Kuvendi i Kosovës ka votuar me shumicë në favor të një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, duke hapur rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Qeveria e Kryeministrit Hashim Thaçi është shkarkuar me 66 vota pro mocionit, dy kundër dhe një abstenim nga 105 deputetë të pranishëm. Mocioni i mosbesimit erdhi pas krizës institucionale dhe politike të krijuar nga tërheqja prej qeverisë të gjashtë ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përveç deputetëve të Aleancës Kosova e Re, nismëtarë të mocionit të mosbesimit, kundër qeverisë së Kryeministrit Hashim Thaçi, kanë votuar deputetë të partive të pakicave, por edhe të vetë partisë së tij, asaj Demokratike. Këtë mocion nuk e kanë votuar deputetët e LDK-së dhe të AAK-së.

'Krizë me skenar'

Këta të fundit kanë thënë se e gjithë kriza institucionale e politike në Kosovë është bërë me skenar dhe për interesa të Kryeministrit. Ata thonë se kjo është bërë në mënyrë që zgjedhjet parlamentare, të mbahen në një moment të papërshtatshëm për kundërshtarët e tij politikë. Në debatin e zhvilluar në Kuvend për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, deputetë të grupeve parlamentare të AKR-së, LDD-së, por edhe të AKR-së, kanë drejtuar kritika të rënda në adresë të qeverisë për qeverisje të keqe. Qeveria e Kosovës e krijuar nga Partia Demokratike e Hashim Thaçit dhe Lidhja Demokratike e Fatmir Sejdiut, ka dalë nga zgjedhjet e fundvitit 2007.

Dorëheqja e Sejdiut

Qeveria funksionoi në bazë të një marrëveshjeje, sipas të cilës PDK-ja kryesonte qeverinë, ndërsa LDK-ja, kishte postin e Presidentit. Situata është përmbysur pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila mori vendim se Presidenti i vendit, Sejdiu, kishte shkelur Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të partisë. Kjo bëri që Presidenti Sejdiu të jepte dorëheqje në shtator të këtij viti dhe në tetor, të tërhiqte edhe ministrat e partisë së tij nga koalicioni qeveritar. Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, që sipas Kushtetutës u emërua Jakup Krasniqi, kryetar aktual i Kuvendit të Kosovës, shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 13 shkurt të vitit të ardhshëm.

Zgjedhje të parakohshme

Rënia e qeverisë do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të shpallen brenda pak ditësh. Është hera e parë që në Kosovë votohet një mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, në një situatë të tillë, Presidenti në detyrë duhet ta shpërndajë Parlamentin. Po ashtu, ai duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda një afati prej 30-45 ditësh.

Muharrem Nitaj
BBC Prishtinë

2 Komente

Qeveria e Kryeministrit Hashim Thaçi është shkarkuar me 66 vota pro mocionit, dy kundër dhe një abstenim nga 105 deputetë të pranishëm.

66+2+1=69

po keta 36 te tjeret ca ishin tu bo nderkohe?

Nuk morën pjesë në votim.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).