Mbushen sot 90 vjet nga çlirimi i qytetit bregdetar prej italianëve. U valëvit më 2 shtator 1920.

Vetëm rastësia na dha një dhuratë të çmuar: disa ditë më parë identifikuam flamurin që është valëvitur në Vlorë më 2 shtator 1920, kur qyteti u çlirua nga pushtimi italian. Ndodhi fare papritur. Po kërkonim në Arkivin Qendror të Shtetit për të gjetur dokumente, që ndoshta do të na çonin pranë zbulimit të flamurit të pavarësisë. Në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike ruhen shumë flamuj historikë, është si të thuash banka e thesareve të triumfeve kombëtare. Për një gjysmë shekulli këto thesare mbetën të harruar, enigmatikë në atë që fshihnin në vetvete. Të rrije përpara tyre e t’i vështroje, të lindte detyrimi për të gjetur enigmën e tyre. Aq më tepër që prej kohe trashëgohej një thënie, se flamuri i pavarësisë ndodhej në fondin etnografik. Na ngriti mendjen! A mund t’i rezistonte njeri në Shqipëri kësaj thënieje? Ja pra përse iu vumë punës për të gjetur dokumente, që do ta përqasnin ndonjë flamur me shenjtërinë.

Papritur gjetëm një shkresë të vitit 1934, që Muzeu Kombëtar ia drejtonte Ministrisë së Arsimit, ku ndër të tjera thuhej se ata kishin në ruajtje: “Një flamur të mëndafshtë me theka të arta dhe me kravatë të kuqe, që na u dorëzua nga Mënistërija e Arësimitë të 30në të Dimëruarit 1932. Shënimet që kemi mbi të thonë se ky flamur qe shtëllitur në Vlorë, ditën që qyteti u lirua nga ushtërija e huajë”. E përafruam menjëherë me një flamur nga ata që kemi në ruajtje: të dhënat përputheshin. Flamuri është i madh, dimensionet e tij janë: 143 X 118 cm. Në mes është qëndisur një shqiponjë dykrenore, jo e zakontë për nga forma. Madje ka qenë pikërisht kjo shqiponjë me formë të pandeshur më parë, që i bënte edhe specialistët e heraldikës që të stepeshin në përcaktimet e tyre. Flamuri rrethohet nga thekë të verdha, jo të arta siç thuhet në atë shkresën e ministrisë. Edhe pëlhura e kuqe nuk duket si e mëndafshtë, por prej ksantoceluloze, që është taftaja, ose mëndafshi artificial, megjithëse analizat nuk i kemi bërë akoma. Flamuri ka edhe një kravatë të kuqe, edhe ajo me thekë të verdha metalike, që vijnë si spirale. Është flamur nga ata që mbaheshin në shkop, ku kapej me disa lidhëse. Nga mbrapa ka një etiketë. Nga kjo etiketë mësojmë që ky flamur është prodhuar në Napoli nga firma “E. Citola & Figlio”, me adresë: Via Davino 298-300. E kemi pasur në laborator. Kishte nevojë për një ndërhyrje urgjente, për ta shpëtuar nga kalbja. Ka edhe disa dëmtime, si shqyerje të vogla, të ardhura nga shpërbërja e fillit. Natyrisht që do të duhet një ndërhyrje e dytë, me themel, për të thënë që mbaruam punë me të.

A nuk do të jetë me vend që të themi ca fjalë për luftën e Vlorës? U kuptua se Italia nuk donte të ikte me të mirë. Atëherë deputetët e Vlorës në Këshillin Kombëtar, Qazim Koculi dhe Spiro Koleka, ngritën mendjen për luftë. Qeveria e Tiranës, me Kryeministër Sulejman Delvinën, bëri sikur nuk i përkrahu, ndërkohë përgatiti situatën për të përballuar luftën. Në Vlorë shkreptiu. Qeveria e Italisë iu ankua qeverisë së Tiranës. Qeveria e Tiranës e mohoi që të kishte lidhje me kryengritësit. Pse, si do të thoshte, se kishte? U krijua Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare. Qindra vullnetarë u mblodhën në fshatin Beun. Tani kishte një ushtri sa për t’u dhënë një ultimatum italianëve. Ia dërguan gjeneralit Piaccentini: O ik me të mirë deri më datë 4 qershor 1920, o e dimë ne! Gjeneral Piaccentini kishte në Shqipëri 20000 ushtarë, e kushedi se sa anije lufte. Hajde, hajde, pyeste ai për ultimatume! Mbrëmjen e 5 qershorit, plasi. Deri vonë rrugës për në Kuz Baba dhe në ullishtat e Vlorës gjeje sa të duash gurë varresh me emra italianësh me datëlindje të ndryshme, por me vit të njëjtë vdekjeje, 1920. I kam parë deri në vitin 1966. Kur kalonim andej, i lexonim duke kujtuar luftën e Vlorës. Më 9 qershor Piaccentini mori nga kryengritësit një tjetër mesazh paturpësie, që të dorëzonte qytetin pa luftë. Pa luftë? Më 10 qershor ai deshi t’ua rregullonte qejfin, por... U detyrua të merrte peng qytetarë të Vlorës, edhe gra, e fëmijë. Masakra që u kanos, nuk ishte shaka. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare i urdhëroi kryengritësit që të tërhiqeshin nga qyteti. Nami mori dhenë. Nga e gjithë Shqipëria dolën vullnetarë, që shkuan në Vlorë. Ndër trupat italiane ra malaria, që po i grinte. Po e keqja më e madhe po vinte nga Italia. Komunistët italianë pengonin transportet, ushtarët kundërshtonin të hipnin në vaporë e të vinin në Shqipëri. Kryeministri italian e pa se këtë punë e hëngri dreqi, ndaj u përpoq që të shpëtonte çfarë të mundej. Ai dërgoi në Tiranë baronin Alioti, që nuk arriti të bënte gjë. Lufta nuk po mbahej dot. Më 17 korrik shpërtheu përsëri. Kryengritësit hynë në rrethinat e qytetit. Pa ç’pa qeveria italiane dhe dërgoi në Tiranë një tjetër negociator, kontin Manzoni. Kështu, me baronë dhe kontër u arrit një marrëveshje shpëtimi, që u nënshkrua më 20 gusht. Ushtria italiane filloi evakuimin e saj dhe më 2 shtator, kur nuk mbeti më ushtar pushtues në Vlorë, populli i entuziazmuar valëviti këtë flamur. Shtatëdhjetë vjet rresht ai qëndroi në enigmatikën e vet. Sot shpalosi të vërtetën e tij. Vallë sa pika loti kanë rënë mbi të? Sa buzë janë mbështetur në pëlhurën e tij? Sa duar e kanë prekur? Të gjithë ata sot nuk janë më, por mbeten të mishëruar në tërësinë e tij, përgjithmonë!

Autori: Shef i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë

8 Komente

hallall plako, e sigurove qe nuk te levizin nga vendi i punes! 

hallall plako, e sigurove qe nuk te levizin nga vendi i punes!.... ???

Jo vetem qe mos ta levizin por le te jete nje etalon i kultures se komunikimit te lajmeve Historike . Le te jete shembulli me i mire i pranueshem i cdo administrate !

Informacion shume i kendshem . Dhe nje gjuhe jo konfliktuale . Ndoshta rast i  rralle ta ndeshesh sot kur komentohen te tilla evenimente nga njerez me detyra shteterore . Te tilla evenimente nga Yprit me do te tjere te ngjashem lere o zot , do kishin lebetitur edhe mbajtesit reale te atij Flamuri

Flm z.stamati

Eh,

Pse o kot kushtojne me shtrenjte apartamentet ne Tirane,me drejtim nga juglindja?!

dal te shoh shqiperine

here Selamne

e here Avnine.

Dil Avni e beje bam,

nuk durojme dot tiran..

 

 

gjithe ate pershkrim se si duket flamuri, si i ka theket dhe shqiponjen e cuditshme dhe nuk e shoqerojne me nji foto...si me qene ne mesjete!

Atëherë deputetët e Vlorës në Këshillin Kombëtar, Qazim Koculi dhe Spiro Koleka, ngritën mendjen për luftë.

Ky Spiro Koleka mos gabofsha eshte babai i Spiro Kolekes (1908-2001), ose stergjyshi i Edi Rames.

Enigmatike dhe interesante eshte dhe figura e Qazim Koculit, ushtarakut patriot, demokrat dhe antizogist qe me vone u konvertua ne fashist...

Zbulim te madh paska bere ky birbua..... ne muzeun etnografik thote.... qe per 50 vjet se kishin pare driten e te vertetes... hahahahaaaa

Me sakte do te thoja qe keta birbot historine e fillojne qe nga Marsi i 1992-shit dhe jo me pare....

Sa keq qe nuk e dinim qe paska pasur edhe nje muze etnografik me shume thesare te triumfeve kombetare...... mjere ne thuaj qe lexojme "zbulime" te shekullit te 21-te nga karafila "demokrate" te zbathur nga koka qe pretendojne te futen ne Europe pa njohur historine e vendit te vet......

Pa shikoni se mos e ka bere kete zbulim ministri i kultures qe hoqi te zinjte e ullirit per te sjelle eshtrat e Ismail Qemalit ne Vlore....... ehh me det me det....

Epo mjafni o njerez e kthyet ne politke cdo gje qe thuhet. C'pune ka ketu demokrate jo demokrate.

Edhe mjaft kundershtuat per arsye politke cdo gje nga historia.

Kush e njeh historine e atyre viteve 1912-1924 duhet te dije se Shqiperia s'kishte shtet. Shtetet ndroheshin sipas stineve. Ne fakt qeveria e Durresit e 1919 pavarsisht nga lidhjet siperfaqesore me Italjanet ishte me e pjekura profesionlisht/ne politiken nderkombetar dhe Turhan Pashe Permeti ishte politikani qe ka qendruar me shume ne shtet se cdo njeri tjeter.

Dhe kur te filloni ti vini fajet fuqive te medha qe e copetuan shqiperine lexoni pak historine e qeverive dhe tere miletit shqiptar te kuptoni se ishin shqiptaret qe e shpetuan dhe e copetuan shqiperine. Ndersa ne Vlore, Korce Gjakove e Malsi e madhe luftohej e derdhej gjak Ne Durres Lushnje Fier e Tirane beheshin qeveri per te permbysur qeveri. Ndersa ne Londer e Paris luhej fati i shqiperise, pa lojtare shqiptare, shqiptaret ishin te zene me luften ndermejt vetes dhe te huajve.

Dhe sot njesoj. Ndersa atdhedashuaria po humbet e shuhet bashke me kombin ne akoma zihemi se historiani eshte PD apo PS.

Haram ju qofte

Tani kishte një ushtri sa për t’u dhënë një ultimatum italianëve. Ia dërguan gjeneralit Piaccentini: O ik me të mirë deri më datë 4 qershor 1920, o e dimë ne! Gjeneral Piaccentini kishte në Shqipëri 20000 ushtarë, e kushedi se sa anije lufte. Hajde, hajde, pyeste ai për ultimatume!

jam shume kurioz te di: a gjendet ky dokument (ultimatumi), ne arkivat apo ne ndonje muzeum ne Shqiperi?

shqiptaret, kan bere shume beteja, kryengritje, e luftera. po lufta e Vlores,  eshte e vecante.

kjo lufte bere konform rregullave, pra i eshte dorezuar armikut nje dokument,  ku i thuhej qarte.  ose largohu, ose do te bejme lufte.

por mbi te gjitha kjo lufte, ishte burrerore. dy ''ushtri'' perballe njera tjetres, ne fushe te betejes.  lufte epike.  si ne lashtesi.

me ka rene rasti te lexoj nje enciklopedi hollandeze,  ku ne kapitullin per Shqiperine,  nder te tjera permendej edhe lufta disproporcionale, por burrerore e shqiptareve ne 20-en ne Vlore. me sa kuptova italijanet jane tallur dhe ironizur keq, pas kesaj disfate te turpshme, ne shtypin europian te kohes.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).