Një nga debatet që e arriti shpejt pikën e vlimit kohët e fundit, ishte letra e Fatos Baxhakut drejtuar gazetarëve televizivë këtu e disa javë më parë pikërisht në “Shqip”. Letra e hapur në substancë ishte një ftesë. Një thirrje që punëtorët e mediave elektronike të nisnin ta shihnin me një sy më kritik veten dhe të bënin një rivlerësim më social në hitparade-t e tyre të përditshme, aty ku përcaktohet se cili lajm ka më tepër interes publik: llafollogjia e rutinës politike apo dramat e përditshme dhe konkrete të qytetarëve.

Ajo që ndodhi në mënyrë masive me letërpërgjigjësit ishte në shumicën e rasteve paraqitja e një rrjeti argumentesh sipas të cilave në teori edhe ata ishin dakord që, po, duhet gjetur një mënyrë për ta çliruar median nga posedimi i demonëve politikë, por se në praktikë gjërat janë ehu sa e sa më të ndërlikuara.

E kotë ta mohosh, një ndjenjë e tillë kapitullimi, është dominuese sot në redaksitë televizive të lajmeve, ato të gazetave dhe në shumë mjedise të tjera që përbëjnë habitatin e gazetarit profesionist. Politika (unë do të shtoja: dhe tregu) ka marrë në dorë frenat e informimit publik, gazetarët e dinë këtë, por përfundimisht s’kanë se si ta prapësojnë këtë që ka ngjarë.

Është e vërtetë që shumica e gazetarëve që njoh, nuk kanë problem fokusimin te problemi në fjalë që mund të përkufizohet edhe fare copë si “pandershmëri profesionale”. Ngërçi në këtë pikë ka të bëjë me thjesht pafuqinë, dorëzimin e në disa raste edhe mungesën vullnetare të dëshirës për t’i mohuar vetes kënaqësitë e vogla që vijnë nga lundrimi në ujëra të pandershme. Për mendimin tim, shumë prej nesh janë edhe vetë bashkëpunëtorë në krimin ndaj ndershmërisë. E rëndësishme është sidoqoftë, jo thjesht ta dish diagnozën e sëmundjes, por të kesh kurajën për ta bërë injeksionin djegës që do ta godiste virusin në zemër pa kërkuar justifikime për veten dhe me një sens kritik tek i cili, po, mund t’i gjejmë përgjigjet e duhura për pyetjet e ngritura.

Njëzetë vjet pas çlirimit nga vargonjtë e kontrollit propagandistik mbi median, çfarë industrie informacioni kemi ngritur këtu në Shqipëri dhe a jemi çliruar vërtet? Kush është “gazetari” në këtë vend dhe çfarë përfaqëson ai? Pse gazetaria sociale dhe ajo hulumtuese po shndërrohet në një zeje përherë e më të rrallë dhe të papreferuar në investimet e organizatave mediatike, teksa zbavitja, teknologjia boshe e thashethemit politik, gazetaria rozë, ajo e llojit “entertainment”, reality show-t, subkultura tok me personazhet dhe nënproduktet e tyre kanë marrë një revansh ofensiv? Në fund të fundit a ka media jonë një mision publik, një identitet shoqëror dhe një rol moral?

E vërtetë, nuk duhet të përqendrohemi te komponentët karakterialë që kanë helmatisur mjedisin mediatik, por është e dobishme të bëjmë edhe një ndalesë të shkurtër në këtë stacion. Sistemi godet dhe bluan në fillim hallkat më të dobëta. Në momente jo thjesht diletantizmi, shumë prej nesh gazetarëve janë thellësisht të kompleksuar nga individët e politikës. Ne habitemi prej tyre, sesi na duken, na ngjajnë si mbinjerëz, u citojmë gjatë gjithë kohës këshilla e mesazhe të dikurshme, u referohemi si “miq”, pasi mendojmë se duke bërë asisoj përfitojmë edhe ne në fiktivitetin e thjeshtësisë sonë, diçka nga ndërlikimi pseudointelektual i politikës. “Isha dje me filan politikan”, apo “siç po bisedoja edhe me filanin”, janë shpesh artifakte të ligjërimit bisedor të shumë gazetarëve që kërkojnë vazhdimisht konfirmim jo edhe aq për profesionalizmin, sesa për rëndësinë e vet. Rëndësi e cila konsiderohet e plotë nëse ka në brendinë e vet një dorë familjaritet me politikën.

Një person mendimi i të cilit s’ka kurrfarë vlere, më ka treguar për një korrespondencë në anglisht (!!!) me Edi Ramën, ku i manifestonte këtij konsideratën nga njëra anë dhe ku nga ana tjetër i reklamonte aftësitë e veta që për momentin përqendroheshin vetëm te njohja e anglishtes. E vërtetë, bëhet fjalë për një pazar shumë të lirë dhe  provincial. Por kjo është arsyeja përse luzma e paskrupullt e politikanëve që s’dinë të bëjnë gjë tjetër në jetë përveçse të manipulojnë njerëz të dobët, gjejnë përherë një derë të hapur në mediat tona. Ata kanë aty depozitat e përbëra nga “të mahniturit” prej tyre, admiruesit gjysmë të gatshëm për t’u manipuluar, si dhe tifozët personalë.

Është normale pastaj të presësh që këta punonjës të informacionit të kenë një përthyerje në atë që konsiderojnë mision të medias. Që të shndërrohen në urrejtës klinikë të qytetarit dhe në mantenuta publike të politikanëve. Që t’u bëjë përshtypje mekanika mimike me tik nervor e Berishës apo ekzibicioni pamor në formë dasme i Ramës. Që këto të fundit t’u duken atyre madje më me peshë në kandar sesa fakti se këta të dy në një partneritet pervers e kanë shpërqendruar mendjen e njerëzve nga problemet e vërteta duke e orientuar te cirku i tyre.

Kur flasim për mision të medias, kemi parasysh një media që e identifikon padrejtësinë në shoqëri, e denoncon atë dhe që ofron edhe ide të reja zhvillimi. Të tre këta përbërës nuk mungojnë në median shqiptare. Ajo që po shkakton shqetësimin e atyre që e vlerësojnë gazetarinë profesioniste, është margjinalizimi dhe tkurrja e këtyre produkteve të medias. E thamë edhe më herët, bota e spektaklit (ku përfshihet edhe spektakli politik) është në mësymje teksa investigimi, raportimi kritik dhe novacioni i ideve është në tërheqje. Dhe kjo është tërheqje jo vetëm nga hapësirat që ato zënë në media, por edhe në cilësi, rëndësi dhe shpeshtësi.

Edicionet informative u kushtojnë si rregull titujt kryesorë teknikaliteteve politike. Stafet e gazetarëve politikë janë më të dendura, më të mirëpaguara dhe më të rëndësishme në këto redaksi. Kjo nuk mund të thuhet për sektorë si ekonomia apo problematika sociale. Informacioni i prodhuar prej tyre është zakonisht në skaljonin e dytë të rëndësisë, departamentet e tyre janë më pak të populluara, pagat e gazetarëve të këtyre sektorëve më të ulëta dhe në raport të drejtë me cilësinë e tyre profesionale.

Për këtë arsye, te publiku lajmi politik shkon i marketuar me pompozitet, i parë në njëmijenjë këndvështrime e drita, i latuar e i depiluar, i kuruar dhe i lustruar. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një anomali që vjen thjesht nga mbivlerësimi artificial që i bëhet nga vetë redaksitë një produkti për të cilin ato kanë shpenzuar shumë për ta realizuar. Publiku duhet të bindet që ta hajë atë ashtu siç i serviret. Kurrë ndonjëherë nuk është provuar e kundërta ndaj kësisoj politika ndihet e vlerësuar dhe në të drejtën e saj që të ushtrojë ndikim mbi mediat dhe redaksitë e saj të informacionit.

Por vini re, kontroll politik në një shoqëri neoliberale si kjo e jona nuk është më thjesht zyrtari partiak që i bie telefonit të gazetarit dhe ai që përgjigjet “urdhëro boss”. Vetëm dikur ishte kontroll politik shndërrimi i gazetës në një fletushkë propagandistike. Sot gjërat kanë ndryshuar.

Jo vetëm spektakël politik në hapësirën që i takon informimit. Të kontrollosh një media, sot do të thotë edhe t’ia mbash asaj duart e zëna me diçka që krijon iluzionin e profesionalizmit. Ta kastrosh atë nga viriliteti denoncues. Ta bësh atë t’i vijë ëmbël nga fitimet që sjell bota e lehtë shumëngjyrëshe e spektaklit rozë dhe të humbasë forcën e vet goditëse.

Në një peizazh të tillë, shpesh politika as që merr mundimin t’i ndyjë më vetë duart, pasi s’ka nevojë: mediat auto-kastrohen. Të lëna në mëshirën e një sistemi ekonomik ku është tregu ai që bën ligjin dhe ku interesi publik presupozohet se e aprovon këtë ligj xhungle, vetë mediat janë kthyer në gjeratore ku thithet dhe zhduket pa lënë gjurmë profesionalizmi dhe shpirti i pavarur i gazetarisë së mirëfilltë.

Stereotipi i gazetarit profesionist hyn në këtë treg mbase edhe me idealizëm, por përballet me një vijë të fortifikuar pamundësish. Me pamundësi për të dalë në rresht të parë dhe për t’u shndërruar në autoritet moral, me pamundësi për të bërë karrierë dhe për t’u zhvilluar profesionalisht, me pamundësi për t’u shpërblyer drejt, gjë që do t’i mundësonte kultivimin e brendshëm, e në thelb me pamundësi për të pasur qoftë edhe kohë fizike për t’iu dedikuar zhvillimit të shijeve, pasioneve dhe një jete dinjitoze.

Sistemi arsimor që përgatit gazetarë, është i detyruar të reagojë në mënyrën e vet përballë kësaj gjendjeje. Departamenti publik i gazetarisë ku dikur përgatiteshin, e pakta, njerëz me mendje të ndarë se do të jetonin me këtë zanat, është investuar në konvertimin e vet drejt një varieteti shqiptar të shkollave neoliberale ku përgatiten gazetarë të nivelit të ulët dhe spin doctor-ë e manipulatorë të opinionit publik të niveleve më të larta.

Por a ka një rrugëdalje nga ky qerthull? Informacioni i drejtë, cilësor dhe i paanshëm, është një shërbim për të cilin shoqëria ka nevojë. Ai është një investim i saj, një arritje e mundimshme e cila në këtë moment ndodhet përpara një rreziku të madh. Atij të shndërrimit të tij në një produkt tregtar në një shoqëri ku tregjet i kontrollon pushteti dhe pushtetin e kontrollojnë tregjet. Informacioni ekziston pavarësisht mediave që janë thjesht vegla të informimit publik, por këto të fundit duket se e kanë të pamundur që në kushtet e një ekonomie të tipit far west si kjo jona, të investohen për ta ruajtur informacionin që emetojnë të paprekur nga interesat e tyre komerciale.

E ndoshta në një situatë si kjo, ai që duhet të ndërhyjë për ta ruajtur të pastër burimin nga ku pi ujë opinioni publik, është vetë publiku. Janë dy pyetjet që qytetari shqiptar i interesuar për të marrë informacion të padeformuar nga interesat politike apo ekonomike duhet t’i bëjë vetes: 1) A do të lejojmë të shndërrohemi në një shoqëri të keqinformuar e cila është automatikisht një shoqëri lehtësisht e sundueshme? 2) A jemi të gatshëm të ushtrojmë presionin e duhur qytetar që paratë që ne shpenzojmë për të pasur një shoqëri demokratike, të investohen vërtet për të ndërtuar një shoqëri demokratike ku informacioni i pavarur është i përfshirë?

Nëse po, le të gjejmë rrugët. Dhe siç thotë një proverb spanjoll: udhëtar, rrugë nuk ka. Rrugët janë bërë duke ecur.

20 Komente

lajmi si ne cdo aspekt eshte kthyer ne produkt konsumi, dhe si i tille i bindet ligjeve te diktuara nga ky..Media nuk ben gje tjeter vecse i servir publikut ate qe ky deshiron te shikoje, nje ambjent te fokusuar te spektakli politik, dhe shkeputje nga real politika apo realiteti..Eshte nje gracke e njohur.. sa me shume spektakel prodhohet, aq me shume e kerkon publiku, eshte i pashmangshem nje trend i tille duke u nisur nga vullneti i lire..

Artikull i qëlluar. Bravo.

 Bukur, me pelqeu. 

 Shume mire shkrimi. Nje nga shembujt me te qarte te zgjedhes se pushtetit mbi median eshte tv klan i drejtuar nga provinciali 24karatesh a.frangaj. Sot psh faqja e klan ka vetem lajme pozitive per S. Berishen e qeverine dhe asnje fjale per raportin negativ te KE per shqiperine. Ti Shamet ke material boll: http://tvklan.tv/

teorikisht shameti mir i ka rradhit fjalet por praktikisht pse nuk i zbatove te korrieri zotrote. pervecse ndryshove strukturen e faqeve te gazetes dhe te vinin pergenjeshtrime cdo dite nga te gjitha insitucionet majtas e djathtas nuk nxore qe ne drite. kur pranon te behesh kryeredaktor ti pranon edhe politiken editoriale qe ndjek gazeta dhe nuk i ke kerkuar pronarit tend te te lejoj te ushtrosh profesion tend te paanshmerise.

Kjo qe shkruan ti ketu, mban ere xhelozi dhe qejfmbetje prej te pushuari nga puna per arsye paaftesie. He fol, te ka hequr gje shameti nga korrieri ty qe ankohesh? Korrieri nen drejtimin sokol shametit do te mbahet mend si nje nga gjetjet me interesante dhe kreative ne boten e mjerushme te shtypit shqiptar. Nuk ka nevoje ta bejme ne vleresimin por e tregojne faktet sesi u transformua ajo gazete nga nje pacavure ne nje rikthim te suksesshem. Si e shpjegon ti qe fill pasi korrierin e moren njerez te tjere ajo degradoi me shpejtesi dhe me duket se tani ka falimentuar fare. Ndersa ajo qe thua se shameti u be I padurueshem dhe pergenjeshtrohej si nga e djathta ashtu dhe nga e majta, mua thjesht me rrit respektin per te. Jo per gje, por besoj se e verteta qendron jashte partive politike.

 Bie dakord, ndonje xhelozi profesionale. Te pakten shameti i shkruan artikujt me emrin e vet.

 jam thjesht nje lexuese e rregullt e shtypit shqiptar..skam lidhje me gazetarine. nese te rrita respektin per shametin ftoje per darke. 

ska si me pushon shameti nga puna kur skam lidhje fare me gazetarin dhe as nuk e njoh personalisht. thjesht me te lexume e te degjume. as sme intereson fare. 

shqiptari ne vend se te merret me problemet merret me "biografite". dhe thote pastaj se eshte antikomunist...

 edhe shameti si pune e shqiptarit si puneme biografine e gazetareve u mor kur thote se gazetaret mburren duke thene se kane miq fil deputet apo filan drejtor. dhe problemi ne kete rast jane pronaret dhe servilet e pronareve qe bejne kompromis per lajmet e gazetes. gazetari ben cti thote kryeredatori se sa per pronar as nuk e di ke ka. fol shamet se i di me mire ti keto... 

vallai s e di, se po me duket problem i brendshem mes teje dhe shametit, do qe mire ta zgjidhnit bashke. po une ne shkrim nuk shoh qe shameti te merret me biografine e ndokujt.

ajo puna e filanit eshte fenomen jo biografi.

 nuk kam asnje problem me shametin madje i respektoja shkrimet e tij te revista.. por pfffffffff

 gazetari ben c'ti thote kryeredaktori

Une per vete gazetar s'kam qene asnjehere, por nuk besoj se ne profesionin tim do veproja gjithmone ashtu sic me thone njerezit me lart. Ka gjithmone mundesi zgjedhjeje. Ky eshte problemi i shumices se shqiptareve. Nuk kane dinjitet dhe i shesin te gjitha besimet, endrrat, shpresat, bindjet  per nje rroge mujore (gjithmone nqs kane patur ndonjehere - me kete nivel te artit, kultures, sportit dhe shkences ne Shqiperi nuk eshte cudi qe shumica e shqiptareve te jene zombi - kufoma te gjalla).

Artikulli me pelqeu, por ne fund ngela si e vene perpara pergjegjesise dhe pa pergjigje. Si zakonisht marredhenia qytetare-institucione eshte si ajo e pules me vezen.

Ja, une si publik kam reaguar duke mos i blere ato gazeta dhe duke mos i pare ato palo lajme dhe ato palo gjyslajme-gjysspektakle.

Sinqerisht, cfare duhet te bej une me shume si publik? 'Raporto lajmin' - si ne CNN? Apo te filloj ndonje zine, a ndonje blog? Po presioni qytetar ne c'forme mund te vije, me protesta? Dhe para kujt? Sepse kjo mua me duket e pamundur ne menyre spontane, pa organizim. Atehere mos e ka Sokoli per nje pjese te caktuar te publikut? Nese po, pse nuk e ka thene?

Nejse, une pak a shume s'quhem, se s'jam me aty. Por e kam per inerci.

Edhe une s'jam aty, po dua te quhem! smiley

Trop, e ka zakon ky shameti te te fuse ne mendime dhe, mire ben se per ate pune paguhet smiley.  E lexova me shume vemendje, packa se pas mesnate.

Rrugeve sot, degjova nje interviste te Günter Grassit, i cili ka botuar librin e tij te fundit dhe fliste sikur (kete sikurin po e shtoj une) pergatitej per te vdekur. Degjohej si i ngopur nga jeta, po fjalia qe me ngeli ne mendje mua (pothuajse amaneti i fundit i tij ) ishte: "Auch wir sind das Volk! Nuk kerkoj asgje me teper se nje popull, qe eshte vete pergjegjes per jeten e tij". E solla kete, sepse edhe ne kete shkrimin, ku trajtohen ne fakt disa ide, perfundimi, kshu si e pertypa une, eshte se, na mungojne njerezit e pergjegjshem, shume me teper sec i mungojne Grassit ne Gjermani smiley

E vlersoj shume perpjekejen e autorit per te mos shkruar brenda mureve te shoqerive paralele qe ka me shumice Shqiperia. S'kam pune fare me gazetaret, po edhe pse ne titull drejtuar atyre, letra besoj se te gjitheve e pacipe na shfaqet smiley

Ajkuna, shume mire, edhe une po te isha gazetare do te doja te shkruaja per njerez te pergjegjshem, te moralshem, te lexuar, kerkues, politikisht aktive, njerez te dobishem per komunitetin, qe degjonin lajmin tim dhe reagonin. Lista deshirash bejme gjithmone. Ceshtja eshte si ta besh te pergjegjshem shqiptarin, si ta edukosh me nje kulture demokratike, si t'i mbushesh mendjen qe te drejtat, perfshire ketu te drejten per informim, duhen kerkuar perdite sepse s'ti fal kush? Dhe kush do ta beje kete edukim? Sepse mungojne figurat dhe modelet, mungojne neper shkolla, mungojne ne jeten kulturore, mungojne ne shtyp, dhe fundja fare modelet demokratike mungojne edhe ne familje. Prandaj apeli ndaj ndergjegjes mendoj se i drejtohet nje minoriteti, kurse ne permasa me te medha bie si guri ne lume.

 “Isha dje me filan politikan”, apo “siç po bisedoja edhe me filanin”, janë shpesh artifakte të ligjërimit bisedor...

Mu kjo me pelqeu nga i gjith ai rrebesh germash dhe artifaktesh . Sikur kena pas dhe ne nji ke PPU qe takonte ministra e te tjera e te tjera smiley

Pse ore nuk mesoni me shkrujt thjesht ? Sado ta ngatrroni llafin dijeni se ne teresi nje artikull ,  cmohet kur ka e e jep "mendim "  , ndersa keto tejpamjet se brendeshmi e se jashtmi ne korsi e ne trendy edhe ne qofte se kane ndonje kuptim mund te kembehen profesionalisht . Dhe qe te japesh mendim duhet ta zoterosh ate per te mos ta komplikuar me llafe te  "MbeDhaJa ". `Ju mjafon vetem spjegimi i iPONIT te Sales per pasaportat ...

Ndryshe nuk e harrini dot Bulo mejtimtarin smiley

Ne na dhemb pikerisht kjo ... Pordhaclleku gazetaresk ! A e rregulloni dot kete .Pa te tjerat do vine dhe mos u beni kaq shpejt rob te mendimit "se pushteti katert zotrie " gje qe nuk eshte e vertete as ketu ku flene mbi MILIARDA botuesit !Kjo eshte e vertete vetem neper filma !

Jeni shume larg gazetarise deri sa i permoret hunjt e Gardhit Gerdecareve dhe asaj qe ben sfilata bukurie ne krye te hetimeve. Jeni shume larg "perpunimit te opinionit " perderi sa i fryni vuvuzeleve per  Berishen qe "eshte i vetmi qe pordhon politike " dhe ne artikujt tuaj ze vend edhe si emer - emri Jozefine "zhelja " smiley

Filluat si me te shtyre e tani ..as Tom Doshi su ben dot fajde smiley ose me thjeshte gazetar eshte dhe Fariu !

   Duhet te mundohi te kerkoni fakte,  per tu bindur si dhe une,  se tek neve sot ka nje infrastrukture te teren, prejte ciles gazetaret "vetefuten" ne rrjeta ngaku nuk mund ta levizin ...b ..bishtin.

  Nga ky aspekt zhvillimor i medjave,  perjetojme ...Siciline e viteve te shkuara.Para disa kohesh, po pinim nje kafe, me nje kryeredaktor  te  nje goxha te perditshmeje.Ne celular i ardhi nje sms.E kendovi dhe  si u nxi pake ma kaloi.E udhezonte nje burre  shteti..."per t`i rene me top" ....nje tjeter burri shteti...

Ne fund e mbyllte me keto fjale".Mos e vono! Dhe do ishte mire, qe para se ta botoshe, ma kalo t`i hedh nje sy.Te perqafoj...

    Zuzari, e pagezova une

 

Dhe siç thotë një proverb spanjoll: udhëtar, rrugë nuk ka. Rrugët janë bërë duke ecur.

kjo me pelqeu me shume se i gjithe artikulli.

por duke e vendosur ne kontekstin aktual, do te thote qe askush ska per te bere gje sepse u mungon guximi....

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).