01/10/2010   Jemi dëshmitarë të shumë vrasjeve në emër të gjakmarrjes, që çdo ditë e më shumë qëndron mbi kokat e të pafajshmëve, të cilët për shkak të krimeve të të afërmve të tyre ekzekutohen, duke shtuar kështu rrugën e vrasjeve pa fund. 

Me gjithë sensibilitetet publike dhe mediatike, përsëri në emër të Kanunit merren jetë njerëzish pa marrë parasysh se ku po shkohet. Janë shkelur me të dyja këmbët traditat, ligjet, të cilat bëhen dhe nuk zbatohen, është luajtur dhe vazhdon të luhet me dinjitetin e shqiptarit, që nuk e meriton të pushtojë për keq faqet e gazetave apo ekranet ndërkombëtare. Po thellohet hendeku për të pasur më shumë garanci në jetën shoqërore, sepse po luhet me fatin e të pambrojturve. Janë krijuar shumë organizata të shoqërisë civile, të cilat mundohen të luajnë sadopak rolin e ndërmjetësit për të ndikuar në frenimin e fenomenit të gjakmarrjes, nga ana tjetër ka pasur dhe vullnet shtetëror për të bërë maksimumin e mundshëm. 

Disa kohë më parë gjykata e rrethit gjyqësor të Tiranës miratoi krijimin e institutin me emrin “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”. “Parandalimi i urrejtjes dhe vrasjes për gjakmarrje, identifikimi i të gjithë popullsisë së prekur nga ky fenomen, zgjidhja e konflikteve dhe pajtimit të gjaqeve në familjet e prekura, mbrojtja e fëmijëve dhe grave, identifikimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e tyre, mbështetja e individëve dhe grupeve sociale në zhvillim të së drejtës së tyre, denoncimi i rasteve të familjeve që janë në hasmëri për shkak të kërcënimeve të ndryshme, sensibilizimi dhe aftësimi i institucioneve qeveritare dhe joqeveritare, kombëtare dhe ndërkombëtare, për zhvillimi e politikave shtetërore, ligjore e ekonomike dhe sociale konkrete për problemin e gjakmarrjes, mbështetja e emigrantëve të prekur nga ky fenomen” - këto dhe të tjera janë përcaktuar qartë në misionin e nisur nga instituti. Sipas drejtorit ekzekutiv Agim Loci, instituti i ka vënë vetes detyrë që përveç identifikimit të parametrave dhe shkaqeve ekzistuese të nivelit të integrimit shoqëror të të prekurve të sigurojë dhe ndihmën psikologjike, sociale juridike dhe ekonomike të grupeve që vuajnë nga mungesa e integritetit dhe zhvillimit social për shkak të gjakmarrjes, duke i shërbyer kështu ndërtimit të një strategjie afatgjatë. 

Instituti mbulon territorin e Shqipërisë me përfaqësuesit, të cilët merren me organizimin e misionarëve të tjerë për të arritur te parandalim i konfliktit dhe pajtimit të familjeve që janë të prekur nga gjakmarrja. 

Por, si në çdo aspekt tjetër të jetës, dhe në këtë fushë, që shumë pak është e eksploruar, ka rregulla të qarta dhe të përcaktuara deri në arritjen e qëllimit final, që është pajtimi. Fillimisht kemi kërkesën e palës së ngujuar për ndërmjetësim, e cila dorëzohet pranë Institutit. Më pas bëhen takime me të afërmit e palës së dëmtuar, ku marrin pjesë misionarët që gëzojnë respekt dhe reputacion në atë zonë. Bëhen të tjera takime deri në arritjen e datës së pajtimit. Specifikë për Institutin është pjesëmarrja në këto takime e drejtorit ekzekutiv, i cili nga “Christian Science Monitor” vlerësohet për një punë të lavdërueshëm në këtë drejtim, por dhe të rrezikshme. 

Në bisedë me Agimin që në fillim të prezantohet vullneti dhe dëshira e tij për t’i shërbyer kësaj kategorie, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për ndihmë dhe përkujdesje të veçantë. Në një zyrë modeste, ku vazhdimisht hyjnë dhe dalin njerëz, të tregohet me fakte se shumë pajtime janë mbyllur pa kushte dhe se deri tani janë në proces 20 të tilla. Është arritur në saje të punës së mirë të misionarëve të mbyllen 7 pajtime, falë dhe kontributit shumë të çmuar të themeluesve të Institutit, i cili në përbërje të tij ka intelektualë, juristë dhe këshilltarë ligjorë. Punën e këtij institute e kanë ndjekur nga afër reporterët e OKB-së dhe mediet e huaja prestigjioze. Raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për ekzekutimet jashtëgjyqësore, prof. Filip Alston, gjatë një misioni në Shqipëri në shkurt 2010 deklaroi se problemet më të rëndësishme kanë të bëjnë me ngujimin e madh të familjeve që i tremben një vrasjeje për hakmarrje dhe një besim të vazhdueshëm te legjitimiteti i dënimit kolektiv të anëtarëve të familjes së keqbërësit edhe në rastet kur ata janë krejtësisht të pafajshëm. Në të njëjtën logjikë, ekzagjerimi i përmasës së problemit mund të pengojë në mënyrë të konsiderueshme ndërmarrjen e reformave. Ka mospërputhje të mëdha në statistikat e gjakmarrjes dhe vrasjeve që lidhen me to. Në njërin ekstrem, njoftimet e medies u referohen qindra vrasjeve në vit nga gjakmarrja dhe mijëra fëmijëve që jetojnë në izolim. Në ekstremin tjetër, sipas statistikave të qeverisë, këto vrasje kanë rënë në mënyrë progresive nga 45 në vitin 1998 në një në vitin 2009, ndërsa numri i fëmijëve të ngujuar varion nga 36-57 në të gjithë vendin, nga të cilët 29-45 janë në Shkodër. Kjo luhatje e shifrave varet nga burimet, të cilat mund të jenë policia, zyrtarë të arsimit ose të ministrisë. Familjet e ngujuara vlerësohen të jenë nga 124-133 në të gjithë vendin. Edhe shifrat e përdorura nga grupet e shoqërisë civile luhaten shumë. Një organizatë me përvojë të gjerë në terren vëren se ka pasur ulje të konsiderueshme gjatë pesë vjetve të fundit dhe se aktualisht nga gjakmarrja ka vetëm pak vrasje në vit. 

Një faktor i dytë është raportimi në nivele më të ulëta se realiteti. Vrasjet në zonat e thella mund të mos raportohen në mënyrë sistematike. Dhe në disa raste familjet mund të duan të shmangin çdo përfshirje të shtetit në mënyrë që ta zgjidhin çështjen në rrugë tradicionale. Përveç kësaj statistikat e bazuara në vendimet e gjykatave mund të jenë një tregues i dobët i vrasjeve për motive gjakmarrjeje, sepse autori i një vrasjeje të paramenduar për gjakmarrje mund të shpallet fajtor me një akuzë më të reduktuar, ose për shkak të mungesës së të dhënave, si për shembull, një refuzim i familjes për të dëshmuar, ose për shkak të korrupsionit, që çon në një dënim për një shkelje të një shkalle më të ulët. Së treti, mbulimi nga programet e qeverisë mund të jetë i paplotë. Për shembull, shifrat qeveritare lidhur me fëmijët e ngujuar bazohen në programin e saj të shkollës në shtëpi “Shans i dytë”, që vazhdon vetëm deri në klasën e nëntë. Kështu, fëmijët e një moshe më të rritur mbeten të paraportuar. Po kështu një përqendrim i kombinuar tek të vrarët dhe te numri i fëmijëve të ngujuar do të ofrojë vetëm një pjesë të numrit total të njerëzve jetët e të cilëve janë prekur në mënyrë serioze nga gjakmarrja. 

Një faktor i katërt është ekzistenca e shtysave, që i bën disa grupe të ekzagjerojnë përmasat e problemit për të marrë financime. Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë gjatë pesë vjetve të fundit për trajtimin e gjakmarrjes. Kodi Penal është amenduar në drejtime të rëndësishme (dënimet minimale dhe përkufizimi specifik si akt penal i gjakmarrjes dhe vrasjeve prej gjakmarrjes), njësi të posaçme policore janë krijuar, një komitet koordinues i nivelit të lartë për gjakmarrjen është ngritur vitin më 2005 si dhe programi “Shans i dytë” ofron shkollim për fëmijët e ngujuar. Por shumë më tepër mund dhe duhet bërë. 

Për sa më lart, drejtori Loci pohon se në 5 vjetët e fundit gjendja ka ardhur në përmirësim e sipër, sepse njerëzit kanë filluar t’i thërrasin logjikës dhe arsyes se në luftë nuk ka të fituar, por vetëm të humbur. Puna e misionarëve vlen për t’u përshëndetur, sepse janë ata që kanë marrë përsipër këtë mision fisnik për të shpëtuar jetë njerëzish. Nga ana tjetër, nuk lë pa përmendur dhe bashkëpunimin shumë të dobishëm me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme, që deri më sot kanë treguar se janë në pozicionin e duhur. Të gjithë së bashku të realizojmë qëllimin për të minimizuar sa më shumë këtë plagë të shoqërisë sonë. Shumë vrasje kanë ndodhur nën emrin e Kanunit, njerëzit duhet të besojnë te drejtësia dhe vetëm tek ajo. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).