Përse duhet vit për vit “Poeteka”? më pyeste një kolege e imja gazetare teksa i flisja nevojën e debatit rreth këtij aktiviteti. Një lëmsh përgjigjesh më erdhën në të njëjtën kohë, por fitoi vetëm njëra, e cila i mundi të gjitha mendimet e tjera që më erdhën ndërmend: Për të fituar vetëm një lexues më shumë edhe këtë vit. Po, po, vetëm një lexues të vetëm, dhe ky festival do të jetë i fituar - i thashë. Sepse një lexues është sot një hero, është një trashëgimtar, është një misionar. Eshtë e bartës i së njëtës përrallë që e lidh me gjyshin, stërgjyshin, katargjyshin, madje, madje, me Adamin… E nis njeriun nga filli, nga ku erdhi në këtë botë, për të qenë i përsëritshëm.

 

Pa këtë përrallë ne do të humbim të gjithë “kibernetikën shpirtërore”, atë që na bënë të kuptojmë dhe të shpresojmë të kuptohemi nga të tjerë që do na pasojnë pa patur nevojë t’i njohim ose të na njohin. Përballë kibernetikës shpirtërore, qëndron kibernetika teknike, e gatshme të ngushtojë çdo çast pushtetin e meditimit. Ndaj, një lexues është hero – një hero që kërkon të mbajë në këmbë Kombin e Artit të Shkruar.

…..

Letërisa krijon kohën e vet, një kohë që mbetet e pandalshme. Flasim për letërsinë që fiton statusin e leximit mbarëbotëror. P.sh, përse vijojmë të lexojmë Homerin, Shekspirin, Dostojevskin, Servantesin, Hashekun, Xhojsin, Kamynë, Balzakun, Mopasanin, Gogolin, Turgenjevin. Ata nuk kanë asnjë lidhje me kohën tonë, nuk kanë dijeni për shumë nga mjetet me të cilat ne komunikojmë. Po atëherë, përse mbeten kaq të pranishëm, kaq të kuptushëm, kaq të përditshëm me ne?

Ata mbeten sepse arti tenton njeriun, e jo qytetarin. Arti nuk ka të bëjë me “agim baçin, lindur në filan vit, e x vend”. Pra, qytetari është i përkohshëm, ndërsa njeriu mbetet gjithnjë. Përndryshe, ne s’do të kishim shumë lidhje me letërsitë e krijuara në vende të tjera, në kohë të tjera. Por, njeriu dhe koha e veprave të artit është universale, është e vërteta së vërtetës. Sepse letërsia ka shansin të krijojë kohën e vet, përmes të vërtetës së vet, e cila shpesh ka koordinatë të përbashkët Njeriun. Përndryshe, letërsia do të digjte në fund të çdo viti librat, siç djegim vejetërsirat e tjera.

Letërsia mbledh në “shtetin” e saj “nënshtetasin” që dashuron, urren, si dhe me egon, frikën dhe përpjekjen e tij për t’ia dalë mbanë. Të gjitha këto mund të kenë mjete dhe gjuhë të ndryshme, por me emërues të përbashkët. Pikërisht me këtë emërues merret letërsia, për ta bërë më pas një personazh të vlefshëm për mbarë njerëzimin, dhe në të gjitha kohërat. P, sh, përfundimi apo mospërfundimi i dashurisë nuk u zblulua me veprën e Shekspirit “Roemo e Zhuljeta”. Por kjo vepër fitoi statusin e përfaqësimit të kësaj ndjesie në shumicën e debateve mbarëbotërore. Tashmë, përfundimi i tyre real, apo vdekja e tyre, ka shumë alternativa shpjegimi. Megjithatë, të gjithë e dimë se kur flasim për këtë vepër, kemi qasjen kryesore të dashurisë dhe sakrificës për të.

.......

Të lexosh është një veprim, ndërsa të përjetosh, është pasojë e këtij veprimi. Për sa kohë kanë ndodhur vetëm këto dy procese, kontakti me letërsinë mund të konsiderohet “proces fillestar”. Pra ka ndodhur vetëm kontakti dhe reagimi, që i përket edhe shumicës së lexuesve. Deri këtu lexuesi është “në gjendje fillestare”, pra krejtësisht pjesë e procesit letrar, madje, deri në atë moment, me anim nga rrëfimi. Kjo fazë nuk përkon me asnjë qasje individuale të përcaktuar, për aq kohë sa mbetemi te ndjesia, pra te përjetimi. Vetëm nevoja jonë për t’i dhënë kësaj ndjesie një emër, si qenie me logjikë që jemi, nis t’i japë kuptim “lexuesit aktiv”. Pikërisht, emërtimi i përjetimit tonë dhe këndëvshtrimit tonë mbi këtë përjetim, ka lidhje me lirinë tonë për të gjykuar. Këtu hyn liria jonë – se vetëm liria jonë mund të vendosë për të emërtuar, për t’i vënë emër ndjesisë. Ky moment, i varur tërësisht nga përjetimi ynë (pra moment psikologjik) i shërben lirisë sonë që të emërtojë qëndrimet tona. Nëse ne arrijmë që ndjesive tona t’i japim një emërtim sa më afër të vërtetës sonë të brendshme, por edhe të argumentuar përmes gjuhës, aq më shumë garanci kemi t’ua transmetojmë edhe të tjerëve. Pra, liria jonë – liria jonë e brendshme- është akti që i jep emër dhe lidh veprimin me përjetimin. Pra, akti i leximit është i bashkëlidhur me nevojën tonë për t’iu mbështetur lirisë sonë – lirisë sonë të brendshme që na jep garanci nga mbështetja në përjetimin tonë në çastin e leximit.

Gëtja mundi që mes fuqisë së leximit, t’ia serviste Shekspirin mbarë njerëzimit- deri atëherë krejt i panjohur. Dhe ne duhet ta dimë, që në ato 100 vite të panjohura, Shekspiri ishte po ai, vetëm që kishte patur nevojë për një lexues.

Kjo është fuqia e lexuesit. Sepse edhe lexuesi që di t’ua rrëfejë atë që përjeton të tjerëve, POET E KA emrin e tij.

 

*Fjala e mbajtur gjatë takimit të Festivalit VI të Poetekës: “Në pritje të eurolexuesit”

5 Komente

 Kjo është fuqia e lexuesit. Sepse edhe lexuesi që di t’ua rrëfejë atë që përjeton të tjerëve, POET E KA emrin e tij.

 

Kisha kohe pa lexuar gjera te tilla.

Pershtypja qe la shkrimi tek une mund te thuhet vetem me skenen e filmit " Gjeneral gramafoni" ku Parondili ( Kadri Roshi), rremben mandolinen dhe thote: T'i bie edhe nje here kesaj viraneje se m'u ndryshk shpirti.

 

  :

  ... Sepse një pasardhes, i te mireve apo i te zakonshmeve është realisht një trashëgimtar, është një misionar vazhdimesie. Eshtë e bartës i së njëtës "përrallë" a beme, që e lidh me katargjyshin, stergjyshin, gjyshin, e gjer me babain, i cili e ka per detyre ta lidhe pasardhesin e vet me Zotin, per ndryshe  e ka lidhur me djallin, qe eshte i prirur ta nxise te tregohet inatçi dhe  mohues ndaj çdo gjeje dhe ne cilindo aspekt te shfaqjeve te personalitetit te tij.Te tillet  nuk kane cule per ti rene.Sepse cula e tyre ka vetem nje brime. Dhe  si e tille i ben  ti bien ashtu VRANGALLES e jo cules.

Habitmerisht te tilleve u duket vehtja ...avazeshume 

.

Ndoshta me mire paragrafi i pare duhej vendosur ne fund, ngase dhe pergjigja e dhene atje sikur e ul interesin per te lexuar cvjen me pas. Ishte me i qarti nga te gjithe te tjeret.

keto lloj ngjarjesh jane gjithnje te mira. diten e bardhe mos e bej te zeze, thote populli krutan smiley

Ashtu e mendova, sikurse e thoni Ju,  Av

''''Nëse ne arrijmë që ndjesive tona t’i japim një emërtim sa më afër të vërtetës sonë të brendshme, por edhe të argumentuar përmes gjuhës, aq më shumë garanci kemi t’ua transmetojmë edhe të tjerëve. Pra, liria jonë – liria jonë e brendshme- është akti që i jep emër dhe lidh veprimin me përjetimin.''''

Mjaft bukur, kisha kohe pa hasur ne mendim kaq te kulluar. Pikerisht liria e qenies eshte burimi i emertimit qe lidhet kerthizisht me te verteten.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).