http://revistamapo.com/img/foto_artikujt/faks-beqaj-2.jpg

Kryeministri Sali Berisha do të hyjë në histori. Ky është një fakt i padiskutueshëm që nuk mund ta mohojnë as kundërshtarët më të egër dhe as kritikët e tij më të ashpër. Por në mënyrën më të padiskutimtë, një kapitull i historisë, ndër shumë të tillë, do të ketë titullin: “Nga shtatori 2009 e deri në...(data është ende e papërcaktuar), zoti Sali Berisha ka qeverisur me qeverinë më të paligjshme të imagjinueshme”.

Gati një vit e gjysëm pas zgjedhjeve të 28 qershorit, qeveria shqiptare, formalisht dhe ligjërisht, nuk ekziston në formën dhe thelbin që detyron kushtetuta dhe ligji. Qeveria Berisha 2 është ndërtuar mbi bazën e një shumice parlamentare, e cila nuk është aspak e tillë: asaj i mungojnë të paktën dhjetë deputetë. Thënë ndryshe, dhjetë deputetët blu, pavarësisht se kanë ngritur kartonin për formimin e saj, nuk meritojnë mandatin e deputetit, në kuptimin që i jep kushtetuta mandatit të të zgjedhurit nga populli.

Pesë deputetët e parë të shumicës, dosja e të cilëve është hapur tashmë në publik, kanë hyrë në garë dhe janë votuar në kundërshtim me kushtetutën: ata kanë qenë të zgjedhur vendorë. Pesë deputetë të tjerë, po të shumicës, kanë vazhduar të qëndrojnë në funksione të larta shtetërore, të papajtueshme me mandatin e deputetit. Prova shteruese për një fakt të tillë, për ironi të fatit, jepet nga një vendim qeverie, firmosur nga vetë kryeministri Sali Berisha.

Nga “çunat” e malit deri më sot
Shteti nuk është vetëm përmbajtje, shteti i të drejtës është dhe formë, e cila kushtëzon direkt përmbajtjen dhe vetë thelbin e tij. Edhe fashistët italianë, edhe nazistët gjermanë që erdhën në Shqipëri si pushtues, janë kujdesur për formën legale të qeverive kuislinge shqiptare që ngrieshin në Tiranë. Madje edhe çunat e malit, partizanët, me aq sa mundnin, në “shkresat” e tyre me inicialet V.F.L.P. në krye, kujdeseshin për legalitetin e veprimeve që kryenin, pavarësisht se shumë prej tyre kanë qenë edhe kriminale. E bënin një gjë të tillë edhe kur pushkatonin njëri-tjetrin: bënin një gjyq formal dhe pastaj me vendim gjyqi, formonin skuadrën e pushkatimit.

Kështu ka vazhduar historia juridike e shtetit shqiptar deri në shtator 2009, saktësisht deri datën 7 shtator, kur u konstitua Kuvendi i ri i Republikës së Shqipërisë. Ndër 74 deputetët e shumicës qeverisëse, PD plus aleatët e saj, dhjetë nga ta, ishin thjesht të paligjshëm.
Njëlloj si të mos ishin fare në sallë. Njëlloj sikur të mos ekzistonin. Krejt njëlloj si deputetët e opozitës të cilët kishin bojkotuar Kuvendin në seancën e tij të parë sipas vullnetit të tyre politik, por ndryshe nga ta, dhjetë deputetët e PD-së nuk ekzistonin ligjërisht.

Sipas kësaj logjike, seanca e 7 shtatorit 2009, ka nisur në mungesë të kuorumit të nevojshëm prej 71 deputetësh. Komisioni i verifikimit të mandateve, i kompozuar vetëm me deputetë të shumicës, nuk konstatoi asgjë të keqe në mandatet e deputetëve në sallë, por në fakt, paligjshmëria ju ka “shkarë” nën këmbë. Duke krijuar absolutisht situatën më qesharake për gjithë shtetin shqiptar. Sot, pak më shumë se një vit më pas, letrat e hapura tregojnë të kundërtën. Që legalisht, Shqipëria nuk ka as kryetar Kuvendi, as kryeministër dhe se shumica e akteve ligjore të votuara në Kuvend kanë vlerë nul juridike. Sepse janë votuar pa u krijuar më parë kuorumi i domosdoshëm dhe se kanë votuar njerëz të cilët kishin po aq të drejtë të votonin në atë sallë sa edhe gardistët që e ruajnë atë.

Çfarë ka ndodhur?
Pesë zëvendësministra të qeverisë Berisha 1 kanë hyrë në garën elektorale të 28 qershorit, kanë fituar mandatin e deputetit dhe kanë vazhduar të mbajnë njëkohësisht të dy këto funksione të papajtueshëm me njëri-tjetrin. Ata janë Gent Strazimiri, zëvendësministër i brendshëm, Sherefedin Shehu, zëvendësministër i financave, Pavlina Hoti, zëvendësministre e drejtësisë dhe Adriana Gjonaj, zëvendësministre e Arsimit dhe shkencës. Të paktën dy prej tyre, kanë dhënë dorëheqjen nga detyra që kanë mbajtur që në datën 27 maj 2009, ditë kur lista shumemërore e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike u dërgua në KQZ.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 69, pika e, përcakton se “....Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra...”, “Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji”. Neni pasardhës, neni 70, përcakton se: “Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj”. Në një nen më pas, në nenin 71, pika 2, “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm”, thuhet se një gjë e tillë ndodh kur “vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3”.

Nuk dihet sesi kanë vepruar tre nga zëvendësministrat e cituar, por të paktën dy prej tyre, janë në rregull me veten dhe ndërgjegjen prej funksionari të lartë. Kanë dhënë dorëheqjen nga detyra. Por kaq nuk mjafton. Ligjërisht këtu fillonte në fakt, detyra e vetë kryeministrit. Njeriu që i kishte emëruar njëherë në këto detyra, edhe duhej t´i shkarkonte. Dhe një gjë e tillë nuk varej nga vullneti i kryeministrit, por nga ligji organik “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, me numër 9000, datë 30 janar 2003. Sipas nenit 6 të këtij ligji, pikës 2, “...Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave me propozim të Kryeministrit...”. Pra, edhe pse pesë zëvendësministrat, në rastin më të mirë për ta dhe ndërgjegjen e tyre përpara ligjit, kanë dhënë dorëheqjen, ata ligjërisht kanë qenë në detyrë. E vërteton një fakt të tillë vetë firma e kryeministrit Sali Berisha. Në datën 12 tetor 2009, plot 35 ditë mbasi këta zëvendësministra ishin bërë deputetë, zoti Berisha vendos shkarkimin e tyre. Në vendimin e qeverisë me numër 981, me titull “Për lirim nga detyra”, zoti Berisha firmos shkarkimin e pesë zëvendësministrave të tij, Strazimiri, Shehu, Hoti dhe Gjonaj. Për ironi të fatit dhe natyrisht për ironi ndaj ligjit dhe kushtetutës, të pesë të shkarkuarit, kishin dhënë votën e tyre “pro” kryeministrit si deputetë. Ndërsa ky vendim botohet vetëm një vit më pas në Fletoren Zyrtare, të gushtit 2010, me numër ekstra 68.

Thjesht e paligjshme
Të enjten paradite, Partia Socialiste dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretimin përfundimtar të neneve 69, 70, 71 dhe 72 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Po të enjten paradite, në një sallë të tensionuar të Kuvendit, do të shqyrtohej kërkesa e një grupi deputetësh të PD-së për të vlerësuar papajtueshmërinë me mandatin të veprimtarisë së deputetit të Partisë Socialiste Ilir Beqja. Beqja akuzohej se kishte vazhduar të bënte biznesin e tij, ndërkohë që mandati i fituar i deputetit nuk ja lejonte një gjë të tillë.
Për të argumentuar kërkesën e saj, pozita tundte nenin 71, pika 1 të Kushtetutës, sipas së cilës mandati i deputetit fillon ditën që shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Në një votim dramatik, me një shumicë fare të ngushtë, por nën kufirin e 71 votave, rasti Beqja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Ndërkohë, luheshin në vende të ndryshme dy lëvizje të njëpasnjëshme të shahut politik: pozita i “ulte” kokën Beqes, opozita bëri lëvizjen e saj gjeniale: i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të interpretojë katër nene të dokumentit themelor të shtetit. Katër nenet që janë nga nenet më të drejtpërdrejtë dhe absolutisht me pak të interpretueshëm. Sepse janë shkruar në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme.

Me këtë top të lënë në derë të Gjykatës, gardianët e Kushtetutës nuk kanë mundësi tjetër praktike vetëm se të “rishprehin” të njëjtët nene dhe të thonë se: “...nuk mund të jesh deputet po të mos jesh dorëhequr nga detyra e zëvendësministrit apo dhe kryetarit të bashkive e të komunave”. Pak a shumë ky është perifrazimi i asaj çfarë do të vendosë së shpejti trupa e Gjykatës Kushtetuese.

Dhe ironia vazhdon: një nga të prekurit nga ky vendim, është dhe ish-zëvendësministri i brendshëm Strazimiri. Një nga skifterët e pozitës së sotme që papritur përgatitet të shohë se firma e tij në kërkesën kundër Beqes, po i kthehet si bumerang mbi kokë sipas parimit të vjetër biblik: mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të të bënin ty vetë!

Ndoshta e njëjta histori do të përsëritet dhe për një tjetër ish-funksionar të lartë shtetëror, ish-avokatin e përgjithshëm të shtetit Eduard Halimi, sot deputet. Halimi ishte një nga njerëzit që lexoi po në seancën e të enjtes, pretencën më të ashpër për kolegun e tij socialist Ilir Beqja. Por puna dhe e nesërmja e fatit juridik të zotit Halimi, pret. Njëlloj si një dosje e vjetër shqiptare në proces në Gjykatën e Strazburgut, edhe puna dhe fati i tij do të presë pak kohë.

Këtu nis, por këtu nuk mbaron
Vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese do të sjellë implikime të paimagjinueshme në politikën shqiptare. Me atë vendim në dorë, mbas këtij veprimi gjenial të opozitës që trokiti në atë derë vetëm mbasi “duroi” taktikisht deri në momentin e mbushjes së kupës së paligjshmërisë, ajo, opozita, mund të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor. Me një objekt të thjeshtë fare.
Që nuk ka të bëjë me krizën e hapjes e të mbylljes së kutive të votimit, që nuk ka të bëjë me djegien apo rinumërimin e fletëve të votimit. Që nuk ka të bëjë me forcën që buron nga protesta e rrugës, por që ka të bëjë me verifikimin e ligjshmërisë së dhjetë mandateve të kolegëve të tyre të djathtë. Domethënë, nëse pesë nga ta kanë dhënë dorëheqjen nga funksionet e tyre si kryetarë bashkish e komunash dhe kur janë shkarkuar pesë të tjerë nga detyra si zëvendësministra të qeverisë Berisha 1. Për shembull, hetimi do të përfshijë verifikimin e fakteve të tilla formale dhe thelbësore si: a ka pasur ndër ta kandidatë për deputetë që kanë bërë fushatë me shiritin kuqezi të bashkiakut, a kanë vazhduar të firmosin e vulosin shkresa me këtë cilësi, a janë liruar me vendim qeverie pesë zëvendësministrat, së paku që nga data 27 maj 2007?
Pastaj historia merr një rrjedhë tjetër. Rrjedhën qesharake të historisë më qesharake të shtetit shqiptar e cila nis dhe mbaron me një pyetje të vetme: njerëz pa mandat ose me mandat të paligjshëm, a mund të votonin për formimin e qeverisë? Logjika më e thjeshtë juridike thotë “Jo!”, pavarësisht se Edi Rama dikur këndonte: Gjithçka mund të ndodhë/ jetojmë në Tironë!

Siç duket ai vetë dhe këshilltarët e tij juridikë kanë ditur një detaj më shumë se kundërshtarët e tyre që i mundën me fotofinish në qershorin e vitit të kaluar: shteti është edhe formë, edhe përmbajtje. Një të vërtetë që e kanë ditur edhe pushtuesit që kanë kaluar nëpër Tiranë, por jo Sali Berisha, kryeministër dy herë dhe president njëherë e gjysëm. Që tani sheh se historia po rrjedh si në atë lojën e vjetër të fëmijëve: si lëvizje me detyrim dhe përcaktim... drejt zgjedhjeve të parakohshme. Si një mundësi e fundit për të mbuluar me shoshën transparente të së nesërmes, paligjshmërinë e djeshme dhe të sotme të qeverisë së tij.

6 Komente

Dhe ironia vazhdon: një nga të prekurit nga ky vendim, është dhe ish-zëvendësministri i brendshëm Strazimiri. Një nga skifterët e pozitës së sotme që papritur përgatitet të shohë se firma e tij në kërkesën kundër Beqes, po i kthehet si bumerang mbi kokë sipas parimit të vjetër biblik: mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të të bënin ty vetë!

dhe

Vendimi i pritshëm i Gjykatës Kushtetuese do të sjellë implikime të paimagjinueshme në politikën shqiptare. Me atë vendim në dorë, mbas këtij veprimi gjenial të opozitës që trokiti në atë derë vetëm mbasi “duroi” taktikisht deri në momentin e mbushjes së kupës së paligjshmërisë, ajo, opozita, mund të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor. 

Qe Qeveria aktuale ka probleme PRIMITIVE te te kuptuarit te koncepteve baze te nje demokracie kushtetuese, kjo eshte statistike e pakundershtueshme tashme.

Por as opozita nuk mbetet pas ne primitivitet, sidomos pasi i denoncon skandalet e mesiperme si strategji te miremenduara nga ana e saj, PAS NJE VITI E GJYSEM, dhe qershia mbi torte, demek ne pritje te persosjes se grackes antiqeveritare.

 

 

 

 

 

Opozita ka nje vit me kete muhabet, por shurdhet i kishin mend e veshet ne vende tjeter. Tani qe po ju djeg, po arrine te degjojne...aq sa po kerkojne "ndryshim rezultati" , "numerim deri me nje te votave"  dhe "nuk na duhen mandatet e vjedhura".

Po qe ky eshte shkrim me tituj policesk dhe fantazi te zhvilluar duket.. me thjesht fare , kane filluar dhe tallin menderen me kete qeveri tashme.

 Aty maje vibratorin MAPO!! 

Tani m'shojini kesaj pune derisa t'i cohet Gjykates Kushtetuse (ceshtja me i' llaf smiley ) dhe te shtohet edhe nje tulle e vockel ne ngrehinen e pambarume te Shtetit Shqyptar!

 

 

But I'm stuck like a dope

With a thing called hope,

Etc...

dhe ...'' ne Bugjejovice ne po vemi , kush s'beson borxh nuk ja kemi'';  ''Pyjeve te gjelberuar shetis une i gezuar" dhe kenga e shvejkur jehonte ne pyjet e mbuluara me bore....

 

 

 

 

 

 Artikulli ne fakt ishte tamam per juristet e Komisionit Europian. Nje vend si Shqipêria, qe synon te futet ne EU, arrin te shkeli me te dyja kembet ligjet themeltare te saj, kjo eshte me te vertete superskandal politik. 

Artikulli do ishte mire te botohej ne gazeta ne gjuhet anglisht e frengjisht. 

gjithcka mund te ndodhi, jetjom ne tiron

edhe kur jemi kryetar komunash ne klos e berat

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).