Ose një pelegrinazh i lënë përgjysmë

 

 

Një ditë më parë të gjithë mediat kanë dhënë lajmin se furrat e gëlqeres që shtrihen në këmbë të qytetit të Skënderbeut do të mbyllen. Ne presim që ajri në këto anë të jetë disi më i pastruar, por ja ku shohim një re të zezë që lartësohet frikshëm mbi fshat në këmbët e Krujës, paska edhe nga ato që nuk e vrasin edhe aq mendjen për urdhrin e Ministrisë së Mjedisit. Në fakt, nuk kemi edhe aq punë me furrat e pamposhtura të gëlqeres. Me atë lajm po merren kolegë të tjerë. Jemi nisur për një kuriozitet të vjetër, për historinë e Sari Salltëkut, njëra prej figurave më të njohura të bektashinjve.

Në Krujë mbërrijmë në orët e para të mëngjesit. Edhe këtu, si në çdo qytet të botës mëngjesi seç ka një nxitim të veçantë. Në rrugët e pjerrëta të qytetit nxënësit shpejtojnë të shkojnë në shkollë, kalimtarët përshëndesin me optimizëm njëri-tjetrin, ndërsa dyqanxhinjtë bëhen gati të hapit dyqanet e tyre të vogla. Përballë me muret e kalasë së Skënderbeut, teksa dielli ende nuk ka dalë mbi shtëpitë e Krujës, ulemi dhe kujtojmë historinë e Sari Salltëkut, shenjtit që bënte mrekullira.

Ka shumë legjenda lidhur me të dhe historia e vërtetë me sajimet që kanë krijuar breza të tërë besimtarësh mpleksen aq fort saqë nuk mund t’i dallosh nga njëra-tjetra. Gjithsesi, dihet se ka qenë një pasues i Haxhi Bektash Veliut, themeluesit të bektashizmit. Disa thonë se shenjtori i ardhshëm ishte nga Kaukazi, disa të tjerë e bëjnë tartar të ardhur nga stepat e largëta. Gjithsesi, aty nga gjysma e dytë e shekullit XIV duket se ky personazh bënte pjesë në radhët e osmanëve që u vendosën në Babadag (në Dobruxhën e sotme në Rumani) nga perandorët bizantinë me qëllim që të mbronin kufijtë veriorë nga dyndjet e popujve të tjerë. Pikërisht këtu rrëfehet mrekullia e parë e Sari Salltëkut. I armatosur vetë me një shpatë të drunjtë – ai predikonte largimin nga armët – ai arriti që të vrasë një kuçedër me shtatë kokë që si ushqim të përditshëm kishte vajzat e bukura të një mbreti të mirë. Nuk dihet fare saktë se kur mbërriti në malin përmbi Krujë njeriu që bënte mrekulli. Studiuesit thonë se ai duhet të jetë vendosur aty andej disa vite pas qëndrimit në Babadag dhe në vende të tjera të Ballkanit. Në fillim i strehuar në një shpellë nga ku shokohej e gjithë fusha dhe kështjella e Krujës. Pranë saj rridhte një burim me ujë të pashtershëm. Këtu ka ndodhur mrekullia e dytë e madhe e Sari Salltëkut. Vetëm ai arriti të mposhtë një kuçedër tjetër që nuk e linte ujin të furnizonte qytetin. Edhe në këtë rast një tjetër shpatë prej druri hyri në përdorim. Pak nga pak rreth shpellës nisën të ngrihen disa ndërtesa që do të përbënin më pas teqenë që u bë shumë shpejt e famshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Mund të duket si çudi që një predikues i fesë islame të sillej vërdallë këtyre anëve të njohura asokohe për besnikëri ndaj krishterimit. Por shenjtori e kishte gjetur edhe marifetin: ai dhe dervishët që e shoqëronin, mbante veshur një veladon murgu dhe predikonte besimin e tij duke përmendur hera-herës edhe Jezu Krishtin. Në popull është ende e përhapur legjenda që ai ka qenë një murg ortodoks, madje i kanë mveshur edhe emra, Shën Spiridhoni është më i përhapuri prej tyre. Legjendat thonë se ky shenjt kishte edhe një veti tjetër: ai udhëtonte duke bërë kapërcime kolosale. Për shembull nga Kruja kërceu në Fushë-Krujë, që këtej në Durrës dhe që nga Durrësi fill e në Korfuz. Kudo ku shkonte, apo më mirë kërcente, ngrihej një teqe. Rrok Zojzi, një etnograf i njohur, e pat përshkruar teqenë e Sari Salltëkut mbi Krujë në fillim të viteve ’40 të shekullit të shkuar. Në atë kohë pranë shpellës dhe burimit të njohur lartësoheshin tri ndërtesa. E para ishte për mysafirët e shquar, në të dytën strehoheshin dervishët, që njëkohësisht ishin edhe bujq apo zejtarë, e treta shërbente si han për hallexhinjtë që i zinte nata jashtë.

Poshtë Krujës, në anën e rrugës që të lidh me Fushë-Krujën, është një teqe e vogël. Besimtarët janë të bindur se pikërisht këtu Sari Salltëku bëri ndalesën e tij të parë kur u nis për në Greqi për të hapur teqetë e tjera. Kjo quhet “Teqeja e Gjurmës së Sari-Salltëkut” dhe është rindërtuar nga një besimtar me shpenzimet e veta më 1992. Qetësia mbretëron rreth gjurmës se shenjtit. Vetëm një burrë i moshuar pastron me përulësi qirinjtë që kanë qenë ndezur një natë më parë. Pikërisht këtu pyesim se si shkohet në teqenë e njohur pranë shpellës. Dhe kështu nisim të ngjitemi nga qendra e Krujës, diku aty ku është monumenti i njohur i Skënderbeut, i skulptorit Janaq Paço, drejt kreshtës që lartësohet mbi qytet. Kudo hasim punëtorë e makineri të rënda që punojnë pa pushim. Rruga drejt vendit të shenjtë është duke u zgjeruar. Mos kemi gjetur kohën e gabuar? Dyshimi sa vjen e shndërrohet në bindje, sepse kur kemi mbërritur aty diku në mes të rrugës, pranë godinës së një reparti të vjetër ushtarak, rruga bëhet e pakalueshme. Gurët e mëdhenj dhe balta nuk janë miq të mirë për makinën tonë jo edhe aq të lartë. Kështu që shpresa jonë për t’u ngjitur në një vend të shenjtë në mbi 1000 metra lartësi shuhet sakaq. Mbetemi vetëm ne, godina e harruar e repartit dhe një çoban që u vërshëllen deleve të tij të shpërndara në shpatin e malit. Që këndej shohim shtëpitë periferike të Krujës dhe njollat e tymit që vazhdojnë të shpërndajnë disa furra gëlqereje larg njëra-tjetrës. Nuk kemi se ç’të bëjmë më. Qëllon në jetë që edhe një shenjtor i fortë si Sari Salltëku të të mos ndihmojë dot. Kështu që teksa zbresim vendosim të shohim një herë se çfarë ka mbas qytetit të Skënderbeut. Kruja është e njohur vetëm nga fasada e saj me kalanë, kullën, monumentin e heroit, pazarin dhe shtëpitë e vjetra. Po pas saj?

Në periferi kanë mbetur ende do shtëpi të vjetra. Teksa i fotografojmë ato një burrë, jo fort i vjetër na sheh në sy dhe na lutet: më nxirrni mua në fotografi dhe më jepni edhe ndonjë lek. Kërkesë e çuditshme për një pasardhës të Skënderbeut. “Kushedi se si e ka hallin”, thotë me qetësi njëri prej nesh dhe e nxjerr në fotografi. Nëse i dha lekë apo jo, kjo mbeti një gjë e panjohur.

Pasi lëmë pas shtëpitë e fundit të Krujës i futemi një rruge krejt malore. Kjo është rruga që të çon drejt Qafë-Shtamës, atje ku dikur një makinë e posaçme e dërguar nga Mbreti Zog mbushte ujë për Nënën Mbretëreshë. Xhadeja gjarpëron mes disa shkëmbinjve hijerëndë. Poshtë nesh është një humnerë e thellë. Befas ndiejmë një erë të fortë dioksine. Ajo çlirohet nga djegia e mbeturinave plastike. Një kalimtar që po pret furgonin për të shkuar në drejtim të kundërt me ne na thotë se këto janë plehrat e Krujës dhe se pikërisht këtu ndahet kufiri mes qytetit dhe fshatit Nojë, një fshat i vjetër dhe i madh me shtëpi të shpërndara në të dy anët e një përroi të thellë. “A s’e dini këtë problem – na thotë fshatari i habitur me paditurinë tonë – po kjo punë ka kohë që diskutohet! Kruja duhet t’i hedhë plehrat në territorin e saj, por ata sa vijnë e po i afrohen fshatit, kështu që era e keqe dhe të gjithë të tjerat në mbeten. Nji kjo asht puna”. Në një shkëmb të anuar në anë të rrugës lexojmë një mbishkrim dhe mësojmë se pikërisht këtu janë hedhur në humnerë 90 gra e vajza krutane në kohën kur në këto anë kishte ardhur turku. Poshtë, në këmbët tona përroi vazhdon të përlajë me zhurmë e të çojë në det shishe plastike e qese gjysmë të djegura. I ngremë edhe një herë sytë drejt majës së malit, atje ku dikur një njeri i çuditshëm predikonte islamin i veshur me veladon murgu. Nuk ia pamë dot shtëpinë njeriut të mrekullive. Qëllon shpesh në jetë që edhe shenjtorët nuk i ke me vete.

5 Komente

Eh, c'kujtime qe mu ngjallen nga ky shkrim. Kam qene ndoshta nja 9-10 vjec, kur shkuam, me kembe, nga shkolla jone deri ne Sari Salltek dhe ne maje te malit te Krujes. po asokohe, ajo ishte nje guve e madhe me nje kamare te vogel, te nxire ku njerezit vazhdimisht ndiznin qirinj dhe hidhnin lek. Me kujtohen dhe shkallet, qe zbrisje poshte tek burimi, brisk i ftohte sa te mpiheshin kembet po te rrije aty prane, jo me te fusje kembet ne uje.

S'po me kujtohet per qamet, lagja e vjeter qe binte pas kalase.

Artikulli megjith pjeset interesante, mund te quhet i paperfunduar apo pergjysem, sepse artikull-shkruesi u nis per te na treguar shtepine apo teqene e Sari Salltekut, dhe si perfundim nuk na thote as arsyen se pse nuk mbrriti deri atje.  

Baxhak, je bere brand name; s'del huq me ty. Je Audi, Mercedes, BMW! smiley

Flm!

Nje gje vetem: krutanet e sotem nuk jane "pasardhes te Skenderbeut" ne ate kuptimin e ngushte qe mund te mendohet (pra te qytetareve te Krujes para renies tek turqit, apo edhe te familjeve te garnizonit); jane "pasardhes te Skenderbeut" aq sa jemi kshu te gjithe me nje llaf... smiley

 

ca te them o Tosi pervec asaj qe kam thene perhere smiley

njish

proud of you smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).