Prishtinë, 11 tetor – Aktorja hollywoodiane Vanessa Redgrave do të luajë rolin kryesor në filmin kosovar “Bishti i qenit” me regji të Isë Qosjes. Regjisori kosovar thotë se ka konfirmimin nga vetë aktorja me famë botërore, fituese e çmimit “Oscar”. Këtë e ka konfirmuar edhe producenti i filmit, Shkumbin Istrefi. 
“Ajo e ka lexuar skenarin dhe i ka pëlqyer shumë. Do të takohem edhe një herë me të në New York në dhjetor të këtij viti, ku përfundimisht do t’i definojmë gjërat”, ka thënë Shkumbin Istrefi, producent i filmit. Por ardhja e Redgrave në Kosovë për të dalë në shesh xhirimi me filmin kosovar, kishte qenë e paraparë pesë muaj më parë. Aktorja me nam, qysh në muajin maj kishte ndarë dy javë nga agjenda e saj për t’ia dedikuar ato ditë xhirimeve të këtij filmi. Mossigurimi i mjeteve nga pala kosovare kishte bërë që aktores së njohur t’i thuhet se nuk ka pse vjen në Kosovë, të paktën edhe për një kohë. 600 mijë euro çmimi që i është vënë këtij filmi, të cilat nuk po arrijnë të sigurohen tash gjashtë vjet. Regjisori Qosja, ka thënë se filmi i është bërë një histori që nuk po ia sheh fundin. 
“Përshtypja ime është se jam djegur me këtë film. Nuk e di nëse do të kem emocionin e njëjtë sikur para gjashtë viteve”, ka thënë Qosja, teksa me bindje shprehet se, megjithatë, me dëshirë do të punonte për këtë film, të cilit i jep një atribut. 
“Do të sillja diçka të re, do të argumentoja një vlerë, një nivel artistik”. Por, sipas Qosjes, njerëzit që po përpiqen të punojnë dhe po angazhohen të zhvillojnë kulturën në Kosovë përballen me mungesë buxheti dhe mbesin në margjina. Megjithëkëtë, ai ka shpresën se deri në fund të këtij viti do të arrihet të sigurohen mjetet. Një të tretën e shumës (200 mijë euro), sipas regjisorit Qosja dhe producentit Istrefi, e ka premtuar se do ta ndajë Televizioni publik i Kosovës në buxhetin e saj të vitit 2011. Me këtë RTK-ja do të jetë bashkëprodhues i këtij filmi. 
“Me këto mjete mendojmë se do të iniciojmë një angazhim më të madh që t’i gjejmë pjesën tjetër të mjeteve. Po pres që deri në janar të vitit që vjen të arrijmë t’i gjejmë ato, në mënyrë që të shoh nëse mund t’i jap kapak kësaj pune”, ka thënë Qosja, teksa ka shtuar se kjo nënkupton rikoordinim të agjendës me Redgrave. 
“Vanessa është një aktore që në parim përkrah gjithçka në Kosovë, që për synim ka zhvillimin e artit”, ka thënë Qosja. Administratorja ndërkombëtare është roli që i është ndarë asaj për këtë film. 
“Askush më mirë se një aktore e huaj nuk do të mund t’i përshtatej më shumë këtij roli” ka thënë Qosja, teksa ka përmbledhur në pak fjalë rrëfimin e filmit, skenarin për të cilin e ka shkruar vetë. 
“Një administratore që vendoset në një qytezë kosovare dhe me vete sjellë një piano. Lojën e saj në piano në mesnatë e çakorodon ulërima e qenve që shkojnë te dritarja e saj. Administratorja kërkon që ata të largohen, ndërsa krerët e qytezës marrin vendim që të angazhojnë një njeri që do t’i vriste qentë. Po ai që merr përsipër për t’i ekzekutuar qentë për 3.7 centë për secilin, obligohet që t’ua pres bishtin për ta dërguar në komunë si dëshmi për t’i marrë paratë”, ka treguar Qosja. 
Në këtë vend, sipas Qosjes, ka ndodhur një histori e pasluftës, pjesëtar të së cilës janë të gjithë. 
“Vrasja e qenve bart metaforën e eliminimit të të gjitha pengesave që u kanë dalë në rrugë administratorëve ndërkombëtarë”, ka thënë ai. 
Producenti Shkumbin Istrefi ka thënë se ambiciet e këtij filmi janë që të bëhet një film i nivelit të lartë artistik, gjë që, sipas tij, e garanton vetë emri i Isë Qosjes, si regjisor. 
“Po ashtu presim që filmi të ketë edhe sukses komercial në Evropë, bazuar në ngjarjen që trajton, zhanrin e sidomos emrin e aktores Vanessa Redgrave”, ka thënë Istrefi. 
Ndërkaq regjisori Qosja ka thënë se prania e Redgrave në këtë film do të ishte e rëndësishme në pjesën e distribucionit, shitjes dhe shfaqjes së filmit. 
“Në skenën ndërkombëtare do të rritej kureshtja për ta parë Redgrave në një film kosovar”, ka bindjen Qosja. 
E një prezantim i tillë i kulturës në arenën ndërkombëtare, për Qosjen, do të thotë dobi edhe për Kosovën. 
“Para se të nis një film unë nuk projektoj suksesin, por përpjekja ime do të ishte në këtë aspekt. Një pjesëmarrje në një festival është një çmim”, ka thënë ai. 
Redgrave ka lindur më 30 janar të vitit 1937 në Londër të Anglisë. Filmi i fundit në të cilin është paraqitur Redgrave është drama “Letrat për Juliet”, me regji të Gary Winick, i realizuar në Itali, në maj të këtij viti. Në 40 vjetet e fundit Redgrave ka luajtur në 57 filma. Ajo ka dëgjuar urdhrat e regjisorit Sean Penn në filmin “The Pledge”, ku ka luajtur përkrah aktorëve, si Jack Nicholson, Benicio del Toro, etj. Po ashtu është paraqitur me rolin e Max, në filmin “Mission Impossible”, i realizuar në vitin 1996 me regji të Bruce Geller. 
Redgrave është fituese e katërfishtë e çmimit “Evening Standard”. Është fituese e çmimeve “Olivier” dhe “Tony”, ndërkaq dy herë është shpallur aktorja më e mirë në Festivalin e Cannes. Ka qenë e nominuar 6 herë për “Oscar” (1 herë fituese), 5 herë për “Emmy”, ndërsa për “Golden Globe” 13 herë (1 herë fituese). Vitin e kaluar Redgrave ka vizituar Kosovën, duke qenë kryetare nderi e bordit të edicionit të parë të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest”. 
Në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, të dhënë në shtator të vitit 2009, Vanessa Redgrave, kishte deklaruar se në planet e saj mund të hyjë edhe një film i xhiruar në Kosovë. 
“Po, do të luaja nëse do të më ofrohej një rol i një regjisori dhe skenaristi të përshtatshëm për mua”, pati thënë Redgrave. 
Bashkëshorti i saj, Franko Nero, i cili këtë vit ka qenë mysafir nderi i festivalit të filmit “PriFilmFest”, ka thënë se bashkë me regjisorin Giancarlo Planta, do të angazhohet për realizimin e filmit “Amigo Italiano” (Miku italian), një bashkëprodhim me Kosovën, ku rolin kryesor do ta ketë vetë ai.

2 Komente

uee sa qejf e kam ket aktoren une

eshte surrat shume i kendshem smiley

Ka qene me e kendshme kur ishte e re !

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).