LES FEUILLES MORTES

Vjeshta ka ardhur. Me depresionin e vet, me gjethet, divorcet, lagështirën, përmbytjet dhe pikëpyetjet.
Në Tiranën ku të gjithë vrapojmë, dhe po rendim për në kafene ku do të rrimë me orë, ka kohë që nuk ia vëmë veshin stinëve. Gjithçka na konvertohet në Dimër-mbështillu se u bë ftohtë, ose Verë - kush nxihet më shumë.
Stinët e ndërmjetme, vjeshta e pranvera, janë ngushtuar aq sa duket sikur janë zhdukur. Ca prej ngrohjes globale, ca prej faktit që ne ka kohë që nuk e shohim qiellin, e ca prej çimentos, xhamave e betonit.
E megjithatë, vjeshta, në Tiranë ka mbërritur.

VJESHTA E NJË QYTETI
Një shoqja ime po më tregonte një ditë se si njeriu është më i lumtur, më aktiv e më produktiv në stinën që ka lindur. Çdo njeri, ka një stinë të vetën ku shpërthen. Njerëzit janë dimërorë, vjeshtakë, verorë... Kadareja, përjetësisht dimëror. Edhe "Nëntori i një Kryeqyteti" i shkruar prej tij duket sikur është shkruar në dhjetor. Pirro Çako - vjeshtak, me këngët që duket sikur i kushtohen të tëra një femre të vetme, në të shkuarën, pavarësisht ç'titull kanë. Saimir Kumbaro - veror e me pantallona të shkurtra, si të gjithë filmat e vet.
Dua të besoj se ajo që ndodh me njerëzit, duhet të ndodhë edhe me qytetet. Edhe qytetet, kanë një stinë të vetën. Tirana, siç e njoh unë, është një qytet vjeshte.
Ka pas qenë një kohë kur vjeshta e zinte Tiranën fillimisht nga plepat anës Lanës, pastaj hapej në bulevard dhe në rrugën e "Durrësit". Pastaj, me radhë, rruga "Fortuzi", "Bulevardi i Maternitetit", shtëpitë private pas "Dervish Hatixhesë"...
Sot, vjeshta vjen deri në Linzë, e nuk zbret dot.
NGJYRAT
Vjeshta komunikon me ne përmes pemëve. Për fat të keq, ne, ia kemi prerë sa kemi mundur komunikimin. Pemët në Tiranë, janë si të burgosur pleq që nuk arratisen, jo se nuk duan, po se nuk kanë ku shkojnë. Ne kemi ngritur reklama rrotull tyre, i kemi ngjeshur mes pallatesh, i kemi krasitur për të bërë ballkone. Selvia, nuk duket më. Apo është akoma aty? Lakuriqe dhe e mjerë.
Te parku Rinia, ku për ironi vetëm të rinj nuk ka, banorët kryesorë janë romët, njerëzit e vetëm që vishen njësoj në të tëra stinët. Te parku i VETËM brenda qytetit ndalon vetëm një stacion autobusi, që ndalon për të të sjellë në Bllok, jo në park. Sepse, askush s'e çon ndër mend që dikush është nisur për aty, thjesht që të rrijë në park. Hiqju parqeve, bëj atë që bëjnë të gjithë, shtëpi-kafe-punë, punë-kafe-shtëpi.
Pa e kuptuar ne, po na humbin ngjyrat e vjeshtës. Në këtë qytet e vetmja mënyrë për të marrë vesh në ç'stinë jemi është përmes klimatizatorit të makinës. Ti ecën në rrugë, dhe ngjyrat perverse të pallateve sfumojnë çdo gjë. Nuk gjen dot as ku ke parkuar makinën, larg qoftë të dallosh pemët.
Qejfi më i madh në vjeshtë, kur kam qenë fëmijë, ishte kërcitja e gjetheve nën këmbë.
Sot, as ecim në këmbë e as gjethet ekzistojnë më. Pastruesit e rrugës, me fshesat e tyre me degë pemësh, u kanë shpallur luftë.
Në rrugët ku ecet në këmbë, ka vetëm tenda, hundë të shëmtuara lokalesh që dalin deri në buzë rruge, karrige që mbulojnë krejt trotuaret, ndërsa limonët i kemi marrë në mbrojtje si çifutët në kohë të luftës, nëpër ballkonet e apartamenteve. Dikur shihja hurmat, në kopshtet e shtëpive, tani muret shkojnë deri në kat të dytë, dhe hurmat e i kanë prerë për të hapur vend për makinën.
VJESHTA E ATYRE QË S'JANË
Vjeshta, është malli i padukshëm për ata që janë larg. Ata që janë sot 35 vjeç, po të bëjnë bilancin e luftës 20-vjeçare me tranzicionin do të kuptojnë që shumica e të njohurve të tyre kanë ikur jashtë. Green-cards, letrat kanadeze, shkollat, martesa në cepat e largët të globit.
Gjithnjë e më tepër, lista ime e numrave të telefonit rritet, por ajo e numrave që do doja ti thërrisja për një kafe në një pasdite me shi, shkurtohet. Sepse njerëzit kanë ikur drejt stinëve të tjera, në vende të tjera. Dhe rikthehen në vjeshtën e Tiranës gjithnjë e më rrallë.


"Sa i shkon Stingu Tiranës" më thoshte një piktor para gati 15 vitesh. Dhe ka gati po aq vjet që nuk vjen në Tiranë.
And i miss you, most of all my darling... këndon Nat King Cole... When autumn leaves, start to fall... një këngë të vjetër për vjeshtën me tekst të Zhak Prever. Edhe pse mua më pëlqen më shumë versioni vokal i Eva Cassidy dhe versioni instrumental i Stan Getz.
Vjeshta është pritja jonë e butë që ata të kthehen, ndoshta për Vit të ri, duke e mbushur Tiranën me për pak javë me lëng jete e gëzim.
Tiranës i rrinë mirë thuajse të tëra produktet muzikore britanike. Sepse, dhe Londra është qytet vjeshte.
VJESHTË DIVORCESH
Në vjeshtë, bien gjethet, bien dhe dashuritë. Vjeshta vjen me divorcet e veta. Ka një kohë kur njeriu ka dëshirë të rrijë pak me veten e vet. Dhe kjo, stinë, është vjeshta.
Por ne kemi qëlluar njerëz që kemi shumë frikë të rrimë vetëm. Mbase, kemi frikë nga kumbimi i asaj që kemi brenda. Mbase, se nuk jemi mësuar. Mbase, sepse kemi frikë të jemi të brishtë e të thyeshëm, qoftë edhe pa shkak.
Është vjeshtë në Tiranë, dhe të gjitha këto, lejohen.
Në TV nuk ka thuajse asgjë të re. duhej të ishte stinë e re televizive. Por, është një stinë e re me rroba të vjetra.
Ka një panair libri vjeshtak, ku njeriu ka qejf të shkojë e të nuhasë erën e mijëra librave, ndërsa jashtë bie shi. Edhe pse, ka njerëz që akoma shkojnë e blejnë "Djalli vishet me Prada".
Duhet guxuar për të kryer një divorc vjeshtak. Me njerëzit, me librat dhe me figurat televizive.
Kush është vetëm në vjeshtë, do të mbetet vetëm gjatë / do të rrijë zgjuar, do të lexojë e shkruajë letra të stërgjata/ e do të bredhë pa shpëtim lart e poshtë / rrugëve nën rreshta pemësh, ndërsa gjethet dridhen përmbi kokë. Shkruan Rainer Maria Rilke për një Ditë Vjeshte.
Por, ne ka kohë që nuk jemi poetikë.
VJESHTË ME ZOR
Vjeshta, na pëlqen sepse është komoditet. Mbase, jo se e duam, por se na zgjidh ca halle. Në verë, Tirana është vapë e pluhur. Prandaj, duam vetëm të ikim prej saj. Në dimër, shtëpitë tona mbeten përjetësisht të ftohta, edhe pse furrnellat i kemi ngjitur në tavan, e i quajmë me emrin seksi kondicionerë. Vjeshta, duket si zgjidhja e mesme më e mirë.
As vapë, as djersë. Më mirë ca shi, se ul pluhurin, por jo aq ftohtë sa të ngrijmë.
Këto hallet e vockla, na bëjnë të mos e jetojmë stinën më të bukur të Tiranës. Ju mund të thoni... Pranvera! Po pranvera në Tiranë nuk ekziston. Ne kalojmë nga xhupat, në mëngë të shkurtëra brenda javës.
Vjeshta është stina e Tiranës, duam apo nuk duam ne.
Po kush ka nerva të merret me vjeshtën, kur hataja ndodh vërdallë.
Dhe, pse duhet të rrini ju të lexoni lirikat e Rilkes, apo poetizmin tim për vjeshtën, kur ndodhin thashetheme më interesante në Facebook?
Ndoshta, sepse, mungesa e poezisë na ka bërë prej guri.
Ndoshta, ajo që na mungon, ajo që thuajse na ka humbur përfundimisht, është që të ndjehemi qoftë dhe për pak, si dikur: njerëz të pafajshëm!

Thjesht njerëz, që kënaqen duke shkelur gjethet e rëna në vjeshtë.


"Lules s'Majit", është në fakt një këngë vjeshte.


Ernest Koliqi, është, për mua një shkrimtar vjeshte.


Shkodra, është, një tjetër qytet vjeshte.


Dhe Pirro Çako, në vjeshtë do t'i thurë këngë të njëjtës grua, të hershme.

19 Komente

Qejfi më i madh në vjeshtë, kur kam qenë fëmijë, ishte kërcitja e gjetheve nën këmbë.
Sot, as ecim në këmbë e as gjethet ekzistojnë më. Pastruesit e rrugës, me fshesat e tyre me degë pemësh, u kanë shpallur luftë.

Jete mizerje thuaj, pa pike intimiteti gjethe-shkeles. smiley

 

P.S. Duhej dhe nje Koloreto, pervec Ypit, ne kolorin e opinionisteve shqiptare.

Ka dale ndonjehere ne ndonje debat televiziv ky tipi? Jam kurioz a ja merr n'kthes Ypit ne TV apo jo, se ne shkrime me duket do ja kaloje, se i ka dhe me nentituj te bold-ezuar shkrimet.

Nuk besoj se ka dale ne ndonje debat televiziv, po mbase duhet te dalesh ti !

Sepse qenke shume i prirur per te mos respektuar mendimin e tjetrit.

Kolo, qe te mos te bej vleresime per shkrimin s'do te thote qe s'te rrespektoj mendimin mer, jo se na pyet kush ne, po meqenese nuk mendon se ka dale ne tv, dhe suksese kur te dale, ai dmth.

Ku ma di emrin ti mua ?

hahaha

... njoha nje Genius,
nje dite Vjeshte...

ndërsa limonët i kemi marrë në mbrojtje si çifutët në kohë të luftës, nëpër ballkonet e apartamenteve.

shif mer ç'humor te holle paska Koloretua.smiley

 Dhe Pirro Cako,ne vjeshte do ti thure kenge te njejtes grua,te hershme.

Dhe Fatos Nano do marre prape gruan e pare.

Kush i ka thene ketyre qe dine te shkruajne mor amon.

Po ty kush te ka thene qe di te lexosh ? smiley

Me pelqen pavaresisht ca rreshqitjeve aty ketu. Ka shpirt dhe mendim.

Ka pas qenë një kohë kur vjeshta e zinte Tiranën fillimisht nga plepat anës Lanës, pastaj hapej në bulevard dhe në rrugën e "Durrësit". Pastaj, me radhë, rruga "Fortuzi", "Bulevardi i Maternitetit", shtëpitë private pas "Dervish Hatixhesë"...

Shume bukur. Me kutohen ato plepat e zinj midis ures se Elbasanit dhe asaj te Bulevardit, gjethet e verdha ne barin ende te gjelber, Lana qe rridhte mes degeve te thata qe kishin rene nga pemet. Kane qene dhe nja dy stola druri aty ku mund te uleshe e te shijoje pamjen. Kuptohet ne uleshim me shume naten dhe nuk e kishim mendjen tek vjeshta smiley megjithate....

 

Po deshe ta shiojsh vjeshten si sinfoni dhe jo si violine me tela te keputur, duku ketej nga Kanadaja. Sot dola me gjithe familjen jashte qytetit ne ca zona me pyje e lumenj, vetem per te bere fotografi vjeshte. Kryeveper. Vec nuk i sjell dot ketu.

Me depresionin e vet, me gjethet, divorcet, lagështirën, përmbytjet dhe pikëpyetjet.

qyqja pse mre kush u nda ?  smiley

Po depresion dhe pikpytje pse ?  smiley

"Sa i shkon Stingu Tiranës" më thoshte një piktor para gati 15 vitesh

hmm i paskem bo kabim llagaritjet per moshen e Koloretos, mendoja se ishte duke mbyll gjimnazin ose maksimumi duke hy ne shkolle te larte smiley

Me fal Koloreto, per me teper do flas kur ta lexoj te teren.

Por di qe kto dite vjeshte kane qene te mrekullueshme ne tirane, me diell, me pakez shi sa per te la ajrin, me fllad....qyqja u bona romantike.

Dhe sot e dje ne Durres ishte nje mrekulli e zotit, ai deti vaj vaj vaj ...te vinte me u kredh.

...Ne vere, kush nxihet me shume... Koloreto(nuk e bej dy here te njetin gabim,  kur te quajta vajze)

Po qe se kur  nxihen me shume, kete sikur e ke te pakolauduar mire.Keta tanet, jane xire si ne dimer si ne vere.Nuk te duken si bythe kusije ?

 Cukalin e ndjek ne shkrimet e tij cdo te diele. Eshte fantastik. Ftoj ta lexoni cdo te diele, te Shekulli.

 

Ndoshta, sepse, mungesa e poezisë na ka bërë prej guri.
A ka ndonje njeri qe merret me theksimin e mungeses se artit tek jeta qe behet ne Shqiperi?

Na ke lexu mendjen Koloreto. Thanks man. smiley

Vjeshta, na pëlqen sepse është komoditet. Mbase, jo se e duam, por se na zgjidh ca halle.

Veshjet me te mira verore dhe dimerore, vishen ne vjeshte.

 Ja një vjershë që i shkon këtij shkrimit:

 

 

  • Vjeshta po mbaron
  • dimri po afron
  • njeriun qe don
  • vazhdon e kerkon
  • kerkon ne bor kerkon ne shi
  • si lypsar shtrir nje dor
  • kerkon te madhen dashuri.

 

A.K.

 

Sa shume e du Koloreton! Absolutely, one of the few last honest journalists in this country.

Bravo Kolo  (!)

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).