Prishtinë, 30 shtator – Nazimi (Blerim Destani) pasi zihet me dy kilogramë kokainë në Belgjikë kthehet në Zllakuqan, një fshat malor në veri të Shqipërisë. Kthimi i tij mundësohet nga babai i tij - i cili edhe pse anëtar i njërës prej bandave kriminale - pranon të bëhet spiun i policisë belge, të cilët ndërmarrin një aksion të shkatërrimit të tyre. Kjo shtyn bandën tjetër shqiptare “Gaba” ta vrasë babanë e Nazimit (Çun Lajçi), i cili në fund vritet nga Prenka (Fatos Kryeziu). Me daljen në skenë të policisë belge nis e gjithë historia për ligjin, Kanunin, vrasjet e shqiptarëve. Kohë pas kohe një polic belg bën shaka me kodet e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe me shqiptarët. 

Filmi “Dosja K” -  i cili të mërkurën u dha premierë në Kinemanë “ABC” vetëm një ditë pasi pati një projeksion special në natën e fundit të “PriFilmFestit” - përfundon me vdekjen e gati të gjithë personazheve që personifikojnë shqiptarin dhe atyre që kanë bashkëpunuar me shqiptarët në krimin e tyre. 
Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të martën në mbrëmje, ka qenë gati plot në filmin e përzier në tre zhanre: aksion, dramë dhe triler të regjisorit belg, Jan Verhyen, i cili deri tani ka realizuar 11 filma. “Dosja K” këtë vit u shpërblye me çmimin special të jurisë në Festivalin Veror të Durrësit. Por publiku në Kosovë ka vlerësime të ndryshme për të. As të huajt nuk kanë lënë pa e kritikuar. 
Vanes Munchahn, studente e regjisë në Berlin, është ndarë e zhgënjyer. 
“E para gjë që nuk më pëlqen është personifikimi që u bëhet shqiptarëve në këtë film. Jo pse jam e lidhur aq shumë me shqiptarët, mirëpo në shtetet evropiane nuk ka mundësi që të bashkëjetojnë Kanuni dhe ligji. Prandaj, nëse kjo është ajo çka ka dashur të prezantojë regjisori unë mendoj se nuk ia ka arritur. Thjesht nuk më la mbresa”, ka thënë Munchahn.  
Por aktori Çun Lajçi, i cili edhe pse luan një rol episodik në këtë film rreth të cilit e gjithë historia e “Dosjes...” sillet rreth hakmarrjes ndaj vrasjes së tij, ka tjetër mendim. 
“Mund të thuhet se ne shqiptarët jemi të tillë kur dalim jashtë vendit dhe ka edhe këso situatash. E di që nuk është paraqitje e mirë, por jashtë mund të jemi ashtu sikur në film”, ka thënë Lajçi, duke shtuar se nuk mund të bëhen vazhdimisht filma për Skënderbeun dhe Adem Jasharin. 
“Duhen tregime më interesante dhe intriguese. Mund të them se kam pasur nderin që të jem pjesë e një filmi me regji, skenar dhe lojë të mrekullueshme”, ka thënë Lajçi menjëherë pas premierës. 
Regjisori Jeton Budima i cili ka qenë i pranishëm në premierën e mbyllur ka thënë se filmi nuk është aspak interesant. Filmin nuk e ka parë deri në fund. 
“E kam parë premierën e mbyllur dhe për 10 minuta sa e kam përcjellë nuk më është dukur interesant as në realizim as në tregim dhe kam dalë nga premiera”, ka thënë Budima. Ai thotë se filmi është komplet triler dhe se ky lloj i filmit është i mbushur me stereotipa. 
Aktori Kushtrim Sheremeti që luan në “Dosja K”, nuk ka folur shumë pas premierës. E tëra që ka thënë është ftesa drejtuar njerëzve që t’i bëjnë marketing filmit, i cili prej të mërkurës është në repertor të rregullt të Kinemasë “ABC” në Prishtinë. 
Në “Dosja K”, në role kryesor luajnë edhe Afrim Kasapolli, Koen de Bouw, Werner de Smedt
.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).