Në historinë që dua të tregoj, tre shkrimtarë bullgarë ftohen në një lexim letrar në qytetin e vogël anglez, me arkitekturë të dëgjuar, emri i vështirë i të cilit kur shqiptohet, fillon me D. Përkthyesi, në mënyrë misterioze, zhduket së bashku me tekstet, që kishte përgatitur për aktivitetin. Asnjëri prej të treve nuk e flet mirë anglisht, që të mundë ta përkthejë vetë veprën e tij, por edhe koha është shumë e shkurtër. Në perimetrin prej 200 miljesh nuk ekziston askush që të kuptojë bullgarisht. Qëllimi i ftesës së shkrimtarëve bullgarë nuk është shumë i qartë. Mund të thuhet se ajo vjen në kuadrin e njëfarë programi lokal, apo europian, që sjell diversitet në jetën kulturore të qytetit.  Mungesa e përkthyesit rrezikon të dëmtojë nismën artistike. Kjo në veçanti shqetëson anëtarët e bashkisë të qytetit, të cilët kanë votuar një shumë të konsiderueshme nga buxheti i bashkisë për këtë aktivitet. Pas një debati të shkurtër, por të dobishëm arrihet në një zgjidhje, e cila përfaqëson një precedent  origjinal në praktikën e leximeve letrare. Të tre shkrimtarët njoftohen se ata duhet të interpretojnë pa fjalë veprat e tyre në skenën e teatrit të qytetit. Në të kundërt, mbështetja financiare e tyre do të tërhiqet dhe ata do të duhet të mbulojnë nga xhepi i tyre të gjitha shpenzimet, që lidhen me qëndrimin e tyre në D. Karakteri ultimativ i këtij propozimi i shokon thellësisht mysafirët nga Bullgaria. Brenda vendlindjes së tyre të tre shkrimtarët janë autorë të konfirmuar, me vlerësime si nga kritika, ashtu edhe nga lexuesi. Të tre kanë fansa të zjarrtë, edhe pse nga shtresa dhe grupmosha të ndryshme shoqërore. E gjithë kjo, natyrisht, që nuk u sjell kushedi se çfarë stabiliteti ekonomik, por të paktën i ngushëllon se ata i përkasin elitës intelektuale të kombit. Dhe, tani, krejt papritur- një poshtërim i tillë! Nuk flitet këtu aq për prezantimin e tyre si palaço përpara turmës së burgerve- faqekuqe, një mundësi e tillë pothuaj nuk diskutohet fare, sesa për lejimin nga ana e autoriteteve vendore, të një shfaqjeje të tillë. Këtu qëndron edhe vetë thelbi i talljes.

Mendimet e tre shkrimtarëve janë pushtuar nga teori të mundshme konspirative. Mos ndoshta kjo është një formë perverse dhe e rafinuar argëtimi që fshihet pas pamjes së jashtme të qytetarëve të sjellshëm të qytetit të begatë? U sqarua se asnjëri nga të tre nuk e njihte personalisht njeriun, prezantuar si përkthyes i tyre, enigmatiku mistër Bërg. Kontaktet me të janë mbajtur vetëm në nivel elektronik. A ekziston ai vërtet? Nëse po, a e njeh ai vërtet bullgarishten? Fakti që e gjithë korrespondenca është mbajtur në anglisht, diçka, të cilën ata e kanë pranuar si të natyrshme, duke pasur parasysh rolin parësor të kësaj gjuhe në botë, papritur merr përmasa shqetësuese. A është e mundur që mistër Bërg, apo njeriu që fshihet pas këtij emri, të jetë vetëm një sharlatan, që ka kapur njëfarë granti të lodhur për zhvillimin e shumëllojshmërisë kulturore në kontinentin e vjetër, apo diçka e këtillë e përafërt. U vjen keq për naivitetin e tyre përgjithësisht. Në të njëjtën kohë tentojnë të lidhen me ambasadën bullgare në Londër, por i pret vetëm një regjistrim i ftohtë mekanik, me informacionin për sistemin e vizave.

Fyerja dhe, jo të fundit për nga rëndësia, mundësitë e kufizuara financiare i shtyjnë në të vetmen rrugëdalje të mundshme. Mbledhin në mënyrë të rrufeshme bagazhin dhe largohen nga hoteli, ndërsa përpiqen të mos venë re shprehjet ironike në fytyrat e personelit, shop - kiperëve dhe kalimtarët e paktë, ndërsa tërheqin valixhet e tyre të lira në rrugët me peizazh mesjetar.  Llogarisin se paratë do t’u dalin të paktën sa për të arritur në Londër, me hekurudhat tepër të shtrenjta britanike, pastaj prej andej-nga të fryjë era. Në rrugë e sipër, njëri nga shkrimtarët, i cili rastësisht është edhe autor i këtyre rreshtave, mbërthehet nga dyshimi. Mos ndoshta dikush seriozisht ka pritur që ata të bien pré e kësaj talljeje? Në propozimin monstruoz, absurd, duket sikur paraprakisht ishte menduar edhe refuzimi. Mos vallë ky është vetëm pretekst për autoritetet vendore që të heqin dorë nga angazhimi i tyre? Dyshimi fillon e rritet dhe pak nga pak i kthehet në bindje dhe, vetëm në çastin para blerjes së biletës së trenit, njofton kolegët se ka vendosur të qëndrojë dhe të prezantojë tekstet e tij, brenda mundësive, me gjuhën e trupit dhe të gjesteve. Zgjidhja është krejtësisht personale dhe nuk i angazhon të tjerët. Ai u lutet vetëm të qëndrojnë në publik për t’i dhënë kurajë. Ai njofton këshilltarin bashkiak, i cili i ka ndjekur pa ndërprerje nga hoteli deri te stacioni, duke u fshehur pas qosheve dhe e informon se njëri prej tyre do të interpretojë, me kushtin që këshilli bashkiak të mbulojë financiarisht qëndrimin e të treve, sipas marrëveshjes së fillimit. Ndërsa shkrimtarët diskutojnë ende në stacion, këshilltari kthehet me një frymë dhe i njofton se autoritetet vendore e kanë pranuar kushtin. Shkrimtari, veshur me një triko të zezë, del në skenë me një paruke të shekullit të 17-të dhe një fund me pendë struci. Salla është e tejmbushur, sikur i tërë qyteti është derdhur në shfaqje. Fillimisht një ngërdheshje e mbytur. Kolegët e ndjekin në rreshtin e parë, duke mos ditur ku të futen nga turpi, por gjithsesi, gjejnë forca të duartrokasin, edhe pse vakët. Shkrimtari bën lëvizjet e para. Ngre dorën lart dhe rrotullohet. Ngërdheshja kthehet në gajasje të hapur. Asnjëherë deri më sot nuk e ka bërë këtë. ... I privuar nga gjuha, si i verbri nga shikimi dhe njeriu në karrocë nga këmbët, ai përpiqet të kompensojë deri-diku mungesën me gjeste, por shpejt e kupton, se pikërisht kjo e bën gjynahqar. Atëherë mbështillet si top dhe fillon të nxjerrë tinguj, derisa i derdh të gjitha fjalët nga trupi i tij. Përsëri drejtohet, ngre dorën lart dhe rrotullohet. Sepse ky është një rrotullim i ndryshëm. Të gjithë presin se çfarë do të ndodhë më tej, sikur kanë kapërdirë fletët e një romani të trashë me një titull premtues. Tani ai lëviz pa u kujdesur të përkthejë fjalët e gjuhës së trupit. Lëvizjet e tij nuk ilustrojnë asgjë. Dalin nga vetja për t’u kthyer sërish brenda vetes. Asnjëherë më parë nuk ka treguar me kaq liri, nuk i ka parë kaq të qarta historitë personale - si një litar i tendosur mes dy brigjeve ku duhet të kalojë.

Dhe ai ecën...Publiku turpërohet. I gjithë spektakli, menjëherë është bërë i padurueshëm. “Mjafton me kaq”- fluturojnë thirrjet. Autori i këtyre rreshtave vazhdon të lëvizë. Lëvizje të vështira, lëvizje të kota. Tundet vendit:  me krahë, me bërryl, me pëllëmbë, me gishtat e këmbëve. Zgjatje, kthime, mbledhje, gjunjëzime, ecje, fluturime. Asnjëherë nuk ka mbërritur kaq larg, kurrë nuk ka qenë kaq i hapur sesa përpara këtyre njerëzve të panjohur, me këto poza krejtësisht të pazakonshme. Dhe, ja ku në fund të gjithë shpërthejnë në të qara, në ikje e sipër ngashërehen, me kryetarin në krye, të nderuarin Beresford Elis dhe pesë vajzat e tij. Shkrimtarët kthehen në hotelin e tyre si fitimtarë moralë (dhe fizikë) dhe gostiten me specialitetin e vendit  pig’s-trotter jelly, shërbyer në takëme argjendi. Mëngjesin tjetër të gjithë banorët e qytetit vendosin se duhet të mësojnë gjuhën bullgare.

2 Komente

 smiley  Cinizmi anglez, nuk ka kufij. 

Ca dmth performoj ?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).