http://revistamapo.com/img/foto_artikujt/shutterstock_50509759.jpg

Fëmijët e lagjeve rreth ish-pesëmbëdhjetëkatëshit, sot “Tirana International”, organizoheshin në çeta klandestine që këmba-doras aviteshin deri te gardhi i hekurt i hotelit. Pastaj kur bindeshin se roja nuk ishte, kërcenin brenda. Nuk ishin hajdutë e as kërkonin aventura, por shkonin aty për një tjetër qëllim. Objektivi i tyre ishin plehrat që turistët linin nëpër dhomat e hotelit, e që më pas përfundonin në kazanët e vendosur në oborrin e pasmë. Në thelb, ky mision rikonjicioni bëhej për ndonjë ambalazh çokollate, letër çamçakëzi a ndonjë kutiçkë ekzotike që ende ruante aromën e karameleve të Perëndimit. Madje, kishte nga ata fatlumë që një herë – por një herë të vetme ama – kishin hasur edhe ndonjë karamele të vërtetë nëpër plehra, të cilën sigurisht e kishin ngrënë në çast nga frika se mos ua hanin të tjerët. Ishte fundi i regjimit komunist dhe çelja e siparit të pluralizmit të brishtë shqiptar, ndaj europianët në hotel ishin shtuar e bashkë me ta edhe plehrat aq të lakmuara nga kalamajtë. Sepse në atë kohë, plehrat e Europës ishin stoli për shqiptarët.

Brezi i sotëm i fëmijëve nuk koleksionon më ambalazhe, por mjaftohet t’i hajë çokollatat. Por, nepsi për plehrat e Europës në Shqipëri nuk është shuar, ndërkohë që vendi ka një problem të madh me plehrat e tij. Kjo uri e re shqiptare, u materializua kur qeveria dha lejen e importit për një “listë të gjelbër” plehrash, që shkaktoi jo pak trazim në radhët e ambientalistëve dhe shoqërisë civile në tërësi. Akti tërhoqi edhe vëmendjen e opozitës, e cila rendi të përdorë akuza të natyrës kriminale ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave. Ky i fundit në pamje të parë, por edhe pas një vështrimi më të kujdesshëm, është një dokument shumë i thatë dhe pa sqarime të hollësishme, i cili mjaftohet të ndalojë importimin e mbetjeve të rrezikshme dhe të lejojë hyrjen e 55 produkteve të konsideruara si jo të rrezikshme.

VKM-ja në fjalë mban titullin “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, duke shpalosur kështu edhe qëllimin e kësaj mase. Gjithashtu, vendimi i qeverisë thotë edhe se “Mbetjet e lejuara për importim, sipas këtij vendimi, ruhen në vende të posaçme dhe në kushte të përshtatshme magazinimi, brenda territorit ku kryhet veprimtaria e miratuar për përdorimin, përpunimin dhe riciklimin e tyre”. Por vetëm kaq. Asnjë sqarim më shumë dhe krejt vendimi, pa listat e produkteve, është thjesht një faqe A4. Sigurisht, në fund të fletës në fjalë është fraza e zakonshme: “Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”. Kjo do të thotë se do të duhet pak a shumë një muaj kohë që zyrtarisht të lejohet importi i mbetjeve të miratuara dhe makineria shqiptare e riciklimit të fillojë të ushqehet me plehrat e Bashkimit Europian.

Arsyetimi i Kryeministrit Sali Berisha për arsyet e këtij vendimi rreh te mbrojtja e vendit nga plehrat e rrezikshme, te zhvillimi i industrisë së riciklimit në vend dhe sigurisht, te detyrimet e vendit përballë strukturave të Bashkimit Europian, duke përmendur edhe Sekretariatin e Bazelit. Gjithashtu, kreu i qeverisë nuk ngurroi t’i etiketojë kundërshtarët e kësaj nisme si antiglobalistë, marksistë-leninistë modernë dhe të ushqyer nga paratë e mafies për të dëmtuar konkurrencën e bizneseve të ndershme. Ndonëse llagapi i fundit jehon një ndodhi ende të freskët në Vlorë, në fakt, Berisha u referohet organizatave ambientaliste dhe aktorëve të tjerë që nuk e kanë për zemër importin e plehrave.

Më shumë se gjysmë bosh
Një nga aspektet më interesante të avokatisë që Kryeministri i bën biznesit të plehrave lidhet me mahnitjen tradicionale që i kaplon politikanët shqiptarë kur vizitojnë “investime gjigante”. Berisha dha një shembull të tillë, duke treguar për një impiant riciklimi që kish pasur rastin ta vizitojë personalisht e duke shtuar se nuk mund t’i vihej fre investimeve dhe zhvillimit të biznesit. Ndaj, sipas kreut të ekzekutivit, nisma bëhet mbi të gjitha, në emër të biznesit dhe shëndoshjes ekonomike në tërësi. Ky qëndrim në vetvete përbën një argument të fortë në përballjen me frikën e justifikuar të kundërshtarëve të nismës.

Edhe këta të fundit kanë argumentet e tyre, siç ishte rasti kur ish-Kryeministri Fatos Nano – sot i cilësuar nga Berisha si demokrat e reformator i madh – tentoi t’u çelte dyert plehrave të Italisë në mënyrë thuajse jo diskriminuese. Kjo ndodhi që për fat nuk u materializua kurrë falë bashkimit të forcave të të gjithë atyre që nuk i donin plehrat, përfshi Berishën, mjafton të ngrejë një paranojë të fortë mbi çdo nismë që përmban termin “mbetje” brenda. Kjo sepse rreziku ekziston gjithnjë. Ndaj sipas një gjykimi të ftohtë, çështja mund të ndahej si një gotë e mbushur përgjysmë me ujë, të cilën disa e shohin gjysmë plot e të tjerë gjysmë bosh. Por argumentet nuk përfundojnë këtu.

VKM-ja në fjalë është e parakohshme dhe e ndërtuar në ajër, sepse përveç “ruajtes në vende të posaçme dhe në kushte të përshtatshme magazinimi”, nuk sanksionon asgjë tjetër për mbetjet që do të importohen. Nuk sqaron se cilat quhen “kushte të përshtatshme”. Nuk flet për ngritjen e një infrastrukture njerëzore apo teknike, që do të mundësonte një funksionim normal të procesit, si dhe dështon të përcaktojë çfarëdolloj detaji apo rregulli shtesë për transportin, çdoganimin, përpunimin e mbetjeve dhe trajtimin e mbeturinave të mbeturinave.

Ing. Sazan Guri, njeri tepër aktiv i lëvizjeve të gjelbra, thotë për revistën se vendimi i qeverisë, është jo thjesht i parakohshëm, por ka edhe probleme serioze zbatimi. “Një nga dokumentet që i bëhet referencë për këtë çështje është Konventa e Bazelit dhe me ç’duket nga hartimi i kësaj VKM-je, qeveria mund të mos ketë pasur kohë ta lexojë”, thotë Guri. Ai sqaron se në konventën që e ka ratifikuar edhe Shqipëria, thuhet se kalimi i mbetjeve nga një vend në tjetrin mund të bëhet vetëm pas një marrëveshje dypalëshe të shteteve përkatëse. Marrëveshje të tilla nuk ka dhe nëse ekzistojnë, ato janë mbajtur sekret. Varianti i parë do të ishte më fatlum, duke qenë se së fundi qeveria shqiptare ka marrë një çmim nga OKB-ja për transparencën, që është postuar edhe në faqen zyrtare në internet të Këshillit të Ministrave.

Argumenti tjetër që jep inxhinieri lidhet me rrezikshmërinë e mbetjeve: “Është e vërtetë që sipas konvencioneve ndërkombëtare, për të cilat është rënë dakord, këto mbetje klasifikohen si jo të rrezikshme, por nga ana tjetër, ato nuk klasifikohen si të padëmshme”. Në fakt, sipas Gurit, procese si magazinimi apo përpunimi i materialeve të ndryshme, mund ta kthejnë lëndën e parë dhe mbetjet përfundimtare të saj, nga të parrezikshme në të dëmshme, ose dhe të rrezikshme. “Problemi tjetër i madh është se vetë lënda e parë e importuar, në varësi të llojit të mbetjeve, mund të prodhojë një sasi të konsiderueshme mbetjet përfundimtare, të cilat janë të pariciklueshme”, vëren Guri.

Vetë Konventa e Bazelit është shumë e qartë në formulim. Konventa thotë se “çdo shtet ka të drejtën sovrane për të ndaluar hyrjen e mbetjeve të huaja të rrezikshme, po të çfarëdolloj mbetjeje tjetër në territorin e saj”. Ndaj, të paktën një nga argumentimet e dhëna së fundmi se çelja e dyerve ndaj plehrave i detyrohet Bazelit, bie automatikisht poshtë. Gjithashtu, konventa thotë se për të lehtësuar zbatimin e saj, palët duhet të krijojnë një apo më shumë autoritete kompetente, të cilat do të merren në mënyrë të dedikuar me menaxhimin e mbetjeve në fjalë.

Një autoritet i tillë nuk ekziston dhe as është parashikuar të ekzistojë, ndërsa VKM-ja e shumëdiskutuar, ndoshta duhet të kishte qenë pikërisht për këtë qëllim dhe për përcaktimin e kritereve që do ta bënin të zbatueshme çdo masë ligjore që ka të bëjë me mbetjet. Në fakt, ekzistojnë disa hapa tërësisht konvencionalë, sesi administrohen situata të tilla. Kontrollohet çfarë ka hyrë sakaq në vend; bëhet një studim i nevojave të tregut të riciklimit dhe standardeve që përdoren nga industria në fjalë; përpilohet një listë e koduar, shoqëruar me shtojcat përkatëse dhe manualët e trajtimit sipas rastit; lidhen marrëveshjet mes shteteve dhe pas një sërë masash të tjera, përpilohet një VKM, në thelb e ngjashme me aktualen, por shumë më të detajuar. Ndaj në fund të ditës, gota nuk është as gjysmë bosh e as gjysmë plot, sepse çështja nuk shtrohet më në nivele pesimiste apo optimiste të këndvështrimeve, aq më shumë kur ekzistojnë mangësi të qarta dhe rreziqe reale.

Paratë e plehrave
Ndërkohë që diskutohet importi i plehrave nga jashtë, vendi ka probleme serioze me plehrat e veta, të cilat sot për sot riciklohen në mënyrë të paorganizuar. Për trajtimin e plehrave në Shqipëri, nuk është marrë asnjë nismë serioze gjatë gjithë periudhës së tranzicionit e deri më sot, përveç ndërtimit të ndonjë impianti të ri. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë për këtë situatë bie mbi pushtetin lokal, i cili ka dështuar në mënyrë spektakolare për të nisur qoftë edhe nivelin më minimal të ndarjes së mbeturinave dhe trajtimit të tyre më të përshtatshëm, nga plani higjienik dhe nga ai mjedisor. Për të mbështetur riciklimin nuk është bërë asgjë konkrete, ndonëse rreth 60 për qind e mbetjeve urbane dhe industriale në Shqipëri mund të riciklohen (të mblidhen, pastrohen; të kthehen në lëndë të para dhe të futen sërish në cikël prodhimi). Sasia që riciklohet aktualisht është shumë më e vogël nga mundësitë që ofrojnë malet me plehra e, megjithatë, industria e riciklimit në vend qarkullon mbi 150 milionë euro në vit, duke angazhuar mbi 90 firma që operojnë në këtë fushë. Ndërkaq, një sipërmarrje riciklimi e nivelit të lartë llogaritet se qarkullon rreth 10 milionë euro në vit.

Lëndët që riciklohen në Shqipëri janë plastika dhe nënproduktet e saj, plastika “pet” (që përdoret për ambalazhim lëngjesh ushqimore), letra dhe nënproduktet, druri dhe nënproduktet, si dhe metalet. Në vende të tjera riciklohet edhe qelqi, por teknologjia e lartë që nevojitet në ripërpunim, kombinuar me probleme e mangësi teknologjike dhe grumbullimi, e bëjnë të pamundur këtë industri në vendin tonë. Vendi konsumon rreth 1200 ton plastikë në muaj, nga të cilat riciklohen vetëm 180 ton. Pjesa tjetër digjen apo groposen. Një fakt që dihet është që plastika e parë e prodhuar në botë, nuk është dekompozuar ende. Riciklimi i letrës mund të jetë një industri gjigante më vete. Vetëm fabrikat shqiptare të çimentos konsumojnë 500 ton letër në muaj. Mundësitë për të maksimizuar fitmet janë të mëdha, por me kushtet aktuale, lënda e parë (plehrat) kushton më lirë të sillet nga jashtë kufijve, se të përdoret ajo në vend. Ndërkohë, sasitë e mbeturinave në vend do të shtohen dhe shqiptarët do të vazhdojnë të vuajnë nga plehrat.

4 Komente

 Pak i gjate po shume i qarte. plehrat tona "first"

Jo vetem me plehrat por me cdo gje "per biznesin e biznesmenet e hdershem" ai vend e ata njerez duhet te kuptojne qarte nje gje Themelore.

Fitimi nuk do t'ja dije per asnje lloj jete njerezore. Kjo rruge qe po kalon Shqiperia do te shoqerohet me semundje nga me te ndryshmet , kancer e murtaje , kolere e viruse vdekejeprurese nga me masivet . Ndotje te shkalleve me te papergjegjeshme , mungese sigurie e katastrofa te permasave te ndryshme , por me pasoja per jeten . Kete tregon zhvillimi i gjithe botes SOT ...me nje ndryshim fare te vogel .

Nuk u fsheh pas llapaqenizmit , por te q...n...motren gruan e femijet , te zhdukte me fare e me fis , popullsi e rajone te tera ne se dilje kunder. Dhe hap pas hapi pas euforise qe jepte ai "zhvillim" dhe pasurimit qe e shoqeronte linden dhe rregulla te reja qe vleresonin jeten e perbashket. Keshtu u nxiten edhe teknologji e masa mbrojtese qe rrisnin deri ne maximum Mbrojtjen e jetes dhe Ambientit nga ndotjet.

Pra ne thelb ...tonelata gjak e jete dhe tonelata para ne florij , tonelata endrra e jete te prera e te shperfytyruara ne mes ...per nje te ardhme qe koha po thot se eshte e MIRE sot per sot.

Ketu naivet e Shqiperise mendojne dhe i genjejne ( ja perse duhet lincuar Saliu me vuvuzele) sikur Berluskonit dhe te tjereve qe do bien plehra ju plasi bytha per jeten e mjedisin e Shqiperise e Shqipetareve.

Ne keto dy raporte edhe Guri eshte nje teknicien i rendomte ne kete rast qe shpie uje ne mullirin e Berishes. Pavaresisht se "teknicien" keto ceshtje zgjidhen vetem me PERPLASJE ku dikush duhet te thyeje turijte pra dikush duhet te sakrifikohet qe te kuptojme se Bota nuk ka adhur aq lehte ne kete rruge ! Dhe te jene te bindur qe kjo do ndodhe . Urojme qe ti thyeje Berisha me Berluskonin si komike e sharlatanet  dhe si mashtruesit me te medhej te KOHES se Plehrave ! Per keta lloj funderinash e plehrash mos u shpikte kurre metode riciklimi !

 "....Vendi konsumon rreth 1200 ton plastikë në muaj, nga të cilat riciklohen vetëm 180 ton. Pjesa tjetër digjen apo groposen...." 

 

Qe do te thote qe 1000 ton ne muaj = 12 000 ton ne vit, digjen e groposen. Kush pergjigjet per kete. 

+1

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).