Prishtinë, 3 nëntor - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot konferencë për shtyp, kushtuar zhvillimeve të fundit në vend. Për gazetarët, përveç asaj që do të thoshte lideri i saj, Albin Kurti, përbënte lajm të veçantë edhe prania e  e Florin Krasniqit dhe Flaka Dikës, të cilët ndërkohë do të prezantohen anëtarë të saj. 
 

Fillimisht Albin Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje! çdo ditë e më tepër po forcohet dhe organizohet dhe vetëm organizimi i fuqishëm e bën ndryshimin. “Dje Kosova u bë edhe me ish-qeveri, sikurse ishte edhe me ish-president. Kjo nuk ndodhi për shkak të interesave nacionale, por për shkak të interesave të ngushta partiake. Mirëpo rënia e djeshme e qeverisë ishte veç formale, sepse rënia ka filluar që nga themelimi i saj. Ajo rënie ka filluar nga momenti kur kjo Qeveri na i ka kontrabanduar Flamurin e Kushtetutën, kur festonte në Prishtinë e neve na digjeshin pikat kufitare me Serbinë, kur pranoi planin 6 pikësh, protokollin me Serbinë, filloi zbatimin e ndarjes së Kosovës përmes decentralizimit etnik dhe filloi shpronësimin e Kosovës me anë të privatizimit së pronës publike. Kjo ish-qeveri nuk i bëri nder as popullit as shtetit, sepse ishte me sovranitet të cunguar dhe e korruptuar moralisht e financiarisht”, tha ndër të tjera Kurti para gazetarëve.  
 

Florin Krasniqi potencoi se flet për here të pare në cilësinë e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje! ‘Dikur disa njerëz më kishin bindur të punoj kundër okupimit të Serbisë, sot jam i bindur se duhet të punoj kundër okupimit të vendit tone nga rrugaçët, dhe ata lokalë, nacionalë dhe ndërkombëtarë. Të parët vjedhin lopën e qytetarit, të dytët vjedhin pasurinë publike, ndërsa të tretët e mbajnë Kosovën të varur në këtë situate që është. Kurrë nuk kam menduar se do të vijë në kësi situate, mirëpo unë nuk do t’i kursej kapacitetetet e mia, morale, intelektuale dhe materiale për ta çliruar atdheun tim nga këta kriminelë. Unë besoj në vitalitetin dhe zgjuarsinë e popullit, të cilin nuk e kanë mbajtur dot as perandoritë e mëdha, aq më pak këta rrugaçë”.
 

Flaka Dika tregoi se Lëvizja Vetëvendosje! është e gatshme jo vetëm për zgjedhje, por edhe për ndryshime rrënjësore të domosdoshme në Kosovë. “Deri më tash i kemi krijuar 22 këshilla të qendrave nëpër komunat e Kosovës, të cilët janë duke punuar për çdo ditë në teren, në organizimin e pikave në nivel lagjesh dhe fshatrash. Falë këtij organizimi janë anëtarësuar mbi 7270 anëtarë të rinj në Lëvizjen Vetëvendosje! Gjatë 2 javëve të fundit janë anëtarësuar mbi 1000 vullnetarë, që po e ndihmojnë punën tonë, ndërkaq Qendra jonë në Universitetin  e Prishtinës ka anëtarësuar 830 anëtarë, nga të cilët 62% janë vajza”, përfundoi Flaka Dika.

5 Komente

 .

 

i Like!

Ju lumte! Uroj qe shqiptaret ne Kosove te tregojne me teper zgjuarsi se ne ne Shqiperi. Ata te pakten kane mundesi te zgjedhin.
Ps. Cfare do te thote fjala "potencoi" ne paragrafin e trete?

potencoi do te thote: emphasized, pointed , said.

Na jep dot njeri ndonej te dhene per Flaken dhe Florinin. Pse iperbente lajm te vecante prania e tyre, kush jane keta te dy. Sorry per injorancen, po kam kohe qe nuk degjoj lajme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).