Të shumta, të pambarimta janë shkrimet politike ose për politikën në Shqipëri. Shtypi dhe mediat janë të politikanizuara, sepse substancë e tyre kryesore e tregut të opinioneve dhe betejave të ideve është politika. Po cila politikë? Opinionistët (term tejet konvencional) artikulojnë pa referenca ose vizione shkencore shpesh një moskuptimshmëri të frikshme të objektit, sipas nivelit mediokër vetjak, ose të grupit klanor të interesave ekzistenciale. Hiqen, afishohen, pa pikë modestie si “kampionë” të analizës së “pakundërshtueshme”, duke e monopolizuar thashethemnajën e kafeneve për politikën si një Zbulesë gati hyjnore, flasin për gjithçka kur në të vërtetë nuk dinë saktësisht asgjë. Në fakt, ata janë obsesionuar virtualisht nga një politikë virtuale.

E vërteta është që politika shqiptare, 20 vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, është ende virtuale. Është më tepër një politikë retorike e termave dhe jo e substancës, e imazheve frazeologjike dhe spektakolare dhe jo e realitetit.

Të mos harrojmë se gjatë këtyre 20 vjetëve kanë ndodhur shumë ndryshime të mëdha, potencialisht rezultate të lirisë dhe të demokracisë. Demokracia funksionale nuk përcaktohet nga etnia, gjuha, nga kuadri kombëtarist, omfalocentrist, por është dukuri botërore integruese. Ky realitet universal përcakton edhe realitetin shqiptar, i cili përjeton procesin e nuancave, dallimeve, problemeve, vonesat retrograde, nivelin kulturor të politikanëve dhe të publikut. Për shumë arsye, politika shqiptare nuk është shkëputur nga virtualizmi, nga puberteti virtual i politikës. Klasa politike është më e dyzuar nga përvojat vetjake të jetës në totalitarizëm dhe të mbijetesës në demokraci, sepse protagonistët kryesorë dhe më autoritativë jo vetëm e zotërojnë tetarin politik akoma, por ka gjasa ta zotërojnë edhe 10 vjetët e ardhshëm.

Totalitarizmi stalinist shqiptar qe politikë virtuale, që njësonte, identifikonte politikën me propagandën. Kjo dukuri është edhe sot, propaganda mediatike është e pashembullt, torturonjëse, hipnotike, zhurmuese, hutuese, shkatërruese. Në të dy krahët, liderët partiakë paraqiten si mjeshtër virtualë të propagandës virtuale, duke besuar naivisht se ky është thelbi magjik i fitores ose disfatës. Kjo e ka bërë Parlamentin institucionin më publik të propagandave kundërshtuese deri në marrëzi alergjike. Në Parlament nuk flitet gati fare për shqetësimet dhe hallet e elektorateve, por për partitë, jo për miliona zgjedhësit shqiptarë, por vetëm për të zgjedhurit, që janë aq sa mund të përfshihen bashkë në një sallë të vetme. Kjo mangësi konceptuale shpjegon edhe politikën virtuale shkencërisht.

Maks Veberi ka thënë se politika e opinioneve është fasada e politikës së vërtetë dhe se virtualizmi politik nuk i paraprin, por shpesh e fsheh, e mistifikon, e degradon politikën e vërtetë. Gjithashtu forma emërore, titullthirrëse e partive nuk është ekskluzivitet i së vërtetës dhe progresit, por sjell nganjëherë konceptimin mistik të nocioneve shkencore të politikës dhe të vështrimit real filozofik. Në Shqipëri, për 20 vjet, nuk ka një strategji shkencore për ekonomikë të frymëzuar nga partitë dhe politikanët vizionarë, për zhvillimin të partneritetit ekonomik shqiptar me dinjitet në tregun botëror, si një kryeçështje e të gjithëve mbi partitë dhe politikanët. Ekonomia shqiptare është virtuale pikërisht edhe për shkak të politikës virtuale. Ky është korrelacioni historik. Virtualizmi politik është një problem botëror. Analisti britanik, Timothy Garton Ash, para ca kohësh botonte një shkrim në “The Guardian”, duke pasqyruar një dukuri angleze mësimdhënëse edhe për ne shqiptarët që në vend ta mësojmë politikën e profanojmë atë. Ash shkruan: “Harroje retorikën partiake. Distanca ideologjike ndërmjet partive politike britanike është më e vogël se sa ato pranojnë publikisht, parahësimisht më e vogël se ajo që ishte mes Partisë Konservatore të Margaret Thacher-it dhe Partisë Laburiste të Michael Foot-it. Merr sloganin “Big society” (shoqëri e gjerë) të David Cameron-it, për shembull. Në fjalimin e këtij slogani këtë verë ai tha: “Mund ta quani liberalizëm. Mund ta quani fuqizim. Mund ta quani liri. Mund ta quani përgjegjësi. Unë e quaj “shoqëri e gjerë”. Në inkoherencën e tij evangjelike ky është paragraf që do t’i shkonte Tony Blair-it. Liberalizmi, autoriteti, liria dhe përgjegjshmëria janë të gjitha gjëra të mira, por ato nuk janë e njëjta gjë dhe asnjë prej tyre nuk është e barabartë me “shoqërinë e gjerë”. Kjo është si të thuash “Mund ta quash qumësht, mund ta quash djathë. Mund ta quash çorape. Munda ta quash motor me djegie të brendshme. Unë e quaj fasule të ziera. “Kjo do të thotë se virtualizmi politik, frazologjik çon tek elektoralizmi gjithashtu virtual, problema zgjedhore nuk të shpëton detyrimisht, ose mrekullisht nga virtualizmi që subjektivizon verbalisht realitetin e ndërlikuar objektiv.

Politika e vërtetë në Shqipëri duket se ekziston për paradoks jashtë kornizave të partive dhe nuk ka lidhje me fjalimet apokaliptike dhe delirante. Politika e vërtetë është te njerëzit që janë burimi i humanitetit dhe sovranitetit, te hallet e tyre të mëdha, te problemi galopant i papunësisë, i rritjes së taksave të pafundme, te liria e personaliteit me dinjitet dhe jo të poshtëruar, te socialiteti i kërcënuar i lidhjeve njerëzore dhe komunitare, te besimi i lëkundur ndaj së ardhmes për shkak të korrupsionit gati mitik dhe të ligjësuar, te mençuria e shqiptarëve për të përballuar krizat e pashmangshme të së ardhmes, te një emancipik jetik i klasës politike, tek heqja dorë nga iluzionizimi i tejzgjatur dhe nga opinionet postulate, te konsolidimi i institucioneve në substancë demokratike dhe jo të partizuara, ose të privatizuara, te fuqia morale e edukimit shkencor dhe human, te politika e vërtetë e njerëzve të vërtetë dhe jo e personaliteteve mediokër, por ama shumë mediatikë, d.m.th virtualë

Kjo do të thotë që jeta të mos jetë e politikanizuar, por politika të jetë identitet i zhvillimit, identitetit dhe mrekullisë së jetës njerëzore.

2 Komente

E vërteta është që politika shqiptare, 20 vjet mbas rënies së Murit të Berlinit, është ende virtuale. Është më tepër një politikë retorike e termave dhe jo e substancës, e imazheve frazeologjike dhe spektakolare dhe jo e realitetit.
ndoshta e vërtetë , ndoshta e pavërtetë.
 

Nëse kjo më lart do të ishte e vërtetë, do te duhej te thonim shyqyr, se me atë mungese edukimi e tradite ne politikberje (jo per fajin e vet) kushedi ç,vendime do te merreshin.

Por me ngjan si e parvetete, sepse me duket se politika shqiptare ka qene substanciale dhe vendimtare ne çdo aspekt te jetes. i referohem faktit se figurat politike jane ricikluar vazhdimisht nga pozitat (postet) ligjberese, ne ato ligjzbatuese dhe anasjelltas. me fjale te tjera, i kane provuar te gjitha pushtetet dhe afermendsh qe disa nga keto pushtete edhe i kane ushtruar.

nejse, mbase jam i çik vesveseli, po jam vel me ket dubëltegelin: Max Weber tha...

Nese ky: "Kjo do të thotë që jeta të mos jetë e politikanizuar, por politika të jetë identitet i zhvillimit, identitetit dhe mrekullisë së jetës njerëzore" ishte thelbi, nuk e kapa dot, mbase ngaqë është e premte. Paçi fat ju te tjeret. smiley

Unë gjithmone i kam dhene 5 yje moikomit, por sot thashe, pa ta lexoj i herë... smiley

Nuk di ne mund te gjendet term me i pasakte se "virtuale" per politiken e sotme shqiptare. Virusale ndoshta po. Eshte virus qe po na asfikson, po na dhunon, po na varferon. S'eshte kursesi virtuale, eshte fizike, bile dhune fizike.

Po kur do te besh ekspertin per gjithshka si Moikomi, helbete qe do stonosh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).