Kriza politike dhe situata e rënduar së fundmi me akuza të forta ndaj qeverisë do të bëhet prezent edhe në institucionet vendimmarrëse të Bashkimit Europian. Anëtarët socialistë të Komitetit të Asociim-Stabilizimit do të nisen sot në një vizitë drejt Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian ku do të zhvillohen disa takime edhe informuese. Delegacioni në fjalë që përkufizon kështu një axhendë të ndarë nga përbërja e plotë e komitetit pritet të përcjellë shqetësimet e opozitës socialiste në disa nga njësitë me ndikim dhe vendimmarrje në Europë.

Në këtë hap të ri që ndërmerret me kredencialet zyrtare të Parlamentit shqiptar, opozita socialiste merr me vete një dosje me ngjarje politike që kanë pasur një dinamikë shumë të madhe edhe pas miratimit të rezolutës së 8 gushtit nga ana e Parlamentit Europian. Kriza shqiptare e trajtuar si e tillë edhe nga komuniteti ndërkombëtar mbetet prezente dhe pa zgjidhje, pavarësisht se ajo ka ndryshuar formalisht përmbajtjen e vet orientuese. Ekonomia dhe korrupsioni janë listuar si prioritete të betejës opozitare, për të lënë hetimin e zgjedhjeve si element plotësues, por gjithsesi thelbësor nga perspektiva e funksionimit të sistemit. Por duhet thënë se rezoluta e 8 gushtit, që është dokument standard për vlerësimin e Shqipërisë në kuadër të ecurisë në Procesin e Integrimit, përfshin me të njëjtin theksim edhe reformat në sistemin e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit, si dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Rrjedhimisht, argumenti opozitar në këtë kuadër mbetet përherë aktual dhe i vënë në referencë me angazhimin e PE, ai ka si mbështetje detyrimet që burojnë nga rezoluta e cila deri më tani është shpërfillur nga klasa politike shqiptare. Mjafton të përmendet këtu dështimi për të miratuar ligjin e Gjykatës Administrative dhe paaftësinë e kompromisit për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit për t’u bërë të qartë partnerëve të Shqipërisë se situata sa vjen dhe e kthen krizën në element qenësor të vetes.

Në këtë kuadër me interes paraqitet zgjerimi i axhendës së delegacionit socialist me takime në NATO, për të cilat nuk dihet asgjë për sa i përket përmbajtjes. Ndër shqetësimet kryesore në Tiranë që ka nxjerrë në sipërfaqe marrëdhëniet me Aleancën është ligji i bllokuar i Shërbimit Informativ, po të konsiderohet si pjesë e mbyllur dhe pozitive angazhimi i Shqipërisë në Afganistan dhe zona të tjera të nxehta. Ky është edhe një nga elementet kryesore të vizitës që nis sot dhe i paraprin turit të paralajmëruar të Edi Ramës në PE në ditët në vijim.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).