Pa kaluar akoma 48 orë nga lajmi i gëzueshëm se shqiptarëve nuk iu duhet më vizë për të shkuar në vendet e Bashkimit Europian, zyrtarët e tij dalin me vendimin se Shqipërisë nuk i hapet drita jeshile që të fillojnë negociatat për të qenë vende me të drejta të plota në këtë bashkësi.

Qeverisë i ngeci gëzimi në fyt. Jo se nuk ishte e përgatitur për ketë vendim, por sepse i sfumon tërësisht meritat që pretendoi se kishte për heqjen e vizave.

Përse këto dy vendime të kundërta brenda 24 orësh nga Bashkimi Europian?

Së pari duhet nisur analiza nga fakti që BE është një bashkim interesash të vendeve që aderojnë në të. Në fillimet e tij, në vitin e largët 1951, ky bashkim nisi si një marrëveshje e gjashtë vendeve (Itali, Francë, Holandë, Belgjikë, Luksemburg dhe Gjermani Perëndimore) për një treg të përbashkët për qymyr dhe çelik (elementët bazë për të prodhuar asokohe armë lufte; pra elementët kyç që lindën marrëveshjen, ekonomia dhe lufta, mbizotërimi).

Më pas, vendet anëtare e panë të natyrshme të organizojnë një konferencë ndërqeveritare që çoi në idenë e Tregut të përbashkët europian dhe Euroatomit, nënshkruar të dyja me traktatin e Romës më 1957. Me futjen e Danimarkës, Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar në këtë treg të përbashkët në vitin 1973, filloi edhe historiku i zgjerimit të bashkësisë europiane, duke mbajtur gjithmonë në themel përfitimin ekonomik të vendeve anëtare dhe reputacionin e tyre politik.

Pas zhvillimeve të reja në politikën botërore dhe me një ritëm të ri ngjarjesh në kontinentin e vjetër, bashkësia ekzistuese e pa të rrugës të paraprijë të ardhmen e saj, duke nënshkruar në Nëntor të vitit 1992 në Holandë Traktatin e Mastrihtit, që është ditëlindja zyrtare e atij që është sot Bashkimi Europian. Funksionimi i tij do të niste një vit më vone, kohë gjatë së cilës vendet anëtare do të përcaktonin edhe kriteret që secili nga vendet aspirante duhet të plotësonte, përpara se të bëhej anëtar. Këto kritere u përcaktuan dhe nënshkruan në Kopenhagen, prej nga kanë marrë edhe emrin me të cilin njihen sot gjerësisht.

Me një Komision që raporton në një Këshill e me një parlament që nxit punën dhe vendimet e dy të parëve, me një sistem të komplikuar funksionimi e me kompetenca të shtrira në institucione të ndryshme brenda tij, me politikë të brendshme, të jashtme e të sigurisë gjithmonë në ndërtim e sipër, Bashkimi Europian është shndërruar në mekanizëm që tashmë vështirë se manaxhohet me një vështrim edhe prej vendeve krijuese të tij.

Thelbi i BE-së vazhdon të jetë i njëjti: bashkim vendesh që lehtësojnë përfitimin ekonomik, tregtar e politik mes tyre.

Në këtë piramidë datash e arsyesh të krijimit të BE-së, Shqipëria nuk duket të ketë asnjë vend. Turqia ka dorëzuar aplikimin për të filluar negociatat e anëtarësimit që në vitin 1986. Me një historik e rrethana shumë të ndryshme nga ato të Shqipërisë, Turqia është megjithatë ilustruesi më i qartë i synimeve europiane për ta mbajtur bashkësinë një lidhje vendesh që funksionon sipas një kodi të brendshëm, të cilin nuk mund ta zotërojë kushdo.

Turqia ka aplikuar 7 vjet përpara se BE të hartonte dhe dokumentonte kriteret e famshme të Kopenhagenit, që kaq shumë po i përmenden Shqipërisë. Ato janë tre: kritere politike, kritere ekonomike dhe harmonizim të legjislacionit me atë të BE-së.

Rëndom po analizohet se arsyeja e dështimit të Shqipërisë, është kriteri politik. E vërtetë. Ai mban pjesën më të madhe të dështimit (dhe me të do merremi pak më poshtë). Por në fakt, kriteri ekonomik është shtylla që bën të çalojë si kriteret politike për Shqipërinë, ashtu edhe vendimin politik të Brukselit (me kriterin 3, përafrimin e legjislacionit, po biem në paqe për shkak të punës që po bëhet që të paktën në letër, ligjet të jenë në linjë me ato të BE-së).

Atëherë, kriteri ekonomik: “Vendi kandidat duhet të ketë një ekonomi tregu të funksionueshme dhe duhet që tregtarët e tij të jenë në gjendje të përballojnë konkurrueshmërinë dhe presionin e forcave të tregut të përbashkët europian.”

Me një ekonomi mbushur me oligarkë e monopolë të dirigjuar nga klasa politike, a quhet i përmbushur ky kriter? Me sa u duk nga përgjigja e djeshme europiane, JO.

Mesazhi për kriterin politik në fakt është goditje pragut që të dëgjojë dera. Mungesa e stabilitetit politik dhe ngërçi i lindur gjoja për zgjedhjet, janë realisht luftë për pushtetin që gjeneron kontrollin dhe përfitimet në mënyre ilegale nga ekonomia, duke  e mbajtur atë të mbërthyer në monopolet e saj politike. Ndaj rrënja nuk është politika, por interesat ekonomike të saj (që shtohen e fuqizohen vetëm nëpërmjet pushtetit, që pjell mandej ngërçet politike).

Prej këtu zënë fill edhe të gjitha shfaqjet ngjyra-ngjyra që si politika vendase, ashtu edhe ndërhyrjet e Brukselit, japin për spektatorin shqiptar, që do lëvizë pa viza, por që s’ka ç’të bëjë, as ç’të përfitojë pasi të ketë lëvizur.

Kriteret e paplotësuara politike, refreni i përhershëm i raporteve të progresit, por edhe i opinionit të fundit negativ për Shqipërinë dhe mundësinë që ajo të fillojë negociatat për t’iu bashkuar familjes së qymyr-çelik-ekonomi-politikë-euro-kontrollit dhe përfitimit, janë katër : demokracia funksionale, shteti i së drejtës, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve.

Demokracia funksionale kërkon pjesëmarrjen e qytetarëve në çdo nivel të vendimmarrjes (teorikisht e përmbushur). Përpos kësaj, kërkon stabilitet institucional, parlament funksional, dhe stabilitet politik. Asnjë nga këto nën-kritere nuk ka mbushur Shqipëria. Faji nuk i është hedhur as të majtës, as të djathtës. Është thënë troç që këto kritere nuk janë plotësuar, e madje politikanët me rrënjë, kokë e këmbë tek  kriteret ekonomike, nuk morën mundimin të shfrytëzonin as vizitën e fundit të delegacionit të Parlamentit Europian, duke hedhur kështu në erë edhe mundësinë e fundit dhënë nga të tria strukturat bazë të BE-së për zgjidhjen e krizës politike. “Të isha shqiptare, mua do të vinte turp të më drejtonin politikanë si puna juaj” – u tha përfaqësuesja angleze e delegacionit të PE-së palës shqiptare që mori pjesë në negociata. Unë jam shqiptare dhe më vjen po aq turp e ndot sa çdo shqiptar tjetër për njerëzit që janë zgjedhur të drejtojnë votuesit, e që në fakt po drejtojnë interesat e tyre që fshihen në kriteret ekonomike, por që nxjerrin krye si të paplotësuara në kriteret politike.

Parlament, institucione, stabilitet politik. Zero pikë!

Shteti i së drejtës. Nuk ka si të funksionojë kur nuk miratohet krijimi i një gjykate që kontrollon krimin ekonomik dhe përhapjen e tij. As me dëshirën e shfrenuar për të zaptuar e mbajtur nën kontroll gjyqësorin në çdo shkallë të tij. Korrupsioni nuk luftohet nga të korruptuarit, ndaj edhe në këtë pikë, qeveria jonë e dashur, bashkë me oponentët e saj, fitoi plot zero pikë.

Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve mund të kapërcehen në këtë vështrim analitik, për sa kohë ato shndërrohen në kryefjalë vetëm kur janë të lidhura me çështje politikisht tërheqëse.

Pra shkurt, Europa e hoqi çelësin nga brava dhe shqiptarët mund të hyjnë pas asaj dere me një trokitje të lehtë. Por tek dera ka gjithmonë një roje, që pret që shqiptari të dalë jashtë, pa përfituar asgjë nga “pasuritë”  që ka brenda në dhomën e BE-së.

Por më e keqja është se kjo heqje çelësi, nuk u shoqërua me hapjen e plotë të derës, që bashkë me qytetarin, BE të linte brenda edhe shtetin, i cili do të hynte si negociator dhe garantues i ndarjes dhe përfitimit në lëmin e “qymyrit”, “çelikut”, tregut, parasë, mirëqenies e lehtësimit të jetës në një bashkësi të sofistikuar.

Ky hap nuk u mor, sepse politikanët shqiptarë akoma nuk janë ngopur me çelik e qymyr nga ky i shekullit të 21-të. E sa kohë kjo makutëri ekonomike të përkthehet si mos-plotësim kriteresh politike, dera e shkyçur do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur edhe për ca vite.

Europa nuk është pronë publike. Ndaj politika shqiptare mund të shijojë edhe ca luksin e anarshisë ekonomike që lejon varësia e shpresave se një ditë do t’ia bëjë asaj barrë popullsinë që ka marrë përsipër të qeverisë.

nga edagjoniblog

4 Komente

Por më e keqja është se kjo heqje çelësi, nuk u shoqërua me hapjen e plotë të derës.

 

Deren nuk e leshon opozita.

O Mato kjo qe thua ti osht njesoj sikur ai vocraku jot (opozita) te te kap ty prej veshi e te te thote se ne kete shtepi urdheroj une!    smiley

Nese e ke katandise vehten ne kete derexhe, atehere te jape te drejte qe ke keto mendime te cregullta apo frymezime homosh!

 Europa i ka dhene dy gjera te mira Shqiperise gjer me sot, nga e cila shqiptaret nuk kane ditur te perfitojne.

1) Marrveshjen MSA, qe lejon mallrat shqiptare te hyjne ne territorin europian pa taksa doganore, perveç alkolrave, cigareve dhe karburanteve qe u merret akcize.

2) Te drejten per te qene kandidat i EU me te drejta te plota, por duke rregulluar disa probleme te brendeshme qe ka Shqiperia, probleme qe qeveria shqiptare nuk e ka vene ujet ne zjarr. 

Ketu nuk eshte faji i EU qe qeveria shqiptare dhe opozita (pushteti lokal) nuk punojne mire e nuk zgjidhin hallet e njerzeve/te shoqerise shqiptare. 

Tani me levizjen e kufizuar qe u lejua, shqiptaret mund te perfitojne pakez, punera sezonale ne Italine e jugut, Greqi, e vreshtat franceze. Per ata qe kane para, mund te jepet shanci per te shkuar ne Kanada, Australi, Zeland e Re etj.  Megjithse puna eshte te hapen fronte te reja puna ne Shqiperi, dhe ajo qeveri hajdutesh (siç quhet nga populli) , ketu duhet te synoje, ne krijimin e lehtesirave per bisnesin e prodhuesin shqiptar. 

 Qeverisë i ngeci gëzimi në fyt.

8 Nentori nuk eshte 28 Qershori. Kam dale per here te pare jashte shtetit me 1 Gusht 1998. Me vize . Kam genjyer dhe jam hequr si menaxher -per nje vize. Kjo sepse jemi konsideruar njerez te rrezikshem (dhe lejoheshim te genjenim vetem per te provuar te kunderten) Ajo vizite ka sherbyer per te me ndryshuar 100% si njeri.

Kam marre edhe 5 viza ate tjera dhe jam refuzuar vetem nje here, pikerisht atehere kur tregova te verteten .

Dhe ju them se Qeverise se asaj kohe nuk i kam kerkuar llogari se ku i ngeci gezimi. 

Vendimi per heqjen e vizave do te thote qe tashi jemi njerez te parrezkshem 

 

Europa nuk është pronë publike.

Me vjen keq por me duket se ky nuk eshte perkufizim 100% i sakte. Evropa eshte prone publike perderisa qytetaret e saj "Publiku" ka pranuar qe te jemi diku aty ne pronat e saj. Pa vize por te rregullt. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).