Pak lajme të mira vinë këto kohë nga Islanda. Ekonomia e vendit u godit rëndë nga kriza financiare. Ekonomia e ndërtuar në bazë shërbimesh financiare të sofistikuara dukej tashmë  e paqëndrueshme. Shumë të rinj vendosën ta lëshonin vendin që dukej sikur nuk po ofronte më një të ardhme. Pak më vonë rizgjimi dramatik i vullkanit  me emër të pashqiptueshëm Eyjafjallajökull, si ogur i lajmeve akoma më të këqija, çrregulloi trafikun ajror në të gjithë botën.

Megjithatë themeluesi i trupës teatrale Vesturport, Gisli Gardarsson, në një interviste për BBC-në, shpjegon se Çmimi i Teatrit Evropian është një farë ngushëllim për ishullin e vogël verior që po kalon kohë të vështira. Çmimi është me gjithë mend një vlerësim dinjitoz, fituar nga gjigantë të dramaturgjisë evropiane si, Peter Brook, Pina Bausch, Robert Lepage dhe Harold Pinter.

Vesturport është një trupe teatrale ndryshe. Në interpretimin e dramaturgjisë klasike si Romeo dhe Zhuliet e Shakespeare, Metamofoza e Franz Kafkës apo Woyzeck-un  e Georg Büchner ka gjithmonë një të papritur. Nuk është vetëm fakti që dramat janë luajtur nëpërmjet një zhdërvjelltësie fizike që ndonjëherë i kalon ne kufijtë e akrobacisë, vetë Gardarsson i ka fillimet e karrierës se tij në akrobacinë e cirkut.

Shumë kritikë kanë komentuar ndërtimin e skenës teatrale në një mënyrë te tille qe e bën eksperiencën teatrale të spektatorit aq reale sa është e mundur në dramaturgji. Woyzeck-u psh luhet në një akuarium gjigand me ujë ku aktoret disa herë janë pjesërisht ose krejtësisht te zhytur, ndërsa pjesa tjetër e skenës është e mbuluar me bar natyror. 

Romeo dhe Zhuliet nga ana tjetër luhet për shumicën e kohës në ajër, ku aktoret e trupës mbahen pezull në hapësirë nga fije te padukshme elastike.

Portretizimi psikologjik i personazheve është theksuar nga ekspresiviteti fizik por edhe nga muzika. Muzika nuk është një kolone zanore çfarëdo. Vetë Nick Cave dhe violinisti i grupit “Nick Cave and the Bad Seeds”, Warren Ellis janë në bashkëpunimin e tretë me Vesturport-in.

Trupa po shfaq në këtë tetor Faust-in, për të cilën vetë Goethe ka shpallur që është një vepër e parealizueshme për teatrin.

Drama zhvillohet në një azil pleqsh dhe fillon kur i moshuari Johann (Thorsteinn Gunnarsson) pendohet që nuk kishte mundur të luante në Faust, por ndërkohë zbulon se partneri i tij i shahut është Mefistofeli dora vetë.

 

Për më tepër vizitoni faqen e Vesturport-it 

http://www.vesturport.com/?i=18&expand=18

3 Komente

ahhh Nick Cave...Nick Cave. Love him.

fat të mbarë trupës irlandeze gjithashtu.

islandeze... një shkallë më lart.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).