Cenimi i pavarësisë së institucioneve sjell penalizime. Koalicioni i Integrimit, notë negative për statusin e vendit kandidat

 

Kriza politike e zgjatur, por edhe nismat e shumicës aktuale lidhur me disa çështje delikate apo parimore, sikurse pavarësia e institucioneve dhe ndarja e pushtetit ka vënë në lëvizje mekanizmat penalizues. Nëse realiteti i brendshëm i vendit nuk ka arritur të imponojë thyerjen e një koalicioni që po bëhet përherë më artificial në raport me aktualitetin e përgjithshëm, duket se janë aktorët ndërkombëtarë ata që kanë vendosur të ndërhyjnë duke ndëshkuar për pasojë Shqipërinë. Burime nga komisioni parlamentar i Jashtëm kanë bërë të ditur dje për gazetën “Shqip”, se sinjale negative kanë mbërritur edhe nga Aleanca e Atlantikut të Veriut e cila nuk ka munguar të vërë nën monitorim vendin tonë, pavarësisht se është një vend anëtar. “Nga persona të kontaktit të NATO-s me autoritetet e larta shtetërore, por edhe nga autoritetet ekzekutive të NATO-s janë bërë prezente rezervat për sigurinë e informacionit që importohet nga Aleanca. Për këtë arsye, Shqipëria si vend anëtar i saj, gjendet në një situatë monitorimi. Kjo është bërë prezent edhe për diplomatët tanë në Bruksel”, shprehet për “Shqip” burimi pranë Komisionit Parlamentar me Jashtë. Një mesazh i qartë që lidhet me kapacitetet teknike të vendit tonë, por që i jep një kuptim politik domethënës lojërave të mbyllura të korrikut me ligjin e ri për Shërbimin Informativ të Shtetit. Simbolikisht, ky status i një vendi që monitorohet thjesht është një shuplakë për kreditet që politika zyrtare kërkon t’i atribuojë vetes lidhur me anëtarësimin, pas të cilit përveçse një vendimi politik qëndrojnë edhe disa probleme thelbësore të mbuluara me heshtje. Ndërkohë, probleme duket se do të shfaqen edhe për procesin e Integrimit në Bashkimin Europian, që duket të jetë prekur më shumë nga kriza e zgjatur politike në Shqipëri. Mjafton të përmendet këtu se një element që bie në sy është edhe fakti se shfrytëzimi i koniunkturës së brendshme të Parlamentit Europian për të bllokuar kauzën socialiste thjesht mund të rezervojë një përgjigje paradoksale për përfituesin kryesor të saj, Kryeministrin Sali Berisha. Kjo duket se do të interferojë edhe në procesin e pakthyeshëm tanimë të liberalizimit të vizave, problemet e të cilit kreu i qeverisë ka preferuar t’i shmangë përmes rritjes inflacionare të akuzave ndaj Partisë Socialiste për këtë çështje. “Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, është shprehur ndaj përfaqësuesve tanë në Bruksel se disa vende anëtare të Bashkimit Europian, janë të shqetësuara për shkak të situatës dhe përkeqësimit të nivelit të korrupsionit në vend. Ndonëse nuk ka rrezik të ndalet procesi i vizave, qëndrimi i ndonjë prej këtyre vendeve mund të problematizojë miratimin e njëkohshëm të procesit”, u shprehën burimet pranë Komisionit Parlamentar me Jashtë. Përtej këtij lajmi që ka një rëndësi për perspektivën, duket se shuplaka më e madhe do të adresohet në çështjen e statusit të vendit kandidat që me sa duket ka që tani një përgjigje negative. “Për statusin janë të gjitha gjasat që të jepet një notë negative”, vijuan më tej burimet, duke paralajmëruar më mirë edhe fokusin real të ndëshkimit që do të marrë vendi për shkak të “mosplotësimit të kriterit politik”. Nëse kjo perspektivë konfirmohet, atëherë duhet thënë se bie edhe arsyeja parimore e koalicionit aktual qeverisës, i cili në fillesën e vet e lidhi ekzistencën e vet me integrimin.

4 Komente

Me mire thuaj dush i ftohte per Shqiperine, se sa shuplake, se me shuplaka eshte mesuar qeveria shqiptare.

Ama nga gazeta shqip eshte lajmi?po e marr me te dremitur,sorry.

 ti e do me vazeline lajmin a si?

“Për statusin janë të gjitha gjasat që të jepet një notë negative”, vijuan më tej burimet, duke paralajmëruar më mirë edhe fokusin real të ndëshkimit që do të marrë vendi për shkak të “mosplotësimit të kriterit politik”. Nëse kjo perspektivë konfirmohet, atëherë duhet thënë se bie edhe arsyeja parimore e koalicionit aktual qeverisës, i cili në fillesën e vet e lidhi ekzistencën e vet me integrimin.

Amen thone te majtet.Por ka pak gjasa te ndodhe.Burimet jane te pacaktuara,thjesht mund te jene burime nga PS-ja.

Shqiperia ,duan apo nuk duan kuqalashet do te perfitoje nga heqja e vizave dhe do te marre statusin e vendit kandidat ne dhjetor.Pasuesit e Rames do te kalojne nje vit te ri pa festime.Pergatituni te kaloni vitin e ri me te zi ne historine tuaj se shqiptaret po i shkallmojne bunkeret qe vune baballaret tuaj.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).