Halloween-i i qejfit, i përgatitjes së detajuar, i zemrës pezull, i frikës primitive, i solidaritetit të grupit që shërben si kundërpeshë frike e si valvolë që lejon çlirimin, i rikthimit në ditët kur trokitej në derën e tjetrit pa teklif, i natës kur fëmijët jetojnë fantazitë e veta e të rriturit bëhen fëmijë, i sheqerosjes së lirë dhe kungujve të ndezur, i mbretërisë së mjegullt të të vdekurve e vampirëve, i shtrigave dhe përbindëshave, i artit dhe gjenialitetit të vogël, i guximit të të qenit tjetërkushi, i lojës dramatike të krisur, i makijazhit të çmendur, i harrimit të andrallave të ditës, i lirive që tjetërherë rrinë flashkët e përgjumur. Por është edhe Halloween-i komercial e që pritet të rrisë konsumin, dhe Halloween-i që manipulohet politikisht e ekonomikisht. Rregullsia dhe bindja për të qenë të pabindur e amerikanëve kësaj dite më krijon imazhin absurd të një turme të moshave e gjinive të përziera, ulur qetë në një luginë të tipit Western, që gdhendin paqshëm e me qejf kunguj me fytyra e shfytyra nga më fantastiket…një turmë fundi i së cilës nuk duket, por kufizohet në një krah nga një faqe mali me kokat e 84 presidentëve gdhendur në gur të butë po Western, gdhendur ndoshta po nga e njëjta turmë që tani është harruar ndër kunguj; por kur qëllon të kapësh beben e syrit të atyre që kokulur punojnë, u shkëndijon një dritë e çmendur padurimi për natën që po vjen, kur do shndërrohen në qenie që shkelin me këmbë korrektesën politike që i kontrollon si morsë gjatë ditës, kur do hedhin valle me trupat e vet kthyer në skelete pirateske apo fantazma të bardha, trupa që s’i binden më as gravitetit fizik dhe as atij social, dhe do sfidojnë botën e të gjallëve, duke u kujdesur veç që të mos shtypen nga hijet prej guri të 84 presidentëve që gjithashtu kanë zbritur nga mali përkundruall, e tani zhurmshëm me hapa KingKongu dhe me kapele cowboys-ash që u rrinë mbi krye pa i prekur sikur udhëhiqen nga fusha manjetike të padukshme, festojnë këtë jetë-vdekje me të vdekshmit e tjerë ish-gdhendës.

Nga sondazhet, 64% e amerikanëve pritet të festojnë Halloween-in sot. Po përse e duan kaq fort Halloween-in amerikanët? Është festa e tretë më e rëndësishme ndër ta. Ngaqë i jepen shpejt shtytjes instinktive për të rritur nivelin e adrenalinës në gjak? Hitchcock thoshte se njerëzve u pëlqen të frikësohen kur janë të sigurtë se s’ka rrezik. Pra, i çon tek Halloween-i po ajo shtytje që i bën njerëzit përgjithësisht të shohin filma të llojit ‘horror’ apo të rendin irracionalisht në parqe dëfrimi me lodra ekstreme? Besoj misteri, tmerri dhe e përbindshmja të jenë veç një pjesë e Halloween-it. Fëmijët e festojnë atë të veshur si luleshtrydhe, patate, princesha apo SpongeBob; prindër puritanë blenë karamele e çokollata nga më të ndryshmet për vizitat e papritura të mbrëmjes me ballinën “rreng-apo-qerasje”; pleqtë u bëjnë qejfin nipërve e mbesave duke u veshur si “pop stars” dhe duke i bërë flokët në stilin punk; pjesëtarët konservativë të lëvizjes “Tea party”, u japin ëmbëlsira edhe atyre vizitorëve që përqeshin në kostume e trukim të mençurën në krye të tyre, Sarah Palin. Në fakt Halloween-i, qysh në 1840-ën kur erdhi në këtë kontinent prej irlandezëve që aso kohe gdhendnin patatet dhe jo kungujt, ishte një festë e lirë. Ajo bartte me vete më shumë zakonet pagane Druide që e braktisnin njeriun në magjinë dhe flakët mes Zotave e diajve, sesa ritualet kristiane të Erës Sonë ku falënderohet Zoti për qenien e ‘gjithë shenjtorëve’. Megjithë përkudesjet e teorizuesve që festa të hyjë në kornizime serioze e funksionale fetare, për mënyrën se si ndihet, Halloween mbetet një festë tipike tokësore e gjithë moshave, sidomos fëmijëve e të rinjve, e miqve, e fqinjëve, e atyre që duhen e që urrehen, e shkeljes së normave sociale, por edhe e vendosjes së rregullave të reja se si duhen shkelur të vjetrat; e gdhendjes së kungujve familiarisht, e shqepjes me karamele e çokollata, është mister e harbim, por edhe festë familjare; shfrenim i shkujdesur, por edhe planifikim i hollësishëm; është mbi të gjitha një rast për t’u çliruar, harlisur e gëzuar në tufë.

Industritë e “Shtëpive të nëmura” apo “të kontrolluara nga shpirtërat” në ShBA, grijnë parà që në fillim të tetorit kurorëzuar nga Halloween-i, e janë plot me vizitorë që kërkojnë ‘horror’ me çdo kusht. Disa shtëpi janë më të frikshme: kanë edhe atë tipin që, në fund të vizitës plot të papritura, të ndjek për tek makina duke vrapuar si i çmendur, me sharrë elektrike në dorë që lëshon xixa fuqishëm, me fytyrën fare të qetë, si të ish kriminel filmash; Gjetjet në shtëpi të tjera trembin vetëm 7-8 vjeçarët. Por makina e konsumit vazhdon të grijë. Këtë vit gjithë dyqanet në qendrat komerciale amerikane do shpërndajnë ëmbëlsira falas që “të kënaqin” klientët e vet. Amerikanët do shpenzojnë 5,8 miliardë për Halloween këtë vit, i bie rreth 67 dollarë për kokë. Nëse ky numër do ishte tregues për gjendjen ekonomike, duket që gjendja të jetë përmirësuar, sepse vitin e shkuar u shpenzua 10 dollarë më pak për person. Nga ana tjetër, fakti që ka më shumë amerikanë që duan të argëtohen dhe shpenzimi është edhe më i madh, mund të dëshmojë edhe dëshirën për t’u arratisur së paku për një ditë nga lodhja e një viti me shumë andralla. Këtë do ta përforconte edhe rënia e fortë këtë vit në blerjet e maskave të politikanëve, asnjëri prej të cilëve nuk ia doli të hynte në listën e dhjetë kostumeve më të blera. Njerëzit janë lodhur me ta dhe (mos)zgjidhjet e tyre, dhe i duan jashtë jetës së vet për një natë. Duan të festojnë Halloween-in, dhe jo të votojnë dy ditë pas tij. Por shumë nuk i pyet kush se ç’duan. Obama në një farë mënyre u thotë shprehjen “Stambolli digjet,…”. Natën e Halloween-it Obama vazhdon fushatën e tij intensive, por pak të vonuar, në Cleveland të Ohio-s. Shpresoj të ketë me vete shpirtërat e mirë dhe jo ata të këqijtë të Halloween-it, se kongresmenëve dhe senatorëve demokratë do t’u duhen shumë në këto zgjedhje. Vitin e shkuar Michele u vesh si tigër me veshë maceje, ndërsa presidenti nuk u vesh, por të dy së bashku u shpërndanë sheqerka 2000 fëmijëve që “trokitën” në Shtëpinë e Bardhë për zakonin “Rreng a qerasje” (Trick or treat), shumë prej të cilëve me prindër në luftërat amerikane … sheqerka të shëndetshme dhe fruta të thata. Më kujtohet kur Lara ime tani 10-vjeçare, festoi Halloween-in në Shqipëri, në Tetor, 2007. Tha se rrugët dhe shtëpitë pa drita, e bënin Halloween-in më të bukur në Tiranë sesa në Amerikë. Gjithashtu tha se ushqimet që i dhanë në shtëpitë ku trokiti, ishin shumë më të mira e sidomos më të shëndetshme sesa në Amerikë. Kur u kthye në shtëpi atë natë, Lara kishte në shportë që nga byreku, bakllavaja, e gështenjat e pjekura, deri tek qeset me fara kungulli, oshafka, çaj mali dhe arra.

Lara këtë vit do të jetë një ndër personazhet që asaj (për inatin tim) i pëlqen shumë: Coraline (flokëbluja), sipas filmit fantastik-horror të Laika-s “Coraline”. Coraline e mbetur pa shoqe në shtëpinë e re ku sapo ka hyrë me prindërit, ëndërron të gëzohet si fëmijë. Por prindërit janë aq të zënë me punë shkencore, sa as që e vënë re. Ajo arratiset në një dimension tjetër ku e joshin prindër e ambiente që duken më të mirë sesa ata që ajo ka në të vërtetë, e që i japin dhurata e sidomos vëmendje. Por në fakt ata janë shtriganë që duan t’i marrin qenien Coraline-ës, lirinë për të kaluar nga një dimension në tjetrin, dhe t’ia zëvendësojnë sytë me kopsa. Coraline e zgjuar dhe e guximshme ia del të ruajë sytë e saj e të rigjejë prindërit e vet të vërtetë… por a ishte e gjitha ajo që ndodhi ëndërr apo prani e përhershme? A do guxojë më Coraline, kureshtare e ëndërrimtare, të dëshirojë diçka tjetër të ndryshme nga ajo që ka? Lara ka tashmë një parruke të bukur blu në të zezë, karficën e flokëve, pardesynë dhe çizmet e verdha, madje e motra i bleu edhe kukullën Coraline të bërë me dorë, në të cilën Coraline ka kopsa në vend të syve. Ka blerë Lara edhe lapsin për të vizatuar qukat në faqe. Të shohim si do shkojë. Besoj se në vend të maces që ndiqte Coraline-ën në labirintet e tmerrit mes dy jetëve, kur tw shkojw pwr ‘trick-or-treat’, Lara do marrë qenin e vet Zeus. Me Zeusin në krah, nuk besoj t’i trembet asgjëje, Lara ime që në nënndërgjegje qahet duke u identifikuar me Coraline-ën.

Filmi dhe kultura pop janë ushqyesi më i madh i personazheve që preferohen për Halloween. Në fakt, vampirët, piratët dhe kostumet e Michael Jackson-it janë më të blerat ndër kostumet për të rritur këtë vit. Krahas Larës, nëpër Amerikë do hallakaten edhe mëse 60 milionë fëmijë të tjerë: prej tyre, pesë milionë janë vetëm princesha, veç gjysma e tyre (pra tre milionë) janë shtriga, një million e gjysmë janë Spiderman, një milionë piratë (Karaibesh) e kështu me radhë.

Ndoshta së shpejti festa nuk do t’u takojë më veç amerikanëve. Përhapet me shpejtësi nëpër botë. Dje mora një email masiv nga një “shtëpi Halloween-i” në Tiranë që ftonte këdo për të festuar. Di që vitet e fundit thuajse të gjithë klubet në Tiranë e festojnë. Italia e ka nisur traditën e festimit të Halloweenit edhe më parë sesa ne. Edhe Franca që fanatikisht i shfaq Amerikës anën e vet skeptike ndaj ‘amerikanatave’- sido që fjala është italiane në origjinë-, ka nisur t’ua pranojë këtë lodër amerikanëve (… të gëzojnë kalamajtë francezë sa s’ka arritur lajmi në veshët e ndokujt në Akademinë Franceze të qenieve alerte qindravjeçare që vigjëlojnë ndryshimin e kulturës franceze!). Argument ideal ky i përhapjes së festës, për akademikët që i kanë kushtuar jetën e vet intelektuale luftës ndaj imperializmit kulturor amerikan.

2 Komente

ne fund nuk e kuptova qellimin e ketij shkrimi roco poco..Morra vesh vetem qe goces se kesaj ne 2007 i paskan dhuruar edhe bakllava..baaah.

Ka dhe nje shthurrje shkrimi kur e denoncon festen si konsumiste dhe pasandaj i ben nje promovim te papare duke futur ne loje edhe vajzen e vet..

smiley

'halloweeni qe manipulohet politikisht'

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).