Presidenti i Republikës u përfshi në dokumentin e fundit të Komisionit Europian mbi ecurinë e Shqipërisë, duke marrë edhe disa kritika për funksionimin e këtij institucioni. Progres-raporti nënvizonte se veçanërisht në zgjidhjen e ngërçit politik pas zgjedhjeve të vitit 2009, kreu i shtetit kishte pasur një rol të kufizuar. Një zyrtar i Brukselit, i cili do të takonte Bamir Topin një ditë pas publikimit të raportit të BE-së, do të zbuste tonet, duke nënvizuar “rolin moderator të Presidentit si garantues i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke promovuar konsensusin dhe rivendosjen e dialogut normal politik”. Në fakt, në këtë shprehje standarde dhe të shumëpërdorur në dy dekadat e fundit, qëndron pikërisht edhe pritshmëria që Komisioni Europian ka për rolin e Presidentit të Republikës. Kjo pritshmëri është një ndërthurje e qartë mes funksionit të tij institucional nga njëra anë dhe atij politik, në anën tjetër. Problemi që duket të ketë Bamir Topi është ndoshta dilema, nëse duhet të qëndrojë mes dy kolonave institucionale dhe politike që i vendos Kushtetuta apo do të tentojë bashkimin dhe ndërthurjen e tyre për të qenë më aktiv në jetën politike. Sigurisht disa konsiderata janë ndikuese mbi rrugën që ka ndjekur apo do të ndjekë qytetari nr. 1 i Republikës.

Së pari, deri në mbërritjen e konstatimeve nga Komisioni Europian, shumë sinjale nga qendrat më të rëndësishme të politikës europiane janë përpjekur ta karikojnë Bamir Topin. Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian, si dhe deklaratat e politikanëve të rëndësishëm në BE, kanë theksuar rolin e Presidentit në zgjidhjen e ngërçit. Kanë qenë këto armët e duhura, që një politikani në Tiranë do t’i mjaftonin për të nisur edhe ai betejën e tij, me ata që shpeshherë quhen si “bajlozët e politikës”.

Së dyti, Presidenti i Republikës nuk mund dhe nuk duhet ta interpretojë rolin e tij si peng i Kushtetutës dhe i një kuadri të ngushtë ligjor. Është e dëshirueshme dhe e pritshme që Bamir Topi të jetë i pari shtetas në “garën” e respektimit të ligjit themeltar dhe normave të tjera ligjore. Por kjo nuk mund të jetë kufizuese për kreun e shtetit, i cili më tepër funksionon si një zyrtar i dashuruar me ligjet, se sa si një politikan që respekton ligjet.

Së treti, Presidenti i Republikës, në rast se realizon me pasion “garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, shfaqet i tërhequr në “promovimin e konsensusit dhe rivendosjen e dialogut normal politik”. Ky promovim nuk do të thotë thjesht dhe vetëm diskutim politik dhe thirrje për gjetjen e zgjidhjeve të pranuara nga palët në konflikt. Edhe me eksperiencën e një ish-drejtuesi të grupit parlamentar të mazhorancës, Bamir Topi ka hapësirat e duhura të komunikimit politik si me ish-partinë e tij, ashtu edhe me opozitën.

Së katërti, Bamir Topi duket se po përpiqet ta interpretojë mandatin e tij në krye të Presidencës si një sipërmarrje politike me kosto zero. Ai nuk dëshiron të konfliktohet me Partinë Demokratike, ndonëse provokimet që i vijnë nga selia blu tashmë janë bërë konstante. Gjithashtu, ish-nënkryetari demokrat duket se ka ngjitur edhe çarjen e krijuar me opozitën zyrtare në momentin e zgjedhjes së tij. Duke u kujdesur për baraslargësinë nga PD-ja dhe PS-ja, Presidenti rrezikon të spostojë epiqendrën e tij politike, në rast se njëra nga palët zhvendoset në ekstremin e qëndrimeve.

Në këtë mënyrë, kritikat e mbërritura nga Brukseli tregojnë se europianët presin më shumë nga Presidenti i Republikës për t’i dhënë fund një konflikti politik thuajse dyvjeçar. Konflikt që ka mbërritur në pikën e ngopjes dhe rrezikon të rëndohet me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Për këto arsye, Bamir Topi duhet të zbresë në fushën e lojës, jo për të lënë mënjanë respektimin e Kushtetutës, por për të evituar që pas një viti, një drejtor nga Brukseli t’i thotë në zyrën e tij, se raporti i KE-së është “si një zile për zgjim”.

2 Komente

Së katërti, Bamir Topi duket se po përpiqet ta interpretojë mandatin e tij në krye të Presidencës si një sipërmarrje politike me kosto zero.

Is this right ne syte e kuq t'peshqve, perqasja e dogood-it per te mos pase asnje kosto politike n'detyrt t'presidentit, dmth te luajturit e tenisit me shkopa golfi?

And perhaps mos e rendesishme si ceshtjepyetje, ka gje n'dore topi (a cdokush tjeter qe mund te ishte president) per te ndikuar realisht ne pingpongun/krizen politike te edit me salen, perfshi ketu (n'llogaritje topiste) dhe karikimin qe i kane bere te huajt? Apo thjesht (poplli, analistat, shtangistat) nga inati i gomereve i gjuajn topit?

WSTD?

Per mua ky eshte artikull delirant, i bere nga nje njeri me deshiren e mire qe kriza te zgjidhet. Problemi i shkruesit duket qarte qe eshte mungesa e informacionit per situaten dhe per ndryshimet kushtetuese te 2008-s.

1. Presidenti paleve ua ka bere nje oferte gjate negociatave te iniciuara prej tij, por kjo oferte nuk eshte pranuar.

2. Presidenti, do apo nuk do, eshte i detyruar te sillet brenda limiteve qe i cakton Kushtetuta. Shyqyr qe eshte keshtu, dhe sikur te silleshin te tere keshtu s'do ishim ketu ku jemi.

3. Presidenti ne kete situate te tensionuar politike, eshte i vetmi qe mund te garantoje nje fare ekuilibri. Nqs do te mbante nje qendrim personal, qe do te ishte detyrimisht me afer njeres apo tjetres pale, atehere do te prishte ekuilibrin qe ka per detyre Institucioni i Presidentit. Dhe po te prishet ky ekuiliber i brishte qe Presidenti mezi po e mban, atehere ne futemi edhe ne nje krize institucionale, pervec asaj politike.

4. S'duhet me u tregu as aq naive sa te mendojme se keta dy "engjejt" e sherrit do behen aq te mire sa t'ia lene dikujt tjeter meriten e shuarjes se sherrit. Kjo jo vetem per arsye rivaliteti politik, por edhe se ata po e sterzgjasin krizen me qellimin e vetem qe ai qe do leshoi pe, t'ia shesi sa me shtrenjte kete pales tjeter.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).