Botuar fillimisht tek Blogu "E-zani i naltë"

**************************************

 

“Nëse njerëzit e përcaktojnë një situatë si të vërtetë, pasojat prej saj janë të vërteta” 

 W.I.Thomas dhe D.S.Thomas, The Child in America

 

Shkrimin e tij në gazetën Shqip të datës 26 Nëntor, te titulluar “Turqia dhe iluzioni ballkanas i aleancës”, i cili ne pamje të pare të jep përshtypjen e një analize serioze mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe specifikisht mbi aleancat rajonale, z.Dritan Hila e hap çuditërisht me një pasazh nga romani Skënderbeu i Sabri Godos, ku tekstualisht thuhet: “Turku ka nevojë për kalin, jataganin dhe Kuranin” - po ti bashkëngjisim këtij fragmenti edhe vargjet e famshme të rilindasit Naim Frashëri “O dritë që lind andej nga perëndon”, të cilat artikullshkruesi ja ndërfut tekstit për të treguar aspiratat euroatlantike të elitave drejtuese të periudhës së pas Pavarësisë e deri në ditët e sotme (këtu nuk bën përjashtim as Enver Hoxha, pasi komunizmi si ideologji ishte alternativa e kapitalizmit ose, thënë ndryshe, dy anë të së njëjtës medalje, Modernizmit Perëndimor, kemi përpara syve strukturën e krejt shkrimit të Hilës, strukturë e cila as më shumë e as më pak nuk është tjetër veçse dikotomia e vjetër orientaliste, e cila e ndante botën bardhë e zi në dy blloqe monolite Lindje-Perëndim, ku, sigurisht, Perëndimi ishte simbol i Dritës (iluminizmit), Arsyes, Forcës, Progresit dhe Virilitetit; vetë idesë së epërmë të Qytetërimit, ndërsa Lindja, despotike, obskurrantiste, irracionale, e dobet, femërore, e penetrueshme, e mbarsshme ose, me nje fjale, antipod i të parit.


Në këto pak rreshta nuk kam për qëllim ta analizoj shkrimin, apo serinë e shkrimeve të botuar nga autori në fjalë në faqet e Shqipit, nën dritën e fenomenit që studiuesi dhe intelektuali i shquar amerikano-palestinez E.W.Said e pëkufizon si orientalizëm, dhe me elegancë i bën një trajtim shkencor në veprën me të njëjtin titull Orientalism (Pantheon Books, New York, 1978)**, dhe as ta analizoj këtë fenomen në kontekstin shqiptar, pasi pedagogu E. Sulstarova e ka trajtuar me mjaft elokuencë në librin e tij Arratisje nga lindja: orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadare, edhe pse shkrimet e Hilës mund të kontribuojnë pozitivisht në zgjerimin e Arratisjes me ndonjë kapitull suplementar.

Ajo që unë dua të analizoj këtu eshtë përdorimi i letërsisë artistike me karakter të pastër fiksional dhe ideologjik për ndërtimin e realiteteve të paqëna dhe imponimin më pas të këtyre “realiteteve” si rreziqe aktuale për vendin, në kuadër të aleancave të mundshme rajonale. 

Autori, gjatë të gjithë tekstit, e ka të pamundur të shkruajë më shumë se dhjetë rreshta pa rënë në kundërthënie me veten: <<jatagani>> dhe <<Kurani>> paskan ngjizur tek ADN-ja e turkut ekspansionizmin duke e çuar deri tek Portat e Vjenës dhe se kjo karakteristikë, sipas Hilës, <<qëndron dhe se shpirti turk ka mbetur i njëjtë>>. Këto abstragime mistiko-gjenetike, që vetëm “shkenca” dhe katekizmi hiljan mund të na i bëjë të kuptueshme, kërkojnë trajtim më vete, por ajo që të le gojëhapur e të merr frymën është binjakëzimi i “shpirtit” ekspansionist islamo-osman me kemalizmin republikan, i cili njihet historikisht si luftarakisht antiislam, modernizues dhe pro Perëndimor duke thënë se :

 

Në ditët e sotme, mund të thuhet se karakteristika qëndron dhe shpirti turk ka mbetur i njëjtë: Shprehja “Pamja e jashtme shpesh të gënjen”, duket sikur është stisur për Turqinë, pasi disfata në Luftën e Parë Botërore dhe ngushtimi i Perandorisë së Osmanëve në kufijtë e asaj që sot është Republika Turke, ridimensionoi edhe politikën e saj të jashtme, ku gati për një shekull, pasardhësit e osmanëve ishin ose një shtet me politikë të theksuar neutraliste në gjysmën e parë, ose anëtarë besnikë të NATO-s më vonë, por me një profil të ulët ndërkombëtar, e megjithatë, themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Ataturk, duket se midis rreshtave kishte lënë edhe mesazhin për rolin e ardhshëm të Turqisë, ku duke folur për politikat që duhej të ndiqte vendi i tij, thoshte se “Turqia duhet të kujdeset si për paqen brenda kufijve ashtu edhe për atë jashtë kufijve”.

Për të vijuar vërtik me:

Vështirë ta ndash se kur një komb ndihet i sigurt në vetvete, pasi edhe Roma u bë perandori botërore, kur fshatarët e shtatë kodrave buzë lumit Tevere, shtynin gjithmonë e më shumë kufijtë e fshatit, për të pasur brezin e sigurisë, deri sa arritën dhe e shtrinë në tri kontinente.

Siç duket fare qartë, me një harresë gati sklerotike, autori vazhdon në paragrafin e mësipërm të flasë për ekspansionizmin romak, i cili pa pikën e dyshimit nuk ka qenë assesi i frymëzuar nga Kurani. Por, nëse turqit na qenkërshkan frymëzuar nga parimet kuranore atëherë romakët dhe pasuesit e tyre modernë europianë nga cilat parime ekspansioniste udhehiqeshin? Përgjigja e Hilës është e pjesshme, duke nxjerrë në pah vetëm sigurinë territoriale dhe lë pas dore etjen për pasuri, toka, skllevër dhe lëndë të parë për vënien në lëvizje të makinerisë industriale, simbolit unik të progresit Perëndimor. Është e tepërt të kujtojmë edhe gërshetimin e këtij ekspansioni me “Misionin Civilizues” të Njeriut Të Bardhë të iniciuar prej Francës. A mund të na përgjigjet me sinqeritet Dritan Hila se ç’forca shtytëse e kane dislokuar Flotën Ushtarake Amerikane në pesë oqeane dhe gjashtë kontinente, duke i dhënë kështu administratës së këtij shteti një ubikuitet të pa parë ndonjëherë në historinë botërore, ndërsa anti-globalizmi sot, si lëvizje, është i papërfytyrueshëm pa qenë simultan dhe në sinkroni të plotë me anti-amerikanizmin?

Faktet e qarta tek një mendje, e cila si premisa për kuptimin e realiteteve vendos fantazitë letrare, nuk bëjnë shumë dobi. Me padurim pritet vetëm ngritja e Perandorië Imagjinare neo-Osmane dhe thyerja e Portave të Vjenës. Por, edhe nëse Turqia kërkon ta projektojë veten si superfuqi moderne të së ardhmes, me ç’të drejtë morale mund të kundërshtohet ky projekt nga Hila, kur ky njeri nuk ngre lart parimisht flamurin e anti-imperializmit proletar, por, përkundrazi, atë të një tjetër perandorie, Amerikës? Po, po, pasi flamurin antiimperialist të marksizëm-leninizmit ka vendosur t’ia ngjeshë në dorë Muhamed Abdyl Uehabit, pa e pyetur fare as sheikun e Arabisë dhe as pasuesit e tij të sotëm të cilët janë betuar për zbythjen nga Gadishulli Arabik edhe të Perandorisë së Hilës po për të njëjtat arsye që Abdyl Uehabi luftoi Osmanët, (sipas idhtarëve te sheik Abdyl Uehabit) përdhosjen e qyteteve të shenjta të Mekës dhe Medinës. 

Nga historiografia nacional-komuniste, Hila merr si të mirëqenë edhe urrejtjen en block të shqipëtarëve apo vendeve dikur nën sundimin e Perandorisë Osmane kundrejt vetë kësaj Perandorie, duke lënë jashtë konsiderate të gjitha interpretimet alternative që ekzistojnë të paktën nga autorë shqiptarë ose ballkanas rreth kësaj periudhe historike. Në bibliotekat e universiteteve Perëndimore, dhe veçanërisht në ato izraeliane të cilat janë ta angazhuara seriozisht në kuptimin e konflikteve racore, etnike dhe fetare, kjo për shkat të pozitave anemike që ka ky shtet në rajon, gjenden mjaft studime serioze mbi periudhën e sundimit Osman në Lindjen e Mesme, dhe në Gadishullin Ballkanik. Studime të cilat krahas objektivitetit që i karakterizon, e kanë të pamundur të mos flasin me superlativa për sistemin e famshëm të mileteve në marrëdhënie me pakicat, sistem i cili për pjesën dërrmuese të studiuesve ka qenë më i miri për kohën në rang perandorish.***

Është e vërtetë, që Perandoria Osmane degradoi në pesë dekadat e fundit të jetës së saj dhe një pjesë e mirë e këtyre dështimeve i atribuohet edhe “ndriçimit” të terrenit me “dritën që lindte andej nga perëndonte”, dritë e cila i hapi rrugën nacionalizmit të Xhon Turqve dhe genocidit ndaj armenëve. Por, edhe këtu faktet tregojnë se numri i viktimave të dhunës etnike dhe fetare në pesëqind vjet sundim Osman në Lindje të Mesme dhe Ballkan janë më të vogla se sa ato të shtatëdhjetë vitive të fundit, kur situatën e morën në dorë elitat nacionaliste. Nobelisti turk Orhan Pamuk në librin e tij me kujtime “Stambolli” dëshmon me trishtim se në dyzet vjet kemalizëm (1923-1963) numri i greko-ortodoksëve viktimë të histerisë nacionaliste turke arriti shifrën 50 000 (vrasje, dëbime, përdhunime), shifër e cila, përsëri gjithmonë sipas Pamukut, ngelet më e madhe se ajo e arritur gjatë 500 viteve sundim perandorak, duke përfshirë këtu edhe luftën për marrjen e Kostandinopojës. Besoj se Pamuku vetë do të sekëlldisej pamasë kur ta shihte veten brenda “shpirtit turk” që propozon Hila dhe me ADN-në e programuar po nga ky i fundit, pasi e njohin anë e kënd botës si ateist dhe të majtë. Por, sigurisht që zëri i Hilës nga tribunat mediatike të Tiranës nuk është as për Ankaranë dhe as për Moskën, as për Uashingtonin dhe as për Pekinin e aq më pak për Romën dhe Brukselin. Ky zë është pjesërisht për veshët e elitës politike shqiptare ndërsa për masat votuese luan rolin e qenit të stanit i cili i rrëfen bagëtisë rrugën se nga nuk duhet të ecë.

Dritan Hila mburret me vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë të cilat bëhen relative sapo vihet në diskutim një konkurent i mundshëm si Turqia, ku një qeverie të zgjedhur demokratikisht dhe me vullnet të lirë si alternativë ndaj ndjenjave të tyre “të theksuara” fetare i vihet marrja e pushtetit në mënyrë antidemokratike nga forcat e armatosura. Ky lloj dopio standarti nuk është risi për veshët e amerikano-jugorëve, iranianëve, apo fqinjëve tanë grekë p.sh., ku Sh.B.A-ja kontribuoi në mënyrë të qenësishme në vitet 70 të shekullit të kaluar për mbajtjen në fuqi të regjimeve fashiste për interesat e saj strategjike në kuadër të Luftës së Ftohtë.

Duke vazhduar të qëndrojmë në “botën e vlerave”, ftohja e Turqisë ndaj Izraelit shihet si makinacion i ulët taktik për të fituar admirimin arab dhe aspak si një distancim parimor ndaj padrejtësisë. Nuk e di si e sheh Hila mbështetjen e pakushtëzuar të Amerikës ndaj po të njëjtit shtet, i cili në shkelje të hapur me të gjitha konventat dhe rezolutat ia përdor armatimin kësaj të fundit për genocid ndaj palestinezëve etnik? Duke e fajësuar Ataturkun në fillim të shkrimit të tij së bashku me Islamin (?) si një nga shteghapësit e ekspansionizmit turk, çuditërisht Hila e mbyll shkrimin e tij si më poshtë:

Nëse Turqia do të ndjekë rrugën të cilën e filloi Ataturku (cilën rrugë, atë të ekspansionit?), natyrisht me korrigjimet që kërkon koha (për shembull?) ka për të qenë risi në botën Islame (a thua shtetet e tjera të Lindjes së Mesme jetokërkan në kohën e Harun el Rrashidit); pjesë e rëndësishme integrale e qytetërimit modern dhe do të ketë si deri më tani përkrahjen e tij. Në të kundërt, aeroplan mbajtësen që ka planifikuar të ndërtojë, vështirë se do ta realizojë me inxhinjerët e universiteteve të Ulan Batorit dhe Tashkentit.****


Ekpsertiza gjeopolitike e Hilës tregon se edhe Universiteti i Tiranës nuk është më i fisëm se ai i kryeqyteteve të mësipërm aziatikë me emra ekzotikë dhe se kafenetë nga auditorët dallohen vetëm nga mënyra se si ia kanë pozicionuar karriget, ku ligjin nuk e bën argumenti por forca ideologjike me të cilën imponohet çka është e leverdisshme konjukturalisht për pushtetin.

Rudian Zekthi, në pasthënien që i bën përkthimit shqip të Orientalizmit, në mënyrë mjaft iluminuese na bën të kuptojmë fenomenin pjesë e të cilit është artikullshkruesi në fjalë. Zekthi vazhdon si më poshtë: 

Të ndodhur për pesë shekuj nën një perandori orientale, elitat shqiptare, siç është e natyrshme, qenë elita imperiale. Dobësimi dhe rënia e Perandorisë Osmane, orientale në shekullin XIX-XX, korrespondon në Shqipëri me lindjen e elitave nacionaliste, të paktën nga Rilindja Kombëtare e deri më sot. Këto elita jo-më-imperiale, rënien e Perandorisë Osmane e kanë përbrendësuar si disfatë të fuqisë irracionale të Orientit, karshi fuqisë racionale të Oksidentit. Ky përbrendësim, siç sapo treguam, ka bërë që elitat shqiptare të besojnë verbërisht se dija prodhon fuqi. Dhe, duke qenë përherë nën presionin e shovinizmit të Oksidentit, nuk kanë arritur dot të bëhen pjesë e Oksidentit. Dija prodhon fuqi, pra, por jo për shqipëtarët (por për Oksidentin) të cilët të dominuar nga Oksidenti nuk ja njohin vetes të drejtën të kenë dije, meqë paraprakisht nuk kanë as fuqi racionale sepse nuk duan t’ia marrin Oksidentit, as fuqi iracionale sepse nuk duan t’ua japë Orienti. Ky është një variant i shtrimit të problemit shqiptar: ne nuk ia njohim vetes të drejtën për të pasur dije meqë këtë të drejtë e ka fituar përfundimisht Oksidenti, duke e përdorur fuqine (e prodhuar nga kjo dije) me drejtësi duke na çliruar nga fuqia pa drejtësi e Orientit.

 

Besoj se kaq do të ishte e mjaftueshme për të gjithë ata të sërës së Hilës që pretendojnë të kenë përfaqësuar vlerat dhe idealet më të larta të Perëndimit, se më shumë se shartim i fantazive dhe imagjinatave, Perëndimi është pjellë e kërkimit të së vërtetës me gjitha shijet e saj.

 

 

 

*Autori vazhdon Masterin në Studime Amerikane pranë Universitetit të Torinos, Itali.

 

** Orientalizmi, E.W. Said, Shtëpia Botuese “2lindje2perëndime”, Tiranë, Nëntor 2009

*** Ethnicity, Pluralism, and the State in The Middle East, Milton.J.Esman and Itamar Rabinovich, Tel Aviv University Press 1984 dhe A History of the Modern Middle East, William L. Cleveland, Westview Press Colorado 2000.

**** Komentet ne kllapa janë të autorit


 

 

6 Komente

Zoti Seitaj,

Nga artikulli juaj me rezolton se ju keni ne epiqender kundershtimin personal qe i beni Zotit Hilaj sesa trajtimin e ceshtes se ngritur prej tije ne kornizen e debatit te hapur (pa emertim te theksuar adresati) rreth nje tematike. Kjo nuk eshte rruga e drejte dhe e frytshme per tu pergjigjur tematikes sepse ne qender ke vendosur ironizimin dhe dyluftimin personal, gje qe e perkufizon debatin ne rrethin e dyluftimit personal. Kjo eshte jo vetem kontraproduktiv por edhe shpreh qarte llojin e nje debati provincial ku arsyetimi dhe qellimi shkon rreth "kam te drejte une dhe jo ti" karakteristike e egos individuale qe nuk sherben per opinion mbare-produktiv! Me kaq i ke mbyllur vetes nje dritare qe mund te ishte e hapur per publikun!!!

 

kev

Ky shkrim i Z. Seitaj, me duket nje mission vetvrases (ne menyre figurative, kuptohet). 

Keto lloj artikujsh ne fillim lindin si replika te nje apo disa shkrimeve, pastaj "rruges" fillon dhe merret shume seriozisht..., si perfundim e githe situata merr ngjyrim emocional dhe transformohet ne nje ceshtje "private". Ne fund, autori i ben nje lexim me syrin kritik te nje kryeredaktori te mirfillte, i cili kerkon shum nga cdo shkrim, dhe ndien se dicka i mungon shkrimit... keshtu qe i shton fjalen "Kuran" aty-ketu.

Keto qe shkrova me siper ishte mendimi im i pergjithshem, deri kur i bera "Google" emrit te shkruesit, dhe dolen ca gjera te tipit "shqiperia orientale" apo "middle east" etj. etj. 

Me terhoqi titulli i ketij artikulli, por u zhgenjeva pasi shpresoja te gjeja ketu nje analize te qarte gjeopolitike te Turqise dhe cka eshte me e rendesishme, te raportit te Shqiperise me te, ne kuadrin jo vetem te bashkepunimit rajonal, por te aleancave te mundshme ne realitetin gjeopolitik ku jetojme. Jam shume kurioze per nje analize te tille, mbasi gjeopolitika imponon perseritje te lojes me qellime te njejta por lojtare te tjere ne kohe te ndryshme.

Per mendimin tim, Turqia ne shekullin e 20 ishte ne gjendje tranzicioni. Ajo perjetoi fundin e nje epoke, termetet qe vijne si rezultat i pikepyetjeve te nje kombi ne udhekryq dhe deshiren per te gjetur se pari stabilitetin dhe me pas zerin e ri nderkombetar te saj. Turqia ka nje rol shume te rendesishem jo vetem ne rajon, por edhe me gjere, ne nje bote tashme post-post lufte te ftohte. Per mua periudha e post-luftes se ftohte mbaroi ne Ukraine me revolucionin portokalli. Ne boten e re ku Rusia po permendet, ku Evropa po behet gjithmone e me shume vegel e Gjermanise (qe po afrohet shume me Rusine) dhe ku Amerika nuk ka interes qe kjo aleance mes ketyre dy motorave te fuqishem te jete frytdhenese me teper se sa duhet, eshte me se e natyrshme qe USA te mbeshtese Turqine. Per me teper qe Turqia 'flet' me disa gjuhe qe e kuptojne shume lojtare te tjere me interesa qe bien ne kundershtim me njeri-tjetrin ne rajon dhe eshte nje ndermjetes dhe aleat i fuqishem ne kete kuptim per kedo qe ka interesa ne kete rajon. Po ashtu, hyrja e Turqise ne BE, me shume sesa me faktorin fetar dhe diskutimet per te drejtat e njeriut, ka te beje me faktin qe Turqia me shume se pjese e Evropes, eshte konkurrent i saj.

Une mendoj se nga ana strategjike, duhet nje analize e pozicionit tone dhe aleancave qe duam te krijojme jo per sot, po per 50-100 vitet qe vijne. Ne kete analize Turqia ka patjeter vendin e vet dhe mendoj se duhet te clirohemi nga ngarkesat emocionale qe kemi nga perandoria osmane. Jo qe te harrojme historine, por qe te gjejme perfundimin me te deshirueshem per Shqiperine. Kur Gjermania dhe Rusia po behen miq shume te mire per arsye strategjike pas gjithe c'ka ndodhi ne L2B, une nuk e kam fare problem t'a shikoj Turqine si nje element qe duhet te figuroje ne strategjine e se ardhmes se Shqiperise.

Replika e autorit ka rene ne te njejten gracke emocionale te artikullit origjinal qe kritikon. 

Ajo që unë dua të analizoj këtu eshtë përdorimi i letërsisë artistike me karakter të pastër fiksional dhe ideologjik për ndërtimin e realiteteve të paqëna dhe imponimin më pas të këtyre “realiteteve”si rreziqe aktuale për vendin, në kuadër të aleancave të mundshme rajonale.

Kjo behej ne nje paragraf dhe pastaj kalohej ne gjera me interesante. 

Nuk mund te diskutohet gjeopolitika as me makiato, e as me kafe me xhezve. 

Kur gjeopolitika e Ankarasë bëhet në kafenetë e (ish) Bllokut. Pasi degjuam klientin qe ri me kuriz nga dritarja e kafenese, tani po degjojme ate qe ri ne krah te deres se hyrjes ne kafene. Valle ai qe ri perballe xhamave do te thote ndonje gje tjeter neser?

 

Eh, edhe këta i duheshin peshkut.

Kanë një mënyrë të çuditshme të argumentuari... që unë nuk ua kap dot. (pashë gjithë blogun e këtyre)

Konkretisht çka thonë mblidhet në:

- E. Said is the best thing ever, since sliced bread.

- Çdo lloj kritike ndaj Turqisë, Islamit, orientit, përkufizohet si "orientaliste", sipas përkufizimit që i bën Said "orientalizmit".

- Çdokush që i kritikon këta, e bën sipas mënyrës komuniste, apo imperialiste. Shumë herë të dyja bashkë.

- Në shumicën e artikujve, këta vënë në pikëpyetje edhe të drejtën për të kritikuar të atij që marrin përsipër ta kritikojnë vetë. Unë skam parë ndonjë organizatë tjetër që ta bëjë këtë, dmth t'i vërë në pikëpyetje dikujt të drejtën për të shkruar rreth një problemi.

Përfundimisht, këta janë shumë të çuditshëm...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).