Patrikana e Pejës, 3 tetor 2010.
 
Në Patrikanën e Pejës ka nisur ceremonia e inaugurimit të patriarkut Irinej. 
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, është një nga liderët serbë që po merr pjesë në ceremoni, pasi, siç është thënë, ka marrë leje për të hyrë në Kosovë përmes zyrës së Përfaqësuesit të BE-së në Beograd. 
Por, nuk janë lejuar të shkojnë në Pejë dy liderë opozitarë, Velimir Iliq i Partisë Serbia e Re dhe Tomislav Nikoliq - Partia Serbe e Progresit, meqë nuk kanë pasur leje për të vizituar Kosovën në cilësinë e zyrtarëve. 
Kthimi i Iliqit konfirmohet për Radion Evropa e Lirë nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu.

“Velimir Iliq është kthyer në orën 9:40 në Merdare. Ai ka qenë me dy persona të tjerë. Ai është zënë në Leposaviq, por është nxjerrë jashtë nga territori përmes pikës kufitare në Merdare”, tha Sadriu. 

Qeveria e Kosovës, ditë më parë, ka thënë se kur është fjala për vizita të karakterit fetar do të jetë fleksibile, duke lejuar hyrjen në Kosovë të zyrtarëve të lartë serbë. 
Megjithatë, sikur herët tjera, është kërkuar që të respektohet karakteri i vizitës dhe të mos jepen deklarata politike. 
Policia e Kosovës njoftoi se janë të paktën 2,500 qytetarë që kanë ardhur nga Serbia për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të patriarkut Irinej. 
Plani operativ për këtë ditë është hartuar në mes të Policisë së Kosovës, asaj të EULEX-it dhe KFOR-it. 
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter i tha Radios Evropa e Lirë se siguria është në nivelin e duhur.

“Mendoj se çdo gjë po shkon në rregull sa i përket sigurisë. Ne po ofrojmë siguri për të gjithë njerëzit, përfshirë këtu edhe mysafirët e lartë. Po ofrojmë siguri edhe për presidentin. Po i ndihmojmë Policisë së Kosovës dhe EULEX-it që po ofrojnë sigurinë jashtë, ndërsa ne ofrojmë sigurinë brenda manastirit, ku po zhvillohet ceremonia”, tha Wichter. 

Lehtësim në organizimin e ceremonisë dhe arritjen e marrëveshjeve në lidhje me të ftuarit dhe mbarëvajtjen e ngjarjes fetare, ka ofruar ambasadori grek në Prishtinë, i cili tash një kohë ndërmjetëson mes Kishës Ortodokse Serbe dhe institucioneve të Kosovës. 
Inaugurimi i sotëm i patriarkut Irinej është i treti me radhë, meqë ai ka mbajtur dy ceremoni të tilla në muajin janar në Beograd, kur edhe ka marrë detyrën e kreut të Kishës Ortodokse Serbe. Kjo është hera e parë që një ceremoni e tillë inauguruese e krerëve ortodoksë serbë, mbahet në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).