Është mbrëmje. Jam ulur diku në një vend thuajse të padukshëm në hollin e hotelit ku po qëndroj dhe po përpiqem të gjej një hyrje të këndshme për artikullin e ri. Kam kohë që mendohem, por dembelizmi i pushimeve, me sa duket, më ka kapluar keqazi. Kam menduar disa hyrje: gruaja e mbuluar me rrobat e errëta, prej nga mund të dallohen vetëm sytë, e cila na përshëndet mua dhe miqtë e mi thuajse me një ethshmëri të çuditshme, me një lëvizje të lehtë, të ndrojtur, por edhe të guximshme dore, e cila ende nuk është shuar edhe pasi ne jemi larguar mjaft; së dyti, habia që më kaploi kur pashë se në hotelin ku qëndroj nuk është e punësuar asnjë grua, apo biseda me të riun Atif, i cili me anglishten e tij të rëndë e të kumbueshme thotë se dëshiron të bëhet i fuqishëm, duke nënkuptuar i pasur. E gjithashtu se “vendi i tij nuk do të jetë kurrë një vend më i mirë”. Fjalia e fundit më duket familjare. E kam dëgjuar kushedi sa herë prej të rinjve në vendin tim. Sigurisht, të tria këto hyrje më pëlqejnë mjaft. Megjithatë dëshira për të ngrënë darkë zhvendos në kohë përpjekjen për të vendosur. 

Sigurisht, vendi më i përshtatshëm për të shkruar nuk është restoranti, e aq më tepër në një vend lindor, ku kamerieri, i cili kupton fare pak anglisht, diç të thotë me mirësjellje; sigurisht, e merr me mend se të duhet të mbyllësh kompjuterin portabël. Bindesh për këtë kur ai, për ta bërë sa më të kuptueshme, bën disa shenja, duke vënë në punë duar, pirunë e lugë. Buzëqesh, pohoj. Pasi të largohet, do të vijoj serish të shkruaj. Është e vështirë të mos e bësh këtë teksa të është tiposur në mendje ta përfundosh këtë artikull përpara se të kthehesh në shtëpi. 

Mendohem paksa dhe vendos se nuk më duhet më një hapje, por më duhet ajo për çka e kisha ndarë mendjen të shkruaja. Gruaja në një vend islamik? Kultura e varfërisë, apo Lindja në larminë e saj? 

* * * 

Për vendet e Lindjes kam dëgjuar që herët, sigurisht edhe unë, si shumë fëmijë të tjerë, më ngatërronin pak lindjet e shumta për të cilat dëgjoja: kisha dëgjuar për Lindjen e Largët amerikane, të cilën pashmangshmërisht e përfytyroja nën imazhin e dikujt të ngjashëm me Indiana-Xhonsin, por kisha dëgjuar edhe për Lindjen e Largët për të cilën bënte fjalë “Një mijë e një net”. Më vonë do të dëgjoja edhe për Lindje të kuqe, por edhe për një Lindje ende e më të largët, ndoshta edhe më shumë të kuqe se e para, por tanimë demarkacionet e lindjeve nuk janë më aq turbulluese si më parë. Me mund ato kanë marrë konture reale, të mirëdukshme ose pothuaj të tilla. Më duhet të pranoj se prej shumë kohësh më ka tërhequr vëmendjen Lindja e Mesme, e cila, sipas meje, nuk lejon Lindjen, atë të Largëtën, të ngatërrohet me atë të egrën apo të kuqen. 

Lindja është tërheqëse, qoftë për ndryshueshmërinë nga Perëndimi, qoftë për kulturën dhe zhvillimet e dekadave të fundit, qoftë dhe vetëm për qasjen perëndimorëve ndaj saj, qasje e cila do të duhej të këmbëngulte më tepër në gjërat e përbashkëta sesa në ndryshimet. E në qofshin të pakta të parat, do të bëheshin intriguese, ose në mos të tilla, po aq të domosdoshme e më vlerë sa pikëzat e fundit të parfumit në shishe në krahasim me shishen e mbushur. 

Me Lindjen abuzohet, e jo vetëm sot, por prej shumë herët. Një i krishterë i mirë me siguri do të kujtonte nga mësimet biblike të të dielave në kishë se “Kaini shkoi të jetonte jashtë pranisë së Zotit, në tokën e Nodit, në lindje të Edenit” (Genesis 4:16). 

Sigurisht, Kaini nuk kishte si të jetonte në Perëndim. Ndërsa Lindja sillte Xhenxhis Kanin, Perëndimi predikonte paqen hyjnore. Lindja popullohej nga persët me trupin e tyre të shpuar e zbukuruar me gjithfarë sendesh, ndërsa Perëndimi predikonte demokracinë. Madje edhe kompraçikosët e Hygoit te “Njeriu që qesh” vinin nga Lindja, madje edhe atë vesin e shëmtuar të lënies së fëmijëve në vazo për t’u formësuar pas tyre nga Lindja e kishin marrë. 

Pra, Lindja e Lindjes si një përbindësh i frikshëm, populluar me njerëz që vetëhidhen në erë për hir të një bindjeje të brendshme, apo sido qoftë, nuk është një krijesë e re, por një krijesë e hershme, që snobizmi dhe vaniteti perëndimor e ka ushqyer dhe i ka dhuruar së fundi të tilla përmasa. 

Lindja është e bukur, dhe unë e dua atë. E më vjen keq kur shkrimtarë të cilët i vlerësoj, si Fallaçi, shkruajnë me mllef ndaj saj. E kuptoj se Fallaçi, ndonëse jo e krishtere, vlerësonte shumë më tepër katedralet mbresëlënëse gotike apo artin e rilindjes së Firences së saj sesa hapësirat e pamata e të shkretuara lindore, të zbukuruara aty-këtu me xhami e me palma. Por Lindja nuk është vetëm kaq. 

Lindja është edhe në tempujt madhështorë të ndërtuar në Luksor, në piramidat në Kajro, në kopshtet e Babilonisë, qytetërimet e Eufratit, poemat e Kajamit, tingujt e Omar Khajtatit, numrat arabë, përrallat e “Një mijë e një netve”, parfumet e Bagdadit e shumë e shumë të tjera, të cilat mendja ime shumë njerëzore refuzon t’i kujtojë tani. 

Sigurisht, në terma ekonomikë Lindja është e varfër, shumë e varfër. E kur e cilësoj të tillë, nuk u referohem lagjeve rezidenciale, në të cilat jetojnë ata që varfërinë e kanë shumë larg, e i ruhen thuaj hermetikisht, por banorëve të thjeshtë, një pjesë e të cilëve duhet të jetojnë me diç më shumë se një dollar në ditë. Me të vërtetë çmimi i tanishëm i naftës të krijon përshtypjen e një rajoni të begatë, por ky është një imazh shumë pak i vërtetë. Me ose pa burime lëndësh të djegshme, një pjesë e vendeve duhet të përballen çdo ditë me varfërinë e tejskajshme. 

Por varfëria nuk është i vetmi problem i Lindjes. Është e vërtetë se varfëria është promotori kryesor i gjenerimit të një sërë problemesh, të cilat së bashku ravijëzojnë konturet e kulturës së varfërisë, e cila ndeshet në çdo hap në Lindje: në buzëqeshjet e njerëzve, në gatishmërinë e tyre për të ndihmuar të huajt përkundrejt pagesave, në sensin e tyre krejt të çuditshëm të të tregtuarit, në gjaknxehtësinë e mosbesimin, që e shfaqin dukshëm. E mllefin drejt atyre që drejtojnë për gjendjen. 

Mund të shohësh në këto qytete ndërtesa të ndërtuara me baltë, të gjitha në perspektivë. Në perspektivë ndërtimi. Kati i parë i përfunduar, të mësipërmit të saponisur e të lënë ashtu. Ndërtime të njëjta e të pafundme, të cilat ndërtojnë një imazh të trishtueshëm, i cili më kujton vendin tim. Ndërtimet e dikurshme që mbinin kudo, ashtu si kërpudhat pas një shiu të dendur. 

E me të drejtë një mik imi thotë se ka diçka të ngjashme midis vendit tim dhe atyre të Lindjes. Pasiguria, dëshira për të kapur momentin, sindroma “carpe diem”. Ndërto sot, se nesër nuk i dihet. Merr ç’të mundesh, se nuk i dihet. E ardhmja është e pasigurt e kërcënuese. Çdo çast i paraqitur për të ndërtuar ose për të ardhura të tjera nuk duhet lënë të kalojë. E me të drejtë askush nuk është aty kur të kërcënon një sëmundje apo kur mbetesh i papunë e ndihma ekonomike nuk të vjen në ndihmë për asgjë. Edhe lindorët vuajnë nga dëshira e një popullariteti perifik, të paqëndrueshëm e sipëror, nga shndërrimi i munguar i nënshtetasve në qytetarë, e do të vijoja gjatë, se problemet janë të shumta, por do të doja shumë që Lindja, ashtu siç e njoh e ëndërruar që fëmijë, të mos perëndoje një herë e përgjithmonë. 

14 Komente

legenllek nga permbajtja, trapllek nga forma

Shkrim orientalist shimpazeje*

* shimpazeja eshte frymor qe ka aftesi imitimi pa e kuptuar pse imiton

Po te kishte memedheu kuader ligjor per mbrojtjen e te drejtave te kafsheve, do haje dynjane per fyerje te shimpazeve. Shimpazeja ka rolin e vet te dobishen ne zinxhirin biologjik. Mund te me thuash te lutem dobine biologjike ( se intelektuale s'behet fjale) te autorit te shkrimit?

Autori eshte autore dhe dobia biologjike nuk me intereson shume. E shumta i intereson asaj vete dhe burrit/partnerit te saj smiley

Ne do te duhet te ishim ne gjendje te benim sforcimin intelektual qe mos te flisnim per te ashtuquajturen Lindje, dy te tretat e botes, ne kater paragrafe. Per me teper qe keto shkrimet me lindje-perendim nuk ka llogjike qe ti pertypi. Ja psh pse eshte Amerika ne perendim dhe Kina ne lindje kur Amerika eshte ne lindje te Kines? Pse Greqia konsiderohet qe eshte ne perendim dhe Shqiperia ne lindje kur Shqiperia eshte ne perendim te Greqise? Krijimi i nje bote te imagjinuar na pengon te shohim boten ashtu si eshte dhe kur rizbulojme boten ashtu si eshte besojme se kemi te bejme me nje anomali. Ne s'kemi kuptuar akoma qe bota rrotullohet rreth vetes dhe rreth diellit. Cohu Galile nga varri!

Nuk e kuptoj se si mund te arrish t'ja mbushesh mendjen vetes se ke kompetencen te shkruash per nje gje qe nuk e njeh dhe nuk e kupton, duke e krahasuar me nje tjeter gje qe nuk e njeh dhe nuk e kupton dhe per me teper te japesh gjykime sentenciale bazuar mbi kete injorance. Po ashtu, si mund te kesh kaq pak respekt per kulturen e publikut sa t'a botosh nje budallallek te tille?

WTF

Do kete qene tu thith hashash nga nargjileja kjo kur venosi me hudh mendimet ne kart  smiley 

prape e lexoni ju kte mre ? same music every single timee

aman eri Griselda,se me duket te kam dhe goce te lagjes time e pale boj derman dhe une,  cilin ke mik ke peshku qe ti sjellin me kaq rregullsi shkrimet ?  smiley

 

 

Nuk mora vesh gje.

Pres me interes pjesen e dyte te shkrimit, ate mbi kozmosin, te shkruar ulur mbi ate stolin afer vaskes.

Sa i hidht me kete sygjerim. Mendo se sa kohe do dilem-izohej autorja vetem me intron e nje tematike/skene te tille, le pastaj shqyrtimi, argumentimi e klecka e tjera, pergjithesisht te detyruara ne gazetari.

Asgje per tu shenuar.

Po shtoj dy rreshta per autoren " ne shek XIX , 85% e pasurise se botes, ishte ne lindje ".

Mendohem paksa dhe vendos se nuk më duhet më një hapje, por më duhet ajo për çka e kisha ndarë mendjen të shkruaja. Gruaja në një vend islamik? Kultura e varfërisë, apo Lindja në larminë e saj?
 

Pa te keq, por do ishte me mire te shkruante mbi Kulturen e varferise, apo varferine e kultures, te cilen mund ta perfaqsonte dhe vete..

Mua me dha pershtypjen sikur kjo merr persiper te ngushelloj lindjen, sikur i detyrohet me nje te kuptuar te sforcuar te lindjes, dhe a thua se kjo mund te bej dallime

"Ndërsa Lindja sillte Xhenxhis Kanin, Perëndimi predikonte paqen hyjnore."

Paqen Hyjnore - me shume mundesi do ta kete per paqen qe gjeten shpirtat europiane kur u pastruan ne turren e druve per gati 600 vjet me radhe.

 

Ka pas nji shprehje dikur per ket lloj letyre "Lesh me qime, kadaif". smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).