Ka qenë një datë e fiksuar me të kuqe në kalendarin e popullit opozitar. “Java e tretë e tetorit”, kështu u emërtua zyrtarisht nga Opozita e Bashkuar, momenti i rifillimit të protestave popullore kundër qeverisë. Një lloj “viti zero” apo Jeruzalemi i rigjetur, për cilindo në këtë vend, që e ka për zemër largimin e Berishës. Ishte mesi i shtatorit, por shumëçka që do të vinte më vonë, do të përgënjeshtronte jo vetëm datën e protestës, por do të “hollonte me ujë” edhe idenë e saj.
Shtyrja e valës së protestave të opozitës, të parashikuara në fundin e muajit të shkuar, ka pasur disa motive mjaft konkrete, e ndoshta edhe disa arsye të tjera më të paqarta. Martesa e Edi Ramës më 24 tetor, ishte, sipas një pjese të komenteve, motivi i parë i fortë për ta shtyrë këtë sezon të ri mitingjesh. “Na premtoi protesta dhe po bën dasëm”, shpreheshin në atë moment jo pak eksponentë të zhgënjyer opozitarë nga partitë e vogla. Gjithsesi, atmosfera paqëtuese që krijoi në opinionin publik lidhja e Ramës me Linda Bashën, bëri që ky spostim date të mos krijonte ndonjë problem të pamenaxhueshëm për kreun e PS brenda koalicionit.
Por qetësia do të prishej vetëm pak orë më vonë, në momentin kur teksa shumë shqiptarë e imagjinonin ende në kostumin e dhëndërrit, Edi Rama u shfaq për habinë e të gjithëve në tryezën elektorale të Berishës. Një lëvizje e cila i nxorri jashtë skeme si aleatët, ashtu edhe bashkëpunëtorët kryesorë të tij në parti. Deklarimet e hapura të Gjinushit e Ngjelës kundër tryezës ishin sinjali i hapur i mosaprovimit prej tyre të kësaj kthese të aleatit të madh.
Përballja e parë publike mes Ramës dhe Berishës ishte në fakt i vetmi element pozitiv që mund të merrej shënim, pas një tryeze ku lajmin e bënë batutat e jo zhvillimet substanciale. Kjo skenë do të përsëritej në një format më të zgjeruar një javë më pas, kur sërish dy liderët politikë do të shkëmbenin akuza publike të ndezura, në një tryezë që lidhej me ish-muzeun e Enver Hoxhës. Ulja e dytë e Ramës në tryezë me Berishën e Topallin për një motiv gjithsesi më të vogël, krahasuar me të parin, dëshmoi jo vetëm se kreu i opozitës nisi t’ia ndjejë shijen përballjeve me personin që e kishte shmangur prej pesë vjetësh, por dha edhe një përshtypje të caktuar, lidhur me mënyrën sesi Edi Rama e koncepton në këto kohë përballjen e pozitës dhe opozitës në këtë vend.
Sot ka zëra brenda opozitës dhe në media, që mendojnë se në marrëdhëniet mes Berishës dhe Ramës ka një zonë gri. Dy vizitat e papritura që kreu i opozitës bëri në selinë e Kuvendit, por edhe një sjellje deri tani e pakuptimtë në disa momente kyç të opozitarizmit të muajve të fundit, e bëjnë të vështirë zbërthimin e këtij sektori pas kuintave të vitrinës politike. Diçka duket megjithatë e qartë, në këtë terren iluziv, plot hije-drita, qëndrime jokoherente dhe lojra taktike: jo gjithçka që shkëlqen është ar! A është kjo sjellje një manovër e caktuar taktike në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale? Apo është një mënyrë për të amortizuar disi lëvizjet e fundit të Metës dhe Nanos? Apo nuk është asnjera prej të dyjave, por thjesht një shfaqje e rradhës e karakterit të paqëndrueshëm të kryetarit të PS? Të kërcënosh në mënyrë ultimative maxhorancën, duke i vënë asaj kushte për t’u rikthyer në Kuvend, e më pas, në seancën e rradhës të shkosh e të zesh vendet në të njëjtën sallë sikur s’ka ndodhur asgjë, kjo është gjithçka përveçse politikë koherente. E kur i gjithi ky balet i çuditshëm luhet në sytë e publikut që sheh e dëgjon, është e imagjinueshme edhe fatura që kjo linjë plot zigzage mund të krijojë me kalimin e kohës tek votuesit e thjeshtë.
Opozita ka përpara një rrugëtim të mbushur me surpriza të frikshme, nga ato që i gjen në tunelet “horror” të një parku lojrash, ku të shfaqen papritur shtriga e mumje me thika në duar. Hetimi i zgjedhjeve të shkuara mbetet një plagë e hapur, që PS beson se ia ka lënë përfundimisht në dorë Berishës. Me to lidhet edhe ecuria e reformës zgjedhore dhe më gjerë, e pjesëmarrjes së opozitës në votimet e majit. Një vendimmarrje e vështirë e komplekse, e cila ngërthehet me një situatë brenda grupit parlamentar, ku hija e dyshimit për kalimin drejt maxhorancës, bie mbi më shumë sesa një deputet. Si të mos mjaftonte kjo, Ramës i duhet të menaxhojë edhe pakënaqësitë e disa prej figurave të vjetra e të reja në parti, që e ndjejnë veten të margjinalizuar në procesin e vendimmarrjes. Një ndjesi gati-gati kolektive, e cila ushqehet në mënyrë të konsiderueshme nga fakti i mos-funksionimit thuajse të plotë dhe prej shumë kohe i disa prej institucioneve të partisë, ndërsa vendimet merren me komunikime telefonike, brenda harkut të pak minutave dhe shpesh, siç qe rasti i tryezës së Berishës, duke shkelur vendimet e mëparshme zyrtare e kolegjiale.
Vjet, kur shumëkush e shihte të largët ditën e rikthimit të opozitës në timonin e situatës politike, gjithçka ngjante e vështirë dhe e pashpresë. Gjatë verës së këtij viti ndodhi e kundërta. Pasi u rrëzua në ligjin për SHISH dhe pasi pa sesi ministrat e deputetët e saj u vunë në pozitën e të akuzuarit nga faktet e dyshimta që dilnin papushim në media, qeveria humbi dukshëm terren, në favor të kundërshtarëve të saj. Ishte dhe është momenti që kjo epërsi e krijuar mbi një kundërshtar që nuk i bon dot votat, as për të hequr një mandat opozitari, të ruhet e forcohet. Përndryshe, Berisha e ka provuar se di të ringrihet edhe nga situata ku e ku më të vështira. Të gjithë e kujtojnë fytyrën e tij prej njeriu të rrënuar, në hyrje të Spitalit Ushtarak, pas tragjedisë së Gërdecit, kur takonte Edi Ramën dhe Erion Braçen. Ai imazh është kurthi më i rrezikshëm për kundërshtarët, të cilët kujtojnë me naivitet se kanë mbaruar punë me Doktorin.
Vrulli i akuzave publike që opozita ndërmori në gusht, kur të gjithë ishin në plazh, ka rënë tani që të gjithë janë në Tiranë dhe kur sezoni politik po kap pikun e tij. Ndoshta ky është edhe një zhvillim fiziologjik i një fenomeni i cili kishte një impakt më të madh në ditët e para, për t’u fashitur gradualisht kur lista e emrave dhe ngjarjeve u bë e gjatë. Megjithatë largimi qoftë dhe i përkohshëm nga perspektiva e protestave, kombinuar me problemet që po lindin brenda forumeve të partisë e grupit parlamentar, po e fusin ngadalë opozitën në një hulli prej nga kujtohej se kishte dalë më në fund. Ngjan sikur PS e ka hedhur tej papritur parzmoren e luftës dhe ka veshur edhe një herë rrobat e pacifizmit.
PS është sërish një pazar i zhurmshëm. Ka qenë e tillë edhe në kohën e Nanos e Metës, ka shumë mundësi të mbetet e tillë edhe pasi Rama të ikur nga posti që mban.
Edi Rama premtonte pas zgjedhjeve të vitit të shkuar, se nuk do t’i bënte më disa nga veprimet e pamatura të asaj kohe. Është një angazhim më shumë i kërkuar nga të tretët dhe nga presioni i rezultatit elektoral, sesa nga bindja e tij e brendshme, e cila është ajo e një politikani që përgjithësisht nuk i pëlqen “të konsultohet me shokët”, siç shprehej në intervistën e fundit për MAPO-n shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Në këtë proces të vështirë vetëndryshimi, i cili duhet të kryhet gjatë garës dhe në dinamikën e ngjarjeve që e rrethojnë, Rama duket se e ka të vështirë të dalë nga lëkura e tij tradicionale. Ai vijon të ngulmojë tek mënyra e tij e të bërit politikë, tek stili i tij defektoz i komunikimit me publikun dhe mbi të gjitha, tek standarti i tij i drejtimit të partisë. Një eksperiment në kuotën e lartë politike ku ndodhet, që duket se vazhdon prej ditës që është ulur në poltronin që mbante para tij Fatos Nano.

 

10 Komente

 Opozita ka përpara një rrugëtim të mbushur me surpriza të frikshme, nga ato që i gjen në tunelet “horror” të një parku lojrash, ku të shfaqen papritur shtriga e mumje me thika në duar.

 

smiley

Me qe grevat  dhe demostratat qe bene ne vere ishin te suksesshme shpresojne se tani ne prag te dimrit te jene tejet te suksesshme.

 S'i fute nje poezi, o mati? Apo s'mjafton per frymezim?

Kam frike se nuk te pelqen ty, si specialist qe je per poezi.

 Me mire se ai specialisti qe t'i pelqente ty dhe qe s'dinte te shkruante shqip, jam, o mati. smiley

 

Eshte me me vlere kur te vleresojen te tjeret se kur vetelavdrohesh si puna jote.

Aj cuna pajtohuni tani se ska lezet. I keni e zyrat ngjitur.

Te tjeret? hahaha, mati... Po mire, eshte e drejta jote t'i quash poezi ato qe shkruan dhe te kesh dike qe te ta lavderon. Thjesht mos degjo c'te thone miqte qe te bejne qejfin kot, se pastaj del si ata te Albania's Got Talent, qe u ka thene halla qe kendojne bukur dhe oburra te dalin ne TV... dhe njerezit shkrihen duke qeshur.

 Casti me emocional i ceremonise ishte kur cifti beri nje fotografi sebashku me vajzen e nuses dhe vellain e dhendrrit Gregorin.deputet i Ps se.

 E kam thene me kohe, se, me Edi Ramen si opozitar, Berisha rri dhe 20 vjet te tjera ne pushtet. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).