Vendet e Europës, të ngërthyer nga deficititet buxhetore,  përballen me një tjetër krizë: atë të thërrmimit të vlerave humane. Rritja e intolerancës përkundrejt muslimanëve është njëra prej këtyre simptomave. Referendumi zviceran që ndaloi ndërtimin e minareve nuk përbën një rast të veçantë: anketat në disa shtete europiane tregojnë se për muslimanët dhe kulturën islame bartet imazh negativ, ndërkaq që ata frymëzojnë frikë dhe dyshim.

Këto paragjykime islamofobe, të kombinuara me qëndrime raciste, drejtohen kryesisht ndaj individëve me origjinë nga Turqia, vendet arabe apo ato të Azisë Jugore. Në plot vende europiane muslimanët me prejardhje nga këto vende janë subjekt diskriminimesh në tregun e punës dhe në sistemin e edukimit. Raporte të ndryshme tregojnë se ata janë shënjestër e preferuar e organeve të policisë, të cilat i detyrojnë t’u nënshtrohen verifikimeve të vazhdueshme të identitetit dhe kontrolleve të imëta. Problemi që ngrihet është i rëndë në këndvështrimin e të drejtave të njeriut.

Gjatë zgjedhjeve të fundit, parti politike ekstremiste fituan terren pas fushatave agresive islamofobe. Inercia apo konfuzioni që, në kushte të tilla, duket se ka kapluar partitë tradicionalisht demokratike, është ende më shqetësuese. Përmes pranimit të kompromiseve të caktuara, paragjykimet banale dhe ksenofobia e hapur kanë fituar një lloj pamjeje legjitimiteti.

Përgjigjja e opinionit publik: të kufizohen liritë fetare të muslimanëve
Kur presidenti gjerman Christian Wulff, gjatë një fjalimi të kohëve të fundit, përkujtoi një realitet të prekshëm, duke pohuar se Islami, ashtu si edhe Krishterimi e Judaizmi, është pjesë e peizazhit kombëtar, fjalët e tij ndezën polemikë. Sipas një gazete, dy të tretat e gjermanëve nuk pajtoheshin me qëndrimin e tij.

Në një anketë më ambicioze, të ndërmarrë nga fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, 58% e të pyeturve mendonin se “të drejtat fetare të muslimanëve në Gjermani duhet të kufizohen seriozisht”. Ndonëse jo fort i qartë, ky pohim mbështet asgjësimin e lirisë fetare për një grup të caktuar, në rastin konkret për muslimanët. Fakti që një përqindje e lartë individësh zgjodhën këtë përgjigje, përbën një shenjë të keqe.

Interesante është se rezultatet e anketës shfaqin një dallim të konsiderueshëm midis krahinave. Në pjesën lindore të vendit, ku përqindja e pranisë muslimane është shumë më e vogël, mbështetja për kufizimin e lirisë fetare të muslimanëve është 76 %. Distanca dhe injoranca duket se shërbejnë për të rritur dyshimet.

Politikanët nuk duhet të lundrojnë mbi dallgën populiste

Dukuria është e përgjithshme: injoranca ushqen paragjykimet. Politikanët, në përgjithësi, kanë dështuar në përballjen e tyre me stereotipet islamofobe. Sigurisht që kjo është bërë më e vështirë pas atentateve terroriste në Nju-Jork, Madrid, Londër, Amsterdam, e po ashtu në Beslan e Moskë. Megjithatë, emocionet e shkaktuara nga këto krime të tmerrshme bënin të domosdoshme përpjekje sistematike për të qartësuar dallimin midis keqbërësve dhe shumicës dërrmuese të muslimanëve. Por përpjekjet për ta bërë këtë dallim kanë qenë të rralla.

Po ashtu, pak i është dhënë një përparësi e mjaftueshme analizimit të faktorëve që shtyjnë persona të caktuar të bien pré e propagandës së urrejtjes kundër muslimanëve. Injoranca, frika dhe frustrimi e shpjegojnë pjesërisht këtë reagim, gjithë sikurse shpjegojnë intolerancën ndaj romëve dhe emigrantëve në përgjithësi. Dihet tashmë se minoritetet shpesh kthehen në valvula shkarkimi për pakënaqësitë e njerëzve që ndihen të anashkaluar dhe të lënë pas dore prej pushtetit. Është e rëndësishme të kuptohet plotësisht kompleksiteti i kësaj dukurie.

Presidenti Wulff  është padyshim në anën e së drejtës: Islami është tashmë pjesë e kulturës sonë. Muslimanët në Europë - rreth 1.6 milion në Britani, 3.8 milionë në Gjermani, 5 milionë në Francë dhe 15-20 milionë në Rusi - kontribuojnë në ekonomitë dhe shoqëritë tona. Ata jetojnë në vendet e tyre. Një shumicë prej tyre kanë lindur në këto vende dhe pjesa më e madhe nuk janë posaçërisht fetarë, dhe një pakicë fare e vogël mund të cilësohen si islamistë.

Intoleranca nuk bën pjesë në vlerat europiane

Në disa vende të Europës grupe të ndryshme muslimanësh kritikohen prej aktorëve politikë se nuk “asimilohen”. Integrimi, ndërkaq, nuk është një proces i njëkahshëm, por një ndërmarrje e bazuar në reciprocicet dhe në mirëkuptim të ndërsjellë. Sektarizmi kundër muslimanëve është kthyer në një pengesë madhore për një marrëdhënie repektueshmërie. Klima islamofobe mund të ketë qenë ndoshta një faktor i cili,  në raste të caktuara, u ka mundësuar ekstremistëve të rekrutojnë të rinj të zemëruar dhe me probleme të pazgjidhura përkatësie.

Në vend të diskutimeve serioze rreth këtyre problemeve, ne hapëm debate për të penalizuar gratë që mbajnë nikab dhe për të ndaluar ngritjen e minareve. Padyshim, nuk janë këto metodat që u japin kuptim vlerave tona europiane.

 

* Thomas Hammarberg është Komisioneri për të Drejtat e Njeriut, një institucion i pavarur, jovendimmarrës pranë Këshillit të Europës, i mandatuar të nxisë ndjeshmërinë dhe respektin për të drejtat e njeriut në 47 shtetet anëtare të këtij Këshilli.

 

8 Komente

i mencuri meson nga pervoja e te tjereve, mesatari nga e kaluara e vet dhe budallai nga asgje. Mendoj se klasa politike europiane, ne kete shkarje frikesuese drejt fashizmit, perfshihet denjesisht ne kategorine e trete. Seriozisht druaj se e ardhmja do te kete supriza te dhimbshme per demokracine. Sa per statistike, ne 1933, viti qe Hitler mori pushtetin, me pak se 50% e gjermaneve mendonin se hebrejve u duhen kufizuar te drejtat.

siç duket, ''sistemi'', ''shoqerite'', kane ''nevoje'' per armik... pas perfundimit te luftes se ftohte, duhej ''gjetur'' nje armik i ri...

Belul. Gjate luftes se ftohte, komunizmi ishte armik real kurse demokracite ishin ne prosperitet. Tani vete fakti qe armiku kerkohet ne rafshin metafizik ( armiku eshte nje besim fetar), me duket se tregon se perendimi ne vend te mbrojtjes se lulezimit nga armiku real, kerkon nje armik i supozuar per t'i rrasur ne dere fajin per renien. Dhe gjate renieve te tilla, lulezojne ekstremistet qe operojne me veset me te ndyra te njeriut. Krenarine (ne jemi me te miret) dhe delegimin e fajit tek te tjeret.

Ne kerkim te hebrenjve te rinj, me duket...Edhe mua sapo lexova statistiken e mbeshtetjes, pikerisht aty me shkoi mendja, t.

Po po, intoleranca nuk ka qene kurre dhe nuk eshte pjese e vlerave europiane. Eshte pjese e antivlerave. Marrosje nga te gjitha palet; si t'u pergjigjesh disave qe ankohen me: "Keta muslimanet nuk duhet te ngrene me asnje sinagoge!" ??? Apo disave qe thone: "Nese ime moter do te guxoje te jetoje si nje europiane une e vras, pasi pastroj shtepine nga nje mbeturine dhe njekohesisht kujdesem per nderin tim dhe nderin e familjes". Zoti Hammarberg thote:

pjesa më e madhe nuk janë posaçërisht fetarë, dhe një pakicë fare e vogël mund të cilësohen si islamistë.

"Mos ki frike nga ky, me tha nje dite nje komshia ime plake, duke me treguar me gisht nje djale me origjine turke, se ky pi e dehet e behet xurxull, nuk eshte nga ata qe besojne...

Le te vazhdojne te hollojne ujin, se mbase shtohet

Une e shoh me perparsi.... per sa kohe qe turqit dhe arabet jetojne ne Europe me moton ...te shtohemi sa me shume  ndermjet emigracionit dhe pjellorise dhe jo deshires per te jetuar jeten individuale sipas mirqenies dhe integrimit qe ofron Europa ... athere nuk mbetet gje tjeter per tu motivuar 640 miljone europiane ..shpypini pisat ...

Kjo percaktohet nga ana tjeter e drejte legjitime e europianeve per te mbrojtur identitetin dhe qyteterimin e tyre....!!! Ne Europe ka dhe shume ateiste ,por nese muslimanet do cenon nje kishe ne qender te qytetit jane keto ateiste qe do revoltoheshin deri ne ekstrem per te mbrojtur qyteterimin dhe jo kristianet  e rregullt besimtare te riteve te kishes ...

Pra kurrsesi nuk kemi te bejme me perplasje fetare te mirefillte po me perlasje qyteterimesh dhe menyre jetese ...Rasti i Shqiperise dhe Bosnjes eshte rast i vecante  ,por konceptualish reconquista vazhdon nder breza ne formen e natyrshmerise  ...THINK DIFFERENT....

http://www.youtube.com/watch?v=DlA7gRdxC7k

Interesante është se rezultatet e anketës shfaqin një dallim të konsiderueshëm midis krahinave. Në pjesën lindore të vendit, ku përqindja e pranisë muslimane është shumë më e vogël, mbështetja për kufizimin e lirisë fetare të muslimanëve është 76 %. Distanca dhe injoranca duket se shërbejnë për të rritur dyshimet.

Me ket paragraf ja ke fut pordhes keq fare o xhaxh

 Ah kriza kriza, i ka shtuar ferkimet. Te shohim si do vene punet. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).