Qeveria ka miratuar dje një akt normativ për uljen e pensioneve suplementare të ushtarakëve dhe forcave të tjera si dhe për rritjen e kontributeve që do të paguajnë ata. Pas vendimit pozitiv të marrë nga Gjykata Kushtetuese disa muaj më parë, ushtarakët kanë njohuar sërish dje uljen e pensionit të tyre.

Ulja llogaritet në masën 24.5 për qind dhe hyn në fuqi që nga dita e djeshme, ndërsa rritja e kontributeve nga tre në pesë për qind hyn në fuqi nga një janari 2011. Sipas këtij vendimi, të gjitha pensionet e ushtarakëve ulen në masën 24.7% ndërsa të gjithë ushtarakët që janë ende në shërbim do të paguajnë 27.5% taksa.

Ndryshimet e propozuara kanë të bëjnë me përllogaritjen e pagës referuese, e cila është një ndër përbërësit kryesorë të përllogaritjes së masës së përfitimit për ushtarakët. Propozimi vjen në një kohë kur Instituti i Sigurimeve Shoqërore është duke kryer përllogaritjet.

Ekzekutivi propozon përllogaritjen e masës së përfitimit për ushtarakët, policët, punonjësit e gardës, etj., duke marrë për bazë një pagë referuese neto, nga e cila janë zbritur të gjitha detyrimet që kanë të bëjnë me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tatimin mbi të ardhurat personale. Madje para se të merret për përllogaritjen e pensionit të ushtarakëve, nga paga referuese do të zbriten edhe kontributet suplementare.

"Paga referuese neto është paga që rezulton pas zbritjes, nga paga referuese, të kontributit të detyrueshëm të sigurimit shoqëror dhe shëndetësor plus tatimin mbi të ardhurat personale plus kontributin suplementar, sipas këtij ligji, të cilat mbahen nga paga", - citohet në propozimin e qeverisë për ndryshimin e ligjit për pensionet suplementare të ushtarakëve, policëve, punonjësve të gardës, etj.

Vendimi i djeshëm është pritur me shqetësim nga ushtarakët, të cilët e konsiderojnë atë një lëvizje të qeverisë, i cili ul masën e përfitimit për secilin prej tyre si dhe bllokon deri në miratimin e këtyre ndryshimeve procesin e përllogaritjes së pensioneve nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

E njëjta logjikë do të ndiqet edhe në përcaktimin e pagës referuese mesatare. Ajo do të merret si e tillë pasi prej saj të jenë zbritur detyrimet ndaj fondit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore.

Një tjetër ndryshim thelbësor ka të bëjë me uljen masës së përfitimit për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi. Sipas ligjit, pensioni i parakohshëm është sa gjysma e pagës referuese mujore plus 2 për qind për çdo vit vjetërsie në shërbim. Tashme përfitimi për çdo vit shërbimi nuk do të jetë 2 për qind, por 1.5 për qind.

Gjithashtu, pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve, paga referuese për ushtarakët, do të llogaritet si mesatare e pagave të përfituara sipas periudhave të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Ndryshimet në pagën referuese prekin drejtpërdrejt masën e përfitimit për ushtarakët.  Zbritja nga paga referuese e të gjitha detyrimeve duke nxjerrë një pagë neto, bën që pensioni të përllogaritet mbi një shumë më të vogël. Ulet masa e përfitimit për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi. Tashmë ai do të jetë sa gjysma e pagës referuese plus 1.5 për qind të saj për çdo vit shërbimi. Ndryshimet krijojnë amulli në procesin e përllogaritjes së përfitimeve për ushtarakët, në një kohë që ISSH ka filluar lidhjen e pensionit për disa prej tyre.

ISSH e pa përgatitur për vendimin

Ndryshimet e propozuara nga qeveria në ligjin për pensionet suplementare të ushtarakëve, kanë kapur pa përgatitur edhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore. ISSH mohon të ketë pasur dijeni mbi këto ndryshime por duket se ky vendim do ta ndërpresë punën në gjysmë për të rifilluar me përllogaritjen sipas përcaktimeve të reja, të cilat kanë hyrë menjëherë në fuqi.

Madje burime nga ky institucion shprehen se krahas përllogaritjes, tashmë ka filluar edhe shpërndarja e parave për disa aplikues, të cilëve iu ka ardhur konfirmimi nga ministritë përgjegjëse. Mësohet se janë rreth 15 punonjës të Shërbimit Informativ Shtetërore dhe disa punonjës të Ministrisë së Brendshme, të cilëve iu është lidhur tashmë pensioni.

Rritet masa e kontributit suplementar

Ulja e masës së përfitimit nuk është i vetmi ndryshim që shqetëson ushtarakët. Të gjithë ata, do të duhet që duke filluar nga data një janar e vitit të ardhshëm të paguajnë më shumë para për skemën e sigurimeve suplementare.

Ligji deri më tani parashikonte pagesën deri në 2 për qind të pagës në funksion të skemës së pensioneve suplementare, ndërsa nga janari i vitit të ardhshëm kjo shumë do të rritet në pesë për qind. Pas këtij vendimi, çdo ushtarak do të fusë më pak para në xhep duke dërguar një pjesë të mirë të pagës për skemën e sigurimeve suplementare.

Kjo nismë e qeverisë i vjen në ndihmë kësaj skeme, e cila konsiderohet një barrë e rndë për buxhetin e shtetit por edhe buxhetin e Sigurimeve Shoqërore. Sipas të dhënave më të fundit, e gjithë skema e sigurimeve suplementare ka një buxhet prej 5.4 miliardë lekë, nga të cilat vëtem 2 për qind janë të ardhura nga kontributet, kurse pjesa tjetër transferohet direkt nga buxheti i shtetit.

Ushtarakët: Qeveria po bllokon pensionet

Vendimi i qeverisë ka shqetësuar ushtarakët, të cilët deri më tani e kishin menduar të zgjidhur deri dikur problemin me pensionet suplementare. I kontaktuar nga gazeta, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë paralajmëron një bllokim të procesit të përllogaritjes së pensioneve për shkak se qeveria ka ndërhyrë në ligjin themeltar.

Për pasojë, sipas tij do të duhet që ISSH të fillojë përllogaritjen sipas ndryshimeve të propozuara nga qeveria, veprim i cili do të shkaktonte amulli në këtë proces. Pogaçi shprehet i zhgënjyer nga propozimi i qeverisë, duke e cilësuar atë si një tallje me ushtarakët. "Qeveria po tallet me ne. Nuk duan të japin paratë dhe nxjerrin gjëra të tilla", - shprehet ai.

3 Komente

24.5 eshte pak si shume?

Ke Shekulli s'duhet patur besim, same shit si Zp dhe Rd

Nuk ka problem për një copë pension, se gjithë ish oficerët i ke kambista.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).