Çdo njëri nga kombet e perandorisë otomane duket se në këtë përzjerje anarshike të lëvizshme dhe konfuze i ka të përcaktuara tiparet e tij: kështu, turku është mbi të gjitha një funksionar, shqiptari një luftëtar, serbi një klerik, greku një detar, çifuti një shitës brokantesh, armeniani një bankier, cigani një farkëtar. Fshatari është një bullgar…” Këtë përcaktim na e ka lënë gjeografi i njohur francez Guillaume Lejean në mesin e shekullit XIX, njeriu që i rrahu me këmbë kontinentet e botës dhe që kishte një dobësi të veçantë për “Turqinë e Evropës”, apo pjesën evropiane të pushtuar nga Turqia dhe që vinte gjer në brigjet e detit Adriatik dhe Egje. Interesant është fakt se ai i filloi udhëtimet e tij me Ballkanin, ku udhëtoi dhe në Shqipëri, në pjesën veriore, dhe e mbyll po ashtu me ekspeditën e tij të fundit me Ballkanin, ku viziton Mirditën, Tiranën dhe pjesën lindore të Shqipërisë, duke u kthyer në Francë ku vdes nga lodhja e madhe fare i ri, në moshën 47 vjeçare. Pasioni për udhëtimet, kërshëria për njohjen e qytetërimeve e popujve, puna shkencore, e shkriu atë shumë shpejt.

Drejt brigjeve shqiptare
Në fakt, në rininë e tij, Lejean nuk e njihte Ballkanin, megjithëse ai i kishte studjuar më parë shënimet e studjuesve të mëparshëm, siç ishin librat e Ami Boué-s, autorit të librit voluminoz Turqia e Evropës, apo studimet e konsullit austriak G. Hahn. Pasi merr anijen në Marseille, ai shkon në Trieste, ku i hipën një anije të linjës së shoqërisë austriake detare “Lloyd”, e cila për çudi quhej “Albania”. Destinacioni i saj ishte Shqipëria dhe Korfuzi. “Udhëtarit që i hipën anijes “Albania” në Trieste për të vizituar provincat perëndimore të Turqisë, - do të shkruante më pas ai, - do i duhet ose të habitet, ose të mërzitet nga kontrastet e forta që kanë këto vënde… Gjatë udhëtimeve, veçanërisht në Orient, gjëja më e zgjuar është të pranosh humbjen e kohës si një aksident i nevojshëm e ta kthesh atë në anën tënde. Këto ndalesa disi tepër të gjata duhen shfrytëzuar për të mbledhur sa më shumë përshtypje e për të shkruar kujtime…” Pasi lë Zara-n, Spalato-n e më pas Shebenikun që shfaqet tutje, anija e tyre zbret poshtë brigjeve të Adriatikut. Në krah ka një kapiten turk, i cili, siç kujton Lejean, duke parë nga malet tutje brigjeve i thotë me trishtim: “Cok tash! (Shumë gurë!), ndërsa Lejean ia kthen: “Jol fenan!” (Po, një udhë e trishtë!). Pas shumë orëve, ja ku i afrohen brigjeve shqiptare dhe më pas Bunës, ndërkohë që ai shkruan: “Ja dhe malet e Shqipërisë, ku mirditasit strehojnë lirinë e tyre të stuhishme dhe ashpërinë e tyre homerike”.

Poetikja Rozafë…
Në vitin 1860, në revistën e njohur franceze Le Tour du Monde, ku botoheshin shpesh udhëtimet e studjuesve francezë në të katër anët e botës, Lejean boton shkrimin me titull “Udhëtim në Shqipëri dhe Mal të Zi”, udhëtim që e kishte kryer dy vjet më pare dhe që i kishte lënë mbresa të veçanta. Ja si e fillon ai përshkrimin e këtij udhëtimi në veriun shqiptar: “Ndryshe nga flegmatizmi oriental, padurimi fillon të na pushtojë kur papritur ne shohim që lartësohet para nesh një e ngritur e vetmuar, në majë të së cilës duket një kështjellë veneciane dhe që unë e njoh lehtësisht, edhe pse nuk e kam parë ndonjëherë. Eshtë poetikja Rozafë, fortesa historike e Shkodrës. Na duhet të kapërcejmë një shteg rreth malit të Taraboshit edhe gjysmë ore e pastaj të hyjmë në lagjet e errta të një qyteti shumë piktoresk, të quajtur me një fjalë si me të qeshur: “Gallata”. Kapërcejmë urën e gjatë prej druri të “Uzun Qepru” dhe hyjmë në pazarin e qytetit, të ngjeshur në këmbët e kështjellës. I lashë atje miqtë e mij dhe duke kapërcyer një terren pothuaj djerrë, shkova në konsullatën e Francës, e cila është në qytetin e ri dhe ku më pret drogmani i zotit Robert, i cili kryen funksionet konsullore në mungesë të zotit Hecquard.

Të nesërmen në mëngjes, bashkë me zotin Robert, shkojmë në vendin që quhet “Kodra”, një kodrinë e këndshme, ku mund të shohësh gjithë peizazhin përreth, një fushë prej 27 legash të gjatë dhe po aq të gjerë, e cila ndjek rrjedhjen e lumit Moraka, liqenin dhe Bunën, e cila shkon e derdhet në det. Në këtë fushë, maja e kodrinës dhe Rozafa krijojnë kështu një lloj vargu të vogël shkëmbor tepër të izoluar… Mali i Cukalit, më meridionali i këtyre majave, lë të duket ajo e çarë e thellë shkëmbore nga rrjedh Drini. “Liria, - ka thënë Chateaubriand, - ka jetuar gjithnjë nëpër male!”… Dhe unë pyes veten se ç’mendon pashai i Shkodrës, nëse i ndodh të shohë nga lartësia e kështjellës së tij drejt atyre “kështjellave” të mrekullueshme e krejt të ndryshëm, që natyra u ka dhënë shqiptarëve të lirë në sajë të privilegjeve e konventave, dhe malazezëve të lirë në sajë të pushkës.

Liqeni është si një napë e shkëlqyeshme, që në perëndim rrethohet nga një e ngritur në ngjyrë gri e ku në thellësi pasqyrohen shkëmbenjtë dhe disa fshatra peshkatarësh. Në agim, fushat e banorëve të Bushatit dhe Hotit zbresin poshtë dhe në verë krijojnë livadhe të këndëshme, por në dimër ato krijojnë një lloj moçali. Këtu ndeshemi me traditën shekullore të brigjeve liqenore si në Greqinë antike, apo vendet moderne të keltëve. Banorët vendas pohojnë se liqeni nuk ka qënë kaq i gjerë dhe se në bregun lindor ekzistonte një fushë me fshatra të vegjël të ngritura në vendin e quajtur “Fusha e pronjve”. Por pas një tërmeti, fusha u zhduk nën ujë dhe pleqtë thonë se kur është verë duken rrënojat e shtëpive të dikurshme dhe pemët e përmbytura në thellësitë e ujrave.” Lejean përmend autorin antik Tite-Live, i cili shkruan për Ilirinë dhe liqenin e Shkodrës, duke pohuar se “Drini i derdhte ujrat e liqenit të Shkodrës drejt detit”. “Siç e dimë, - shkruan ai, - Drini i drejtohet liqenit të Shkodrës, por në një afërsi prej dy kilometrash ai kthen menjëherë drejt jugut, për tu derdhur pranë Lezhës, në det. Duke studjuar fushën e bukur që e quajnë “Fusha e Spahive”, nga maja ku isha, dallova një lum të vogël, i cili nisej nga bërryli i Drinit e derdhej në Kir, lum i cili derdhet në liqen pranë vëndit të peshkimit. Ky lum nuk është i shënuar në asnjë hartë dhe unë mësova se gjatë verës, ai është i thatë, por gjatë dimrit, ai shërben për zbritjen e ujrave të lumit, duke krijuar shpesh një deltë nga përmbytja e ujrave… Pra Tite-Live nuk ka gabuar në thëniet e tij…”

Pasioni për udhëtimet...

Guillaume Lejean ishte një bretonas, nga Bretagne e Francës. Ai kishte lindur në një fshat të vogël, Pleugeat-Guerrand, pranë Morlaix, në 1 shkurt të vitit 1824. Në rininë e tij, atij i pëlqenin udhëtimet dhe ishte kjo kohë kur ai filloi të shkruajë, në fillim në gazetën lokale Echo de Morlaix e më pas në gazetën e njohur të Lamartine-it, Le Pays, (Vëndi). Më vonë ai u bë sekretari personal i Lamartine, çka e afroi atë me botën letraro-shkencore të kohës dhe me historianin e njohur Michelet. Por jetën e tij si gjeograf ai do ta fillojë në Paris, në vitin 1848, që ishte një vit revolucionesh jo vetëm në Paris por dhe në kryeqytetet e mëdha të Evropës. Disa vite ai punoi si gjeograf në revistën e njohur franceze Magasin Pittoresque, ku botoheshin udhëtimet e gjeografëve dhe eksploratorëve më të mëdhenj të asaj kohe. Në fakt, që i ri ai ishte frymëzuar nga udhëtimet e Chateaubriand-it në Orient, në vitin 1806, ku ai përshkruante Venedikun, brigjet e Ilirisë, ishujt grekë dhe vazhdimin e udhëtimit të tij drejt Sinai-t. Lejean mezi priste të ndëmerrte dhe ai udhëtime të tilla. Dhe fati trokiti edhe për të. Prozozimi i tij për të bërë një ekspeditë eksploruese e kartografike drejt Ballkanit ishte aprovuar, por pa shpërblime të veçanta. Dhe ai u nis. Pra, pas udhëtimit të tij në zonën danubiane, ai u nis menjëherë drejt Ballkanit…

Mes malësorëve me muskuj dhe zemër hekuri
Në prag të vjeshtës së vitit 1958, ai kishte mbërritur më së fundi në Shkodër dhe tani duhej të vazhdonte t’i ngjitej vargmaleve veriore shqiptare. “Qëndrova në Shkodër veç për të bërë përgatitjen e udhëtimit tim në brendësi të vëndit. Madje për çështje kohe nuk arrita as të përfitoj nga letrat që do më jepte pashai, siç ndodhi kur isha në Prizeren. Por meqë kisha kërkuar kuaj nga ata të Postës dhe një shoqërues të tyre, u nisa që të bëja këtë udhëtim drejt tribuve të lira të Shtatë Maleve. Miqtë e mij të Shkodrës më shoqëruan deri tek pema e madhe, që në veri shënon skajin e fundmë të qytetit. Kur u ndava me ata, tri kuajt tanë, me hingëllima të çuditëshme, u lëshuan me galop në një fushë shkurresh, të ngjashme si ato në perëndim të Francës. Gjatë rrugës, tutje, ne ndeshim tufa bagëtish të shoqëruar nga barinjtë e tyre me një pamje madhështore, burra me mustaqe me majë, duke tundur pushkën e tyre të përherëshme shqiptare, pushkë që mund ta shikoje dhe në supin e një fëmije trembëdhjetë vjeçar.

Që në hapat e para duket se kemi hyrë në tokën e shqiptarëve të vërtetë, e kësaj race njerëzish me muskuj dhe zemër hekuri.” Grupi i udhëtarëve merr drejtimin e Vrakës, në një zone fushore, plot ujra. Tri orë më vonë ata ndalojnë në Koplik, një zonë me një tribu prej 4500 banorësh, që siç shkruan Lejean, “dikur ka qënë krejt katolike, por tashmë pothuaj gjysma e tyre ka përqafuar islamizmin”. “Eshtë e vërtetë që janë muslimanë tolerantë, sepse e kanë ruajtur përkushtimin e madh për Shën Nikollën dhe Shën Gjergjin, dhe në nderim të tyre, ndezin qirinj. Por Kopliku ka dhe një veçanti tjetër: aty është vendi i pikëtakimit të hajdutëve të kësaj zone dhe që xhandarmëria e Shkodrës nuk kërkon të hyjë në aferet e tyre.”

Një tablo gjakmarrje
Një milje para Koplikut, rruga është e ndërprerë nga një shteg që të çon në liqenin e Rrjollit. Dukje u afruar, ata shohin pesë burra që menjëherë marrin pozicion luftimi. “Kostumi i tyre dhe armët, përbënin një ansambël skulptural që nuk mund të mos e admiroja. Edhe shoqëruesi im, “sovariu” i pa, por jo me admirim. Ai më bëri shenjë dhe u sul galop në drejtim të fshatit duke na lënë pas si mua ashtu dhe shoqëuesin tjetër “suruxhi”. Unë kujtova se ai nxitoi që të arrinte në bujtinë, pra që të shkonim për të ngrënë. Por pas dy-tri minutash, në një kthesë në të djathtë ai ra. Në fakt, ai donte të ishte larg plumbave që mund të qëllonin ata burra. Por në fakt, ata ishin njerëz që kërkonin një gjaks të tyre për tu hakmarrë dhe as që u kishte bërë përshtypje ikja e shpejtë e xhandarit. Ja pse dhe ata vazhuan rrugën qetësisht.”

Mirdita e lirë
Ndërkohë, siç shkruan Lejean, suvariu i tij donte ta largonte mërzinë dhe ia dha me sa fuqi një kënge në kodrinat e Kastratit. Ishte një këngë e bukur shqiptare e zonës së Dibrës, me sa dukej nga vëndi ku kishte lindur ai. Lejean pyet drogmanin e tij dhe menjëherë shënon përmbajtjen e këngës.
“Një përkthim i disa strofave mund të jape idenë e një poezie dashurie te gegët:


“Shebojë mbi gurë
Zemrën ti ma theve
Ti mollëz e vogël e hijshme!

Shebojë plot shkëlqim
Me gjinj më të bardhë se dëbora
Ti mollëz e vogël e hijshme!

Shebojë mbi mana
Jam unë dashnori yt
Ti mollëz e vogël e hijshme!


Grupi i udhëtarëve vazhdoi tu ngjitej kodrinave shkëmbore, duke iu drejtuar gjithnjë maleve. Shumë larg dukej imazhi i “Bjeshkëve të Namuna”, siç i quanin këtu ato bjeshkë malore, mbi 2000 metra. Karvanit i duhet të shkojë drejt Bogës, por hë për hë janë në luginën e Dedajve, siç e quajnë banorët në këtë epokë. “Sipas të dhënave të zotit Visquenel, këtu shpresoj të gjej një karrierë të fosilizuar, por meqë nuk dija gjuhën shqipe, nuk arrita t’i pyetja për këtë banorët e atjeshëm. Por të paktën bëra disa skica mbi luginën, i rrethuar nga malësorët që shikonin të habitur instrumentet e mia. U habita që dylbitë, për këta malsorë nuk ishin diçka e jashtëzakonëshme. Dhe ata ma shpjeguan pse. Kur një shqiptar që qëllohet nga dikush dhe detyrohet t’ia mbathë maleve, ai merr me vete armët, bukë dhe një dylbi, që i ndihmon sytë e tij prej skifteri që të dallojë për së largu, nëse xhandarët apo të afërmit e viktimës së tij po e ndjekin. Zonja F. nga Shkodra, u shqetësua shumë kur duke ikur drejt Mirditës, shoqëruesi i saj e çoi nëpër shtigje të tmerrëshme nga ku nuk kalonin dot xhandarët. Dhe sa herë që në horizont luante diçka, ai shtrihej në tokë, vendoste dylbinë dhe mbushte armën e tij e pastaj kërkonte të dallonte objektin e dyshimit. Eksperienca e kishte mësuar atë zotëri me fustanellë me teknikën e pushkatarëve tanë, të cilët ai i kishte njohur në luftën e Krimesë. Skena vërtet duhet të ketë qënë e rrallë, e çuditëshme e tragjikomike. Por akoma më e habitshme është udhëtimi i asaj gruaje nga Shkodra, Zonja F. (emrin e të cilës ai nuk e shkruan të plotë), e cila donte të shkonte në Mirditën e lirë që i kishte bërë sfidë pushtetit perandorak otoman. Në fakt, Austria, Franca dhe Italia, kishin bërë presion në Stamboll, që Mirdita katolike të vihej në mbrojtjen e Perëndimit dhe të kishte një status të veçantë.

Për Lejean, kjo botë, dhe ky qytetërim ishte i panjohur, ashtu si dhe ligjet e pashkruara të maleve që në njëfarë mënyre luanin rolin e shtetit dhe të së drejtës, edhe pse ende mesjetare. “Po të më pyesin nëse gjakmarrja është e shpeshtë në Shqipëri, do të përgjigjesha nëpërmjet disa shifrave. P.sh. ndryshe nga vrasjet e bëra në Pult nga viti 1854 deri në 1856, dhe ku ato janë mesatarisht 1 për 10 shtëpi, në fshatrat e Nikaj, pas 13 vjetëve, ato kanë arritur në një vrasje për çdo familje. Por kësaj i duhet shtuar dhe lista e pritave, të cilat nuk kanë përfunduar me vrasjen e gjaksit. Kështu ju do ta kuptoni se një gegë shqiptar në moshën 30 vjeçare, është si ai francezi që shkon në sallonet letrare pa shkruar një artikull në jetën e tij.

Në shenjestrën e malësorëve

Biografja e Guillaume Lejean, studjuesja Marie-Terese Lorain, duke shkruar rreth figurës së Lejean dhe udhëtimit të tij nëpër Shqipëri, në librin e saj “Guillaume Lejean, voyageur et géographe”, i referohet dhe një shënimi të mikut të Lejean, historianit Cortambert, i cili shkruante rreth rreziqeve që duhej të përballonte Lejean përballë “një popullsie trime, por mosbesuese, që e mbante gishtin në këmbëzën e pushkës. Tek shikonin atë njeri që ngjiste malet dhe bënte vizatime, shqiptarët bënin gati pushkët, duke e marrë për ndonjë armik që studjonte relievin për t’ua shitur atë austriakëve. Këto fjalë u përhapën nëpër malësi dhe ja ku një ditë, një plumb iu drejtua gjeografit, i cili në fakt s’donte të bënte gjë tjetër veç një hartë gjeografike të këtij vëndi”.

Por Lejean e pranonte rrezikun si një njeri trim që ishte. Në shkrimet e tij të kësaj kohe, ai kishte shkruar: “Dy kodrina ngriheshin thikë në një qafë drejt Gjakovës, duke ma fshehur pamjen përpara. Për habinë e udhërrëfyesve të mij, të cilët më paralajmëronin për rrezikun që më kanosej, nëse një malësor do më shikonte të vetëm nëpër ato gërxhe, duke më qëlluar pas asnjë lloj shpjegimi unë vazhdova. Për shoqëruesit e mij s’kishte ndonjë rëndësi nëse unë vdisja, por nëse më arrinte një fatkeqësi e tillë, në shoqërimin e tyre, sipas ligjit të maleve, ata do duhej të shpaguanin gjakun tim ndaj fqinjëve të tyre, pra të merrnin gjakun e një njeriu që s’kishin asnjë lidhje. Atëherë unë u premtova se s’do të largohesha shumë prej tyre. Por sapo humbja nga sytë e tyre, unë e harroja shpesh premtimin tim. Në fakt, unë e njoh jetën e ashpër dhe duhet t’i marr masat, por kur më kapte demoni i gjeografisë, para atyre peizazheve të mrekullueshme që më shfaqeshin përpara, unë harroja gjithçka.”

Tipi i malsorit
“Në Dedaj, - vazhdon tregimin e tij Lejean, në revistën Le Tour du Monde, (Rreth Botës), - pata fatin të studjoj tipin e malësorit shqiptar, që kushtet e eksperiencës dhe të klimës e kanë bërë të ndryshëm nga shqiptari i qyteteve. Janë më shumë blegtorë dhe shtatlartë, me një profil të dobët e krenar, që aq shumë i kemi parë kur udhëtojmë në Greqi, ku gjaku shqiptar është përzier aq tepër me atë helen. Kostumi i tyre tradicional është xhaketa e kuqe dhe fustanella, ndërsa veshja e tyre më e bukur është zëvëndësuar me tirqe leshi dhe pushkën e hedhur krahëve. Siç e kam shkruar më parë, pushka si të thuash bën pjesë në figurën e shqiptarit të pavarur. Për priftërinjtë katolikë, mbajtja e kësaj arme, ka qënë e ndaluar nga kisha siç e lexojmë këtë dhe në tekstet e G. Hahn. Por këtu mund të shohësh që një prift i mirë që ka shkuar të prehë shpirtin e ndonjërit që po jep shpirt, në kthim e sipër të qëllojë mbi një turk të dyshimtë, i cili nuk i është përgjigjur pyetjes së tij: “Kush është?”… Kurse lidhur me gratë, nëse puna dhe lindjet e njëpasnjëshme i drobisin shpejt, jeta e tyre familjare është e qetë dhe vajzat e reja kanë një bukuri të rrallë, ato kanë gjak të pastër dhe janë të fuqishme.

Sapo kisha hyrë në zonën e Shkrelit, një nga fiset më të rëndësishme të këtyre maleve, e cila përfshin 2500 frymë dhe që ka 600 malësorë gati për luftë. Ne kaluam një pyll shkurresh dhe rramë tek Përroi i Thatë. Një burrë rreth të dyzetave, shtatlartë dhe me një fytyrë shumë të bukur, m’u drejtua me një italishte korrekte. Përfitova nga ky takim i lumtur për të marrë disa informacione të nevojshme. Ishte nga fisi i Shkrelëve dhe nga fshati Zagora. Quhej Shuka dhe çdo pranverë zbriste në brigjet e Shëngjinit, ku fisi i tij kishte kullota, të cilat Osman Pasha i Shkodrës ua kishte lejuar. Ai e kishte mësuar italishten si drogman i kapitenëve dhe tregëtarëve italianë, ose austriakë, që vinin në Shëngjin dhe bënin tregëtinë e leshit të dhënve me malësorët, duke tregëtuar gjithashtu si shkëmbim artikuj të tyre. Ai më ftoi të kaloja për një vizitë te ai në Zagora, duke më siguruar se do të më shoqëronte pastaj gjer në Bogë. E pyeta rreth Përroit të Thatë. Ai më tha se ky përrua sillte ujë një herë në dhjetë vjet, gjatë një apo dy ditëve, atëherë kur në Malin e Mallkuar binin shira të mëdha. Përgjatë dy orëve ne ndoqëm një shteg të tmerrshëm pothuaj lart, në brinjë të Përroit të Thatë, duke u ngjitur drejt veriut. Grykat më të ashpra të Pyrennes-ve në Francë, nuk e japin dot idenë e një peizazhi e një toke të tillë, ku kalkeri, nga veprimet atmosferike, ngrihet nga poshtë me maja të larta, para të cilave kuajt ngurojnë të ecin…

Kur afroi nata, ne pamë që nga lart shtëpitë e shpërndara e të bardha të fshatit Berzela, që është dhe qëndra e këtij fisi. S’kishte gjë më të ëmbël se ajo luginë e vogël, veçanërisht në muajin maj, ku tutje borërat mbulonin ende lartësitë e maleve përreth… Ndërkohë po vështroja këtë peizazh të bukur, kur shoqëruesit e mij u shqetësuan pak. Ata shkëmbyen ca fjalë dhe zbritën nga kuajt. Zbrita dhe unë. Ishim në një thepisje të hatashme. Pesë minuta më vonë, në vijim të Përroit të Thatë, ne pamë urën me gurë, një urë e gjerë prej dy metrash dhe e gjatë katër metra, por pa parmakë. Përroi këtu ishte veç një vijë uji, por thellësia marramendëse nën të ishte e fshehur nga gjelbërimi dhe pemët, si dhe nga mbrëmja që po binte me shpejtësi. Keto bukuri të llahtarëshme janë tepër të zakonëshme në Shqipëri, aq sa njerëzit nuk i përmëndin fare.

Kelmendi heroik

Që andej në Bogë, rruga që ndiqte bregun e majtë të përroit kalonte përmes një vëndi me të mbjella, edhe pse një vënd me një klimë të ftohtë, çka e ka bërë bimësinë të rrallë dhe ku rrushi i egër mungon. Pas dy orëve, ne mbërrijmë në fshatin e Bogës, i cili sipas Boué-s i përket Këlmendit dhe sipas Zef Jubanit, Shalës, fis që gjatë dy shekujve kanë qënë krenari e Shqipërisë katolike dhe tmerri i gjithë perëndimit të perandorisë otomane, që nga Dalmacia e deri tek pashallëku i Andrinopojës. Këta malësorë që u kishin rrezistuar një ushtrie prej 200 mijë ushtarësh, ranë viktimë e përçarjeve të brëndëshme: të internuar në mënyrë masive në Serbi, më pas, malli për vëndlindjen i solli ata sërish, në ato shtëpi të vjetra, duke shpartalluar ata që donin t’i ndalonin. Meqë turqit u lodhën pas tyre, kelmendasit qëndruan në trojet e tyre, por tashmë më të paktë, veç në 4 fshatra me 4.000 banorë gjithsejt.

Në sajë të informacioneve konsullore dhe shpirtit mikpritës të gegëve, unë gjeta një pritje shumë të mirë, për të cilën nuk abuzova, pasi qëndrova aq kohë sa më duhej për studimet e mia topografike. Boga ashtu si dhe Berzela është e vendosur në vëndin e një liqeni të vjetër, të krijuar dikur nga një degëzim i Përroit të Thatë. Lugina ka një pamje tepër interesante, e përbërë nga shtresime të njëpasnjëshme horizontale të tokës. Fshati është i shpërndarë në bregun e djathtë të rrjedhës së ujit. Një kishë ngrihet në bregun tjetër. Kjo vendosje e tokës me shtresime është akoma më e habitëshme se në Piatra të Moldavisë dhe që përbën padyshim një studim tepër interesant për një gjeolog. Pas një ore e gjysmë mbërrita në fillimin e Përroit të Thatë. Do të doja shumë të hyja në grykën e Malit të Mallkuar për të parë që larg, atë pellg të këndshëm që shtrihet tutje si dhe atë safir të vogël që quhet liqeni i Plavës. Por me zemër të thyer, mora rrugën që sapo kisha bërë më parë. Pas Dedaj, ne kaluam nga Përroi i Thatë përmes një ure dërrasash të ngrënë nga krimbat, të cilën e kaluam njëri pas tjetrit, në këmbë, nga frika se mos shëmbej dhe na binin kuajt. Por ura nuk u shëmb dhe duke hipur kuajt sërish dhe shkuar përmes të mbjellave, çka tregonte punën e shqiptarëve. Arritëm në fshatin Zagora, ku na priste një mikpritje e jashtëzakonëshme e gegës tim gjigand, e trimit Shuka. Nuk dua t’i bezdis lexuesit e mij me detajet e mikpritjes së njohur të fshatrave në Orient. Do të thoja vetëm se ata ngritën për mua një shtrat në lëndinë, ku fjeta nën një qiell me yje. Zagora është një fshat shqiptar, por emri i tij sllav, do të thotë “në këmbë të malit”, çka tregon se është një vënd ku në një kohë të largët, mund të thonim menjëherë pas pushtimit turk, gegët kanë përzënë serbët… ”

Sfidë në sofër
Lejean tregon gjithashtu dhe historinë që kishte dëgjuar për këtë fshat nga disa malazezë. Ata thonin se Zagora kishte qënë fshat i tri familjeve të mëdha: Petroviç, Tutoviç dhe Pelaj, me rreth 100 shtëpi. Një ditë, një shqiptar i fshatrave fqinjë, i quajtur Dedali, kishte shkuar të punonte si bari tek një i pasur i tribusë Kuçi. Por atje ai dashurohet me Katia-n, vajzën e tij. Kur i ati i saj e mori vesh, ai i përzuri dhe ata u larguan bashkë me një mushkë drejt malit Veleçik, duke shkuar në këmbë. Dedalia i jepte zemër gruas së tij shtatzënë në atë rrugë të lodhëshme e të gjatë, por mushka u iku dhe Dedalia, duke e kërkuar, desh ra në një humnerë. Por ata gjetën një shpellë të madhe, çka i gëzoi. Dhe ai u vendos aty, në atë vend që malsorët do ta quanin “Shpella e Bagëtive”. Me kalimin e kohës, ai vënd u bë djepi i një prej fiseve më të fuqishme shqiptare.

Kohë më vonë, kur Petroviçët e kuptuan se pranë tyre kishin një familje të madhe e të rrezikshme, ata shkuan të pyesin një plak të mënçur njëqind vjeçar. “Fëmijët e mij, - u tha plaku. - Ja sfida që duhet t’i bëni djemve të Dedalisë, për të ditur nëse duhen patur frikë apo jo. Ftoini ata si miq në një darkë në shtëpi dhe kur të ulen për të ngrëne, tavolinën vendoseni para tyre por disi larg. Nëse ata e afrojnë tavolinën nga vetja, vritini në vënd, pasi janë njerëz paqësorë dhe të ndrojtur. Por nëse ata e zhvendosin tavolinën pa u kujdesur fare për ju, kjo është shenjë se ata janë njerëz te dhunshëm. Atëherë, që atë natë, pa zhurmë, ju duhet të largoheni nga fshati juaj, bashkë me bagëtitë dhe sendet me vlerë, pasi ndryshe ata do tu vrasin dhe do tu kthejnë në bujkrobër. Dhe ata ashtu bënë. Por gjatë darkës, ata panë me dhimbje se djemtë e Dedalisë u ngritën menjëherë me vrull, e terhoqën tavolinën dhe e çuan para atit të tyre. Që atë natë ata u përgatitën dhe të nesërmen u larguan, përveç një familje të Petroviçëve, të cilët sot kanë 38 shtëpi. Kjo racë e dedalive u bë tribuja e Kastratit dhe ka sot 2600 frymë. Të sulmuar nga turqit e Tahir Beut, tregon Lejean, kastratasit shpartalluan ata, duke u tërhequr deri te Përroi i Thatë, që është dhe kufiri i sotëm i kësaj tribuje.

Rruga e kthimit
“Katër orë më pas, kalova sërrish Përroin e Thatë mbi një urë të mirë guri dhe hyra në Shkodër, ku duhej të organizoja udhëtimin tim drejt Malit të Zi. Pa mundim i mora letrat e nevojshme dhe pashai i Shkodrës më vuri në dispozicion një lundër shqiptare (“londra”, e shkruan ai, L.R.) me gjashtë vozitës, të cilët do tu jepnin rremave dhe gjatë dhjetë orëve do të më çonin në Rjeka, në zemër të Malit të Zi. Në konsullatë u shqetësuan disi, meqë kishte një “statu-quo” disi armiqsore midis Turqisë dhe Malit të Zi dhe në kufi pasionet ishin të mëdha. Zoti Jubani më kërkoi të merrja në anije ca malazeze që ishin në Shkodër dhe që prisnin rastin të ktheheshin në malet e tyre. Në fillim menduam se kjo do të ishte mirë, por pastaj e pamë se ishte e panevojshme dhe hoqëm dorë. Jo se cënohej dinjiteti im, duke u mbrojtur nga ca gra, por unë s’duhej të humbisja kohë. Në fakt, kjo mbrojtje femërore është më me efekt se të gjithë firmanët e botës, sepse për malazezët, si për gjithë popujt kalorsiakë, respekti ndaj gruas është detyra e parë e çdo burri me nder. Ai luftëtar që qëllon mbi një grup ku ka ndonjë grua, që nga ai çast nuk ka të drejtë të shpallet hero. Dhe ky është një ligj i shenjtë. Kuçiotët e veriut, kur luftojnë kundër malazezëve, fshihen pas grave të tyre, thonë gojët e këqia, për të qëlluar pa asnjë rrezik.

Në Shqipëri ka një proverb që e tregon mjaft mirë gjëndjen e grave në Orientin evropian. Kjo skenë ka ndodhur në një kafene, ku fliten disa gjuhë:
- Ç’është një grua?- Turku thotë: - Eshtë një robinë! - Shqiptari thotë: - Eshtë një skllave!- Serbi thotë: - Eshtë një shërbyese! -Bullgari thotë: - Eshtë një grua!- Hebreu thotë: - Eshtë një ortake!- Greku thotë : - Eshtë një sovrane! - Madje fjala greke është akoma më shprehëse: “vasiliqi”!
Unë i hipa anijes një mëngjes të bukur gushti. Gjatë orëve të para kisha para sysh atë peizazh të ëmbël e disi monoton. Djathtas, Shkodra nën hijen e Shtatë Maleve që po përhumbte në brymë. Në të majtë, ngriheshin malet e Rumia-s, hijet me majë të të cilëve binin thikë mbi liqen. Fshatrat shqiptare fshiheshin në ijet e atyre maleve, duke formuar zonën e Krajinës, që sllavisht do të thotë “kufi malor”. Më tutje ai sheh dy ishujt binjakë malazezë, Vranjina dhe Lesendra, ku më 1832, pashai i Shkodrës, Reshid Pasha, i cili komandonte Shkodrën, pati idenë tu priste kokat tetë prijësave malazezë që t’i kthente ata ishuj në zotërimet e veta.

Sërish në Paris

Pas udhëtimit të tij në Shqipëri, Lejean u kthye në Paris, ku vazhdoi të punonte për botimin e shënimeve të tij dhe në veçanti për hartimin e hartave, duke u mbështetur njëkohësisht në ato të bëra më parë nga Pouqueville dhe Boué. Megjithatë shumë zona kishin qënë të pashkelura prej tyre, pra që nuk ekzistonin në hartë. Por shpejt, udhëtimet e Lejean do të marrin një drejtim tjetër: kësaj rradhe, drejtimi i tij është Afrika, ku shumë eksploratorë britanikë, francezë, gjermanë, italianë madje dhe amerikanë, i kishin drejtuar sytë andej. Një nga synimet kryesore të këtyre eksploratorëve ishte të zbulonin burimet e Nilit, për të cilat aq shumë luftoi i famshmi Livingston. Pra Lejean u nis drejt Afrikës, në fillim drejt Kajros, Egjiptit, Nilit, e pastaj duke zbritur poshtë drejt Sudanit e Abisinisë. Madje Napoleoni i III, i cili e kishte thirrur në Paris në një audiencë të veçantë, i kishte kërkuar atij që një kujdes të veçantë t’i kushtonte zbulimit të burimeve të Nilit, por kjo padyshim ishte sprova më e vështirë. Në fillim, Guillaume Lejean eksploroi pellgun e Abisinisë, për çka dhe e emëruan konsull të Francës në Massaouah. Por pastaj dhe ai mori rrugën drejt burimeve të Nilit, duke kaluar pengesa të panumurta, sëmundje, madje ra dhe rob i mbretit Theodhoras, të Abisinisë. Por pas pesë vjet qëndrimi në Afrikë, ai filloi të mërzitet në ato shkretëtira të pafund dhe dha dorëheqjen, duke u kthyer në Paris. Tashmë emri i tij ishte i famshëm në rrethet shkencore.

1 Komente

 Artikulli ndonse i gjate, ishte interesant. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).