(Foto: Atdhe Mulla)

 

Me ndarje. Dhe me një Rugovë që vendos në Velani.

Nga Shpend Limoni më 29 tetor 2010 në ora 07:54

Një ditë pasi kanë dështuar të bindin Fatmir Sejdiun që të heqë dorë nga gara për kreun e Lidhjes Demokratike, krahu i Bujar Bukoshit ka zyrtarizuar iniciativën për të ecur ndaras nga pjesa tjetër e partisë në zgjedhjet e përgjithshme në vend. 

Këtë plan e ka bërë publik Ukë Rugova bashkë me Bujar Bukoshin, Astrit Haraqinë dhe Dardan Gashin, në një konferencë për media në Rezidencën e dikurshme të Presidentit Ibrahim Rugova në Velani. 

“Sot po ju informojmë për formimin e një liste alternative të LDK’së, me të cilën planifikojmë të kandidojmë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me vendimin për krijimin e listës LDK - Ibrahim Rugova, ne nuk po e braktisim LDK’në dhe nuk po krijojmë parti të re me këtë iniciativë, po krijojmë alternativë për votuesit e LDK’së që janë dëshpëruar nga keqmenaxhimi i vazhdueshëm i kësaj partie që nga marrja e udhëheqjes nga z. Sejdiu”, ka thënë Rugova i Ri, në një deklaratë që e ka lexuar para mediave. 

Djali i ish-Presidentit Rugova ka rrëfyer për një takim me Kryetarin aktual të LDK’së, Fatmir Sejdiun që e ka realizuar të mërkurën. 

Rugova ka thënë se i ka kërkuar Sejdiut që të heqë dorë nga ambicia e tij për të udhëhequr edhe një mandat Lidhjen Demokratike të Kosovës. 

Por, as Uka nuk ka arritur të bindë udhëheqësin e LDK’së nga planet e tij. 

“Kërkesa ime ka qenë që ai të largohet nga posti i Kryetarit të LDK’së, sepse i kam shfaqur edhe brengat e mia personale, edhe të shumicës së degëve dhe shumicës së elektoratit të LDK’së që dëshirojnë ndryshime brenda LDK’së, pikërisht ndryshimi kryesor është që ai të lëshojë pozitën e Kryetarit dhe të mos kandidojë më”, ka thënë ai. 

“Ai vetëm e dëgjoi mendimin tim dhe tha se do të vazhdojë”, ka thënë Ukë Rugova. 

Kjo përgjigje ka nxitur Ukë Rugovën ta sulmojnë Kryetarin aktual të LDK’së. 

“Pavarësisht përpjekjeve tona, kapriciet personale dhe z.Sejdiu nuk lejojnë asnjë kompromis që do të rrezikonte interesat e tyre personale”, ka thënë Rugova. 

Ai e ka akuzuar Sejdiun se e ka shtyrë vendin në krizë me vendimet e tij. 
Pavarësisht se kanë krijuar një listë me të cilën planifikojnë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme, Ukë Rugova dhe Bujar Bukoshi mohojnë se kanë braktisur LDK’në dhe se kanë krijuar parti të re. 

“Ne nuk po e braktisim LDK’në dhe nuk po krijojmë parti të re. Me këtë iniciativë po krijojmë alternativë për votuesit e LDK’së që janë dëshpëruar nga keqmenaxhimi i vazhdueshëm i kësaj partie që nga marrja e udhëheqjes nga z. Sejdiu”, ka thënë ai. 

Por, rrugët e dy krahëve duket se përfundimisht janë ndarë. 

Për këtë nuk ka lënë dilemë vetë Ukë Rugova, duke thënë se dy krahët do të ndahen në dy shtëpi. Me këtë rast, ai ka thënë se Fatmir Sejdiu është i manipuluar nga Hashim Thaçi. 

“Prej sot, LDK’ja e Ibrahim Rugovës e ka adresën pikërisht në këtë shtëpi, pra në Velani. LDK’ja e manipuluar nga Hashim Thaçi dhe interesat personale të Fatmir Sejdiut e ka adresën te Qafa. Anëtarët e listës, platforma zgjedhore e saj dhe detajet e tjera do të komunikohen brenda javës së ardhshme”, ka thënë Rugova. 

Ai ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të bëhet e ditur se kush do të jetë në krye të kësaj liste. Ai ka paralajmëruar se ky grup do të kërkojë nga Kryesia e LDK’së që të mbështet iniciativën e tyre, e po ashtu ka paralajmëruar biseda edhe me Isa Mustafën, i cili duket se akoma nuk është përcaktuar se çfarë rruge do të ndjekë. 

“Ne do të kontaktojmë me figurat më eminente të LDK’së dhe partive të tjera që kanë dalë si fraksione prej LDK’së, si LDD’ja, në mënyrë që t’i kontaktojmë ata njerëz që e kanë kapitalin dhe bagazhin brenda LDK’së, në mënyrë që ata t’i bashkojmë”, ka thënë ai. 

Arsyet e tjera që kanë çuar në formimin e kësaj liste i ka përmendur Bujar Bukoshi. 

Ai ka thënë se Sejdiu ka manipuluar procesin zgjedhor dhe pikërisht për këtë Bukoshi ka përjashtuar mundësinë që ta shpallë kandidaturën në Kuvendin Zgjedhor të LDK’së. Kuvendin e LDK’së që pritet të mbahet shpejt, Bukoshi e ka krahasuar me atë të Partisë Demokratike të Kosovës. 

“Tani nuk ka garë, nuk ka kandidatë të cilët garojnë, por do të ketë një Kuvend për t’iu shmangur sfidave ligjore edhe do të ketë një Kuvend, i cili do të jetë Thaçi 2 ta zëmë”, ka thënë Bukoshi. 

“Gara dhe procesi zgjedhor brenda LDK’së është e minuar, është e suspenduar dhe s’ka asgjë prej kësaj gare, edhe Kuvendit i cili së shpejti do të mbahet, do të jetë një Kuvend sa për sy e faqe, për t’i bishtnuar praktikisht këtij procesi”, ka shtuar ai. 

Bukoshi ka thënë se synon të marrë kreun e LDK’së në një Kuvend të “mirëfilltë dhe rregullar”. 

“Edhe sikur në Kuvend të LDK’së të zgjidhesha unë, nuk do ta pranoja, sepse është Kuvend që nuk është rregullar. Prandaj, nuk është kurrfarë kënaqësie kur zgjidheni nga një kuvend i manipuluar”, ka thënë ai. 
Sipas tij, LDK’ja duhet të mbajë një Kuvend tjetër pas zgjedhjeve. 
“Ne takohemi në Kuvendin e mirëfilltë, pas zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë Bukoshi. 

Para selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ditëve të fundit janë mbajtur edhe disa protesta, në të cilat është kërkuar dorëheqja e Sejdiut. 

Bukoshi ka sqaruar se nuk ka lidhje me protesta të tilla. 

“Nuk ka kam farë pozicionimi rreth protestave, por protestat janë simptomë se nuk janë në rregull. Absolutisht nuk kam lidhje. Unë jam politikan, nuk dal në rrugë”. 

Duke folur për vendimin që lista të quhet LDK-Ibrahim Rugova, i biri Presidentit të ndjerë ka thënë se kjo është bërë me qëllim që të shpjegohet se LDK’ja aktualisht ka devijuar nga konceptet e Ibrahim Rugovës. 

“Ndoshta pikërisht këtu dëshirojmë të ndajmë në një formë konceptin real që e ka pasur Presidenti Rugova për LDK’në, sepse kjo udhëheqësi e ka humbur dhe ne e kemi bërë këtë me qëllim që t’i tregojmë elektoratit që me këtë listë ne do të vazhdojmë rrugën e Presidentit Rugova”. 

Sipas tij, kjo listë mund të dalë e para pas zgjedhjeve nacionale. 

“Do të shohim në ditët në vijim që kjo listë do të jetë e hapur për të gjithë dashamirët e LDK’së dhe të politikës që ka udhëhequr Presidenti Rugova dhe besoj se do të jetë një listë që do të pasqyrojë unifikim dhe pasqyrim të elektoratit dhe kështu që kjo listë do të rezultojë me pozitën e parë në zgjedhjet e ardhshme nacionale”, ka thënë ai. 

Pavarësisht se kanë insistuar se nuk janë larguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Astrit Haraqija dhe Bujar Bukoshi kanë përmendur se ata do të garojnë si listë qytetare. 

“Po insistoj që të jemi të gjithë të qartë, as që bëhet fjalë për një parti politike, apo për një subjekt politik, por është fjala për një iniciativë qytetare, e cila me ligj mundësohet, qëllimi i të cilës është për t’i shpëtuar votat e LDK’së, nuk ka asgjë kolizive këtu”, ka thënë Bukoshi.

1 Komente

Hallall Uke, mos e lesho se ta ka lon baba me tapi smiley  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).