Para ca kohësh poshtë pallatit të Dr. Lush Susajt u dëgjua një krismë, një krismë që i këputi jetën në mes një djali të ri. Ky djalë i ri ra pre e një plumbi të faturuar nga një burrneshë katile, e cila pasi joshi djalin e shkretë, e vrau...duke përdorur duart e vëllait të saj. Një femër mizore, ashtu si femra të tjera në Shqipëri, që Dr, Susaj me aq zell i ka studiuar dhe dokumentuar sjelljet e tyre. Ai ka përjetuar me dhimbje se si sa e sa djem e burra të pafajshëm e djem të vetëm, u copëtuan nga sopatat, u grinë nga plumbat, apo u rrëmbyen me dhunë nga "sundimi gjakatar" i grave në Shqipëri.

Ashtu si dhe Dr. Susajt, më dhemb në zemër teksa shoh dhjetëra mijëra burra malësorë e katundarë (dhe një numër të konsiderueshëm qytetarësh) që joshen, mashtrohen, përdhunohen e pastaj shiten si prostitutër ose mbahen nën zinxhirë në kullat e maleve ku destinohen për një jetë nën robëri e turp, me përdhunime të egra natë për natë, nga këto femra malësore, këto burrnesha të paarsimuara që e shohin mashkullin si një cope mishi që mund ta shfrytëzojnë kur të duan!

I shoh lotët e burrave nëpër fshatra, që teksa hedhin zaret e tavllës dhe çojnë poshtë me dhimbje gllënjkat e rakisë, megjithëse do të jepnin gjithçka vetëm që të punonin një ditë në arë, apo që të shkonin në mal për të prerë dru, e pastaj të bartnin barra të renda prej dhjetëra kilesh me dru e ujë...por jo; katilet femra i kanë dënuar ata që të rrinë të ngjitur pas tavolinës së kafes, e të kalojnë jetën në një robëri të zymtë plot me raki, kafe e bixhoz...

Sa e sa burra të rrahur natë për natë vetëm pse dëshironin të dilnin të shëtisnin me shokët e tyre apo të bënin ndonjë gjë që e kanë për pasion..sa e sa përdhunime (apo seks pa dëshirë) që burrat i vuajnë natë për natë nga femrat shtriga te etura për seks, që ndërsa burrat bërtasin e ulërasin "mos, ndal" ato me ligësinë e tyre ua marrin fuqinë e i përdhunojnë egërsisht!

Mos të flasim për grabitjet e burrave! Këto gra të liga e të paarsimuara, rrëmbejnë djem të bukur e të urtë, e pasi i shfrytëzojnë mirë e mirë seksualisht, i vrasin nëse ata nuk dëshirojnë të martohen edhe pse martesa për këto femra është thjesht një mënyrë për të marrë lekët e burrave të gjorë, ndërsa ato me sadizmin e tyre përdhunojnë burra të tjerë! Këto femra që përhapin prostitucion, duke detyruar me dhunë burrat që të shkojnë me to e pastaj u kërkojnë edhe lekët e fundit që të shkretët burra mundën t'i fshehin nga gratë e tyre burrnesha. Po të mos ishin këto femra sadiste, prostitucioni nuk do të përhapej fare, e nuk do të kishim më mijëra burra që prostituojnë në rrugët e botës, nën sytë gjakatarë të tutoreve të tyre që nuk do të ngurronin të vrisnin çdo burrë që e kanë nën pushtetin e tyre.

Mjaft o burra që i thoni vetes burra si Lushi, kthejani dorën grave tuaja, thojini jo seksit të përditshëm me dhunë e mos i lini gratë tuaja t'ju përdhunojnë e t'ju çnderojnë! Çohuni he burra e ta rrezojmë pushtetin e grave mizore që po na shesin me mijëra si prostitutër nëpër botë! 
Ej Lush, na i hape sytë se na ishin mbyllur nga gjaku që rrjedh nga plagët e shkaktuara nga femrat katile..!

Kjo ishte bota në të cilën jeton Dr. Susaj. Por realiteti është ndryshe...
Dhe lexues te dashur, tregimi i mësipërm ishte ironik! 
Më poshtë do t'i bëj replikë Dr. Susajt për t'i treguar që gratë shqiptare dhe realiteti nuk janë ashtu siç na i paraqet ai. 
Në realiteti kemi raste të përditshme kur burrat vrasin gratë e tyre, për "xhelozi" ose motive "banale" siç i paraqet rëndom media, por që në fakt ndodhin nga mentaliteti që trajton gruan si një pronë, dhe prona nuk mund të kundërshtojë se i ikën koka. Jo më larg se javën e kaluar një burrë theri të dashurën e tij në Berat, pasi siç raportohet nga media "ajo donte të largohej nga ai". Dr. Susaj na jep disa raste të vrasjes së burrave nga gratë e tyre (ose gratë si shkak për vrasjen e këtyre burrave), por nuk bazohet në asnjë fakt dhe nuk e analizon se pse këto gra na i vranë burrat e tyre? Mos vallë e kishin për hobi? Studimet kanë treguat që në vende maskiliste e patriarkale, vrasjet e burrave nga gratë e tyre ndodhin pas vitesh dhune sistematike e përdhunimi ku viktima humbet arsyen dhe lidhjen me realitetin dhe e sheh si te vetmen zgjidhje vrasjen e agresorit në vetëmbrojtje duke u nisur dhe nga realiteti shoqëror shtypës për të që i jep të drejtë burrit, dhe nuk ndihmon femrën viktimë. Ose zgjidhja tjetër për këtë femër te shtypur mund të jetë vetëvrasja. 
Besoj keni lexuar për dhjetëra e dhjetëra raste në vit kur burrat vrasin gratë ose ish-gratë e tyre, të dashurat e tyre, ose edhe vajzat e tyre. Dhe në shumë raste ato vriten thjesht për një kundërshtim të vogël, një kërkesë për të respektuar të drejtat e tyre si njerëz që janë. 
Një rast që artikulli të cilit po i bëj replikë trajton, është rasti kur vëllai i një vajze vret një djalë pasi ai nuk pranohet të fejohet me të. Dr. Susaj nuk thotë që ishte arma e një mashkulli tjetër që e vrau atë djalë dhe shoqëria që i bën presion, por na e paraqet rastin sikur janë këto femra burrnesha që kanë faj për gjithë këtë gjakderdhje. 
Shumicat e femrave në Shqipëri jetojnë ende mes një shtypje e pabarazie të madhe. Nuk besoj që autori ka dalë në fshatra a qytete të vogla të Shqipërisë, ku është një skenë e përditshme të shohësh burrin që kapardiset majë kalit duke tymosur cigaren, ndërsa gruaja e vet vjen mbrapa në këmbë, duke bajtur një thes të rëndë mbi shpinë ose barrën e druve. Mos të flasim pastaj për prostitucionin, që është një shkatërrim për shoqërinë tonë, e që Dr. Susaj na i bën femrat shqiptare fajtore duke hedhur poshtë me mijëra studime në mbarë globin që tregojnë se si prostitucioni është skllavëri dhe krim seksual që zhvillohet pothuajse gjithmonë nga meshkuj kriminelë. Nuk besoj që ndonjëri ka parë që një femër që është e arsimuar, ka pozicion punë mjaft fitimprurës, të zhvillojë prostitucion për hobi. Pjesa me e madhe e prostitutave janë thjesht skllave të rrëmbyera ose mashtruara, e që më pas me anë të dhunës dhe kanosjes për jetë i detyrojnë të prostituojnë, ose mund të jenë dhe femra që në mënyrë "të vullnetshme" prostituojnë, të shtyra nga pamundësia për të gjetur para për bukën e gojës. Kjo bëhet edhe më e ashpër kur vetë shoqëria, siç është shoqëria Shqiptare, kufizon mundësitë e femrave për arsimim e punë ose diskriminon thellësisht ato që kërkojnë arsim e punë. A i kanë pyetur ndonjëherë këta burra me namuz ato prostitutat e shkreta se pse e bëjnë atë punë, dhe a e kanë pasion këtë gjë? 
Çajupi është i famshëm për vjershën e tij "Fshati im" ku kritikon burrat e fshatit që lozin nën hije ndërsa gratë e tyre punojnë, por që nga ajo kohe pak ka ndryshuar në fshatrat e mos të themi në shoqërinë shqiptare.

Dr. Susaj thotë "Grave nuk ju shkon parmenda, shpata as pushka, gruaja nuk është si burri, po të ishte kështu atëherë nuk do kishte familje as shoqëri të ndërtuar sipas këtij modeli të familjes që ka sot bota."
Deri tani asnjë studim shkencor nuk ka arritur të gjejë dallime thelbësore mes trurit të një burri e atij të një gruaje. Të dy gjinitë kanë aftësi e potenciale të njëjta inteligjence të mundshme. Dallimi mund të jetë biologjik, por çfarë e bën më të aftë një kryeministër mashkull nga një kryeministre femër? Dallimi biologjik në trupat e tyre? Jo, dallimi është mes personash e jo mes gjinive. Por në shoqërinë tonë, ka një mori pozicionesh ku një femër nuk mund të punojë, dhe kjo vetëm sepse është një femër dhe jo sepse mund të jetë e paaftë! Imagjinoni se sa burra shqiptare do të votonin një kryeministre femër. Shembulli më i mirë është ky i tanishmi ku kemi vetëm një ministre në qeveri, pasi burrat me bark të madh nuk mund të lejojnë që të ketë femra në pozicione kyçe. Femrat nuk duhet të jenë sipërmarrëse në Shqipëri--shoqëria ua tregon vendin atyre, duke u thënë që femrat janë të mira vetëm për punë mekanike rutinë, si sekretare apo punonjëse në bankë. Sepse një femër nuk mund të ketë inteligjence, e kështu pra nuk mund të jenë në pozicione drejtuese! Mentalitet arkaik që bota perëndimore e ka hedhur poshtë me kohë. Sipas mentalitetit shqiptare, femrat nuk mund të drejtojnë qeveri, universitete, kompani, media, banka etj etj. Femra duhet të jetë kështu e ashtu...

Por femra është person, ashtu si unë e ti lexues i këtij shkrimi, që mund të jesh femër a mashkull. Dhe bota nuk ndahet në femra e meshkuj, vlerësimi i personit nuk bëhet sipas gjinisë të cilës i përket, por sipas personalitetit e inteligjencës që ka çdo person.

9 Komente

shkrimin nuk e lexova, por me kurjozoje fjala "burrnesh". A ka ndonje fjale te ngjashme me kete ne gjuhen angleze?

blackburry.smiley

Kot ky Pakara, gjeti shesh per pershesh, si me qene peshkist.

 Shprehu me shqip o aqif se nuk po kuptohesh. Ose fol Italisht nese e ke harruar shqipen. 

Edvin me shqip se pa b.le, nuk di te kete. Nuk behet prestigj duke mbytur nje te mbytur.

 Ne fakt shoqeria jone eshte akoma patriarkale, por kuptohet shum me e zhvilluar se para 60-50-40-30-20 vjetesh. Ne krahasim me racat e tjera, jemi akoma mbrapa dhe kemi shum pune per te bere. 

Cdo dite sheh lajme ku burrat vrasin grate e tyre per nje fjale goje. Per sa kohe qe gruaja do te trajtohet si mall qe e shet, blen e vret kur te duash, kjo shoqeri nuk do te perparoje pasi nuk trajton gjysmen e saj si njeri. 

Nuk besoj që ndonjëri ka parë që një femër që është e arsimuar, ka pozicion punë mjaft fitimprurës, të zhvillojë prostitucion për hobi.

Ku jeton ky burri? Under the rock? 

 Po, jetoja nen gur deri dje, kur pasi dola nga guri takova nje grua qe kishte Doktorature, ishte kryetare parlamenti, merrte rreth 5000 euro ne muaj dhe prostituonte duke kerkuar 50 euro per cdo seance cdo klienti. Dhe e shkreta e bente kete per shkak se duhej te paguante ushqimin per beben e saj. E sa e sa gra te tjera qe ishin post-PhD dhe drejtonin kompani nderkombetare, me te ardhura nga dhjetera mijera e qindra mijera dollare ne muaj, qe prostituonin per 50 dollare te qelbur qe u jepnin cdo klient....

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).