Nga albumi i botuar sivjet "Lume lume - Elina Duni Quartet", ka këngnë që vajza e kultivuar në Gjenevë e Bernë, i mban vetëm me vokalin e saj: provë se është ky zë risia më madhe që anët tona kanë ngritur këto vitet e fundit në nivel europian në lëmin e folkut, quajeni po të doni edhe folk-jazz


Pak e çuditshme krejt mbrëmja e ditës së mërkurë, kur ndoqëm në Akademinë e Arteve Elina Dunin në kuartetin me këtë emër dhe albumin "Lume, Lume".


Salla e madhe e mbushur si asnjëherë, kushdo njihet si me interesa për artin në Tiranë ndodhej aty, miku im rezident në ShBA që nuk e kuptonte si s'paguhet asgjë për të hyrë në koncerte në Shqipëri, pastaj dritat që u ndërprenë për 45 minuta dhe askush që nuk iku (duket ngaqë s'thoshte dot: na ktheni paratë tona).


Të gjithë prisnin me një durim që mund të kishte zgjatur edhe 90 minuta, ambasadoren më të re të folkut shqiptar, magjinë e muzikës ballkanase të mbuluar nën tisin e jazzit, që di të hyjë nëpër thellësitë e vendeve tona përmes rrugës së muzikës dhe poezisë.


Më duket se pakkush u zhgënjye në durimin e vet. Këto dy-tri fjalë më mbas po i shkruaj, jo pse dua të përshkruaj ndjesitë që ngjall shkundja e kujtesës së harruar, por ndoshta nga golla që m'u hap që atë mbrëmje dhe shpesh më hapet kur dëgjoj albumin më të fundit të Elinës. Pak, sa pak marrim nga gjithë ajo pasuri që fle, sa shumë di e mund të bëjë vajza tiranase dhe tre instrumentistët e saj të mrekullueshëm zviceranë. Sa shumë do mund të bënin dhe të tjerë.


Do desha që publiku shqiptar ta njihte shumë më tepër muzikën e Elinës dhe që ajo, vajza që iku 10-vjeçare nga Shqipëria, me sa duket qysh atëherë me vendimin për të mos e lënë atë kurrë, t'i kthente nga pasuritë e fjetura ashtu siç di ajo. Sepse në njëfarë mënyre, ikja ka qenë vetëm fizike, duke parë njeriu krijues se ç'dhunti kishte në vete si për muzikën ashtu dhe për fjalën, vendosi të niste udhëtimin e vështirë të kthimit, të një kthimi mes zbulimit, shpluhurosjes, rivlerësimit.


Janë bërë shumë vite, qysh gjatë kohës së studimeve në konservatorin e Bernës në Zvicër, që Elina, vajzë e shkrimtares Besa Myftiu dhe regjisorit Spiro Duni, i është kushtuar përpunimit të këngëve popullore të Ballkanit, në shumicë shqiptare, por të zgjedhura edhe nga Greqia, Bullgaria, Rumania, Turqia etj., të gjitha në një frymë origjinale që e quajnë me një fjalë të përgjithshme jazz. Ndërkaq origjinalitetin e jep në radhë të parë e kryesisht ajo, jazzi herë-herë luan vetëm rolin e atmosferës.


Po marr si shembull edhe vetëm "Këngën e Qamiles" e cila çel albumin e botuar sivjet "Lume lume - Elina Duni Quartet": këtë këngë, vajza e kultivuar në Gjenevë e Bernë e mban nga fillimi në fund vetëm me vokalin e saj: provë se është ky zë risia më madhe që anët tona kanë ngritur këto vitet e fundit në nivel europian në lëmin e folkut, quajeni po të doni edhe folk-jazz. Nganjëherë nuk e kupton mirë raportin e asaj që është mirëfilli folk me mbishtresimet e jazzit.


Sa kërkon në disa këngë që elementet jazz të heshtin, më mirë të mos hyjnë në kthjelltësinë e asaj që ishte, aq habitesh në këngë të tjera që variacionet në arsenalin e kësaj gjinie nuk kanë bërë më tepër me mundësitë që hap ky lloj folku.
Fenomenin, në shpalosjet e tij më të mira, si p.sh. në dy këngët e Isuf Myzyrit (Lule dhe S'paske pasë një pikë mëshire) nuk dua ta përshkruaj me fjalët e mjegullta: magji, mrekulli, dhuratë etj.


Tek e njoh Elinën nga afër, ia di këmbënguljen, ambicien, orët ose ditët pa fund që mund t'i kalojë me një këngë të vetme, në dukje të thjeshtë, jam i sigurt se aty s'ka asgjë të zbritur, divine, mistike.


Është po talenti, sa për fjalën aq dhe për muzikën. Me një aftësi mimetike të pashoq Elina arrin p.sh. të riprodhojë çdo dialekt të Shqipërisë, jo vetëm nga ana fonematike, por edhe me përshtatje personazhi.


Kështu të këndon si një kosovare me asnjë klasë shkollë, ose si një elbasanlli me një jetë të shkuar në sevda anë rrapit të Bezistanit; s'di ta them tamam se ç'ngjyrime janë, por jam i sigurt se, po ta linte ndonjë ditë muzikën, do mund ta nxirrte jetesën fare mirë si një laborator i gjallë i dialekteve dhe zhargoneve autentike të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit.


I lumtur ai linguist që do ta shtinte në dorë! Mund të njoh pak greqisht, megjithatë e them pa ngurrim se në një këngë si "Dhen boro manola mu" (Nuk mundem nënë) nuancat dialektore të greqishtes janë po aq të vërteta sa në këngët shqiptare nga Elbasani, Kolonja, Kosova etj.


E duke qenë që arti i Elinës nuk është thjesht mimetik, është tek e fundit përmbajtja ose fryma e thellë e këngës ajo që përcakton gjithçka. Temat janë të moçme ose të gjithkohshme, artistja ka hapur portat e visareve të Gadishullit jo vetëm si gjeografi por, kryesorja, si përjetësi: Dashuria dhe vdekja mbizotërojnë, e përmbi to malli. Ç'është ky mall? Nuk e di, këtu dorëzohem krejt.


Është pak, shumë pak të thuash se është malli i Elinës për vendin e humbur. Ndoshta malli i saj për fëmininë e bukur me aq njerëz të dashur përreth, te një vend që premtonte aq shumë e pastaj u bë i shëmtuar e i dhunshëm, për t'u lënë një orë e më parë. Malli për gjërat shpirtërore që na ikin sapo kujtojmë se i kemi kapur.


Malli i Isuf Myzyrit për vajzën që fluturoi si flutur, për sytë e zez që mezi hapen, që zënë këndojnë si bilbil por dalin thëllëzë, pa pikë mëshire në një jetë të shkuar me inat. Apo shumë më tepër, malli për botën që është dhe nuk është, se kurrë dot nuk e kapim? Ndaj më duket quhet albumi me fjalën rumune për botë: Lume, Lume.


Të rënda e të vërteta janë fjalët e kësaj kënge: "Kur do të jem ngopur me ty, o botë, kur do jem ngopur me bukën e me ujët - Ndoshta kur të më ngulin gozhdët në tabut, ndoshta kur të më zbresin në varr, kur të mos jem më mbi dhè, botë, botë, motra botë".


Një tjetër këngë ka titullin "Në burg do të vdes" (prej 12 vjetësh dergjem në burg, në burg fle e më dhembin kokallat - M'u thinjën flokët mes katër mureve, në burg do vdes - Kujdesuni për fëmijët, se u rritën pa babë e pa nënë). Kështu janë këngët që zgjedh Elina, të rënda dhe tragjike, ose rrethuar nga dashuria e mollës së ndalueme që rrallë përmbushet.


E thyen nganjëherë me një variacion satirik p.sh. mbi temën "Do marr çiften", ku hyn këndvështrimi modern feminist, me vajza që e kërkojnë burrin "të kamur e kuletëmbushur", por toni kryesor mbetet ai i vendit të humbur, i mallit për pasuritë shpirtërore që vërtet janë aty, por që na duket se i kemi lënë pas dhe i humbëm përgjithmonë.


Tek flasim për këto këngë, dua të vërej se këngët rumune, bullgare, greke etj. në skenat tona sikur nuk arrijnë efektin që arrijnë këngët e ngjashme „pendantet" e tyre shqiptare. Mund të ndjejmë ndonjë përqethje të lehtë kur dëgjojmë përkthimin e Lume, Lume ose të Dhen boro..., por do kishte qenë shumë më e udhës të ishin kënduar në shqip edhe këto këngë.


Pasi këngët e Elinës jetojnë shumë edhe përmes teksteve, është vetë diksioni i saj që të bën ta dëgjosh fjalën me kujdes; por pastaj të duhet të kënaqesh me një përkthim në letër ose paraprijës.


Në një skenë europiane, ku pjesa më e madhe e publikut nuk i njeh gjuhët ballkanike, shqiptimi i disa rrokjeve të pakuptueshme ekzotike shkon me të tërën, në skenën shqiptare nuk shkoka.


Këto janë vërejtje anësore, si për t'i thënë Elinës, paksa me tonin mburravec të njërit që i duket vetja si rojtari i përrallave, që e di se ç'ka akoma në atë sënduk të pafund, eja eja përsëri dhe mos ngurro të eksplorosh më tej, cep më cep të këtij vendi e të këtij Gadishulli që, siç i ka vuajtjet dhe historitë pa cak e pa anë, ashtu ka edhe muzikën

3 Komente

 Pashe nja dy video te kesaj vajzes ne YouTube. Po qe nuk me thane asgje fare! Nuk e kuptoj ku e ka gjetur gjithe kete frymezim Klosi.

 as mua nuk më ka folur shumë elina.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).