Shqipni tavolinash 

 

Ka tri ditë që sërish Tirana është mbuluar me çarçafë blu. Kësaj radhe çarçafët nuk flasin për 100-vjetorin e Nënë Terezës nën kujdesin e Kryeministrit, as për hyrjen në NATO të një vendi pa ushtri, as për “Koha për ndryshim” që e thotë një njeri që ka 20 vjet që nuk ndryshon, e as për ndonjë koncert politiko-artistik të Çiljetës.

Kësaj radhe çarçafët blu rrekin të na tregojnë se duke filluar që dje, Vjena na qenka një orë e gjysmë larg, Zyrihu 2 orë larg, Parisi 2 orë, e kështu me radhë gjithë kryeqytetet e tjera të Europës. Si të mos mjaftonte kjo, vijoi edhe një ofertë e Ministrisë së Brendshme, e cila premtonte që për një pagesë ekstra të ta japë pasaportën brenda dy ditësh. Ofertë e turpshme kjo, që më ngjet me ato ofertat e supermarkatave të llojit: “paghi due prendi tre”.

Kjo e jona është qeveria e parë në botë që u tregon shtetasve të vet ikjen si rrugëzgjidhje të halleve të tyre. Është e para midis qeverive, por me thënë të drejtën shqiptarët nuk është e para herë në historinë e tyre që e kërkojnë shpëtimin duke parë jashtë kufijve. Duke marrë jashtë udhët e Italisë, e kërkuam shpëtimin edhe në shekullin XV. Duke ikur e bërë karrierë në Stamboll, e kërkuan udhën e mirëqenies për katër shekuj rresht krerët e këtij vendi në kohë të Turqisë. Për gjysmë shekulli të Enver Hoxhës, sërish duke ikur u përpoqën shqiptarët të rregullojnë jetët e tyre dhe u përpoqën aq shumë, sa Komandanti e ruante kufirin jo nga ata që donin të hynin, por nga ata që donin t’ia mbathnin. Duke ikur u përpoqëm të ndreqim hallet tona edhe në korrik të ‘90-s, edhe në mars të ‘91-shit. Madje edhe në ‘97-n, duke ikur u përpoqëm të gjejmë karar edhe ne që donim të shpëtonim nga Berisha, por edhe Berisha që donte të shpëtonte nga ne. Duke ikur e kërkuan zgjidhjen e hallit të tyre edhe kosovarët dy vjet më pas më ‘99-n dhe duke ikur po vazhdojmë edhe ne në këto ditë nëntori të shekullit XXI. Ndryshimi i vetëm është se kësaj radhe, për herë të parë në historinë tonë, ikja si rrugë shpëtimi po na ofrohet edhe zyrtarisht, dhe për më tepër nga vetë qeveria jonë. Në fakt, popujt mblidhen e i zgjedhin qeveritë që kjo pastaj të na tregojë udhën se si të ndreqim jetën tonë këtu, e jo të na tregojë udhën se si shpëtohet nga hallet duke ikur.

John Keggan thotë se ndryshimi mes popujve të Lindjes dhe atyre të Perëndimit është se perëndimorët përpiqen t’i kalojnë sfidat duke i përballur, ndërsa popujt lindorë duke i shmangur. Ka shkruar një libër të tërë për këtë punë, “Historia e luftës”, ku e shpjegon gjerë e gjatë këtë sjellje themelore që, sipas tij, shërben si vijë ndarëse mes qytetërimeve, ndaj s’është vendi këtu që të përpiqem të përmbledh me pak radhë atë që ai e shtjellon në 400 faqe. Kjo teori e Keggan-it do dilte huq në rastin tonë, se ne i themi vetes perëndimorë, por edhe kjo ka një shpjegim të thjeshtë fare. E cila teori politike, sociale, ekonomike a ushtarake, nuk ka dalë huq kur janë përpjekur ta zbatojnë në Shqipëri?

Kutuzovi, strategu që mundi Napoleonin, thoshte: “Një armiku në ikje, i do ndërtuar një urë argjendi”. Po kështu i bie të kemi një qeveri që e trajton popullin e vet si armik që do ndihmuar t’ia mbathë! Të tilla arsyetime si këto dhe të tjera edhe më të hidhura, më shkonin ndër mënt ndërsa kundroja çarçafët blu që u tregonin shqiptarëve të kamur a të varfër qofshin, se sa pak orë udhëtimi me avion larg është shpëtimi nga qeveria e tyre. Po a do vijë dita që ta kuptojnë shqiptarët e mi, se shpëtimi vjen duke ikur qeveria dhe jo ata vetë?

Është e kotë që në ditë dehjeje si kjo e sotmja, t’u kërkosh njerëzve të arsyetojnë. Të gjithë po i zë ethja të matin distancat nëpër harta, numërojnë orët, presin bileta, prenotojnë avionët, lidhen në telefona me kushërinjtë e periferive të qyteteve të Europës, bëjnë gati valixhet, shesin apartamentet dhe bibliotekat e gjyshërve dhe duan të ikin, të ikin, një orë e më parë. Në fund do të na mbetet në veshë zëri tragjik i Kadri Roshit, tek thërret ndën gunën e Plakut Mere: “Ikni, ikni dhe ju pas të madhit dhe le të këndojë qyqja mbi këtë gërmadhë”.

Ylberi i gjynaheve

Sajmiri, deputeti i partisë sime, doli në konferencë shtypi dhe na kumtoi se edhe Inspektorati i Kontrollit të Pasurive e kishte gjobitur Albana Vokshin dhe Majlinda Bregun për fshehje të pasurisë. Mirë deri këtu, mirëpo ai Inspektorati, kur i rreshtoi të gjobiturit, rreshtoi të parin Dritan Priftin si të tillë.

Po si more Saimir, zure në gojë gjobën për Albanën e Majlindën dhe harrove Dritanin?! Po a e kupton se cili është mesazhi që mori çdo shqiptar nga kjo punë? Bashkohuni me ne që t’u lahen gjynahet. Pikërisht ky është mesazhi të cilin shqiptarët deri tani ia kanë veshur politikës së vjetër të Sali Berishës, ndërsa tani u del edhe në krahun tjetër.

Të njëjtën gjë bëri edhe miku tjetër i imi, Shalësi, i cili i kërkoi Sali Berishës që të shkarkojë ministrin Vasili se qenka i korruptuar. E besoj Shalsin, se s’ia fut kot, por pa më thoni ku është më i keq Vasili nga Ndoka, i cilin qe i korruptuar deri ditën që ishte kundër nesh dhe u bë kampion i demokracisë ditën që u bë me ne?

Shqiptarët dhe socialistët duan nga partia ime tjetër mesazh. Duan mesazhin që “ejani me ne, se tek ne s’kanë vend të korruptuarit”, ndërsa ju u dhatë mesazhin “ejani me ne që t’u lajmë gjynahet”. A mos vallë Partia, që dikur në kohë të Komandantit ishte diell i jetës sonë, tashmë është kthyer në ylber i gjynaheve tona?

Miq të mitë, a jeni të përzierë në punët e atyre që zura ngoje më sipër? Jo, nuk jeni dhe e them me bindje këtë. Po në kulisat e ustallarëve të partisë tuaj e times bashkë, a jeni? Prapë nuk jeni. Atëherë ç’dreqin keni që bëheni vegël që pa hyrë akoma mirë në udhën e gjatë të politikës. Është e vërtetë që pisllëqet fshihen me leckë të pastër, por pas kësaj lecka bëhet pis ama.

Mos harroni se të paktën disa mijëra shqiptarë do t’i lexojnë këto radhë dhe, edhe nëse nuk u kish vajtur mëndja vetë te këto pyetje, tani që jua çova unë duan një përgjigje për këtë punë.

19 Komente

 O Lame nqs ka njeri qe duhet te iki sa me pare nga Shqiperia,ai je ti,as me fshi koridoret e PS nuk te lejon Kryetari.

Ashtu eshte se e ka thene edhe Sheksipri - Te do apo s'te do kryetari, kjo eshte ceshtja - Me duket se e ka thene te "monologu i servilit"

si gjithemone Lame je i drejtperdrejte, i qarte dhe fshikullues. Persa i perket historise me Shalesin, gabimi me i madh i tij qendron se i thote kryehajdutit (frymorit sali) te shkarkoje hajducin. kjo po qe eshte per te qeshur.

 Po ato te tjerat qe tha per partine tende i lexove? Apo ti eliminon automatikisht trruri problemet e Ps-se? smiley

Kutuzovi, strategu që mundi Napoleonin, thoshte: “Një armiku në ikje, i do ndërtuar një urë argjendi”. Po kështu i bie të kemi një qeveri që e trajton popullin e vet si armik që do ndihmuar t’ia mbathë!

Hallall!

Sipas teje prinderit e tu te kane larguar per ne Kanada sepse ishe nje armik i tyre. injorant

 

Ky eshte on crack vallaj!!!! Ne pergjithesi deliri 'arritje madheshtore e qeverise per heqjen e vizave' me duket as me shume e as me pak absurd sesa deliri 'qeveria po i perze njerezit me heqjen e vizave' . Se me kete logjike i bie qe ne gjithe ato shtete ku njerezit levizin lirisht, qeverite po garojne kush t'i perzere qytetaret e vet me pare.

Mbase xhanem ka akoma qe cuditen nga 'erudicioni' i Lames sidomos kur mbledh ne tre paragrafe historine e Shqiperise/rajonit/civilizimit dhe e krip me dy fije Kutuzov duke kaluar nga Keggan me shpresen se tani po qe n'a bindi fare. Lere pastaj ajo kuja e Plakut Mere qe me la pa goje, duke e cuar histerine ne nivelin e nje primadona me sindroma te forta PMS

P.S ky qenka edhe artikull 'bli nje merr dy' se qe nga 'ylberi i gjynaheve' e tutje nuk ka fare lidhje me pjesen e pare.

Jam mese dakort.  Lamja coku shkruan mire, por kete here thjesht ka bere nje reagim histerik duke u munduar te nxjerri dicka qe nuk eshte aty.

Po mirë Kristida, nëse një masë relativisht e madhe shqiptarësh, do ta shfrytëzonin këtë rast të liberalizimit për të ikur, a do i jepje të drejtë Lames?

Gjykimi i Lames, nuk është teorik. Jo çdo qeveri do t'i përzërë shtetasit e vet me lëvizjen e lirë. Po një qeveri që më një anë feston liberalizimin dhe më anë tjetër nuk u siguron shtetasve kushtet minimale të jetesës, atëherë PO, ajo po e bën diçka të tillë. Po u thotë ikni.

 

 Pjesa e pare e artikullit me pelqeu, kish humor te holle ashtu siç di te beje Lamja, veç per pjesen e dyte te artikullit sikur nuk ia kapa fillin muhabetit. 

Ne te dy pjeset Lamja ka pickuar shume bukur. Pjesa e dyte eshte nje mesazh qe i ben shoqerise shqiptare, qe nuk ka si rrezohet hajduti prej hajduteve. 

Kur te pastrohen ata qe duan te marrin fronin atehere "kane te drejte"te behen pis. Ashtu sic jane, qelbur, nuk arrijne dot deri tek froni sepse ua njeh eren ai qe eshte ne fron.

Lexoni sot Lubonjen tek Panorama se ka shkruajtur nje perle.

Cfare eshe kjo injorance keshtu?

Vertet qe Sala e tepron me festime, me menyren se si e kthen ne kapital elektoral nje ngjarje qe, tek e fundit, ndodhi se i erdhi koha dhe jo per merite te tij, por reagimet e ketilla jane shume pa lidhje.

Levizja e lire eshte nje komoditet minimal qe u ka munugar qytetareve shqiptare per shume vjet dhe u ka hapur shume pune. Socialistet e terbuar dhe ciniket e pandreqshem duhet te mbyllin gojen dhe te flasin per ndonje gje tjeter, jo te ironizojne kete gje; aq me teper kur ketyre palacove nuk u ka munguar ndonjehere mundesia qe te levizin lirshem.

Festimet me flamuj blu per heqjen e vizave mund te jene propagande, ama te thuash qe qeveri po largon armiqte e vendit me heqjen e vizave eshte urrejtje e paster. 

Artan Lame eshte nje nder komentatoret e majte qe pelqej me shume dhe e lexoj sistematikisht edhe pse mendoj ndryshe nga ai.Shkrimin e mesiperm e lexova dje ne "Shqip"dhe ndoshta per here te pare me duket se shkrimin nuk e ka shkruar krejt Artani.Nuk e di pse po me ngjan se Artani i vertete eshte ai i pjeses se dyte te shkrimit.

Liri e levizjes nuk do te thote aspak thirrje per te ikur,por te kunderten,rrini te qete ne Shqiperi,perpiquni te jetoni normalisht sepse kur te doni te ikni nuk do te jete e nevojshme te endeni ambasadave por do te mund te levizni te lire si te gjithe qytetaret e Europes.Nuk ka pae ne keto festime te ligjshme te shqiptareve,por edhe te qeverise te shohim gjysmen bosh te gotes ndonese ajo vertet eshte gjysem e mbushur.Une besoj shume pak se ndonje do ta keqperdore liberalizimin sepse te gjithe e kuptojne se do te jene shume gjate te ndeshkuar per kete fakt.

Prandaj nuk eshte aspak normale qe ta prishim kete atmosfere festive per njerezit e thjeshte.

 Ky Artan Lamja eshte nje kokrra llapazanit. Ky kurve e keqe vodhi sa vodhi vete dhe tani vjen e na shkruan shqypni tavolinash.

ai shkrun per qef te vete. ene ata qe e lexojne e lexojne pe qejf te vet. ti as mos e lexo kur ste pelqen. sidoqofte zoti Lame eshte njesh jo primo si puna jote.      smiley

Oranjee, une e shikoj gjithshka vetem nga kendveshtrimi i individit. Dhe per mua pergjigja nuk eshte asnjehere te marresh masa duke kufizuar individin sepse komuniteti nuk ja del dot te zgjidhe problemet ndryshe. Une problemin e kam qe liberalizimi i vizave u arrit shume vone. Te fundit e kavallit. Prandaj me duket delirant xhesti i qeverise qe t'a trumbetoje si arritje. Nga ana tjeter, kush sipas teje duhet te ishte alternativa? Qe shqiptaret te vazhdojne te zvarriten neper sportelet e ambasadave per nje vize? Per mua, kurre.

Kush po e kërkon këtë gjë një herë? Kufizimin e individit? Se unë Lamen, s'po e shoh ta bëjë një gjë të tillë. Lamja thjesht vëren me të drejtë se ka një dispropocionalitet midis gjendjes brenda Shqipërisë, me festimin e të drejtës për të dalë jashtë. Lamja nuk ia hedh fajin komunitetit, ia hedh fajin qeverisë.

Konteksti i shkrimit të Lames është ky: Si mundesh ti qeveri që nuk siguron të drejtat themelore të nënshtetasve të tu, të festosh si arritje tënden, të drejtën e mohuar të shqiptarëve për të lëvizur?

Çfarë gabimi ka në këtë mënyrë të arsyetuari?

Nga ana tjeter, kush sipas teje duhet te ishte alternativa?

Çfarë alternativë?

Në një univers paralel me këtë ku ndodhemi, unë do të doja që qeveria e shtetit tim, të kishte mundësinë për t'i bërë presion Evropës për të patur më shumë të drejta për shtetasit e vet. Tu mbronte interesat, integritetin, prestigjin etj.

Nuk e di nëse ndjeshmëria e absurditetit tek ju, është njësoj si tek mua, po këtu kemi rast të kundërt. Këtu, nuk po ndodh gjë tjetër, veç "të huaj", si evropianët, po i kërkojnë klasës politike shqiptare t'i trajtojë më mirë nënshtetasit e vet(vëllezër ndër të tjera të një fare e gjaku, e prdh të ngjashme). Tu ofrojë demokraci, barazi, të drejta themelore. Të mos i shfrytëzojë si skllevër, të mos u dhunojë votat, pronën etj.

Kjo është çështje Kain-Abeli e dashur Kristida. Si mund të zgjidhet një çështje e tillë?

Oranje, bukuria e debatit eshte ne larmine e opinioneve. Une shkrimin e lexoj si nje akuze se qeveria po i perze njerezit duke i shtyre te ikin. Eshte teza kryesore e ketej shkrimi, ku njerezit barazohen me armikun qe qeveria po do te perzere (Kutuzov et cie). Kjo eshte histeri, per mendimin tim, po aq histeri sa edhe qeveria qe bertet e uleret se kushedi c'beri, kur ne fakt po te kishte qene me kompetente, kjo do ishte arritur ne mesin e viteve '90. Kjo eshte po aq 'arritje' sa te festosh marrjen e diplomes se shkolles se mesme kur gjithe bashkemoshataret   e tu jane duke dale ne pension pas nje karriere te gjate dhe me tre doktoratura. Por dua te shtoj se jam 100% e bindur, se nqs vizat do liberalizoheshin ne kohen kur ne fuqi do ishte opozita, qeveria do mburrej per arritjen po njesoj.

Po ashtu nuk ka fare vend krahasimi me largimin ne kohera te tjera dhe kam besim se Lame eshte aq i lexuar sa te mos e beje kete analogji te gabuar nga moskompetenca.

P.S Mos te kete njeri merak, se po u be problem, i vene prape. Kanadaja per shembull rivuri vjet sistem vizash per Cekine sepse megjithese Cekia eshte pjese e BE ne momentin kur u fut dhe ceket mund te leviznin edhe ne Kanada pa vize si pjestaret  e tjere te BE, ketu u rriten deri ne stratosfere kerkesat per azil nga Cekia. Por une nuk e uroj kurre kete per shqiptaret, boll kane vuajtur sporteleve e ambasadave.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).