“Ju jeni gjenerata NINJA – pa të ardhura, pa punë, pa pasuri (No Income, No Job, no Assets.” Kështu i drejtohet kryeprotagonisti i filmit të ri “Wall Street: Paraja nuk fle kurrë”, një grupi studentësh amerikanë gjatë një ligjërate për efektet që kriza ekonomike botërore ka në të tashmen dhe do ketë në të ardhmen e tyre. Ky përshkrim, sa i saktë, aq edhe i dhembshëm, tingëllon sikur të ishte thurur enkas për të përshkruar gjendjen ekonomike të rinisë së Kosovës.

Për vite me radhë tashmë kjo rini përballet me shkallën më të lartë të papunësisë së rinisë në Evropë, e cila mendohet të jetë diku rreth 75 për qind. Ajo është e papunë, rrjedhimisht pa të ardhura e pa pasuri, pra është gjenerata jonë NINJA. Zgjidhjet për këtë problematikë nuk ofrohen tash e dhjetë vjet me radhë as në formë tentative. Një “zgjidhje” e rekomanduar nga dy ministra kosovarë në shkuarje, përmes së cilës papunësia e të rinjve do të ulej nëse atyre do t’u hapeshin dyert e tregut të punës në Evropën Perëndimore, është jo vetëm e papërgjegjshme, por ajo prek kufijtë e skajshëm të asaj që quhet “refuzim për të përmbushur obligimin zyrtar shtetëror”. E në këtë rast obligim zyrtar shtetëror do të ishte krijimi i parakushteve të shëndosha, duke u nisur nga përmirësimi i ambientit të biznesit e deri te hartimi i politikave të mirëfillta industriale, për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një krijim të vazhdueshëm të vendeve të reja të punës.

Realiteti, megjithatë, është larg përmbushjes së këtyre obligimeve. Goditjet që Kosova ka marrë së fundmi nga raportet e institucioneve të renomuara ndërkombëtare, qoftë për shkak të lirisë së medieve apo për nivelin e korrupsionit janë të rënda. Ato në realitet nuk janë goditje, por një përshkrim i saktë i asaj se çfarë në realitet po ndodh në terren për vite me radhë.

Raporti më i ri i Bankës Botërore “Të bësh biznes”, i publikuar dje, ka radhitur Kosovën në vendin e 119-të nga 183 ekonomitë botërore, pra një vend më poshtë se ç’ishte vitin e kaluar. Kjo rënie e radhës është alarmi më serioz se klima për afarizëm dhe biznes ka marrë tatëpjetën, se investimet e huaja direkte si rrjedhojë do vazhdojnë të shënojnë rënie, së po hyjmë ngadalë e sigurt në rrethin ekonomik vicioz, ku ekonomia e vendit do të preket nga recesioni, sepse aktiviteti ekonomik do të bjerë dhe me këtë edhe konsumi dhe likuiditeti i sektorit privat. Zaten e gjithë rritja ekonomike e viteve të fundit i atribuohet ngritjes së shpenzimeve publike, por kur të hyrat buxhetore bien si rrjedhojë e rënies së aktivitetit ekonomik, e në të njëjtën kohë shpenzimet publike mbahen të larta, shteti ecën me hapa të sigurt drejt kolapsit financiar. Kjo më së miri u pa me rastin e Greqisë, porse a do ta kishte Kosova fatin e njëjtë për të gjetur shpëtimin në Bruksel, këtë është e vështirë për ta parashikuar.

Për t’iu kundërvënë kësaj situate të rëndë dhe skenarëve të tjerë edhe më të rrezikshëm, kërkohet guxim politik dhe qasje serioze e profesionale ndaj sfidave. Në radhë të parë duhet ndryshuar prioritetet, duke vënë aksentin kryesor mbi strategjitë për të bazuar rritjen ekonomike më shumë në sektorin privat e më pak në investime publike. Parakusht për një zhvillim të sektorit privat, është në radhë të parë forcimi i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM), të cilat si të vetmet kanë potencialin, fleksibilitetin dhe aftësinë për të krijuar vende të reja pune dhe për t’u bërë shtyllë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. NVM-të në Kosovë, megjithatë, vazhdojnë të përballen me vështirësi shumë serioze. Qasja në financa është problem kryesor me të cilin ato duhet të luftojnë në vazhdimësi. Sipas të dhënave më aktuale të Bankës Botërore, vetëm çereku i NVM-ve të Kosovës arrin t’i financojë projektet nga bankat (në Mal të Zi 75%), përderisa pjesa tjetër duhet t’i financojë investimet nga mjetet vetjake. Sistemi bankar, sado që është stabil, për shumë ekspertë ka filluar të marrë trajtën e një karteli, që ka tërhequr para të mëdha nga tregu përmes depozitave e tani heziton t’i kthejë ato në treg përmes kredive për NVM-të, ndër të tjera me arsyetimin e mungesës së projekteve të mira. Sado që kjo mund të jetë deri diku e saktë, konservativizmi i skajshëm në financimin e sektorit privat dhe mbajtja e normave të interesit kaq të larta, në kohën kur Banka Qendrore Evropiane ka ulur normën bazë në nivel historik dhe kur Kosova politikisht është shumë më stabile, s’ka se si të mos ushqehet dyshimi se sistemi bankar po dirigjohet nga një kartel i heshtur dhe me këtë po bëhet pengesë e zhvillimit të sektorit privat.

Parakusht tjetër për një ndërmarrësi të suksesshme është zhvillimi i inovacionit. Parakusht për inovacionin është reformimi dhe modernizimi i vazhdueshëm i sistemit arsimor. Por, Kosova edhe këtu vazhdon të çalojë. Ne kemi shpenzimet aktuale publike për arsim ndër më të ulëtat në Evropë. Me vetëm rreth 1.3 për qind të GDP-së sa Kosova investon çdo vit në arsim, ne mbetemi ende shumë larg mesatares së vendeve prej OECD-së prej 5 për qind. Në vazhdimësi është thënë që pasuria kryesore e Kosovës është rinia e saj, porse sa në realitet vlen kjo thënie, shihet më së miri nga fakti se sa ne investojmë në të. Si rrjedhojë indeksi më aktual i reformave investive i OECD-së radhit Kosovën në vendin e parafundit në regjion për kah zhvillimi i burimeve njerëzore.

Fare në fund, jo vetëm për të servisuar deficitin buxhetor e atë tregtar, jo vetëm për të ndihmuar më shumë zhvillimin e NVM-ve dhe të sektorit privat, Kosovës i duhen më shumë Investime të Huaja Direkte (IHD). Çështja e IHD-ve nuk ka qenë lart në agjendat politike deri më sot edhe pse ky mbetet mjeti më i sigurt dhe më i sofistikuar për t’u përballur me sfidat aktuale. IHD-të mbeten njëkohësisht mjeti më i sigurt për të krijuar vende të reja të punës, aq të nevojshme për të rinjtë e Kosovës. Nëse qeveria e re nuk i jep rëndësi kësaj çështjeje, ajo shumë shpejt ose duhet të bëjë çmos ta arrijë “zgjidhjen” e zbrazjes së Kosovës përmes “hapjes së tregut të punës në Evropën Perëndimore”, që më shumë i përngjan një misioni të pamundur nga këndvështrimi evropian, ose të krijojë kushte, në radhë të parë sundim të ligjit, për të tërhequr fuqishëm Investime të Huaja Direkte. Në të kundërtën ajo shpejt do ta ndiejë në lëkurën e vet frustrimin e gjeneratës NINJA!

*Autori është udhëheqës i nismës ekonomike për Kosovën, ECIKS, me seli në Vjenë – www.eciks.org

1 Komente

 Autori nuk e ka keq, veç ai nuk e di se politikanet shqiptare kudo, nuk para ndigjojne mire nga ai krah. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).