http://t1.gstatic.com/images?q=tbn:ANd9GcRpE_4B26-_8lg311H-D60dRnaAcK5z9xFOCfNbl1VnkxwLxoM&t=1&usg=__xERcq8HhxIjMH9r4sZWcGQvtQJI=

Një brez artistesh të rritura mes varfërisë, përçmimit, injorancës dhe mosmirënjohjes. Sot të harruara në pensionin që mezi u mban frymën, kur dekada më parë ishin krenaria e Shqipërisë komuniste anembanë botës. Copëza kujtimesh nga koncertet magjike në skenat e huaja, peripecitë me mentalitetin partiarkal dhe censurën e moralit komunist. Bukuritë e paharrueshme të vajzave që ngritën grupin e parë të balerinave profesioniste shqiptare në vitin e largët 1946.

"Më quajnë Lejla Kuçi, por më quanin "Lejla Kuçka". Jo vetëm unë, por dhe gjithë koleget e mia ishim "të përdalat", "imoralet", "të shthururat", "kuçkat". U shndërruam papritur dhe menjëherë kështu, thjesht kur morëm guximin për të kërcyer në skenë faqe të gjithëve. Në një kohë kur në Shqipëri ekzistonin vetëm çingiet", kujton 77-vjeçarja, një ndër të parat e të parit grup të balerinave profesioniste shqiptare, i krijuar një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në 1946-ën. "Kanë arritur na kanë djegur edhe fustanet me acid e më pas janë dënuar nëpër burgjet e kohës", kujton ish-valltarja Shpresa Vako. "Vjehrra ime nuk më ka pranuar në shtëpi për 5 vjet", përforcon vuajtjet kolektive ish-valltarja tjetër tashmë në pension, Kristina Ligori. Dikush shton familjet e ndara për shkak të provave deri në orë të vona të bashkëshorteve kërcimtare. "Ndërsa unë detyrohesha të merrja djalin 4 vjeç me vete në prova, që familja ime apo opinioni mos mendonte se kushedi çfarë po bëja orëve të zgjatura të punës", pasuron imagjinatën mbi kohën ish-balerina Linda Kalemi. "Sa herë kishim shfaqje në Vlorë, tmerroheshim, sepse mbi ne vërshonin sharje dhe arrinin na gjuanin edhe me domate nga dritaret", jep një tjetër dëshmi ish-valltarja Lili Këlliçi.

"Fillimi ka qenë i tmerrshëm. Ndjeheshim kaq të pakuptuara, të sulmuara, të stresuara. Por pak nga pak njerëzit filluan të na donin. Se po zbulonin tek ne vajza shumë të thjeshta, që iu falnin vetëm kënaqësi dhe bukuri në skenë. Më vonë njerëzit arritën të dilnin nëpër dritare vetëm për të na parë kur kalonim rrugës ", tregon një nga dy solistet e para të Filarmonisë Shqiptare, sot TKOB, Veronika Mano, tani në moshën 76-vjeçare.

Ishin njëra më e bukur se tjetra. Vinin nga familje të emancipuara shqiptare. Po edukoheshin me shpirtin e profesorëve sovjetikë të baletit. Adhuronin jashtëzakonisht kërcimin dhe shëtisnin anë e kënd botës, duke e lënë pas krahëve hera-herës Shqipërinë e izoluar. Dhe duke "u arratisur" jo vetëm në demokracitë popullore të Lindjes, por edhe në Perëndimin "dekadent" dhe "të degjeneruar".

Rrugëtimi drejt "balerinë profesioniste"

Vitet e para pas Çlirimit i gjetën çupëlina në moshën 10-vjeçare. Pikërisht fill pas Luftës, në vitin 1946-1947, ato shkonin sa në Liceun Artistik, sa në Shtëpinë e Pionierit, që sapo ishte krijuar. "Në Shtëpinë e Pionierit kishim një mësuese italiane, e cila nuk na fuste brenda pa triskën, biletën që tregonte se ne ishim anëtare.", kujton Veronika. Në albumin e saj me fotot e kohës, fustanet e preferuar skenikë të vogëlisë nuk ishin prej cope, por prej letre. Me pala dhe rrudha në formë firzamonike. Herë në ngjyrë të kuqe si ngjyra e flamurit apo të bardhë si bora, në harmoni me tekstet e këngëve që ato këndonin.

Mjeshtri koreograf Panajot Kanaçi dhe profesori rus i baletit, Jorgji Perkum, shkojnë pikërisht aty për të zgjedhur ato që do të bëheshin kërcimtaret e para profesioniste të Shqipërisë. Pasi i këqyrën vajzat me kilota duke kërcyer dhe në provën e ndjekjes së ritmit, zgjedhin prej tyre më të mirat. "U krijua grupi i parë me afërsisht 16 vajza, pothuajse kush një vit më e madhe apo më e vogël, aty te 15-16 vjeç të gjitha", kujton Veronika, e cila është e vetmja ndër koleget që mban në shtëpi një arkiv të plotë fotosh dhe materialesh vit pas viti, dekadë pas dekade.

Pas shumë orësh mësimi dhe provash disavjeçare, në vitin 1950 grupi i vajzave u shndërrua në të parin grup të balerinave profesioniste shqiptare. "U bëmë profesioniste. Qe një gëzim i jashtëzakonshëm. Por kur na dhanë dhe rrogën e parë, ajo ishte çudia më e madhe. Ishim kaq të dashuruara me kërcimin, por dhe të reja në moshë, dhe paratë as që i llogarisnim", kujton Lejla Kuçi. Ndër koleget e brezit të saj, ajo kujton me mall balerinën e shkëlqyer, Melushe Bebeziqi, e cila u martua me profesorin Perkum dhe pas një turneu në Moskë ajo nuk u kthye më, duke qëndruar atje bashkë me të. Pati një karrierë të shkëlqyer atje, duke u bërë balerinë e parë në të famshmin "Balshoi Theater".

Po në vitin 1950 ato do të shfaqnin premierat e tyre të para si: "Vëllazërimi i popujve", "Shatërvani i Bahçisarajt", "Flamuri i paqes", në 1952, "Esmeralda" në 1953, "Kujdesi i kotë", 1957, "Delina", 1958, "Lola", 1958. Por edhe operat e para; "Rusalka", 1953, "Ivan Suzanjin", 1954, "Agimi", 195, si dhe pjesëmarrja në filmin "Skënderbeu" tek vallet e dasmës etj. Por pas punës edhe në Opera, edhe në Ansambël, një grup prej tyre, ato që adhuronin vallen popullore, zgjodhën me dëshirë Ansamblin. E njëkohshëm me zotërimin e skenës shqiptare dhe garës brenda grupit, njëkohshëm do të vinte sfida e përballjes me botën.

Rreth botës dy herë në vit


Turnetë nëpër botë nisën shumë shpejt dhe të shumtë. Ai i pari pikërisht në 1950, kur sapo u njohën si "profesioniste". Me radhë do të pasonin në të gjitha vendet e demokracive popullore si; Rumani, Bullgari, Çekosllovaki, Poloni, Berlin. Në Moskë në këtë periudhë grupi jep dy koncerte; të parin në 1951 dhe të dytin në 1957. "Ndërsa Perëndimin e çamë me turneun e Vjenës në 1959 dhe në kthim me një koncert edhe në Bari të Italisë. Pikërisht gjatë ditëve të panairit Fiera Del Levante", - kujton Veronika Mano, - dhe suksesi i jashtëzakonshëm që patëm tek njerëzit, bëri që të ndërhyjë ndoshta politika. Na kthyen çuditërisht mbrapsht përpara afatit që ishte parashikuar." Ajo kujton edhe ndonjë italian që habitej teksa shihte vajza kaq të bukura dhe kaq të veshura mirë nga Shqipëria. Pas viteve "60-të turnetë do të zgjeroheshin me vende të largëta si Kina, Koreja, Vietnami, Finlanda, apo edhe Algjeria, Maroku, Egjipti etj.

Mes Perëndimit dhe Lindjes

Rastësisht u bënë të privilegjuarat e kohës në eksplorimin e botës. Komunistët donin të shpërfaqnin dhe lartësonin emrin "shqiptar" nëpër botë, te "miqtë" dhe "armiqtë" dhe kjo fare mirë bëhej edhe nëpërmjet kulturës etnike. Valltaret bukuroshe kishin fatin e rrallë që e ëndërronin gjithë shqiptarët: të shihnin botë me sy. Dhe e shihnin jo pak, jo rrallë herë. I hipnin avionit apo vaporit të paktën dy herë në vit.

Teksa sodit albumin e Veronika Manos, zbulon një vajzë të denjë për kopertina revistash "Vogue", qoftë nga bukuria e rrallë fizike e saj, e qoftë nga veshjet dhe ambientet në të cilat ka pozuar. Andej nga shkonin, edhe pse me dieta të vogla, një herë një gjë e një herë një tjetër, e pasuronin garderobën e tyre apo familjarëve me "gjëra nga jashtë". Fustane, copa për t"u qepur, kapele, shalle, aksesorë, relike, që ato një pjesë i ruajnë nëpër shtëpi edhe sot. "Mbaj mend që në një koncert që patëm në Bukuresht, një ish-drejtori ynë artistik më liberal se të tjerët, na urdhëroi të visheshim shumë bukur me çfarë të donim dhe kemi zbritur nga avioni me kapele mondane, pallto me peliçe dhe të gjithë na shihnin me admirim", kujton Veronika. Fotot e tyre dëshmojnë nga ana pamore të njëjtin evolucion që Perëndimi bënte dekadë pas dekade. E sidomos në çaste me më shumë frymëmarrje, të fiksuara tek-tuk duke shëtitur nëpër kontinentin më të vjetër, të cilit i përkisnin, dhe ku shkonin duke kapërcyer telat me gjemba të atdheut që mbanin mbyllur gjithë të tjerët. Foto mbi vapor, duke pirë kafe në kuvertë, përpara avionit, ulur mbi makinë apo në timon, shalle të lidhur bukur mbi kokë, syze tendencë, kapele dhe jakë me peliçe...detaje të pazakonta për një femër tipike shqiptare, komuniste, e cila s'mund të dilte përtej kufijve gjeografikë apo të imagjinatës. Më shumë lëviznin me vapor dhe autobus, në vendet e Lindjes së Largët me avion.
"Megjithatë nuk shokoheshim andej nga çfarë shihnim. Nuk bënim "auuu", si të papara. Dhe kishim mall të madh për vendin tonë. Sa herë gjendeshim andej, edhe pse kënaqeshim shumë, mezi prisnim të ktheheshim", -thotë Lejla Këlliçi. "Jo vetëm se nuk na lejohej, por neve edhe sot po të na pyesësh, nuk jemi penduar për faktin që nuk u arratisëm atëkohë.

Kemi pasur plot raste të gjitha edhe për t"u martuar jashtë, por nuk kemi dashur. E kemi dashur dhe duam vendin tonë, familjet që kishim lënë këtu", shton Veronika Mano. Dhe normal që ishin të porositura të mos largoheshin nga grupi, të mos merrnin asnjë pako që mund t'u jepej, të mos flisnin në atdhe kur të ktheheshin. "Vetëm pse një ditë më parë kisha humbur portofolin diku dhe të nesërmen dola përpara kohe nga restoranti ku ishin të tjerët për ta kërkuar, shefi im u ankua tek familja ime kur u ktheva", kujton Linda Kalemi. Linda, tashmë e fokusuar dhe e njohur për sportet e palestrës, kujton se atëkohë e kanë dënuar duke i hequr rrugë për jashtë shtetit, meqenëse "ndiqte modën", qoftë edhe kur vishte një bluzë me flutura, që nuk zbulonte asgjë provokuese. Lëvizjet në skenë, gjithashtu, duhet të ishin të kufizuara. Një teprim edhe i pavullnetshëm, por ndjesor në lëvizjen e trupit apo dorës dhe ato quheshin "të pamoralshme". "Pale nëse bënim protestë për orët e tejzgjatura në punë. Na quanin "armiq të popullit". Edhe sot i ndiej akoma streset e kohës, sepse më kap në vetvete një panik i përgjithshëm", tregon Linda.

Legjenda Veronika Mano, më e bukura e grupit

Ka qenë pa dyshim më e bukura e grupit. Kjo është lehtësisht e dukshme, por e pohojnë pa kurrëfarë zilie edhe gjithë ish-koleget e saj. Jo më kot edhe në të gjitha festivalet nëpër botë ajo zgjidhej ndër valltaret më të bukura. Që më pas grupoheshin në një paradë të veçantë. Por jo vetëm më e bukura, por Veronika Mano bashkë me Lili Këlliçin kanë qenë edhe dy solistet e para të baletit shqiptar. Domethënë, emri i tyre është dhe do të mbetet përjetësisht i artë në historinë e artit shqiptar.

"Kur isha fare e vogël kërceja me hijen e murit. Nënës sime i thonin që: "kjo vajzë do të bëhet artiste". Por kur vërtet mamaja më çoi në grupin e baletit, njerëzit iu vërsulën duke e qortuar ashpër dhe ajo gati më hoqi. Ishte gjyshja ime, shumë përparimtare, e cila e këshilloi të mos më hiqte. Kështu unë baletin e pata prej gjyshes. Kisha ëndërruar të bëhesha mjeke, por më pas u dashurova kaq shumë me kërcimin dhe them se më mirë kështu", kujton Veronika. E reflekton ende bukurinë e kahershme edhe pse mezi ecën nga nga njëra këmbë, e bllokuar nga reumatizma. Ruan derën kur e vizitojnë ish-koleget që kanë mbetur gjallë apo kur nuk i vijnë i zëvendëson ato me fletët e albumeve plot me foto, të një jete, që i ka kujdesuar me kaq përpikëri dhe fanatizëm. "Shteti, mediat na kanë harruar, por në popull e di që më mbajnë mend dhe më duan", flet duke u përlotur. "Nuk kemi punuar për para. Nga pasioni i jashtëzakonshëm nuk e vinim re lodhjen. Por edhe patëm kënaqësinë e udhëtimeve.

Edhe vajzë milioneri të isha nuk do mundja të shëtisja kaq shumë nëpër botë si atëherë. Por që do të vinte një ditë dhe unë do të merrja 14.000 lekë pension që s'më dalin për të paguar ilaçet dhe dritat, dhe këtë nuk e kisha menduar", thotë duke u përlotur një nga legjendat e kulturës shqiptare. Kolegia dhe mikja e vjetër që e viziton më shpesh, Lejla Kuçi, tregon se është nipi ai që e ndihmon Veronikën me një shumë të caktuar muaj për muaj. Veronika nuk ka fëmijë të saj që ta ndihmojnë, ashtu si mbijetojnë shumica e pensionistëve të varfër shqiptarë post-komunistë. Çuditërisht një vajzë shumë e bukur si ajo nuk u martua asnjëherë. "Nuk pata besim. Nuk kam ndjerë fort për dikë dhe nuk e kthej kokën pas", thotë gruaja me një fytyrë ala Greta Garbo. Pa frikë edhe më e bukur se ajo. "Isha e lakmuar. Edhe në Tiranë, por dhe në turnetë jashtë kam pasur shumë raste kur më janë lutur të martohesha. Ka që e kanë ende peng, por nuk kam dashur. Nuk i kam ushqyer ndjenjat, sepse iu përkushtova kaq shumë profesionit, nënës dhe motrës sime. Dhe jetoj ende me kujtimin e familjes dhe duartrokitjeve në skenë", tregon Veronika. Madje përkushtimin do ta çojë deri në fund, sepse albumet e saj, ose më mirë thesaret e saj do t'ia dhurojë arkivit të TKOB.

Një "Gjerdan i artë" në Dizhon.  Kërcim pupthi çdo paradite sa rruga Kombinat-Kinostudio

Një javë rresht jo duke ecur, por duke kërcyer kilometra maratonomakë. Parakalimin e tyre në rrugën kryesore të Dizhonit, ish-valltarja Lejla Kuçi e krahason me largësinë Kombinat-Kinostudio në Tiranë. Aq shumë duhet të kërcenin çdo paradite, duke u hedhur pupthi, e duke i bërë këmbët e duart gjak nga kërcimi apo rënia e instrumenteve popullore. "Nga ritmet tona, banda çeke dhe bullgare, që vinin pas nesh, u çakërdisën fare", kujton Lejla. "Ishim kaq të lodhur, saqë dukej e pamundur që të ishim në gjendje të jepnim sërish shfaqje në skenë edhe në mbrëmje. Por kur vinte ora e koncertit, për çudi të gjithë përtëriheshin sikur të ishte hera e parë dhe shkëlqenim", shton Veronika Mano. Ndërkohë, populli çdo ditë në rrugë i shoqëronte me thirrjet: "Vive l"Albanie!" (Rroftë Shqipëria!), "Dridhet toka nga këmbët e shqiponjave shqiptare", "Çmimin e meriton Shqipëria!" etj. Dhe kur atë ua dhanë, gëzimi u bë i pamasë, mundi u shpërblye në mënyrën më të shkëlqyer. "E vinim gjerdanin qafë më qafë dhe atë e merituam të gjithë, gjithë Ansambli", thotë Lejla Kuçi.

Pas koncertit përshëndetës dhe urimeve, pritjes në Ambasadën shqiptare në Paris, do t'i vinte radha pritjes në Tiranë. "Kur u kthyem në Tiranë, teksa zbrisnim në aeroport, përballë nesh ishet banda e frymorëve që po ekzekutonte muzikë. Ne po shihnim mos në avionin tonë ishte ndonjë delegacion i huaj. Nuk e menduam që në fakt ata po na prisnin ne", tregon Donika Miluka, një tjetër ish-valltare në pension, sot 73 vjeç. Për një muaj rresht, grupi fitimtar dha koncerte ditë për ditë në skenë, qoftë për kryeqytetasit, qoftë për trupin diplomatik në Tiranë.

Por paimagjinueshëm, fill pas Festivalit të Dizhonit, për të cilin jehoi gjithë Shqipëria, por edhe mediat e huaja, të gjithë grupin triumfues të valltarëve e pezulluan nga Ansambli. "Fadil Paçrami nuk i donte të vjetrit. Ne atëherë ishim nga 37-38 vjeçe. Ndaj na shpërndanë në vende të ndryshme. Dikë e çuan me punë në Pallatin e Kulturës, dikë në Pallatin e Pionierit", kujton Veronika. Deri kur pas dënimit të politikave liberale të tij në kulturë, atyre iu kërkuan falje dhe iu thanë se kush dëshiron të rikthehet në Ansambël, është i mirëpritur. Pati që u rikthyen, pati që jo. "Unë isha nga ato që u rikthyen. Më pas e mbylla karrierën si koreografe në Pallatin e Kulturës, derisa dola në pension", përfundon Veronika Mano.

Varfëria e pamerituar


Marrin kush më shumë e kush më pak nga rreth 13 mijë lekë të reja në muaj. Si shumica e shqiptarëve të munduar të diktaturës. Vetëm valltarët me tituj kanë pensione speciale, dyfishin e të tjerëve apo dhe më shumë se kaq. Të tjerët, edhe pse janë lodhur njësoj, kanë punuar dhe rrokur sukseset krah për krah, keqtrajtohen me diferenca të theksuara. "Nuk duam dallime me njëri-tjetrin. E dimë fare mirë që jemi lodhur të gjithë njësoj dhe e dimë se si i kanë marrë titujt politikë disa atëkohë", shprehet ish-valltarja e grupit të parë që themeloi Filarmoninë, Donika Miluka. Ajo paguhet me saktësisht 13.200 lekë në muaj. Ndërkohë koreografi Agron Shaqiri, pjesë e brezit të dytë në Ansambël, kërkon nga shteti një projekt-status të artistit dhe një baraspeshim me rrogat që marrin sot balerinët e TKOB, të cilët nuk punojnë as me ngarkesën dhe as me kushtet në të cilat kanë punuar ata dikur. "Të vjen keq se si shokët tanë një pjesë e mirë kanë vdekur nga streset dhe jeta e vështirë, nga mundi i pashpërblyer", thotë ai. Në një zë të përbashkët janë gjithë të gjallët e tjerë që ndiejnë se "koha nuk iu pret", dhe "shteti me ta është shumë i vonuar". Është ish-balerina Linda Kalemi nismëtarja që së bashku me gjithë ish-artistët e TKOB në pension po përgatisin një kërkesë për Presidentin dhe Kryeministrin e vendit mbi të gjitha problemet dhe kërkesat e tyre.

"Ne punonim pa kondicioner, pa këpucë. Udhëtonim edhe në mes të shiut, a borës. Edhe mbi kamiona, duke përshkruar ndonjëherë 500 km në ditë, fshat më fshat, edhe me nga 2-3 shfaqje në ditë. Me një repertor prej 300 shfaqjesh në vit. Hera-herës ku ngrënë ku pa ngrënë, dieta nuk kishim, dhe bindeshim e ngjiteshim në skenë", përshkruajnë ish-valltaret Shpresa Vako e Donika Makashi. Ndihen ambasadorë të kombit nëpër botë. Ansambli ka marrë titullin "Hero i Punës Socialiste", "Naim Frashëri i II-të, "Naim Frashëri i I-rë". Për nga vështirësia i kanë vlerësuar si kategori e parë njësh me minatorët. "Por tani nuk blejmë dot ilaçet, nuk ulemi dot për një kafe me njëra-tjetrën dhe po të na vizitoni në shtëpi jemi ende me mobiljet e kohës së rinisë", thonë ata që dikur iu imponuan vendit, botës, por tani njerëzit dhe rrethanat e tyre po iu imponohen atyre po aq fort, me të kundërtën; harresën dhe mjerimin.

___________________

Titulli origjinal u ndryshua. 

15 Komente

Kam jetuar dy vjet ne Dijon dhe akoma sot e kesaj dite, sa here qe u thoja qe jam nga Shqiperia  banoreve qe i kane jetuar ato vite, reagimi ka qene gjithmone i menjehershem dhe i njejte : "Ah, ju nuk e dini por ka patur nje trupe shqiptare dikur ketu ne Dijon dhe si ato nuk kemi pare asnjehere! Kane qene te jashtezakonshem". Madje, kur kam takuar dhe nje nder organizatoret e ketij takimi, i magjepsur, ai kishte ruajtur te njejtat impresione si Lejla Kuçi:

"Nga ritmet tona, banda çeke dhe bullgare, që vinin pas nesh, u çakërdisën fare", kujton Lejla. "Ishim kaq të lodhur, saqë dukej e pamundur që të ishim në gjendje të jepnim sërish shfaqje në skenë edhe në mbrëmje. Por kur vinte ora e koncertit, për çudi të gjithë përtëriheshin sikur të ishte hera e parë dhe shkëlqenim", shton Veronika Mano. Ndërkohë, populli çdo ditë në rrugë i shoqëronte me thirrjet: "Vive l"Albanie!" (Rroftë Shqipëria!), "Dridhet toka nga këmbët e shqiponjave shqiptare", "Çmimin e meriton Shqipëria!" etj.

Eshte fatkeqesi qe ne i harrojme, ne nje kohe kur keto artiste ishin dhe jane e vetmja copez pozitive, te imazhit te vendit tone jashte shtetit. 

Me vone, u njoha dhe me nje perfaqesues te nje shoqate policie ne Dijon i cili kishte pritur ne vitet 90-92 nje grup policesh shqiptare. Kujtimi i tij ishte kete rradhe krejt tjeter: miqte nga shqiperia kishin ngelur pothuajse pa para dhe ishin detyruar te kerkonin ndihme pasi kishin harxhuar shume duke blere pajisje shtepiake e veshje te "Carrefour"...

Dhe nese ju duket qe gjerat kane ndryshuar pas 90s, jo me larg se para 4 vitesh, nje drejtoreshe e Shik-ut ne specializim ne Londer prane sherbimeve inteligjente, blen nje mikrovale dhe detyron organizatorin e vizites se tyre, ky nje agjent i sherbimeve, te nderhyje prane aeroportit te Londres pasi mikrovala nuk lejoj te transportohej...

Historia e pensioneve te ketyre balerinave fatkeqe, eshte pra ne te njejten vazhde te varferise ekonomike e materialiste qe ka pllakosur shqiptaret vitet e fundit. 

Kam jetuar dy vjet ne Dijon dhe akoma sot e kesaj dite, sa here qe u thoja qe jam nga Shqiperia  banoreve qe i kane jetuar ato vite, reagimi ka qene gjithmone i menjehershem dhe i njejte : "Ah, ju nuk e dini por ka patur nje trupe shqiptare dikur ketu ne Dijon dhe si ato nuk kemi pare asnjehere! Kane qene te jashtezakonshem". Madje, kur kam takuar dhe nje nder organizatoret e ketij takimi, i magjepsur, ai kishte ruajtur te njejtat impresione si Lejla Kuçi

Flm per kete Aiglon, interesante smiley.

____

Dicka per titullin e artikullit; me la shije te keqe perzgjedhja e titullit nga redaksia e Shekullit.  Nga gjithe odisea e ketyre artisteve, te merrej ajo fjali per permbledhje, cudi.  E lashe sic ishte per t'i qendruar besnike origjinalit dhe me idene e gotes gjysem-plot se ne kuptim figurativ kane qene te dala, te shetitura. 

C'eshte ky titull??? C'lidhje ka titulli me permbajtjen e shkrimit! Keto vajza ne ate kohe jo vetem nuk ishin te perdala, por ishin yje te Shqiperise dhe te botes mbare. Ajo periudhe kohe e nenkuptuar me "kur" eshte teresisht e gabuar! ah po, te thuash "kush" i paragjykonte keto talente boterore, ky eshte diskutim tjeter! Por te thuash "kur", ne nje kohe kur ne ate "kur" keto vajza ishin pikerisht duke kercyer ne teatrin "balshoi", kjo nuk ka asnje fare lidhje me artikullin. Shkolles shqiptare e baletit per fat te keq sot i ka mbetur vetem emri dhe fama e dikurshme, fame e asaj periudhe kohe te limituar tek ajo "kur". Kur e mendon, dje balerinat shqiptare kercenin ne balshoi, sot enderrojne te kercejne tek portokallia apo tek amici. 

po pra, monda, as, mendoj dhe une qe titulli te ndryshohet me urdher te peshkut smiley te pakten ketu.

dhe a na gjeni dot ndonje foto te valentines se u bera shume kurioze.

Veronika Mano, ne Drezden

http://www.shekulli.com.al/2010/11/07/Veronika%20Mano%2C%20Drezden.jpg

flm monda - qenka veronika, se e valentinizova pa dashje smiley

Veronika jo Valentina smiley

ka qene yll, kshu me kane thene, po foto s'po i gjej dot. Mjaftou me Garbon smiley

flm monda, comp im eshte plak smiley

Ajkuna, me titullin e qelbi Shekulli, por per foton e V. Manos ia dime Shekullit per nder smiley.

Po po! Keto titujt jane per brezin e ri. Edhe ne degjofshin fjale si ato te titullit, karvanin ta lene te ece perpara... smiley

Nesje, fotoja me pelqeu shume, se nuk shoh vetem Veroniken po edhe Panajot Kanacin (nqs s'gabohem) smiley  Flm!

Po cte bej shteti per keto balerina kur aq i ka mundesite e si paguan dot pension me te larte? Ashtu sic jane robetuar keto zonja jane robetuar minatoret, profesoret, mjeket, mesuesit, koperativistet, te tera keto shtresa kane pensione qesharake. Shteti yne eshte akoma i varfer, aq e ka takatin.

Kete punen e dijon-it e kam degjuar edhe me pare. Po me duket se per efekte nostalgjije fryhet pak. Sic mund te kemi qene ne risi artistike per nje francez ka qene edhe ta zeme teatri rumun, balerinat bullgare apo ruse e plot te tjere keshtu. Me shume se niveli artistik qe se ve ne dyshim ishte i perkryer ishte mosnjohja qe i bente ansamblet lindore gjithmone nje objekt ekzotik. 

 Romak i nderuar .

Pervec nje "inercie " ne te shprehur ( nemose pac ironi ) qe tregon se ke shkolle perderi sa e njeh fjalen ekzotik smiley ne te tjerat je shume i painformuar .Mgjate .....

Ai shtet( jo ky ) ne "varferine " e tij kulturore e "varferine" e administrates kishte mundur te vleresonte keto valltare me aq dhe mbi ate qe mundej e qe arritur ne kohe REKORD . Ndryshe nga shume profesione , ne se je i interesuar kerko per moshen e "pensionit  " te tyre ;qe argumentohej me VESHTIRESITE e Jashtezakoneshme te profesionit . Dmth ndyryshe nga profesioni i Mullaheve te Pallavramentit shqiptar dhe mullaheve te Qeverise ne diete sot

 Cudi ! Asnje nga blegerimat e shpurakeve ?

A thua se kane qene anetare te byrose politike ? A thua se ne ate kohe mbreteronte kultura e filmit "koncert ne vitin 36" ashtu sic mbizoteron sot ne memedhembje ne minstrine e kultures per te mos thene ne kulturen e kabinetit Qeveritar ?

Ja nje  shprehje e shtypit Francez ne ate kohe . Jo dhe aq ne Ligjerate te drejte, po kush eshte i interesuare egjen edhe ne Ligj. te Drejte!

Ra perdja .Dhe celet magjia . Ne skene grupi i  ansamblit Shqiptar .

Tjeter ...Dhjetra qytetare,te rij e te moshuar  i bashkohen grupit te valltareve shqiptare te rrembyer nga mrekullia  shqiptare.

Dhe ndoshta shume nga bashkekohesit duhet t'ju kujtohet ne ate kohe se si ishte perpunuar nje ritem vallezimi me te vertet i vecante e imrekullueshem i huazuar nga ritmi i valleve te Dragobise ( qe urren Sali Berisha sot ).

 Me ne kujtese te Emit smiley qe  ka deshire dhe do te njohe memire ca fenomene te aasaj kohe , por edhe te Graves qe here pas  here bie nga nje episod smiley , qe u japin pergjigje serioze bishtnukeve axhamij dhe perfaqesuesve te  qyltyres fronge te  Left....me yyyyyyy ne fund .....ndryshe ai ritem u njoh nga titulli SHTYPES i Gegeve prej Toskeve nga letyrat e Marasheve gjuhesore e me  rradhe :

" O kce moj cike , moj sokolesh mali " U tentua te futej ne RINI  edhe si menyre vallzimi Modern shqiptar !

 Dhe sot e tutje populli do u kendoj me"rrenqethje" do vallzoje e do festoje me kenge e valle per Shukkaret e Shqiperise qe sapunin u japin ta  hane per djath se u ka thane baba se "ashtu u rreshket me mire ne Europe"

Ja mo Grava nje pershendetje per te festua enthusiazmen europiane te shetitjes qenore  ne rruge te prcaktuara e afate kur kulloten qente . Mos harroni qeset plastike gjithsesi !

http://www.youtube.com/watch?v=J5grvA-KHPI

Kujtesa ime per valltaret shkon gjer tek Lili Cingu, por ama, e vogel, e adhuroja elegancen, bukurine e hijeshine e atyre vajzave qe vallezonin aq lehte dhe mjeshterisht valle nga krahina te ndryshme popullore.

P.s. nuk di ne duhet te irritohem me per keta tituj skandaloze te Shekullit, qe gjoja kerkon te terheqe vemendjen e lexuesit me tituj pacavure, por per mua eshte fyerje trajtimi ne kete lloj menyre.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).