vijnë me taka të larta në rërë, motorët që të çajnë ballin, muzika që të hap kokën. Ky ishte plazhi sivjet. Njësoj si vjet. Edhe si parvjet. Me një ndryshim. Çmimet, dhe "luksi" i shtuar.


Kishte plazhe publike ku ti nuk ndjeheshe publik, se duhej të paguaje e nuk të linin të ngulje çadrën tënde.


Kishte vende ku çadrat e plazhit paguheshin me euro me çmime si në Bora-Bora.
Dhe të mendosh që plazhi ishte po ai... njerëzit po ata..., vetëm se pronarit i duhen ca më shumë lekë për të bërë pushimet e veta në Barcelonë.
Në çadra nuk bisedoje dot, sepse kamerierët e bërë dru tërë natën, dëgjojnë hauz që në 9 të mëngjesit.


Dhe plazhi ishte po ai... njerëzit po ata..., vetëm se qejfi tentonte të ishte më luksoz.
Gjërat më të mira në botë janë falas, kanë thënë. Por, jo për ne. Ne na duket një gjë e mirë vetëm nëse na e shesin shtrenjtë. D.m.th., nëse ne marrim atë që tjetri s'ka ta paguajë. Qejfi jonë është me të dukur.


Më patë ku isha? Isha aty, te vendi më i shtrenjtë! Më patë ku isha? Aty, tek DJ Tiesto. Si ishte DJ Tiesto? Nuk e di! Më duket se ishte ai që luajti i fundit... apo mos ishte ai i parafundit?


Këtë vit, plazhet tona qenë gjysmë të boshatisura, dhe një popull i zgjuar kupton që diçka po shkon mbrapsht. Thashë një komb i zgjuar, jo ne. Ne jemi kombi me krimb në kokë!


Megjithatë, e gjitha ka një anë të mirë. Nuk do na kapë depresioni i pas pushimeve.

31 Komente

Megjithatë, e gjitha ka një anë të mirë. Nuk do na kapë depresioni i pas pushimeve.

smiley

meqe une i lexoj shkrimet nga fundi, kapa kete smiley

Ketu ja futi peshkut Koloretoja smiley

bravo shoku smiley

Dhe pas nje vere te gjate e te thate pason nje dimer i gjate dhe i lagesht... deri sa te na sosen ditet.

shkurt, paster, bukur:

Të shkretët! I dhunojnë andej. I detyrojnë të jenë qytetarë.

sa e drejtë është që kompanitë e mëdha të investojnë nga paratë e mbledhura nga konsumatorët shqiptarë për DJ të huaj, të cilët marrin dhjetëra-mijëra euro që të hipin 2 orë në majë të dërrasave të një beach bar-i?

 

TMERRESISHT E DREJTE!!!!!!!!! Njerezit flasin sikur ti kene marre paret me zor nga xhepi!

Sic po e diskutoja me nje shoqe qe nuk jeton ne Shqiperi, Tirana PER RININE eshte bere nje qytet konsumi masiv ku njerezit ndjehen gjalle vetem klubeve, sepse nuk ka shume aktivitete kulturore, sepse distancat jane te shkurtra, sepse shkolla dhe familja nuk e promovon dot leximin. Dhe njerezit kane leke dhe kohe per keto gjera sepse nuk kane pergjegjesi familjare, nuk paguajne qera, shfrytezojne punen e prinderve (qe tek pazari e deri tek cuarja e kepuceve te kepucari).

Ajo qe nuk thote Koloreti eshte qe nuk ka pse te kene interes kompanite e shprendarjes se alkooleve, duhanit dhe as kompanite celulare (me kete po e mbyll se kompanite e rrobave nuk kane kuptuar akoma mundesite e tyre ekspansioniste) qe ne Tirane apo ne satelitet e saj bregdetare te kete aktivitete te tjera, te cilat minimalja ngadalesojne konsumin.

E keni idene sa pak konsum eshte te shohesh nje film 2 ore 2 veta me nje ibrik caj?

Ne teater s'pihet as caji (por shqiptaret hane fara).

Ne galeri arti s'hahen as fara.

Kemi shprese te kompanite e rrobave sportive qe t'i japin impuls zhvillimit te sporteve.

- sa per dj-te Koloreto mos ekzagjero se kemi domosdoshmerisht nevoje per muzike me te mire se ajo qe jemi ne gjendje te prodhojme. ti thuaj sa veta shkojne te shohin whitesnaket, deff lepardet, ulin, apo ate ish-rainbowistin, ian paicen, apo grupet interesante evropiane tek rock the block...

Ne teater s'pihet as caji (por shqiptaret hane fara).

smiley

tru tru smiley

Shqiptaret hane patatina dhe ne opera, u be qameti se hane fara kungulli apo dhe luledielli ne teater... Mu si minj, krec-krec-krec...

edhe nai miser te pjek na e do xhani smiley

apo nuk shkon me dramat

smiley

le pastaj me filmat porno smiley

Eh c´mu kujtua nje ish ambasador i Shqiperise i para shume viteve ne Vjene, qe ishte ulur bashke me shoferin e tij ne shkallet e teatrit te operas, ku do te zhvillohej nje ballo e Vjenes, dhe hante fara luledielli. smiley

mos u tall  :O vertet ?

Eh, keshtu u shokova dhe une atehere, por tani qesh me te smiley

pedro, ka qene nje kohe kur shqiptaret jashte shtetit njiheshin qe ishin shqiptare vetem nga ngrenia e farave te lulediellit, para nja 7- 8 viteve kjo,

por ama nje ambasador, e tmerrshme...

Nje sekonde nje here, ku i kishte gjetur farat e lulediellit ne Vjene ky, mo?! I kishte porositur me kusherinjte qe i vinin nga Shqiperia, thua?! smiley

Nuk e pyeta dhe nuk i kerkova llogari, por une kam pare shpesh neper supermarkete ne Gjermani te shiten qese me fara luledielli edhe fara kungulli. Ka ne Gjermani, patjeter qe ka edhe ne Austri, dy shtete - nje popull + globalizem smiley

vetem me nje ndryshim te vogel,  i blejne vetem shqiptaret smiley

nuk eshte se i jam futur nje analize te tille, por nuk e besoj se eshte keshtu, per arsyen e thjeshte, qe nuk ia vlen barra qirane te mbash produkte ushqimore ne dollape supermarketesh vetem per nje grup njerezish, te cilet nuk perbejne ndonje perqindje kushedi cfare te popullsise se pergjithshme, thjesht nuk do te ishte rentabel. Vetem nese do te ishte ndonje comercial gag.

Ose do te ishte nje lloj shperblimi per popullsine shqiptare ne Gjermani, ne shkembim te reparacioneve te luftes smiley

 Pedro, shiten si ushqim per zogj me thase dy kilsh.

Yyyyyyyy, sa e bukur kjoooo ! Dmth ambasadori po realizonte 'Krevatin e Perandorit 2'  !! 

Z. Cukali, kompanite i ofrojne publikut ate qe ai kerkon. Fakti qe klubet me keta tixhenjte mbushen plot tregon qe publiku ka interes. Edhe mua s'me pelqen hic qe madison square garden mbushet tumllas kur ka koncert jay z apo nej hiphopist tjeter dhe sarah brightman e ka sallen gjysem bosh por s'ke c'ben, kete do populli smiley

Sa per te tjerat ne rregull je. Megjithate mua si pushues TR mu duk me e pelqyeshme se vitet e tjera, kuptohet nuk po kerkoja aktivitete kulturore se jam i ngopur me to. smiley

Kemi shprese te kompanite e rrobave sportive qe t'i japin impuls zhvillimit te sporteve.

 

@ tropizma:

Nuk di nese e ke thene me ironi, por ideja eshte fort fort fort e mire !!!!

Mua me ka zene depresioni i post-pushimeve. S'me duket aspak qe isha ne pushime ne Shqiperi por ne zbor. S'po arrij te vij ne fije. smiley

 Po ti bosh pushimet ne Zall t'Kirit...?!

 Po ti bosh pushimet ne Zill t'K...it?!

Emri me beri shume pershtypje "Koloreto" wtf?

Te pakten te gjej nje pseudonim kur shkruan ne shtyp, se te vjen per te qesh kur te ben moral dikush me nje emer te tille.

P.s. Vertet krahason Tiesto me DJ shqiptare Koloreto apo e kuptova gabim?

 Ky djali ka stil Edision Ypi. Fat i percaktuar. Nese vazhdon keshtu do tallin menderet lexuesit me te.

Cukallesh si ishte kjo puna e kombit me kryma a me vryma si e ke shkrujt se nuk e mora vesh ? Kombi eee?

Rreziku i vetëm është se ca qindra snobëve të Tiranës, do t'u duket vetja që janë vërtetë në Dhërmi, ndërsa vdesin të shtiren sikur janë në një vend ekskluziv e luksoz.

 

Hehehe....Pune majmunash...

 Koth, nuk ishte stili i Ypit, por pak me i kendeshem. 

Shume gjykim i dobet. Sa e drejte eshte te sponsorizojne DJ-te e te mos sponsorizojne projektin tim? ... Ky Koloreto  a nuk eshte "Kolo" qe bente dikur mengjesin ne Club FM?

Po ça i ka kapur këta me makinat e emigrantve po ik ore plasi sytë se te vijat e bardha vetëm makinat e emigrantve ndalonin për të kaluar këmbësorët,ndërsa makinat me targa shqiptare sa nuk të hidhin në ndonjë majë palme.Dhe policat rrinin si hunjë asgjë nuk bënin e aq dhe ndonjëher e pengonin trafikun.Asnjë nuk pash ti vihej gjobë se kishte parkuar mbi vijat e bardha.Vini rregullin aty njëher që ta din dhe emigrantët nga tja mbajnë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).