alb001.jpg

Dora-dorës që zbritet drejt jugut, fizionomia shqiptare shprishet nën ndikimin helen. Veriu vjen i prerë qartë në kufijtë e tij. Gjeografia i ka dhënë vendit një vijë Maginot prej muresh të mëdha bjeshkore, nën mbrurojën e të cilave raca, gjuha, doket janë ruajtur të pacenuara: dy popuj, shqiptari dhe sllavi, thellësisht të pangjashëm, të papajtueshëm, rrinë njëri përkëndej, tjetri përandej barrikadës. Dhe nëse kanë ndodhur dyndalla për të skajuar kufijtë, këto e kanë zënë fillin te përderdhja e shqiptarëve në troje serbe, jo anasjelltas: si në trevën e Kosovës, dhe paksa në gjithë brezin kufitar veri-verilindor. Por as këto dyndalla nuk kanë prodhuar shkrirje dhe përzierje gjaku. Pakicat shqiptare në truall serb kanë mbetur shqiptare. Kjo vjen nga temperamenti i dy popujve, nga një krenari e tyre racore e natyshme: serbë dhe malësorë i japin rëndësi çdonjëri qenies së vet, nuk janë të shkrishëm njëri te tjetri, nuk kolonizojnë njëri-tjetrin, nuk përthithin njëri-tjetrin. Të dyja botët mbeten të ndryshme dhe, në shumë raste, armiqësore. 
 

E kundërta ndodh drejt jugut: tosku, më pak i qëndrueshëm si ndërgjegje raciale, ndodhet në takim, pa zgjidhje gjeografike vijimësie, me atë jargëtyrë të mirëfilltë shpërbërëse që është Greqia. Bota helene është përshkuese e asimiluese. Për nga shenjat gjithnjë më të dallueshme dhe më fort të mbresuara, Greqinë fillon ta nuhasësh nga Tirana e poshtë. E ndërkallur me gjuhën dhe kishën, ajo tërheq fuqishëm dhe – të vihet re – duke punuar së brendshmi: grekët e Shqipërisë nuk janë grekë që banojnë në Shqipëri, por shqiptarë që priren nga Greqia. Nga ana racore, ata janë shqiptarë. Shqiptarë nga ana racore janë dhe një pjesë e mirë e popullsive që banojnë Epirin, ndërsa kufiri gjeografik në përgjithësi është, edhe në jug edhe në juglindje, më në jug dhe më në juglindje se kufiri politik.

* * *

Ky jug është më i evoluar dhe më pak i thukët. Dallimet e para që të bien në sy janë se njerëzit, nga Shkumbini e poshtë, nuk mbajnë xhamadanin e zi si përzitje për Skënderbeun, nuk vishen me pantallonat karakteristike me këmbë leshi të bardha e shoka të zes dhe nuk janë të armatosur. Gega, gjithnjë në rrezik të gjakmarrjes, heq dorë prej këpucëve, por jo prej pushkës së tij; tosku, njeri i komfortit dhe i dhënë më fort mbas finokërisë se mbas dhunës, parapëlqen këpucët. Kanuni këtu nuk është në fuqi, sepse kanë rënë organizimi social dhe e drejta dokesore që e përligjin. Fisi nuk është i ngurtë e i rrasët, por zgjerohet në trajtë klientele, në të cilën marrëdhëniet e punëve tregtore zotërojnë mbi ato të gjakut. Zë fill kështu latifondi. Këto fise quhen farë dhe në to përzihen të krishterë e muslimanë. Një shoqërueshmëri më e gjerë, porse një mikpritje më pak aristokratike, i dallon, si dhe një shpirt tregtar që i qëndron përkundër shpirtit kalorësiak të veriut.

* * *

Brezi bregdetar në fillim nuk ndryshon kushedi çfarë prej atij veriorit. Nga ana panoramike të dyja peizazhet janë thuajse të njëjta: janë thesaret lënë djerrë dhe vdekjeprurëse të Shqipërisë. Është një fushë e pabesë: të josh me pjellorinë e saj dhe të vret me ethet e saj. Kush vjen këtu, shndërrohet në takim me këtë tokë të begatë e tradhtare. Në veri blegtorët luftëtarë të rënë nga malet janë bërë aty katundarë paqësorë; kanë humbur në fuqi fizike dhe kanë fituar në mendjemprehtësi. Ky shtegtim i mundimshëm filloi pikërisht në veri, aty nga mesi i shekullit të kaluar, me një mërgatë disa fisesh të Kelmendit dhe të Shkrelit drejt grykëderdhjeve të Matit. Qe një orvatje e druajtur që, e pambështetur prej një qeverie, u ndal aty. Por ata pionierë, d.m.th. ata prej atyre pionierëve që ia dolën t’u mbijetonin rreziqeve të malarjes, përbëjnë proletariatin më të pasur ose, në daçi, më të varfër të Shqipërisë. Veprimtaria e tyre për të shpëtuar tokën nga moçali është e kufizuar në hapësirë dhe fillestare për nga mënyrat e përdoruara. Por, me sakrifica të pandërprera, rezultate u mbërritën, rezultate që provojnë dy të vërteta: njëri, se toka është e bonifikueshme; tjetri, se shqiptarët mund të bëhen bujq mjaft të mirë.
 

Afërmendsh, përderisa do t’u lihet në dorë fiseve, përfundime të mëdha nuk kanë për t’u mbërritur: fisi është një organizëm veçantor dhe egoist, punon në emër dhe në kufijtë e interesave të vet, jo në emrin e përgjithshëm të kombit, dhe me forcat e veta, që janë gjithnjë të kufizuara. Së këndejmi mungesa e rrugëve mes një qendre të banuar dhe një tjetre. Së këndejmi shtegtimi stinor, shtegtimi karakteristik dhe piktoresk: si vërshimi i një përroi zoologjik prej maleve në det dhe ngjitja së rishti prej detit në male. 
 

Këtu, në jug, ndeshen fshatra të pabanuar për gjashtë muaj të vitit, nekropole të heshtura vendosur shkallë-shkallë përgjatë bregut nga Buna në Vjosë, si kthina të mbyllura, çdonjëra me lumin e vet në mes dhe me gjirin e vet në trajtë gjysmëhëne prej dherishteje të sfungjertë ku pykëzohet deti: Labeatida e Drinit, Bregmatja e Matit, Ruskolli i Erzenit, Myzeqeja mes Shkumbinit, Semanit dhe Vjosës.
 

Kjo e fundit është e pamatë, e gjatë gjashtëdhjetë dhe e gjerë deri në pesëdhjetë kilometra, e shtrirë sa të ha syri rrëzë Tomorit legjendear, Olimpit shqiptar. Ka qenë një nga hambarët e Romës, një nga më të rëndësishmit, i caktuar për të nozualluar ushtritë që vepronin në Ilirik. E hapur si erashkë mes Durrësi dhe Vlore, ajo mund të gëzonte nesër, e bonifikuar, një gjendje të privilegjuar për tregtinë e saj jo vetëm në grurë, por edhe në oriz, kërp, pambuk, li. Braktisja e kësaj zone ka qenë, mes të shumtave, më kriminalja e moskujdesive osmane. Pamja që tani ofron kjo fushë e pamatë është e trishtueshme: e plogët, e njëtrajtshme, me stome të ulëta, e zhveshur bimësie, e tortuaruar nga shirat, e sfungjertë, në hjekë e sipër. Njerëzit që banojnë aty, të shkurajuar nga malarja e nga moçali, fizikisht të rrezikuar, nuk nxjerrin soje, nga pikëpamja bujqësore, pos se të njëmijtën e çfarë do të mund të nxirrej. Prona e madhe e tokës sundon sovrane; vetëm në pjesën më jugore një grup aroman argatësh, më veprimtar e më sipërmarrës, ia ka dalë t’ua shkëpusë ndonjë copë toke pronarëve të mëdhenj edhe të ngrejë aty bërthamat e para të një çifliku të vogël me mbarështim të drejtpërdrejtë që përbëjnë modelin që do të duhet të ndjekë pashmangësisht reforma e domosdoshme agrare. Por kushtet e punëtorëve që nuk kanë mundur të evoluojnë në këtë nivel mbeten të mjera; do banesa më mjerane se tukulë abisinas, kasolle balte të hapërdara e të veçuara njëra nga tjetra prej rërnash të lëvizshme shkretëtire. Dhe, mbi këtë pikëllim, pikëllimi i një qielli të ulët e me shira që mbruan tokën për ta përgatitur më mirë për tharmëtimin e mjazmave. 
 

Gjatë përshkimit nga veriu në jug të kësaj ikjeje të rrafshtë fushash nuk gjen qytet, përpos Fierit, që tekefundit nuk është qytet, por vetëm një fshat më i evoluar për shkak të nyjës rrugore të cilës i ka hipur kaluarthi. Në Fier në të vërtetë rruga e karrocave bigëzohet: nga e majta shkohet në Berat, nga e djathta shkohet në Vlorë.

Berati është një imitim i bardhë Betleemi.
I parë së largti, të duket qytet kartoni, si do të mund ta ndërtonte një Walt Disney që të kishte zëvendësuar gjeometrinë me poezinë. Shtëpitë, të gjitha të bardha me grila të gjelbra (ndikimi grek fillon), vijnë njëra mbi tjetrën, në garë se cila të mbërrijë më parë majë një shkëmbi të tharë që rryma e fuqishme e Osumit e ka çarë më dysh. Të shfaqet papritmas, ndërsa vjen nga Fieri, në kthesën e rrugës, aty ku rrafshultës së Myzeqesë i ziret fryma në hinkën e kësaj gryke që i pllakos përsipër për ta prerë drejtazi si gijotinë. Një Urë e Vjetër pa Cellininii bashkon dy lagjet e qytetit të ulët. Por mandej vjen qyteti i lartë, i shkëputur, i huaj, një ballkon dalë përkundrejt Tomorit, Antelaoi shqiptar: një muze i gjallë ngujuar mes shpinave të pabarabarta të majës shkëmbore, me një kështjellë, doemos, për shul. Kur ke përshkuar harkun e kësaj kështjelle, ke humbur papritmas, në mënyrë të vetvetishme, pesë shekuj historie edhe çapitesh në mes të shekullit XV, por një shekull XV i stilizuar, paksa murgor, i shndërruar në kuintesencë, gjithë i Krishtit e i popit, me kisha të vogla ortodokse të ngjashme me shtëpi të vogla, si dhe me shtëpi të vogla të ngjashme edhe ato me kisha të vogla ortodokse, të cilat janë tridhjetedy, një për thuajse çdo familje.
 

Nuk di si ndodh, ngase ekonomikisht kjo mbetje e shekullit XV nuk duket të jetë shumë aktive, porse gjithçka aty ka një pamje fisnike dhe të dëlirer, prej qendre të vogël aristokratike provincie, të përkorë por jo të varfër, dhe me një stil të stërholluar: rrugët e parehatshme dhe të pastra, një heshtje e madhe, mjediset e brendshme të mbajtura dritë; besimtaret veshur në të zeza; vajzat veshur në të zeza si besimtaret dhe pakëz si besimtare edhe ato vetë qysh pesëmbëdhjetë vjeçe. Burra nuk të zë syri: duhet të kenë rënë të gjithë në qytet për të bërë treg; të paktëve të mbetur aty u duhet të punojnë nëpër kthinat e tyre të zhveshura e të pastra punime të imta gdhendjeje dhe argjendarie. Fshatar nuk duhet të jetë askush, dhe as blegtor. Ma thotë mendja se do paragjykime kaste duhet t’i dënojnë këto zanate.
 

Kreu i kësaj San Marinoje shqiptare, që përbën një botë më vete, nuk është as një kryebashkiak, as një prefekt: është Metropoliti, një zotëri fort i shquar dhe mikpritës, me mjekër të madhe verdhane dhe me një xhybe të madhe të zezë, me sy të kaltër me fuqi hipnotike: një Rasputin pa vese, i qarkuar e i mbrojtur nga përnderimi i përgjithshëm> Një defensor fideiiv, i fides ortodokse, sikurse ka qenë gjithmonë, për mision shekullor historik, Metropoliti i Beratit.
Sepse beratasi bën vetëm dy gjëra në jetën e tij tokësore: punon dhe lutet. Lutet që të mund vijojë të punojë edhe në jetën e tij qiellore.

* * * 

Në skajin tjetër të Myzeqesë, atë jugorin, ndodhet Vlora, kryeqytet i një treve që, në një Shqipëri të shëndoshur, kishte për të qenë nga më pjelloret, e pasur në ullinj dhe gjë të gjallë. Por, edhe pa realizimin e këtij kushti e, ndonëse i torturuar siç është nga malarja, qyteti është i lulëzuar, ngase porti i siguron trafiqe dhe shkëmbime të bollshme. 
 

Deri më 1914 infrastruktura e saj qytetëse ishte në pikë të hallit: turqit, edhe duke e përfillur këtë si zonën më të pasur të perandorisë së tyre europiane, e lanë dalngadalë t’i bjereshin shkëlqimet e lashta që pati mbërritur në kohën e Kryqëzatave. Të parën frymë jete së re e pruri trupa e pushtimit italian, që e qëroi qytetin me kuptimin e plotë të fjalës edhe ia nisi nga e para: me një plan rregullues, shëmbjen e lagjurinave antihigjenike, një thertore, një spital, ujët e pijshëm, kanalizimin. Mendohej madje të çrrënjosej gjithçka, si të paskësh qenë një barrakë e madhe dërrase, edhe të shpihej paksa më në jug, përreth portit, ku nuk ka malarje.
 

Sot Vlora numëron rreth dhjetëmijë banorë, dy të tretat muslimanë, një e treta të krishterë. Është qytet tregtar dhe modern, që modernizmit politik të shndërruar në një program pavarësie ia doli në krye në vëngjille të luftës së madhe, falë sidomos familjes Vlora, një familje së cilës në mbarë Shqipërinë nuk i gjendet shoqja për atdhetarí të paepur dhe për kompromis të zgjuar mes besnikërisë ndaj traditave e virtyteve kombëtare dhe një shijeje të zgjedhur me shtampë perëndimore. Shtëpia e tyre është një muze i shkëlqyer: kam kaluar aty orët më të këndshme të qëndrimit të tim në Shqipëri dhe kam dëgjuar aty gjërat më të zgjuara mbi çështjet shqiptare.
 

Monumente për t’u admiruar, përpos do kujtimesh të pushtimeve të kaluara venedikase dhe normane, aty nuk ka; por rrethinat ia vlejnë të vizitohen: tarraca të çelura mbi një Adriatik pazakonshmërisht të gjelbër, të ngërthyer në gjirin e detit si smerald në unazë; kalaja e lashtë e Kaninës, Krioneroja, maja e malit të Llogarasë. Mandej Buranoja e Vlorësv, ujdhesa e vogël e Nartës, një oaz pylli të gjelbër të errët mbi të gjelbrën e çelët të lagunës. 

* * *

Nga Vlora, për kë të doje që të kthejë drejt jugut nga ana e detit, fillon Akrokeraunia, një buzë e thatë dhe e dalë jashtë, si buza e një Danteje, që mbyll lagunën dhe mandej rrëzohet në jug duke hyrë së rishti brenda: e shogët, e gurtë, spektrore, pa porte. Lypset lundruar dyzet kilometra para se të ndeshësh Himarën, një Siqeli gadishullore, me bimësi të harlisur, madhështore, të ngjyrshme, të larmishme në profile kodrinore. Mbas një ndalese në Porto Palermo vijohet rruga dhe, si bën edhe dyzet kilometra të tjerë lundrimi, ja se ku mbërrin në Sarandë dhe, mbas Gjirokastrës, në Butrint, që është muzeu arkeologjik shqiptar.
 

Jemi në polin tjetër skajor të Shqipërisë dhe kjo shihet: shtëpiza të bardha e vogëlcake, turma të vogla zejtarësh dhe tregtarësh, qendra qytetëse me shqetësime të çuditshme intelektuale. Gjirokastra është një qytet mikroborgjez i përngjitur mbas amfiteatrit të një kodrine: është një qytet klasik dhe “i dalluar”. Po thosha për ndikimin grek, por ka edhe një ndikim tjetër që në gjithë këtë zonë, deri në Korçë, ndihet qartë dhe në mënyrë të dobishme: ndikimi aroman, d.m.th. latin, me dhantitë e tij për ekuilibër, për dashurinë metodike për punë, për lidhje mbas tokës, që kundërbilancojnë prirjet shpërbërëse qendërikëse spekulative të grekërve. Është një element, ky aromani, përgjithësisht i shpërfilluar prej jetëshkruesve të Shqipërisë, por mbi të cilin Baldacci me të drejtë ka tërhequr vëmendjen në atë libër të tijin klasik – L’Albania – që mbetet më i ploti dhe më objektivi mes të gjithëve që, në cilëndo gjuhë, janë shkruar mbi Shqipërinë.
 

Këtu në Shqipëri këta aromanë janë një pakicë, një pakicë e qetë punëdashëse prej njëzet e pesë ose tridhjetë mijë vetësh që marrin pjesë plotësisht në jetën e vendit. Por kjo pakicë nuk është veçse cungu i prerë i një njësie etnike prej tetëqind mijë frymësh që në Pind dhe zona përreth përbëjnë një bërthamë të ngjeshur ndaj së cilës më të kotë ka vjellë vrer përpjekja për shkombëtarizim e Greqisë me sisteme për të cilët është më e udhës të heshtësh. Janë popullsitë aromane, mbetja e Vllahisë së Madhe, të pastra nga ana racore, nga ana kulturore dhjetë pëllëmbë mbi gjakpërzierët që i rrethojnë. Iu kundërvunë përdhunës turke dhe, duke derdhur gjak, mbetën të pavarur. Popullisi aromane, domethënë romane, dhe pra me sensin e së Drejtës dhe të Shetit të rrënjosur në ndërgjegjet, me dashuri kryengjeshur për tokën dhe për punën. Që janë dhe që e ndiejnë veten romanë e shprehën ata vetë më 1917 në shpalljen me të cilën pritën ushtarët italianë që pushtuan zonën dhe e përforcuan me një thirrje Marrëveshjes: “Ne, të bashkuar sot në miting solemn, shpallim lart vullnetin tonë të patjetërsueshëm për të jetuar në institucione të lira nën egjidën dhe mbrojtjen e Nënës së Madhe Itali, përhapëse e aspiratave të bijve të Romës”. Marrëveshja nuk ia vuri veshinvi. 
 

Sot këta romanë jetojnë të hapërndarë, por është një hapërndarje vetëm gjeografike dhe e jashtme. Në të vërtetë, ata mbeten të bashkuar dhe thellësisht të lidhur mbas gjuhës së tyre dhe dokeve të tyre. Prej së gjithësh, të paktët që jetojnë në Shqipëri kanë qenë më fatlumët: kanë, në të vërtetë, katër shkolla dhe shtatë kisha, posaçërisht për ta. Kështu nuk është pa gjasë që, me kalimin e kohës dhe me përmirësimin e kushteve bujqësore të Shqipërisë, të nisin e të konvergojnë mbi të ardhje aromane nga Epiri, nga Maqedonia, nga Jugosllavia. Sepse nga gjithë Ballkani shqiptarët janë, pa asnjë dyshim, më të afërtit ndaj kësaj bote latine dhe më njerëzorët.
 

Këtë solidarësi dhe simpati, jo program politik por instinkt, e kuptova gjatë një qëndrimi të shkurtër në Korçë, qyteti më i ekuilibruar, më i kulturuar dhe më i stërholluar i vendit. I gjithi ky është përfundimi i një shkrirjeje mes elementit vendës dhe atij latin. Është e gjitha kjo një nxitje për forcimin e lidhjeve mes dy racave.
 

E çuditshme: qyteti më lindor i Shqipërisë është, në të njëjtën kohë, edhe më perëndimori. Punohet në Korçë, bëhet industri, studiohet dhe lexohet. Edhe më e çduditshme: jo në të gjitha shkollat shtetërore të Korçës studohet në gjuhën shtetërore. Në asnjë prej endjeve të mia nëpër botë nuk më ka ndodhur kurrë të gjej një qeveri që me aq lehtësi të heqë dorë nga e drejta dhe detyra për të imponuar, në shkollat që ajo paguan me paratë e popullit të saj, përdorimin e gjuhës së popullit të saj.
 

Të njëzetepesëmijë banorët e Korçës janë njëzetepesëmijë borgjezë dhe e kanë bërë qytetin e tyre një Milano të vockël të Shqipërisë jugore. Rrugët se saj të pastra, shtëpitë e saj të përkujdesura dëshmojnë për organizim qytetar; prodhimi artizanal i qilimave dhe fabrika e saj e madhe e birrës dëshmojnë për organizim ekonomik. Ndërsa fusha përreth, e përkujdesur gjithë zell, e krehur me dashuri, vërtetojnë lidhjen e popullit mbas tokës së tij. Të thahen më në fund kënetat e Maliqit edhe do të ngrihet këtu një hambar, sepse rrafshnalta është me klimë të ëmbël dhe brumi i njerëzve është prej cilësie të mirë.
Këtu në këtë qytet mbaroi udhëtimi im rrethepërqarkor shqiptar. Si pikë mbërritjeje, për ta ruajtur gojën t’ëmbël, nuk mund ta zgjidhja më të mirë. 
 

Perkthyer nga Aurel PLASARI 

http://www.malesiaforum.com/showthread.php?t=4679 

2 Komente

WHAT IS SUPPOSSED TO BE THIS?

te pjesa kur fliste per ate se trafiqet e kane zhvillu vloren thash - eh, e paskan ne gjak kta, kot perpiqemi ne te mirdites te rrisim hashash tani smiley

Fierit, që tekefundit nuk është qytet, por vetëm një fshat më i evoluar

Berati është një imitim i bardhë Betleemi.

Vlora, ..., qyteti është i lulëzuar, ngase porti i siguron trafiqe dhe shkëmbime të bollshme. 

Gjirokastra është një qytet mikroborgjez

Korçë, qyteti më i ekuilibruar, më i kulturuar dhe më i stërholluar i vendit

Klishe per perendimore me shumice

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).