Edicioni 14.

 Në Festivalin e Letërsisë marrin pjesë 300 shkrimtarë e studiues.

 

Fitues të çmimeve “Booker”, “Goncourt” dhe “Friedenspreis”: rrëfimtarë, mendimtarë dhe fabulistë. Do të jenë më shumë se 300 shkrimtarë, intelektualë dhe artistë që do t’u japin jetë 270 takimeve në edicionin e 14-të të Festivalit të Letërsisë në Mantova që mbahet nga data 8 deri në 12 shtator. Vitin e shkuar ishin 90 mijë gra dhe burra që kanë dashur të dëgjojnë shkrimtarët, poetët dhe studiuesit pjesëmarrës në këtë festival. Mes emrave që mbërrijnë në Mantova, janë zgjedhur dhjetë shkrimtarë, takimet me të cilët nuk duhen humbur.

 

Amos Oz

Kur flet ai i ngjan një gjyshi që tregon përralla. Tek e fundit, kjo e dallon letërsinë e një shkrimtari, më i njohuri i dhjetëvjeçarëve të fundit në botë dhe i ftuari i nderit i Festivalit të Mantovës. Ka rithemeluar letërsinë izraelite, por sidomos ka ndikuar në dy breza shkrimtarësh nga koha kur më 1967, në moshën 32-vjeçare botoi “Majkëlli im”. Bëhet fjalë për një roman ku në pamje të parë ndodhin shumë pak gjëra, njësoj si në librat e Çehovit. Në të vërtetë, përshkruan me ndjeshmëri prekëse shpirtin e një gruaje të re nga Jerusalemi, e cila duke kërkuar kuptimin e jetës dhe të emocioneve, shkatërron martesën. I shoqi, një njeri i mirë nuk arrin të kuptojë që ajo nuk është e lumtur. Jo rastësisht Oz e përkufizon dashurinë si ”formën më radikale të egoizmit”. Prej asaj kohe rrëfen vetminë, ëndrrat dhe ndrydhjet e njerëzve në qytetet e vogla të shkretëtirës. Oz flet shpesh me optimizëm për politikën.

 

Azar Nafisi

Ka lindur në Iran dhe që prej 13 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri i saj, “Të lexosh Lolitën në Teheran”, botuar më 2003, është shitur në 1.5 milionë kopje në të gjithë botën. Libri bazohet në përvojën e saj si mësuese në Iran, është një lloj himni për “forcën subversive të letërsisë, që bën të mundur imagjinimin e një bote ndryshe". Vajzat e mbuluara lexojnë “Lolitën”, “Zonjën Bovari” dhe heroina të librave të tjerë të mbushur me eros, njësoj sikur të ishin në Paris apo në Londër. Ndërsa në librin “Ato që nuk kam thënë”, botuar më 2009, tregon për nënën “shtypëse dhe totalitare”. Duke folur në publik tregon një Iran të ndryshëm: kozmopolit dhe i dominuar nga gra të forta.

 

Frederick Forsyth

Për adhuruesit e trilerit është një mit, për të tjerët është veçse autori i "Dita e Çakallit” dhe “Dosja Odesa”. Mjeshtri i historive të spiunazhit takon Carlo Lucarelli-n për të folur për stilin e tij mes gazetarisë dhe pasionit personal. Nga koha kur një hetim u konsiderua se kishte përkrahur së tepërmi pavarësinë në Biafra, u detyruar të largohej nga BBC. Libri më i fundit titullohet “Afgani”, një analizë e pamëshirshme për dështimin e luftës ndaj “Al-Kaedës”.

 

V.S. Naipaul

Një nga shkrimtarët më të njohur të gjuhës angleze, “Nobel”(2001), ka lindur në Trinidad nga prindër me origjinë indiane dhe jeton në Angli. Romancier, eseist dhe njeri i kundërshtive. Është autori i kryeveprave "Një shtëpi për zotin Biswas" dhe “Besnik ndaj nëpërkëmbjes”, ankohet shpesh se nuk ka më shkrimtarë të mëdhenj. Edhe për Prustin thotë: “Është i mirë për europianët, por mua nuk më thotë asgjë”. I akuzuar në një biografi se ka keqtrajtuar gruan e parë dhe se ka frekuentuar bordellot, shumë shpesh dhe me dëshirë në publik thotë gjëra turbulluese, politikisht jo korrekte, bezdisëse, por të guximshme. Ka pranuar të jetë pjesë e festivalit të Matovës për t’iu përgjigjur polemikave që ka hapur libri i tij “Maska e Afrikës”, me të cilin është akuzuar për racizëm dhe se sheh në Afrikë “vetëm plehra”.

 

Zadie Smith

E vështirë jeta e shkrimtares, ishte shumë e bukur për të qenë e zonja. Nga koha e "Dhëmbë të bardhë” Smith lufton kundër rrezikut që të masivizohet si yll i librarive e jo si shkrimtare e vërtetë. Romanet e anglo-xhamajkanes gjejnë në Amerikë histori të përditshme heronjsh e antiheronjsh në një shoqëri të përfshirë mundimshëm në luftën kundër racizmit. Romanet e saj e tregojnë botën në një mënyrë të tillë, që shumë pak sociologë kanë arritur ta bëjnë. Nuk e do “publikun”, as gazetarët, por do lexuesit.

 

Kader Abdolah

Shkruan në një gjuhë të marrë hua, holandisht. U largua nga Irani kur revolucioni i vitit 1979 e transformoi në Republikë Islamike. Është shndërruar në një holandez të përkohshëm. I vendosur në “vendin lakuriq” siç e quan ai, i rritur në një botë të mbuluar, në sensualitetin modest të grave të tokës së tij. Ka shkruar romane të suksesshme si: "Shtëpia e xhamisë”, “Udhëtimi i shisheve bosh”, “Portrete dhe një ëndërr e vjetër” e tashmë edhe "Lajmëtari”. Do të jetë një nga shkrimtarët që ia vlen ta takosh në Mantova për të zbuluar tridimensionalitetin e islamit. Thellësinë, sensualitetin, inteligjencën dhe bukurinë që fondamentalistët kanë fshehur.

 

John Berger

Romancier dhe eseist, poet dhe polemit, anglezi Berger e ka filluar rrugën e tij si kritik arti. Është rasti të takosh një autor kulti (Booker Prize me romanin "G.", një klasik universiteti me "mënyra të jetuari”, shkrimtar i madh i dashurisë dhe i të drejtave njerëzore me veprën e fundit "Nga A. në X.") që jep më të mirën e vetes në takimet me lexuesit.

 

Nicolò Ammaniti

Në moshën 15-vjeçare, ende shkrimtar i ri, ai e zhdoganoi zhanrin e letërsisë së zezë në nivelin e çmimeve letrare. Nga romani “Gusha” deri te më i fundit "Le të fillojë festa”, historitë e tij kanë mbushur libraritë dhe kinemanë. Por atë, Ammaniti-n, nuk është e lehtë ta takosh në rrethet letrare e aq më pak në televizione apo ta dëgjosh të flasë për letërsinë e tij, ashtu siç do të bëjë në Mantovë me Marino Sinibaldi-n.

 

Donald Sassoon

Anglezi është autor i "Kultura e europianëve”, një ese e përkryer se si një roman mund të ofrojë bazat e identitetit europian, një intuitë që e ndan me sociologun e njohur, Zygmunt Bauman. Në të njëjtin libër, përmes zhvillimit dhe bashkëjetesës së formave të ndryshme të shprehjes artistike (operës lirike, kinemasë, teatrit, industrisë diskografike) shpjegon se si kontinenti i vjetër është një konstrukt kulturor dhe jo etnik apo fetar. Do të flasë edhe për të ardhmen e librit në versionin elektronik dhe jo vetëm.

 

Seamus Heaney

Imagjinoni një mit të gjallë. I ulur atje, në skenën e takimit që mbyll Festivalin e Letërsisë 2010. Poeti që fitoi “Nobel” më 1995, njeriu i aftë të përfshijë në poezi çdo lloj emocioni, çdo çast të jetës së përditshme e mbi të gjitha çdo tingull. Sepse “poezia është si lentja e dylbive që ndihmon t’i vërë zjarrin botës”. Por bota ndryshon pasi të kesh dëgjuar një poet të tillë, të dëgjosh zërin e tij që lexon disa poezi të përzgjedhura në qetësinë e Piazza Castello.

 

Në foto Seamus Heaney

4 Komente

Amos Oz

Nga të gjithë të përmendurit, këtë e njoh më shumë.

Shumë mbresëlënës si personazh. Më ka bërë përshtypje që ka thënë një herë: Unë përdor dy stilolapsa. Një me ngjyrë blu dhe një me ngjyrë të zezë. Kur shkruaj letërsi përdor të parin, kur kritikoj qeverinë, përdor të dytin. Sepse këto dy gjëra duhen ndarë qartë nga njëra tjetra.

I madh!

thnx Fini.

Kam nja dy muaj qe kam filluar te lexoj romanin e Ammanitit " Che la festa cominci", por nuk e marr vesh pse po e terheq zvarre-zvarre, e s'po e shtyj dot... Mbase s'jam ne right mood per ate liber.

Di gje njeri ku bie kjo Mantova. Artikullshkruesi, nga entuziazmi, ka shkruar fshatin ku organizohet evenimenti, por ka harruar te shkruaj shtetin apo te pakten krahinen.

 ne itali pjer. ne artikull kam vene edhe linkun ne anglisht

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).