Në një qytet, ku praktikisht nuk ndodh asgjë, thashethemnaja vlon më shumë se kudo tjetër. Por për një të sapoardhur nga një shtet i largët, mund të duket një qoshe e ngrohtë për të ngritur jetën e vet. Por a mundet?!  Pasi “theu” imazhin e regjisorit të “fiksuar”, pas dokumentarit me filmin “Shqetësimet e një obezi”, Pluton Vasi po përgatitet t’i shfaqë publikut një tjetër krijim. Një film artistik me metrazh të gjatë, prodhim i “Art Film P&D”, i titulluar “Maya”, si emri i gruas së bukur që do të “përziejë” gjithë fshatin.

Filmi është mbështetur mbi një tregim të Luljeta Lleshanakut, “Tullacja”, e cila e ka përshtatur atë në një skenar filmi së bashku me Vasin. Zgjat sa një udhëtim 1 orë e gjysmë me avion, gjatë të cilit personazhi tregon historinë e tij shqiptare. Pa shfaqur ende emrin e vet në titra, regjisori të përgatit për një ngjarje e cila ka një fund të jo të lumtur. Dikush ikën, kthehet nga ka ardhur. Gjithçka nis aty. Historia na serviret në formën e një rrëfimi dhe thirrjeve të kujtesës së personazheve, që përplasen në ekran si “flashback”.

Vasi gjithsesi e ka të vështirë të ndahet nga dokumentari. I duhet një zë që rrëfen. Samiu (Genti Kame) është i biri i Xheladin beut, i arratisur nga Shqipëria pas çlirimit, por ndonëse kanë kaluar dekada, të gjithë e mbajnë mend si “diversanti”. Atij nuk është se i vjen keq për këtë. Ka ardhur të varrosë në atdhe eshtrat e të atit e do kthehet sërish. Kuriozitetin e banorëve të qytezës dhe ndonjë batutë të hedhur ashtu, ai i pret me një buzëqeshje rrezëllitëse. Ka lindur jashtë, i përket një tjetër mentaliteti... (Kame ndërkohë jeton në Paris, nuk e ka të vështirë të përshtatet). Po një grua sy bojëqielli, Maya (Rovena Lule) bashkëshortja e kushëririt të tij, Drinit (Alert Çeloaliaj), një inxhinier i mbetur pa punë pas mbylljes së minierës, do t’i shndërrojë planet e tij. Vendos të qëndrojë në qytezë, të rimarrë çka mundet nga pronat e të atit dhe të ushtrojë zanatin e tij prej parukieri. Ardhja e Samiut do të prishë qetësinë e Gromasit. Ai do të zbukurojë gratë, do t’i bëjë ato të ndihen mirë me veten, por do të krijojë edhe armiqësi. I pari është Bekimi (Myzafer Zifla), shefi i komisariatit, që gjithë jetën e ka lakmuar Mayën e bukur, por pa e arritur dot dhe kur sheh të “huajin” që e ka kaq të lehtë t’i qaset asaj, vënia kundër i kthehet në një obsesion. I dyti është Burhani, (Arben Derhemi) që tërë jetën ka jetuar në shtëpinë e babait të Samiut e tani me kthimin e tij duhet të dalë jashtë. Mes këtyre shigjetimeve, Samiu nuk e ka jetën e lehtë. Megjithëqë buzëqeshja nuk i shqitet nga buza, atij i duhet të përballet çdo ditë me fyerje të shkruara mbi vitrinat e sallonit, apo me xhama të thyer. Lidhja e fshehtë me Mayën nuk mund të jetë më e tillë. Shefi i komisariatit do të sajojë gjithë farë akuzash ndaj tij. Do ta bëjë edhe të akuzuar për terrorizëm, edhe trafikant objektesh arkeologjike, do të shfrytëzojë njerëzit e dobët dhe të paditur të qytezës, do të sajojë edhe një kontroll të befasishëm në sallonin e tij. Policët nuk gjejnë asgjë atje, veç... Mayën në dhomën e gjumit.

Regjisori servir një herë një variant se si mund të mbyllet historia. Maya del mes turmës, i shoqi zbret nga motori, me të cilin shkonte në Tiranë për të çuar kukullat që krijonte e shoqja dhe e vret atë. Kjo është një histori tipike shqiptare, madje rutinore në faqet e kronikave të zeza në shtyp. Por ai kthehet sërish pas. Maya del mes turmës. Asgjë nuk ndodh. Samiu nuk do të ikë as pas kësaj. E vetmja që e detyron atë të mbledhë plaçkat është Alisia, vajza adoleshente e Mayës, që në shenjë proteste qeth flokët tullace e pastaj, e veshur dhe trukuar si një prostitutë i shkon atij në sallon. Mundohet ta joshë, por ajo vajzë, me gjoksin ende të paformuar, nuk ngjall veçse dhimbje. Kjo është edhe pjesa më tronditëse e filmit dhe nuk do të kalojë pa u vënë re. Përveçse e vë në dilemë publikun mes asaj që është “moralshme” ose jo, çfarë është e drejtë ose jo, ai provokon edhe me një skenë të pandeshur në filmat shqiptarë. Zhveshja e Alisias, adoleshentes, mbetet në mendje më shumë se një skenë erotike, që në film është me masë. A duhet të zhvishet Alisia në ekran? Regjisori e vë në funksion të idesë së tij. Kjo ishte e vërteta që askush nuk e mësoi, që e detyroi Samiun të largohet nga qyteza, duke marrë me vete kujtimin e gjithë atyre njerëzve, që nuk ditën ose nuk deshën ta pranonin. Historia e Mayës dhe Samiut nuk është e pazakontë. Mund të të qëllojë një komshi si Burhani, që nuk gjen dot paqe me veten e që Arben Derhemi e luan aq natyrshëm, saqë të duket se atë personazh e ke takuar diku. Po mund të ndeshesh edhe me një Bekim, që komplekset e së shkuarës i kthen në armë.

Me rikthimin në ekranin e madh, Zifla ka treguar se rolet e karaktereve janë kostume që i rrinë mirë. Këtë histori dramatike, Vasi e përcjell me nota humori dhe ironie. Qëllimi i tij nuk është ta bëjë publikun të qajë. Është një copë jete shqiptare, ku përditë dëgjon histori që burojnë nga përplasje mentalitetesh. Xhirimet e filmit janë zhvilluar në Petrelë, por Gromasi mund të jetë çdo qytezë, apo qytet shqiptar.

3 Komente

Filmi duket shumë interesant. Veç ti që e ke shkruar këtë artikull do zënë me shpulla!!!!!

Shkruaj diku që ky artikulli më poshtë përmban "spoilers". Sduam të na tregosh filmin pa e parë.

 Ka lindur jashtë, i përket një tjetër mentaliteti... (Kame ndërkohë jeton në Paris, nuk e ka të vështirë të përshtatet). Po një grua sy bojëqielli, Maya (Rovena Lule) bashkëshortja e kushëririt të tij, Drinit (Alert Çeloaliaj), një inxhinier i mbetur pa punë pas mbylljes së minierës, do t’i shndërrojë planet e tij. 

"Mentaliteti tjeter" qenka qe ky ti hedh syte gruas se kusheririt?!!!?!

Subjekt i degjeneruar!

po bunkere ka te ky filmi?

pothuajse te gjithe filmat shqiptare qe jane bere pas 90-es, jane me bunkere.  se kam kuptuar asnjehere perse........

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).