Në vitin 1913, kur kje njoftë Shqipnia e pamvarun nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, Fuqitë e Mëdha menduen me i gjetë shtetit të porsakrijuem nji mbret. Mbas shumë këshillimesh e bisedimesh, prunë Princin Wied, nga nji dinasti e njohun europiane. Ky mbret, për rrethana të turbullta të Shqipnisë, por edhe t’Europës, nuk e pati mbretnimin të gjatë në vend të vet.
Për arsye të traktateve të mshefta të fqinjëve tanë, mbas Luftës së Parë Botnore, pamvarësia e Shqipnisë u shtrue përsëri në tryezën e bisedimeve ndërkombëtare. Si përfun­dim, iu njoft edhe nji herë pamvarësia e iu caktuen edhe kufijt ndër të gjithë cepat. Me drejtësi o pa drejtësi, Fuqitë e Mëdha, deri sot, nuk i janë përgjegjë kurrkuj, e aq mâ pak shqiptarëve.
Kongresi i Lushnjes, dashtë e pa dashtë, u gjet para problemit të kushtetutës ose, siç quhej, të Statutit, d.m.th. të ligjit themelor të shtetit shqiptár. Mbreti, siç thamë, kishte ikë dhe nuk ia shifte gjasën me u kthye përsëri, ndonëse vetëm ai kishte legjimitet ndërkombëtar. Atëherë shqiptarët e ndanë mbretin katërsh, simbas besimesh: musliman, orto­doks, katolik e bektashian e e thirrën “Këshill i Naltë”. Kje nji zgjidhje praktike aso kohe.
Mbas Kongresit të Lushnjes u thirr Asamblea Kush­tetuese, e cila nuk pushoi shamatën as mbrendë as jashtë; kush thumbit e kush patkonit deri që u polarizuen dy rryma: Popullore e Opozitë; dy parti si ato që motit quheshin tarafe.
Atëherë u banë zgjedhjet politike, mbas të cilave shamata u ndez edhe mâ zí. Për me krijue nji kushtetutë të vetme shqiptarët nuk ranë kurrë nji mendje. Dikush thonte se vetëm ajo e Turkisë së vjetër e ban terbjet shqiptarin. Tjerët, demek mâ të hollë në politikë, thonin se, mos me i ra në sy për keq Europës edhe fqinjëve, duhej nji kushtetutë “frënge”, sa mâ antiklerikale, d.m.th. masonike. Kishte të tjerë që thonin: të bajmë nji kushtetutë shqiptare, që të jetë as turke as frënge. Thonin se doket tona i kemi pasë sikur t’ishim shtet, pa kenë shtet; ato nuk na i hoq turku për pesqind vjet e populli i mban e i nderon, prandaj ato t’i përpunojmë e t’i shqyrtojmë me ligjet europjane në daçim me ecë para.
Por kryesorja, që ndezte urat në zjarrin e shamatës e intrigave, ishte se secili taraf mendonte me xanë kolltuqet e nalta shtetnore, ato që bijshin shumë t’ardhuna në kuletë.
Pa dyshim se kje përfitimi personal nga kasa shtetnore ai krymb, ajo tejë që brejti e shkatërroi gjithë lamshin e politikës shqiptare që në fillimet e saj e deri sot. Sa herë të fillosh me e zhdërvjellë këtë lamsh, peni del i këputun, aq i shkurtë e i grimë, sa nuk del me thurë copën e nji flamuri kombëtar e jo mâ nji shteti. Shqipnia, ajo e pamvaruna, ajo e lira, ajo e përparuemja, ende sot, mbas 85 vjetësh të shpalljes së pamvarësisë, nuk âsht bâ ende ideal kryesor i ndonji lideri të politikës shqiptare, por âsht përdorë vetëm si parullë demagogjike.
Tue vazhdue në përmbledhjen e historisë së kushtetutës shqiptare, erdh puna që Asamblea Kombëtare e mâ vonë parlamenti shqiptár, që nga viti 1921 deri në 1925, përpos, “statutit” dhe “statutit me bazë të zgjerueme”, nuk ia duelën me qitë në dritë nji kushtetutë të vërtetë.
Vetëm kur kthej nga mërgimi në Serbi, Ahmet Zogu imponoi “Kushtetutën me President”, post të cilin e xuni ai vetë. Ky themeloi shtetin e parë shqiptár. Mâ vonë u kujtue se presidentat nuk janë për gjithnji, prandaj në vitin 1928 përpiloi Kushtetutën e dytë (o të tretë) me Monarki Konstitucionale e u shpall “Mbret i Shqiptarëve, Zog I”. Popullin e shkretë nuk e pyeti kush as për osh as për balosh, por bërtiti “rrnoftë!”. Megjithkëtë, regjimin e tij mund e quejmë mâ të mirin ndër të kqij.
Zogu mâ shumë se mbret kje nji diktator, i cili popullit i dha rregull, sigurí e qetësi, megjithëse nëpunsat ishin të padijtun e vendi i mbrapambetun. Populli shqiptár vazh­donte të jetonte me shumë doke të veta dhe si nën zâ mund fliste pa frikë se e shtjen kush në burg. Mbas nji periudhe 15-vjeçare ai iku me 7 prill 1939 e nuk u kthye ma.
Pushtimi i Shqipnisë prej ushtrive italiane nuk u kërkue prej qeverisë shqiptare, as prej popullit. Kushtetuta e ré e Shqipnisë nuk e ndërroj sistemin monarkik, por ndërroi dinas­tinë: atê të Zogollit me Savoiën italiane. Me thyemjen e ushtrive okupatore në shtator 1943, përsëri posti i mbretit u ndá ndër katër regjenta. Ndër të gjitha këto popullin nuk e pyeti kush as për osh e as për balosh, por gjithmonë bërtiti “rrnoftë!”
Më 24 maj 1944 Kongresi i partizanëve në Përmet deklaroi se ndërrojshin formën kryesore të kushtetutës tue hjekë monarkinë me grykën e pushkës.
Në dhetor të vitit 1945 u zhvilluen “zgjedhjet e para të lira politike” me nji parti të vetme.
Parlamenti i parë i partizanëve u shndërrue në Asamble Kushtetuese dhe me 11 janar 1946 shpalli “Republikën Popullore të Shqipërisë”. Kjo kushtetutë u përkthye o nga serbokroatishtja ose nga rusishtja, d.m.th. ishte pjekë dikund ndër furra të Kremlinit, si për të gjitha shtetet e Europës Lindore.
Rreth tridhetë vjet mâ vonë, kur pothuej e gjithë prona private ishte grabitë, shkatërrue, shtetëzue ose “kolektivizue”, Enver Hoxha tha të bâhej nji kushtetutë mâ e ré, që u thirr “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë”. As këso here popullin shqiptár nuk e pyeti kush për osh as për balosh, por gjithnji bërtiti “rrnoftë!”.
Mbasi vdiqën gabrreçat e mëdhaj të komunizmit evro­lindor, vdiq edhe Hoxha në Tiranë. Në Shqipní u bâ zot shtëpie Ramiz Alia. Gjithkund në botën komuniste të Gorbaçovit filloi me fry nji erë e lehtë: antarët e partisë vetë kërkojshin aq lirí sa kur të folshin nën zâ mos t’u quejshin tradhtarë. Porsá u zgjidh pak këpuca e hekurt, që i mbante shtërnguet popujt, ajo nuk mund u lidh mâ e kështu mbrenda vitit 1989 u shemb muri i Berlinit e me atê e gjithë perandoria komuniste. Ramiz Alia u përpoq ta mbrojë Shqipninë “kështjellë të pathyeshme të socializmit në breg t’Adriatikut”, por nuk ia duel. Mblodhi Kongresin e Partisë, ku i ndërroi kapotën, i ndërroi emnin asaj dhe preku paksá ndonji nen të kushtetutës e u shpall “President” për me kryesue shtetin. Këtë Kushtetutë kemi gjithnji sot.
Mbas tetëdhetë vjet pamvarësie, më 1992, kje e para herë që nji kryetar shtetit shqiptár largohej me vullnet e si ligjisht prej postit.
Populli mendoi se me të vërtetë erdh demokracia e liria, por shumë shpejt u kuptue se na, nga izolimi i gjatë e vuej­tja e randë, e kishim humbë vështrimin e saktë të fjalëve “liri” e “demokraci”.
Parlamenti i rí shqiptár, i ndamë në dy tarafe që luftojshin mes vedit për interesa e privilegje, i njajtë si ai i viteve 1921-1924, filloi me bâ ligje parlamentare të cilat i quejti “paketë ligjesh kushtetuese”. Presidenti Sali Berisha pati shansin e madh këso here me e pajisë shtetin shqiptár me nji kushtetutë të vërtetë kombëtare, por e humbi busullën. Ai nuk desht ta kuptojë se partitë politike nuk janë ato që paraqesin në të vërtetë interesat kombëtare. Për popullin shqiptár ato janë si skuadra futbolli, të cilat kanë ndër stadiumet e ndryshme të vendit tifozat e vet, por populli tre milionësh âsht tepër larg këtyne lodrave të quejtuna lojna politike, ku sundojnë vetëm interesat e disa grupeve o klaneve. Presidenti, tue shpresue në prestigjin personal që kishte fitue, si dhe në besimin e popullit si nji demokrat i kulluem, e paraqiti ketë “projekt kushtetute” për miratim në referendum popullor. Nuk u muer vesht kurrë nëse ky “projekt kushtetute” ishte përkthim pseudo-perëndimor, neo-sovjetik apo neo-nazist. Nuk u kuptue se çdo komb ka veçantitë e veta në karakterin njerëzor e natyror, si dhe nivel të ndryshëm kulturor. Nuk âsht e thanun që nji ligj, sado i përkryem që të jetë, t’u përshtatet të gjithë popujve. Çka i shkon njanit për mbarë, tjetrin ndoshta edhe e damton. Nji shprehje e latinëve thotë: “Quod licet Jovi, non licet bovi” (“çka i lejohet Jovit, nuk i lejohet kaut”). Ajo kushtetutë na u paraqit si nji projekt ku njerëzit e urtë o të dijtun të kombit, apo edhe populli vetë, të mund të bâjshin vërejtjet e veta, por u paraqit ashtu toptan, siç u caktue nga nji parlament ku vendos nji parti politike. Kje e para herë në historinë e Shqipnisë që populli u pyet. Dhe ai e hodhi poshtë me përbuzje, mbasi ajo nuk kishte mbrendë as veçantitë, as interesat kombëtare.
Mjerisht politikanët shqiptarë nuk janë profesionistë të karrierës, por të zgjedhun të çastit e kështu, siç shifet, nuk e kanë të kjartë konceptin se ç’asht politika. Në profesionet e veta nuk ua vemë në dyshim kompetencat, por politikë nuk don me thanë gënjeshtër, dhe kur t’i prijsh popullit me deklaratat se do ta çojsh n’Europë, duhet edhe ta dijsh se ajo nuk i ka dyert e veta as tek Izetbegoviçi i Bosnjes, as te sulltani i Borneos, ku po troket. Pretendimi se flitet për projektimin e nji ure gjigande, që kalon mbi dy oqeane, âsht po e njajta parullë e politikës paraardhëse që bërtiste: “Shqipëria fener ndriçues”, dhe ndërkaq të dyja njisoj e izoluen Shqipninë nga bota; ajo e para me dhunë e rrethim, kjo e dyta dyer hapun me mashtrim.

2. Qeveria Demokratike dhe “shoqëritë rentiere” ose “skemat piramidale”

Me 30 mars 1991 u zhvilluen “zgjedhjet e para të lira”, ndër të cilat Partia Socialiste e Fatos Nanos (ish-Partia e Punës) fitoi rreth 70% të votave. Partia Demo­kratike e Sali Berishës muer pjesë në parlamentin e rí, pra i njofti legale zgjedhjet. Ndërkaq nuk i njofti populli shqiptár. Ky, i bashkuem rreth flamurit të sindikatave të pamvaruna, e shtërngoi Nanon me dhanë dorëheqjen dhe me zhvillue mbrenda vitit të tjera zgjedhje. U formue “Qeveria e Stabilitetit Kombëtar” me Ylli Bufin në krye.
Me 22 mars 1992 u zhvilluen “zgjedhjet e para të lira” ndër të cilat fitoi Partia Demokratike e Sali Berishës me mbi 60% të votave. U formue “qeveria e parë e mjekë­ve”. Këta kishin teprue si intelektualët mâ të pamvarun. Regjimi i Hoxhës këtyne u kishte lanë me i këqyrë hallet e popullit me nji vizion mâ human; disa bilè i kishte nxjerrë jashtë shtetit për specializim, mbasi ai vetë ishte i sëmundë e kishte nevojë për mjekë të mirë. Ndërsá intelektualët e tjerë duhej të mendojshin të gjithë me kokën gjeniale të Hoxhës. Ashtu letrarët e shkrimtarët, sado talent që të kishin, duhej t’i këndojshin atij; aq mâ tepër historianët, që do të shkruejshin e mësojshin “historinë legjendare”; edhe gjûhëtarët e shkretë, që do të bâjshin rregulla drejt­shkrimi në atê kallëp që u kishte pregatitë ai, përndryshe do të quheshin “reaksionarë”, mbasi gegët katolikë përfa­qësojshin “reaksionin”; sa për juristët, ata të gjithë ishin të zgjedhun nga familje xhelatësh dhe xhelatë do të baheshin; parulla në fuqi: “drejtësia në shërbim të popullit”. Sa për ekonomista, ata pregatiteshin si llogaritarë koopera­tivash ose, në rastin mâ të mirë, shefa ndërmarrjesh nacionale; planet e zhvillimit ekonomik të vendit i hartonte Partia.
Mos të çuditemi, prandaj, që intelektualët mâ liberalë të dalun nga shkollat komuniste ishin mjekët. Kishte prej tyne që e kaluen jetën edhe ndër burgje të tmerrshme. Në të vërtetë, mjekët duhen nderue si grupi mâ i zgjedhun i inteligjencies shqiptare në kohën e tiranisë, por... Por ata duhet të jenë të vetëdijshëm për njoftunitë që kanë, dhe jo me hî n’e huejën, ku dijnë pak ose aspak. Këtu kje nji gabim i madh. Tue marrë pushtetin, politikanët shqiptarë menduen se kishin fitue edhe dije të reja politike. Qeveria e mjekëve i dha aq lirí popullit, sa nuk e njofti mâ qeni të zonë. Lirí feje, lirí fjale, lirí ndërgjegje, lirí shtypi, lirí tregu, lirí... Populli rob shqiptár a ishte i pregatitun për aq lirí? Për këtë nuk e çau kryet kush. Liria e ndërgjegjes u kuptue se individi kishte të drejtë me përmbysë çdo ligjë morale e mos me iu bindë asnji ligje shtetnore. Kështu grupe mafioze të hueja gjetën terren të përshtatshëm për me organizue edhe në Shqipní grupe homologe për kontrabandën e drogës, të femnave, të fëmijëve, për prostitucionin dhe tregtinë e organeve trupore për transplantim. Tregu i vizave pushtoi të gjithë vendin. “Njeriu i ri” shqiptár, i dalun nga farka e kalitjes “të materializmit shkencor”, e gjet tash këtu te “fitimi”, te “parja” idealin e vet. Para këtij ideali materia­list u zhdukën të gjitha tjerat e nuk pati mâ atdhé, fé, as popull, as kulturë, as përparim, as dije e as art, as ndjenja njerëzore. Administratorët e rij të shtetit shqiptár menduen se kjo kje rrugë e mbarë.
Vetëm Tirana u mbush me tetë mijë kjoska. Këto u banë qendrat zyrtare të biznesit, madje të “politikës së re” shqiptare. Këtu u puqën si liderët e partive, si “pushtetarët” edhe “opozitarët”, këtu parlamentarët, këtu gazetarët e thashethe­meve, këtu kontrabandistat e këtu kriminelat, këtu bâhej korrupsioni i madh shkatërrues. Për t’u lëshue vend këtyne kjoskave u prishën parqet e natyrës dhe lulishtet zbukuruese të kryeqytetit. Kjoska u bâ simbol i lirisë demokratike shqiptare.
Në ketë situatë të bukur lirije u themeluen edhe “Firmat e mëdha rentiere” ose, si po thirren sot, “skemat pirami­dale”; vështimi i vërtetë i këtyne emërtimeve, i thanun shqip, âsht shoqata mashtruese.
Shembullin e parë të këtyne firmave e pruni në Tiranë “Iliria Holding SA” (Hajdin Sejdia) në vitin 1990-91 e cila, si kujtim të vogël, na la të hapun gropën e madhe në mes të Tiranës, simbol profetik që të tregonte se ku e mâ zí se aq do ta çonte popullin shqiptár nji “ekonomi” e tillë.
Këto firma u themeluen me dije e miratim të qeverisë, u mbështetën prej saj dhe iu bâ propagandë në RTV shqiptár; disa kjenë pjesëmarrëse edhe ndër delegacionet qeveritare ekonomiko-financiare, kulturore, madje edhe ushtarake, ndër shtete të hueja; veprimtaritë e tyne u inaguruen nga krenët e demokracisë; “Miss Europa” kje manifestimi mâ triumfal i këtyne firmave që nganjiherë u nënshkruen edhe si “fondacione bamirëse”; muerën pjesë aktive edhe në blemjen e objekteve të ndryshme shtetnore, por që pothuej të gjitha dergjen aty gjithnji pa shpresë rimëkambje të ndonji vepre industriale me vlerë.
Këto firma nuk muerën ndonji kontratë të madhe me qeverinë për rindërtimin e vendit, për të cilin, me sa u pa, nuk interesohej fort qeveria e mjekëve demokratikë. Kështu deri rrugët e qytetit u shkatërruen mâ zí se ato të katundeve; nuk u punue asnji urë, asnji qandër administrative shtet­nore, tash pesë vjet vendi mbet pa dritë, pa ujë, pa telefona, pa shërbime komunale, pa pyje, pa miniera, pa banesa, pa shkolla, pa institucione kulturore. Shqipnia u kthye jo vetëm politikisht e administrativisht, por edhe fizikisht në gjendjen e viteve 1921-1925, ndërsá buletinet statistikore të anuarëve ndërkombëtar raportonin se Shqipnia xente vendin e parë në progresin ekonomik mes shteteve ish-komuniste.
Por vepra mâ e madhe e këtyne fondacioneve ishte aku­mu­limi i të gjitha fitimeve e kursimeve personale të popull­sisë shqiptare, tue fillue që nga paret e ndyta, fitue me trafikun e drogës, me grabitjen e shitjen e femnave, e deri te kursimet e vogla të punëve robnuese të emigrantëve. Mbas nji periudhe korrektësie mashtruese, nji pjesë e madhe e shqiptarëve filloi të mendojë seriozisht se kapi­talizmi po ishte nji sistem ekonomik në të cilin çdo familje mund të jetojë pa punë, mjaft që t’i vendosë paret e veta ndër inkubatorët e këtyne fondacioneve. Kjenë shumë që shitën edhe shtëpitë e veta (të vogla) për me trefishue kursimet e kështu me jetue sot e me mendue për nesër. Pra, u duk nji shpikje e ré, nji sukses i madh i ekonomisë kapitaliste të demokracisë së ré shqiptare.
Ndokush hodhi fjalën e ngjalli dyshimin se ky veprim ishte riciklim paresh të ndyta, por Presidenti e siguroi popullin tue deklarue botnisht se parja shqiptare ishte “më e pastra në botë”.
Por ja që nuk ecë gjithmonë kungulli mbi ujë. Mashtrimi duel në shesh kur u fillue kontrolli i depozitave bankare. “Firmat rentiere”, “fondacionet bamirëse”, deklaruen fali­mentimin; ekonomija demokratike e fajdeve u shemb tue lanë duerthatë nji pjesë të madhe të popullsisë shqiptare. Ndonji nga krenët e mashtrimit u largue me pasaportë diplomatike në drejtim të panjoftun. Populli zbriti në rrugë e ndër sheshe me kërkue paret e veta. Partitë në opozitë gjetën çastin e përshtatshëm për t’i frye zjarrit dhe i banë thirrje popullit që të rrxohej qeveria. Kjo nuk gjeti ndonji rrugëzgjidhje të ndershme e as nuk pati kurajon e gjak­ftohtësinë për të dhanë dorëheqjen, por nxuer nga librat parimin dogmatik të Hoxhës: “partia gabon, por ajo vetë i qorton gabimet e në asnjë mënyrë nuk ia lëshon pushtetin në dorë armikut”. Presidenti deklaroi se kurrë nuk do të pranonte koalicion me socialistët.
Presidenti e muer mbi vedi nji pjesë të fajit kur u zotue publikisht se shteti do të paguante nga 56% deri në 65% të depozitave të popullsisë. Çdo politikan âsht njeri i gabue­shëm si gjithë të tjerët. Por gabimet e politikanit kanë pasoja të mëdha shoqnore dhe nuk kalohen me nji “pardon”. Çdo politikan i ndershëm, kur pranon gabimin, jep dorëheqjen dhe e liron vedin nga politika. Të mos hequnit dorë nga pushteti nga ana e politikanëve të dështuem e ndezi zjarrin edhe mâ shum. Partitë politike zbritën në sheshe për ta marrë pushtetin me çdo kusht. Populli i pezmatuem, se tashmâ kishte humbë çdo shpresë për me jetue pa punue, u çue në revoltë dhe në Vlonë e në Jug, mbas grevës, kapi armët. Parlamenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe mobilizoi forcat ushtarake. Me 9 mars Partia Demokratike e pranoi koalicionin me opozitën. Në pragun e nji lufte civile shteti shqiptár u shemb krejtësisht mbrenda pak orëve të datës 12 mars 1997, tue u zhdukë si krypa n’ujë qeveri, polici, ushtrí, forca të ndërhymjes së shpejtë, administratë, zyrë, banka etj. Vijonin me punue vetëm kjoskat! U shkatë­rruen depot e armëve, deri edhe burgjet; Shqipnia vendosi nji “rekord” të ri: u bâ i vetmi vend në botë pa burgje! Presidenti lëshoi kushtrimin e thirri me urgjencë forcat ushtarake t’Europës.
Pushteti demokratik i “mjekëve specialistë” e dërgoi Shqipninë në repartin e reanimacionit. Aty po vazhdon gjithnji, e pasigurt nëse ndihma e huej mund e shpëtojë nga katastrofa e përgjithshme. Politikanët partiakë shqiptarë mendojnë se nyjen gordiane të politikës së mbrendshme të Shqipnisë e kanë në dorë “zgjedhjet parlamentare”. Përsëri gabojnë.
Çelësi i vërtetë i të gjitha çashtjeve në politikën shqiptare âsht Ligji themelor i çdo shteti: Kushtetuta Kombëtare, e cila na ka mungue që në vitin 1913 dhe vazhdon të na mungojë.

 

9 Komente

Ka shume lezet kjo gjuhe e thjeshte dhe e drejteperdrejte.

M'kthehet besimi ke bukuria e shqipes kur lexoj kshu shkrimesh. 

Nuk mungon Kushtetuta (jo se At Zef Pllumi nuk e di qe ne e kemi te shkruajtur), mungon mirebesimi dhe dashuria ndaj njeri-tjetrit. Nqs nuk biem dakort qe ta respektojme ate qe shkruajme eshte e kote.
Ja disa ligje ushtetuta jone e pashkruar:

1. Te drejten e prones e kane vetem ata qe kane lidhje farefisnore me qeveritaret apo nepunesit shteterore ose plotesojne kushtet sipas nenit 2.
2. Cdo nepunes shteteror mund ta shfrytezoje vendin e punes per te pasuruar veten apo familjaret e tij.
3. Gjykatat nuk mund te denojne njerezit qe kane lidhje me politikane te partive kryesore ne vend.
4. Ne rast se gjykata denon ndonje qytetar, ky i fundit mund ta bleje lirine nga gjykatesit, pavaresisht nga krimi i kryer (ne perputhje me nenin 2).

Ne do kemi njefare shpetimi kur vendimin ne gjykatat tona ta japin jurite qytetare. Atehere shpresoj se do fillojme te kuptojme se sa i rendesishem eshte ligji dhe sa pergjegjesi mban cdo shqiptar per fatet e njerezve rreth tij.

Nje fare Kushtetute dhe permisime te saja jane bere deri diku, sikunder dhe nderhyrje te gabuara ne te si tek ligji i zgjedhjeve (Berisha-Rama) , mirpo ajo qe vihet re eshte zbatimi i saj, dhe i ligjeve te saja.  

Une nuk i heq asnje presje ketij shkrimi. E verteta thene thjesht. E habitshme qe dikush me lart sheh gegnishten si te vetmen gje me vlere ne kete shkrim. Por budalleku nuk ka kufi. Me behet qejfi qe lexoj se ja paska mbledhe mire anadollakut Berishe ne kete shrim, por me vjen keq qe nuk e ka ngrit zerin aq fuqishem dhe publikisht kunder ketij spori, kunder ketij paraziti te shtetit dhe kultures shqiptare, qe e coi kombin shqiptar ne prag te shuarjes per hir te karriges te tij.

Kur lexoj te tilla shkrime me ben te mendoj se Shkodra nuk e ka humbur komplet aftesine per te nxjerre figura patriotike si dikur, dhe qe gegnishtja nuk eshte vetem gjuhe injorantesh te bezdishem dhe krahinist.

5 me * At Zef Pellumbi eshte ikone e shqiperise

At Z.Pellumbi te gjitha i thote mire me perjashtim te njenes.Kur thote se  ....Shqiperise i ka mungue Kushtetuta, e cila vazhdon ti mungoje qe nga viti 1913........

 Jo more At Pellumbi,  gjeç rahmet atje ku je ! Ketu edhe kushtetuten ma te  mire te botes te sjellesh  nuk ka bir nene qe  do ta ndalte Salen per ta shkelur plot 28 here, ne pese vite plus dy......

Ne fakt ben nje renditje kronologjike te fakteve qe nga 1912 e deri sot , te nje natyre qe kushdo qe ka deshire dhe kohe kur s'ka me se te merret mund ta beje ,ahtu sic edhe e kane bere jo pak here anetaret e nderuar te PPU -se ...

Nuk ka asnje gje profesionale . Asnje analize faktoresh . Disa shume te paragjykuara e te shtremberuara , si zgjedhjet e vitit 45 .Vertet shume e thjeshte por pa pike rendesie . Njesoj sikur nje mesues i tetevjecares ti bente nje permbledhje mesimi viteve te ekzistences prej dates se shpalljes se Pavaresise e Formimit si  Shqiperi . Biles po te mos i rspektosh vuajtjet , edhe ato ironite per udheheqjet Shqptare nuk kane vlere , pasi inderekt cdo gje ka vajt keq sepse  paskan  munguar Prifterijte ose Atrit .

Ne fund paska gjete CELSIN ...

Çelësi i vërtetë i të gjitha çashtjeve në politikën shqiptare âsht Ligji themelor i çdo shteti: Kushtetuta Kombëtare, e cila na ka mungue që në vitin 1913 dhe vazhdon të na mungojë.

Kush e pengoi te pakten keto vjet te bente nje Celes Kopil qe te hapte te gjitha dyert e Botes per Shqiperine .

Paste lene uraten e u lexofte  ..... po jo per keto  !

Duhet sqaruar qe shkrimi ka shume gjasa te jete botuar per here te pare para vitit 1998. At Zef Pllumi nuk merr parasysh kushtetuten e vitit 1998.

Keq nuk eshte te kesh kushtetute por ne bote ka vende qe nuk kane nje te tille dhe jane shembuj demokracie shume te avancuar si Mbreteria e Bashkuar psh. Ajo qe ka me shume rendesi eshte fryma me te cilen zbatohet kushtetuta jo ajo qe eshte shkruar ne kushtetute. Se po te jete per ate qe eshte shkruar kushtetuta jone eshte nder me te mirat ne bote.

 

 

Sigurisht shkrimi i At Zef Pllumit eshte botuar per here te pare ne vitin 1997, fill pas trazirave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).