Dhjetë vite më parë konsiderohej si “fëmija magjik” i politikës spanjolle, si njeriu që do ta çonte vendin drejt një të ardhmeje më të mirë. Por kriza ekonomike dhe politike në të cilën është zhytur Spanja, bënë që popullariteti i tij të bjerë në një nivel të mjerueshëm

Të çlirohemi nga Zapatero? Kjo ka qenë një hipotezë që një vit më parë askush nuk ka guxuar ta diskutonte, madje as ta çonte nëpër mend. Por së fundi është bërë shumë reale në Madrid, madje aq reale sa për të shndërruar mbledhjen e Partisë Socialiste në Madrid në një referendum të vërtetë për liderin spanjoll.

Formalisht në këtë takim duhej caktuar edhe kandidati i ardhshëm i partisë në zgjedhjet e ardhshme lokale të majit të ardhshëm. Dy sfidantët, njëra Trini Jimenez, ishte propozuar nga Kryeministri, ndërsa kandidati tjetër, 40-vjeçari Tomas Gomez, kishte mbështetjen e asaj pjese gjithnjë e më të madhe në numër që janë kundër Kryeministrit aktual dhe madje që këmbëngulin në largimin e tij nga drejtimi i partisë në zgjedhjet e parashikuara pas 18 muajsh. Dhe kundër çdo parashikimi paraprak fitoi Gomez dhe në këtë mënyrë historia përsëritet si dhjetë vite të shkuara, kur ishte vetë Zapatero ai që fitoi.

Në atë kohë ishte pikërisht Zapatero “djali i mrekullive” që do të shpëtonte Partinë Socialiste dhe do ta sillte atë sërish në pushtet; ishte i riu i shpresës, që arriti të bënte për vete masën e madhe të njerëzve. Por tashmë, dhjetë vjet më pas, këtë rol duket se e ka marrë i riu Gomez dhe me siguri Zapatero, duke kujtuar veten e tij 10 vite të shkuara, duhet që ta ketë kuptuar situatën e një partie tashmë të depresionuar.

Sipas një sondazhi të publikuar dje nga e përditshmja “El Pais”, në krye të pak muajve zgjedhësit e Partisë Socialiste që nuk kanë besim te Zapatero kanë kapur shifrën 69% dhe spanjollët që nuk janë dakord me mënyrën e funksionimit të qeverisë së tij kanë kapur shifrën 75%. Kurrë më parë një Kryeministër i Spanjës demokratike nuk ka qenë në një pozicion të tillë të disfavorshëm gjatë kohës së tij në pushtet. Mbështetësit e zjarrtë të Zapateros mendojnë se më e keqja ka kaluar tashmë dhe se kohë më të mira janë përpara. Ndaj janë të qetë dhe të kujdesshëm në hapat që hedhin, edhe pse i kanë të gjitha rezultatet kundër. Një nga gjërat që i jep më shumë siguri, është fakti se e djathta spanjolle është bërë copash dhe ajo nuk do të arrijë kurrsesi që të rimarrë veten dhe të shndërrohet në një kundërshtare të denjë të së majtës. Ndërkohë, ata mendojnë se socialistët spanjollë nuk po kalojnë një periudhë që është e shkëputur nga vështirësia në të cilën ndodhen edhe parti të tjera socialiste në të gjithë Europën të përfshira nga mungesa e ideve të qarta. Sipas analistëve të ndryshëm, Zapatero nuk mund të mos paguante për masat shumë të rrepta dhe aspak popullore të shkurtimeve buxhetore që ka ndërmarrë muajt e fundit për të zgjidhur çështjen e deficitit të madh buxhetor, me të cilin po përballet vendi. Në fakt është një situatë me të cilën po përballen shumë qeveri në Europë dhe nuk mund të thuhet se edhe ato po kalojnë një periudhë të mirë. Por në rastin e Spanjës, e cila u përfol shumë në fillim të këtij viti për një fat tragjik si ai i Greqisë, reduktimet kanë qenë vërtet të mëdha dhe kanë prekur të gjitha shtresat. Ndër të tjera bëhet fjalë për një reduktim me 5% të pagave të funksionarëve shtetërorë, ngrirje të pensioneve, shtim të taksës së vlerës së shtuar e të tjera masa aspak popullore dhe me pasoja të rënda për xhepat e popullsisë. Ajo çka duket se e ka mbushur kupën për Zapateron është edhe referimi që ai u ka bërë disa bankierëve të Wall Street për sa u përket marrjes së masave të sipërpërmendura. Madje shumë shpesh në blogjet socialiste është folur për një darkë të fundit të Zapateros me disa bankierë të Wall Street, ndër të cilët edhe ish-sekretari amerikan i Thesarit, Paulson, që konsiderohet si një provë e oportunizmit të tij, tradhtimit të parimeve të një partie që mirë apo keq, deri në këtë moment e njeh veten dhe quhet: Partia Socialiste.

Sipas këtyre analistëve, qeveria nuk ka arritur të shpjegojë veprimet e saj dhe kjo ka shkaktuar shkëputjen e saj nga masat. Por, mbi të gjitha, gabimi i madh i Zapateros ka qenë e fshehta e vazhdueshme dhe deri në momentin e fundit e krizës së rëndë ekonomike, në të cilën është zhytur vendi. Dhe këtë ai e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme deri në momentin kur faktet nisën që të “ulërinin” vetë dhe dielli nuk mund të fshihej me shoshë. Por nëse problemi do të kishte qenë vetëm ky, atëherë Kryeministri ndoshta do t’ia kishte dalë mbanë që të kalonte situatën e vështirë. Megjithatë, ai në artin e komunikimit masiv vazhdon që të mbetet një mjeshtër i vërtetë. Kështu, ai diti që të manovronte situatën në një mënyrë mjeshtërore në rastin e grevës masive të pak ditëve më parë. Por jo gjithmonë xhonglerizmat funksionojnë në politikë.

Një taktikë e caktuar mund të funksionojë për një periudhë kohe, por nëse bie në kundërshtim me realitetin nuk ka shanse që të zgjasë shumë. Dhe ajo çka është më e rëndësishme, është se me kalimin e kohës taktika që synojnë vetëm për të kaluar situata të caktuara lënë një shije të keqe te njerëzit, një shije falsiteti dhe hipokrizie që minon thellësisht dhe përfundimisht kredibilitetin e një lideri. Dhe sipas kritikëve të Zapateros, ai ka arritur në një pikë të tillë, në kufirin e kredibilitetit dhe besueshmërisë së popullit dhe elektoratit. Nevoja për të përballuar krizën financiare dhe mbi të gjitha krizën e deficitit buxhetor e kanë bërë Zapateron partizan të politikave të së djathtës. Bëhet fjalë për reforma të cilat tani veçse i peshojnë dhe i rëndojnë xhepit të qytetarit dhe taksapaguesit të thjeshtë dhe që, sipas parashikimeve, do të fillojnë të japin rezultat vetëm pas minimumi 2 vitesh. Pra, deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2012 elektorati do të jetë vetëm me probleme pas problemesh. Veç kësaj, ambicia e Zapateros për të qenë sa më parë pjesë e grupit të G20-s ka bërë që ai të bëjë aleatë edhe ata me të cilët nuk do të kishte bërë aleancë kurrsesi. Një prej tyre është edhe Sarkozi i Francës. Në këmbim të mbështetjes së tij për të bërë pjesë në këtë klub ekskluziv, ai është i detyruar që të mos e ngrejë zërin ndaj çdo lloj politike të Sarkozisë, përfshi edhe atë kundër romëve, që është një politikë e dënueshme nga të gjitha vendet e BE-së. Ajo çka Zapatero synon aktualisht nuk është e majta e ekstreme që ndihet e zhgënjyer dhe e braktisur në idealet e saj, por qendra. Ndërkohë që e majta ekstreme i ka humbur Kryeministrit rreth 2 milionë zgjedhës, ky i fundit synon që të fitojë të majtën e qendrës. Dhe për këtë beteja më e madhe është në kryeqytet. Që prej 15 vitesh rajoni i Madridit menaxhohet nga konservatorët e Partisë Popullore dhe bëhet fjalë për një politikë të djathtë shumë agresive që ka irrituar vazhdimisht elektoratin e majtë. Me afrimin e zgjedhjeve lokale majin e ardhshëm, Partia Socialiste duhet që të zgjidhte për Madridin një kandidat të aftë për të mundur kandidatin e djathtë. Sondazhet e së majtës kishin nxjerrë fituese në garën e së majtës njeriun e afërt të Zapateros, një 40-vjeçare të aftë, që është mishërimi perfekt i shtresës së mesme. Por, ndërkohë, baza preferoi një tjetër kandidat. Çka tregon se në radhët e socialistëve ndryshimi ka filluar. I riu Gomez, është bërë e qartë tashmë, se është përfaqësuesi i një fryme gjithnjë e më të konsoliduar të kundërshtarëve të Zapateros. E vetmja gjë që del qartazi në pah në këtë rrethanë dhe kontekst është fryma e konkurrencës që vazhdon të jetë e ndezur dhe e lartë në gjirin e Partisë Socialiste spanjolle. Por, ndërkohë, gjithçka kufizohet në një luftë për pushtet mes fraksioneve të ndryshme dhe jo në një përplasje të shëndetshme idesh që prodhojnë cilësi dhe ecje përpara. Dhe ky nuk është vetëm problemi i madh i Partisë Socialiste spanjolle, por problemi i madh i shumë partive të majta dhe të djathta në Europë, që janë përfshirë nga mungesa totale e ideve dhe lufta e brendshme për pushtet në emër të pushtetit.

1 Komente

Nje felliqesire qe erdhi ne pushtet duke shfrytezuar ne menyren me banale aktet terroriste te Madritit, dhe duke mbajtur vetem fjalime anti amerikane,nuk mund te jete njeri i suksesshem.Njerezit nuk ushqehen vetem me antiamerikanizem dhe spanjollet ndonese me vonese ,po e kuptojne kete.Ky felliqesine nuk duhej te ishte zgjedhur!Kaq!

Kryeministri me i suksesshem spanjoll ka qene dhe do te mbetet per nje kohe te gjate Hoze Maria Aznar,ne kohen e te cilit Spanja pati bum ekonomik, nje papunesi te ulet dhe nje ze te rendesishem ne arenen nderkombetare.Te tjeret jane thjesht demagoge anti amerinkane.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).