Vëllai i poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi, në një rrëfim rrëqethës për ditët e tmerrit mes jetës e vdekjes në qeli.

Pasi u lirova nga burgu, ika në Greqi. Kisha tjetër mendje. Punova atje ca kohë. Gjeta djalin e Gencit. Nuk njihesha fare me të më parë. Ishte një takim i rastësishëm. Ia gjeta vendin, ku ia kishin vrarë të atin. Së bashku me Vilsonin i kishin hedhur buzë një përroi. Pra xhelatët kishin dashur ta çonin deri në fund të keqen. Bënin aleatë lumenjtë në këtë rast për shuarjen e krimit. I kemi gjetur të dy skeletet e tyre të përqafuar! Sipas pozicionit, duhej të jetë vrarë Genci i pari, sepse, kur i zbuluam kufomat, dora e djathë e Gencit ishte hedhur për mbi Vilsonin.... Si duket ka qenë jashtë gropës dhe e kanë palosur dhe aty kam gjetur dhe plumbin që e kam sot dhe kësaj dite. I morëm dhe ju bëmë dy varre. 

Cila ishte arsyeja që jeta juaj dhe e gjithë familjes të nderuar në krahine u kthye në një tragjedi?
Bedriu:  Jam arrestuar më 1 prill të vitit 1976, më thirrën me pretekstin që të vija në degën ushtarake, sepse nuk kisha bërë zborin. Mora për dy ditë ushqim me vete, siç ishte zakon atëherë, kur na thërrisnin në zbor dhe u nisa. ...Kemi qenë shtëpi e madhe, me 21 veta bashkë. Xhaxhait, që tani nuk jeton më, pasi vdiq në burg, nuk i erdhi mirë e më tha:  “Dëgjo Bedri, ki kujdes më mos na turpëro se mua nuk po më pëlqen kjo thirrje”. Nuk më pëlqen kjo thirrje. Unë isha në një moshë që nuk i kuptoja gjërat. Nuk dija dhe as që e mendoja atë që të më priste më pas. Shkova në Librazhd dhe, si tani  e kujtoj me brengë të thellë, kur u ktheva më dha 1500 lekë. ...Nejse... Shkoj në degën ushtarake dhe pyeta:  “Ju them më keni thirrur?:  Dorëzova dy fletët e zborit.

“Njëra nga këto, -më thanë,- është e falsifikuar”. Unë qesha. Më thanë se do të shkonim t'i sqaronim gjërat në Degën e Brendshme. “Dakord “, - i thashë. Shkuam atje, u futëm në oborrin e degës, prita gjer nga dreka. S’po më thërriste njeri... më thanë: “Dil poshtë, ha diçka dhe hajde prapë se nuk kemi mbaruar punë”. Zbrita poshtë dhe shkova e takova Vilsonin.  Nuk kisha pse të isha i frikësuar se isha i bindur që nuk kisha bërë asgjë...

Vonë më ka thirrur nënkryetari i degës, Beqir Quka nga Shkodra. Hymë në zyrë. Më tha: “A u mërzite?”  “Jo, - i thashë unë, - po u errësua dhe nuk kam se me se shkoj në shtëpi,- vazhdova. Më pyetën: “Pse ke ardhur?” “Ju më keni ftuar, -ua ktheva. - Më kanë thirrur se nuk paskam bërë zborin, - i thashë, - po kjo nuk është e vërtetë, unë zborin e kam kryer”, - dhe i tregova dy fletët e zborit. “Mirë, - më thanë, - meqë ti nuk e paske kuptuar, po futemi në temë”- më thanë.  “Ju jeni 21 vetë në një shtëpi, 21 pushkë kundër Enver Hoxhës. Ne nuk ju lemë kështu, bashkë”- më thanë kështu. - Deri tani kemi pritur që ndonjëri prej jush të vijë dhe të trokasë në derën tonë. Të ndihmonte partinë. Ju nuk e bëtë këtë dhe ne të kemi zgjedhur ty që të na ndihmosh”. “Në asnjë mënyrë”,- i thashë unë. “Avash, mos u mërzit, - më thanë ,- sepse do vijë koha, që ti do kërkosh të bashkëpunosh me ne dhe ne nuk do të pranojmë!”. “Këtë harrojeni, se unë asnjëherë nuk kam për t’u bërë hafija juaj”- u thashë. “Atëherë, - më tha, - do ikësh dhe do të flesh në Turizëm sonte”...

Zbres në Turizmin e Librazhdit. Sportelistja më tha se dhomën e kisha të paguar... Mendova për t’u arratisur, po nuk kisha ku të shkoja. Hyra në dhomë, nuk më zinte gjumi. Vonë ra dera. E hap dhe pashë disa policë. Më morën më çuan përsëri në degë, ku më bënë të njëjtat pyetje. U thashë se nuk kam ndryshuar mendje. Më thanë që të mendohesha dhe njëherë, po unë prapë nuk pranova. Ishte 1 prilli, Ditë e Gënjeshtrave, por që doli e vërtetë. “Po t’i përsërisim dhe njëherë: përfitimet që do kesh nga ne, - më thanë, - do të japim shtëpi në Librazhd, do t’i kesh gjithmonë xhepat plot me para, do hash do pish, do të shikosh se cila femër të pëlqen dhe ne do të ta japim, qoftë dhe vajzën time po të jetë. Përjashto familjen tënde dhe për gjithë të tjerët duam informacion”,- më thoshin. Harrojeni, - u thashë. Më shanë dhe më thanë se nuk kisha për ta parë diellin me sy më. Me vunë hekurat dhe më drejtuan te biruca nr. 2. Aty më lanë vetëm.
 

[...] Po ju sa vjet burg keni bërë?
Kam hyrë në 1 prill ‘76 dhe kam dal në vitin ‘91.
 

Kur e keni parë për herë të fundit Vilsonin dhe Gencin?
I kam parë ditën e gjyqit, sepse ne ishim të tre së bashku në gjyq. Ishte një skenar i stisur prej tyre. Ditën e pestë u dha pretenca: “Genc Leka, vdekje me pushkatim, Vilson Blloshmi, vdekje me pushkatim, Bedri Blloshmi vdekje në pushkatim. Të tre pra u dënuam me vdekje me pushkatim. Na çuan brenda në birucë. Pastaj vjen përgjegjësi i birucave, i cili kishte një deng me litarë, hekura, zinxhirë. Më ulën, më lidhën këmbët, më lidhën duart. Aty sa nuk më pushoi zemra. Më vunë helmetë në kokë. Madje helmeta ishte lyer me bojë të zezë. Sipër kishte hartën e Shqipërisë me bojë të bardhë. Atë natë nuk e di si jam gdhirë. Të nesërmen u dha vendimi i formës së prerë: Gencit Vdekje me pushkatim, Vilsonit po kështu, Bedriu, dënim me 25 vjet heqje lirie.

Kam qenë aty gjithë kohën, derisa Gencin dhe Vilsonin i morën. Natën e fundit ata i futën njërin te biruca nr. 1 dhe tjetrin te nr. 2. I vendosën nga një polic të veçantë në çdo birucë. Atë natë ata ka qenë 17 korrik, ditë e diel. Kishte ardhur familja. Unë isha shumë i tronditur, nuk dilja t’i takoja dot. Shokët më dhanë kurajo për t’i takuar. Kishte ardhur mamaja me motrën e vogël. U munduan të  më takonin. 

Mamaja më tha: Hë mor bir, si është puna?”  I thashë se vëllai është i lidhur kokë e këmbë dhe nga çasti në çast këta kriminelët do ta vrasin. Më thanë që t’i jepëja Vilsonit lajmin e lindjes së vajzës. Pra gjatë kohës që ai ishte arrestuar i kishe lindur fëmija. U ktheva në birucë. Polici më pyeti në kisha ngrënë bukë. Po ku më hahej mua?! Isha komplet i çakorduar. Bëja veprime të pandërgjegjshme, isha vërtet i shumë i tronditur. Kur mori vesh se unë nuk kisha ngrënë, më shtriu dhe ma hapi gojën me zor dhe më futi ushqimin. Në ushqim si duket kishin hedhur ndonjë valium. Kur shkoj në banjo, pëpiqeshim të komunikonim me të kollitura. Kolliteshin ata kollitesha dhe unë që të kuptonim se ishim gjallë. Një natë kolla e tyre nuk iu përgjigj kollës sime. Kuptova që i kishin marrë dhe kjo ka ndodhur në 17 korrik të ‘77-ës. Më 25 korrik kanë marrë familjen dhe e kanë internuar. I ndanë veç e veç atje, pastaj arrestojnë xhaxhanë. Unë nuk dija gjë fare. Më çuan në Spaç, pastaj dhe atje mora vesh me letra se xhaxhai është arrestuar. Më vonë atë edhe atë e sollën aty. Më në fund ishim bashkë, po për pak kohë se ai u sëmur dhe në ‘82-shin vdiq. Mua më transferuan në Qafëbar. 


Është interesante fakti që ju mbetët pa u pushkatuar: e prisnit vdekjen më vonë?
Kur u dha vendimi i formës së prerë, mora vesh se i kisha shpëtuar vdekjes. Ai ishte takimi i fundit me Vilsonin dhe Gencin.
 

Si e prite lajmin e shpëtimit të jetës?
Nuk u besoja veshëve. Thosha  se e bëjnë për presion se nuk kishte arsye që të ndodhte kjo. ... Ne nuk kishim bërë gjë. Prandaj nuk ishim përballur me të keqen dhe nuk e kuptonim, se nga na vinte kjo. Unë vetëm në kooperativë dhe në shtëpi. Nuk kisha tentuar, as të bëja as rrugën e kufirit asgjë, as të vjedh asgjë dhe prandaj kjo na erdhi si një tragjedi e papritur. Se po ta kishim bërë një gjë, ndoshta dhe do kërkonim mëshirë, po ne nuk kishim se përse të kërkonim falje... Nuk e di, as ne nuk e kuptonin ç’kishte ndodhur e ç’po ndodhte. 
 

A mund të më thoni ndonjë prej kujtimeve më të bukura që ju keni pasur me vëllanë tuaj?
Ne në shtëpi kemi pasur një dhomë që e quanim dhoma e beqarëve kjo dhomë ishte e pajisur gati dy faqet e murit me një bibliotekë. Unë nuk e mbaj mend që të kemi ngrënë njëherë darkë bashkë në sofër me Vilsonin se ai vinte nga puna dhe ulej drejt e mbi libra. Nëna, rahmet pastë, i vinte atje dhe i lutej që të hante ushqim. Ai i thoshte: “Ik, se do ta ha vetë”, dhe kur vinte nëna në dhome prapë e gjente ushqimin pa ngrënë.  Unë nuk lexoja libra, me thënë të drejtën Një herë më dha librin ”Doni i qetë”.

Lexoje, - më tha, - është libër i mrekullueshëm. Më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme ai libër! Madje mbaj mend përmendësh edhe pjesë prej tij.
Në këto librat që lexonte Vilsoni ka faqe të shënuara anash. Përveç leximit, ai përkthente, shkruante vetë. Përveç krijmeve të tij, ruaj edhe sot përkthime të tij nga Hygoi e nga plot poetë të tjerë francezë... Janë dy libra që u mungojnë shumë fletë, por që kanë një material të rëndësishëm. Në to duket horizonti dhe interesat që kishte Vilsoni për letërsinë.
 

Pse e përkthente poezinë e huaj Vilsoni: për ta mbajtur në fletoren e tij fjala vjen për Hygoin, apo mos vallë kishte shpresën se do t’i botonte ndonjëherë?
Ai vinte shpesh në Tiranë. Se me kë takohej, vetëm ai e dinte, dhe gjithmonë kthehej natën në shtëpi i ngarkuar me libra. Madje xhaxhai i thoshte: Pse nuk ble ndonjë kostum për vete? Ai ia kthente: “Nuk gjeta copë të mirë“, - dhe paratë i prishte për libra. Ka shumë letra që ia dërgonte Lumturi Blloshmit, të cilën e kemi kushërirë të parë.
 

Çfarë i bashkonte Gencin dhe Vilsonin, përveç letërsisë dhe interesave letrare?
Gencin ne e kishim djalin e dajës së babës. Ai rrinte në një shtëpi tjetër, se shtëpinë e vet ia shkatërruan vandalët e diktaturës, kur i ati iu arratis. Kur kishin kohë të lirë ata rrinin gjithmonë bashkë.
 

Po me rininë e fshatit çfarë bisedash bënin apo ishin pak të veçuar prej tyre?
Jo ne me fshatin nuk kishim asnjë lloj lidhje, në darkë vonë kur mblidheshin këta mësuesit, se kishin një televizor bardh e zi te shkolla ose dilnin me pesë gjashtë mësues që bisedonin. Pra te ne nuk hynte njeri, as për të mirë as për të keq. 
 

Vetëm shtëpia juaj prej 21 vetash ishte delja e zezë e atij fshati apo kishte dhe të tjerë? 
Deri sa na e paguan në këtë mënyrë vetëm familja jonë i bie të ishte. 
 

Dhe erdhi pastaj ‘90-ta pa Gencin pa Vilsonin... ç’keni bërë ju për Vilsonin dhe për Gencin? 
Pasi u lirova nga burgu, ika në Greqi. Kisha tjetër mendje. Punova atje ca kohë. Gjeta djalin e Gencit. Nuk njihesha fare me të më parë. Ishte një takim i rastësishëm. Ia gjeta vendin, ku ia kishin vrarë të atin. Së bashku me Vilsonin i kishin hedhur buzë një përroi. Pra xhelatët kishin dashur ta çonin deri në fund të keqen. Bënin aleatë lumenjtë në këtë rast për shuarjen e krimit. I kemi gjetur të dy skeletet e tyre të përqafuar! Sipas pozicionit, duhej të jetë vrarë Genci i pari, sepse, kur i zbuluam kufomat, dora e djathë e Gencit ishte hedhur për mbi Vilsonin.... Si duket ka qenë jashtë gropës dhe e kanë palosur dhe aty kam gjetur dhe plumbin që e kam sot dhe kësaj dite. I morëm dhe u bëmë dy varre. 
 

A keni menduar se mund t’ia drejtoni dikujt atë plumb?
Unë mendoj se këto punë do t’i rregullojë shteti tashmë. Unë e kam ndriçuar të gjithë krimin: si u bë ndjekja, si u bë vrasja bashkëpuntorët, operativët... Kam shkruar dhe një libër kohët e fundit. Aty gjithçka është e dokumentuar. E kam titulluar “Fabrikimi i Vdekjes”.

 

Shënim: Titulli është i Peshkut.

7 Komente

Vb.

Jane shkrime per dhimbjen, padrejtesit, krimin, deshira per nje jete me te qete, po sikur nuk kane forcen e duhur, nuk japin kuptimin e duhur.

Ky eshte medimi im ,  nuk ka si te sjelle ky shkrim keqardhje, nje kohe qe kriminelat jane te lire.

Jo me larg se dje lexova kete lajm " E.Priebke , 97 vjeçari ishnazist, i jepet arrest shtepie, me te drejte te dale vetem per nevoja ".

Po te lexosh blogjet, habitesh se si komentuesit kete mase te re si arrest shtepie e quajne nje mosrespekt per viktimat ( 70 vjet me pare).

Kjo eshte arsyeja qe jam kunder ketyre shkrimeve, sepse marrin ngjyra hipokrizie.

Qajm ( vajtojme) viktimat, e i buzqeshim xhelateve.

Nuk kane asnje kuptim keto kujtime, nuk eshte kulture, nuk eshte falje, eshte pazotesi e shoqeris te shkaterroje cipen e hipokrizise.

Me te thene te verteten, me duket sikur kriminelet fryhen edhe me shume perballe ketyre shkrimeve, sikur duan te thojne " shikoni se çfare kemi bere, e vertet, po ne jemi ketu, dhe nuk i japim llogari askujt, intervista japim, japim edhe keshilla se si duhet te jete demokracia, por llogari per krimet qe kemi bere nuk japim, sepse kemi miq ne drejtesin shqiptare".

Kuptohet edhe si e mbyll intervisten i shkreti " Une mendoj se kete pune do t'i rregulloje shteti tashme".

Drejtesia shqiptare kurre nuk mund ti rregulloje keto pune vete. E drejta duhet kerkuar deri ne fund. Cfare ben shoqata e te perndjekurve politike? Si eshte e mundur me gjithe keto vrasje dhe asnje te mos ndeshkohet? Pse i falin? Deri aty ka arritur korrupsioni?

 nuk eshte puna vetem tek drejtesia.

Ne fund te fundit edhe mund te pertypet ( une nuk jam i ketij mendimi) qe ata kokrra legenash t'ja hedhin paq, por problemi kryesor eshte se i kemi ne krye te vendit. Mbaj mend qe kur, per arsye politike, dikush nga PD, i permendi Diana Culit faktin se ne kete gjyq kishte bere ekspertizen letrare, mediat paten nje rreagim aq te ashper dhe aq profesional ne ashpersi sa Diana ja hodhi paq opinionit, dhe ai qe e permendi u telendis neper gazeta dhe TV.

Problemi eshte se populli yne i dashur, nen ndikimin e pronareve akoma me te dashur te mendimit, ende nuk ka nje pozicion te qarte ndaj komunizmit, krimeve dhe krimineleve te tij.

Sikur te realizohej vetem nje gje, kur t'i permendej dikujt emri per keto maskaralleqe, te varte veshet dhe te mos ndihej, do te ishte nje fitore e madhe morale.

 me te vertete,edhe mua me ka bere shume pershtypje kjo Diana Culi. domethene megjithese edhe vete e ka pranuar perfshirjen e saj ne kete krim, qofte dhe ''indirekt'' si kritike letrare e poezive te njerit prej ketyre fatkeqeve, jo vetem qe ia hodhi paq, por si pa gje te keqe eshte e pranishme ne jeten publike shqiptare si personalitet politik!  ka qene deputete zonja per kaq e kaq vite....

e po te jet tjetra kaq e pacipe? kjo vete duhet ta kishte perjashtuar veten nga jeta publike.  e quan veten intelektuale pastaj....behu njeri njehere.........

me te vertete. ca gjera, vetem ne Shqiperi  ndodhin.

 Nuk eshte se eshte ajo e pacipe............

Njeriu ka gjithnje forca per te justifikuar vetveten.

Problemi eshte se Shqiperia ka nje perandori "opinioni publik" qe mbron dhe pompon si vlera kombetare njerez te tille. Dhe per me teper publiku pa thonjeza, ne shumice i justifikon keta njerez. Ne shqiperi ata qe kane futur njerez neper burgje, vazhdojne te jene dikush, kurse viktimat e tyre vazhdojne te jene askush. 

Ajo qe mendoj une eshte se njerez qe i justifikojne keto bema, po te ndodheshin ne te njejtat rrethana, do te benin edhe me zi.

Ka nje argument shume bindes te Porfesor Timur Kuran ne librin e tij "Private Truths, Public Lies" 1995 "Te Verteta Private, Rrena Publike".  

Vetem titulli ne vetvete eshte vet-shpjegues.

Ne vendet totalitare rregjimi e detyron individin te perfshihet ne "fallcifikim te preferuar". Te jetoje ndryshe ne nga se si paraqitet ndaj te tjereve. Te fshehi preferencat dhe standartin moral nga frika e persekutimit. Keshtu qe individualiteti, unikja e personit fillon dhe zbehet. 

Per mua kjo eshte burimi/pikenisja e pamundesise shqiptare per te dale nga "Rrena Publike" nen te cilen shumica vazhdon te jetoje ende.

 Jane shume te renda keto ngjarje, shume te renda, por mua me vjen si per te vjelle qe disa, qe nuk kane lidhje me kete ngjarje ose te tjera si keto, kerkojne te bejne rolin agjitatorit,dhe te propagandes, per te qene flamurtare, si ne kohen e komunizmit, kur per 50 vjet, nuk ndaleshin, bemat, nuk ndaleshe propaganda edhe kur ndodhte, qe beheshin, gabime, faje, krime,denime te kota,etj! 

Vetem Gerdecin te kujtojme qe u vrane 26 vete,mos te flasim per 3000 vetet ne 97 dhe do te kuptojme se c`jane te verteta private dhe genjeshtrat publike te qeverise "anti komuniste"!

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).