http://respublica.al/foto/20101201101424_fotoart.jpg

(Trafik amerikan me makina kineze)

Ky është një artikull argëtues i Thomas L. Friedman-it. Të shkon mendja, se edhe vetë ai duhet të jetë argëtuar pa masë, ndërsa e ka shkruar. Por do të ishte gabim – sipas meje – të mbeteshim tek qasja argëtuese, dhe për këtë arsye, ta bënim dalje si një shkrim “gallate”. Kur e quaj këtë shkrim “argëtues”, kam në mendje veç një gjë: Friedman-i na thotë me një stil të ngjyrosur satirik gjëra shumë serioze. Duhen veçuar dy sosh prapa çdo teprimi stilistik: 1. politika amerikane ka ca kohë që ka mbetur në llucën e një dialektike të ashpër, gjë që është bërë shkak të paguhet një kosto e madhe në shumë drejtime; 2. ritmet e zhvillimit ekonomik në sistemin eklektik kinez janë me të vërtetë befasuese; dhe të frikshme për të gjithë ata që besojnë në “fenë” e demokracisë liberale.

Shënim i përkthyesit

Përktheu Mustafa Nano

___________________

Duke lexuar sekrete të wikileaks-it në të gjitha gazetat amerikane, mua më lindi një pyetje: Po sikur Kina të kish një wikileaker, dhe ne të kishim mundësinë të lexonim një raport mbi Amerikën të hartuar nga Ambasada kineze në Washington? Kam frikë se një raport i tillë do ish diçka e ngjashme me sa më poshtë:

Ambasada e Washington-it, Republika Popullore e Kinës, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Pekin, TOP SECRET/Lënda: Amerika në ditët e sotme.

Gjërat këtu janë duke ecur në favorin e Kinës. Amerika është një vend thellësisht i polarizuar në pikëpamje politike, gjë që i bëhet krah synimit tonë për të dalë përpara SHBA-ve, si ekonomia dhe kombi më i fuqishëm i botës. Jemi veçantërisht optimistë, ngaqë amerikanët janë të ndarë për gjëra kotmëkot. Vjen vërdallë një vullnet vetshkatërrues nga këto anë, a thua se Amerika ka gjithë kohën e paratë e mundshme në dispozicion për t’u marrë me “e lagu, s’e lagu”. Zihen për gjëra të llojit – nuk jemi duke e sajuar këtë gjë – “si dhe në ç'pjesë të trupit mund t’i prekë udhëtarët një oficer policie, teksa është duke bërë kontrollin e sigurisë aeroportuale". Grinden – jemi të kënaqur t’jua themi këtë – lidhur me traktatin më të fundit SHBA-Rusi mbi reduktimin e armëve nukleare. Duket sikur republikanët janë kaq të interesuar për ta dobësuar Presidentin Obama, sa s’e kanë për gjë të sabotojnë një traktat që do të mundësonte një bashkëpunim më të ngushtë midis SHBA-ve e Rusisë lidhur me Iranin. E duke qënë se çdo afrim midis SHBA-ve e Rusisë nuk bën gjë tjetër, veçse sjell dobësimin dhe izolimin tonë, ne duhet t’i jemi mirënjohës senatorit të Arizonës, Jon Kyl, i cili është duke vënë interesat tona përpara atyre të Amerikës, dhe po bllokon ratifikimin e traktatit të mësipërm në Senat. Ambasadori ynë ka ftuar për darkë senatorin Kyl dhe gruan e tij në restorantin kinez Mr. Kao, dhe me këtë rast do ta përgëzojë për qëndrimet e forta e të vendosura në favor të interesave të Amerikës (lexo: interesave të Kinës).

Amerikanët sapo kanë mbyllur ato, që ata i quajnë “zgjedhje”. E dini më të bukurën e këtyre “zgjedhjeve”? Këtu kongressmen-ët bëjnë çmos të grumbullojnë pará më të madhe se sa kundërshtarët (është pará që vjen nga sipërmarrje që janë me probleme në terma të korrektesës ligjore), dhe kështu të kenë mundësinë të thonë gënjeshtra më të mëdha në TV në adresë të rivalëve të tyre, e t’i thonë këto gënjeshtra shumë më shpesh se sa mund ta bëjnë këta të fundit. Kjo gjë na ngushëllon bajagi. Kjo do të thotë se Amerika nuk ka ndërmend të merret me problemet e veta strukturore, me deficitin që po fryhet e fryhet, me shkollat që po bëjnë poshtë e më poshtë, me infrastrukturën që s’po mundin ta rinovojnë, dhe me trurin e huaj që s’po mund ta thithin si qëmoti.

Ambasadori ynë bëri ditët e fundit një udhëtim me tren nga Washington-i në New York, një udhëtim me trenat, që amerikanët i konsiderojnë të shpejtë (Acela – kështu e quajnë shërbimin hekurudhor me shpejtësi të lartë). Trenat tanë, që bëjnë linjën Pekin-Tianxhin, do ta përshkonin të njëjtën distancë për 90 minuta, ndërsa Ambasadorit iu deshën tri orë të mira (dhe për fat, qëlloi që treni u nis në kohë). Në rrugë e sipër ambasadori qëndroi në kontakt të vazhdueshëm telefonik me ne të Ambasadës, dhe në harkun e një ore (na besoni, as këtë nuk po e sajojmë) na u ndërpre biseda 12 herë. Ne kemi zënë të tregojmë një barceletë në Ambasadën tonë: “Kur na marrin në telefon nga Kina, duket sikur na marrin nga apartamenti përballë; dhe kur na marrin në telefon nga apartamenti përballë, duket sikur na marrin nga Kina”. Ca nga ne kanë punuar në Ambasadën tonë të Zambias, dhe bëjnë be se shërbimi i atjeshëm i telefonisë mobile është më i mirë se sa ky i Amerikës.

Por amerikanëve u duhet kohë të ftillohen për këtë gjë. Ata udhëtojnë jashtë vendit të tyre shumë rrallë, dhe kështu as që e kanë idenë se vendi i tyre po mbetet prapa. Dhe është për të qeshur, kur i dëgjon të hahen me sho-shoqin se si dhe se sa ata “hanë bukë veç (janë exceptional-ë)” në këtë botë. Të hënën, në faqen e parë të gazetës The Washington Post (ju betohemi, që është e vërtetë dhe kjo) ish një artikull me gërma të mëdha, ku thuhej se republikanët Sarah Palin and Mike Huckabee e denoncojnë Obama-n, ngaqë ky i fundit nuk e paska çarë kokën për atë që ata e quajnë “american exceptionalism (medemek, Amerika si një muhabet më vete në këtë botë)”. Është e çuditshme, por amerikanët njëherë e një kohë punonin vërtet për të qënë exceptional-ë, ndërsa tani vetëm çaprashitin se sa “exceptional-ë” janë. Duket sikur nuk e kuptojnë, se nuk ka pikën e kuptimit të vetshpallesh “exceptional”; janë të tjerët që duhet ta thonë këtë gjë për ty.

Përsa i takon politikës së jashtme, nuk ka gjasa që Obama t’i largojë trupat amerikane nga Afganistani. Ai e di se, nëse do ta bëjë këtë gjë, republikanët do ta etiketojnë “të lëkundur e të pavendosur”, dhe kështu SHBA-të do të vazhdojnë të çojnë dëm atje 190 milionë dollarë/ditë. Prandaj, Amerika në këtë moment nuk ka fuqinë e duhur ushtarake për të na sfiduar neve gjetkë, sidomos në këtë çështjen e Koresë së Veriut, ku aleatët tanë me hënëz do të vazhdojnë të hedhin ndonjë vickël njëherë në çdo gjashtë muaj, e në këto raste, dihet kjo punë, amerikanët do të na kërkojnë që t’ua ulim pak xanxat koreanëve mistrecë. Dhe kur të vijë puna që amerikanët ta lënë Afganistanin, afganët vetë do t’i urrejnë aq shumë ata, sa kompanitë mineralkërkuese kineze që janë tanimë në terren do të jenë në gjendje të blejnë për hiç gjë çfarë ka mbetur prej mineraleve të rralla në atë zonë.

Shumica e republikanëve të sapozgjedhur në Kongres nuk u zënë besë shkencëtarëve të tyre kur thonë se ndryshimet klimaterike janë vepër e dorës së njeriut. Politikanët e Amerikës janë kryesisht juristë e avokatë (jo inxhinierë e shkencëtarë si andej nga anët tona), dhe kështu atyre aq ua prêt në lëmë të shkencës; mund të thonë ç’të duan, dhe askush s’ua merr për të madhe. Kjo është një gjë e mirë. Kjo do të thotë se ata nuk kanë ndërmend të përkrahin hë për hë ndonjë nismë ligjore, që synon promovimin dhe prodhimin e energjisë së pastër të rinovueshme, gjë që ne vetë e kemi futur në planin pesëvjeçar. Kjo përbën një siguri se përpjekjet tona për të dominuar në fushën e industrisë së prodhimit të makinave duke shtënë në punë energji eolike, diellore, e nukleare, nuk do të sfidohen nga amerikanët.

Dhe më në fund, mos harroni se një numur gjithnjë e më i madh nxënësish të shkollave të mesme amerikane po studjojnë gjuhën kineze, gjë që do të përbëjë një ofertë të mirë të krahut të lirë të punës, që flet kinezçe këtejpari, të cilën ne mund ta përdorim në kohën e duhur, kur të vëmë në përdorim rezervat tona prej 2.3 trilionë dollarësh për të blerë urtë, butë dhe pa bujë fabrikat amerikane. Shkurt hesapi, gjërat në Amerikë janë duke ecur në të mirë të punëve tona.

Dhe shyqyr o Zot, që amerikanët nuk mund të lexojnë dokumentat tona diplomatike.

Ambasada e Republikës Popullore të Kinës, Washington.

Marrë nga ResPublica

17 Komente

Politikanët e Amerikës janë kryesisht juristë e avokatë (jo inxhinierë e shkencëtarë si andej nga anët tona), dhe kështu atyre aq ua prêt në lëmë të shkencës; mund të thonë ç’të duan, dhe askush s’ua merr për të madhe.

smiley

 Kur ka per ta filluar Amerika luften kunder.... "terrorizmit psikologjik" ? Se keto te tjerat....... i ka vene ne vije .

Kjo eshte me shume per te qare se per te qeshur.

Per fat te keq, gjithnje e me shume po vertetohen studimet e R. Barro;

Zhvillimi me i larte ekonomik ndodh  kur lirite politike jane ne nje nivel mesatar. Ekonomia penalizohet edhe nqs ka shume pak demokraci por edhe nga liria e plote politike apo demokracia e plote

Nuk e di cfare ka pas parasysh barro po me siguri qe jo vendet nordike

Ne fakt e kam pare kete studim ne nje leksion ne universitet, dhe e mbaj mend akoma Norvegjine pikerisht tek vendet me liri te madhe politike. Eshte studim ekonometrik dhe per nje periudhe kohe te gjate para viteve 2000 dhe vendet me liri mesatare (Meksika Tailanda ...) dilte se kishin zhvillimin ekonomik me te shpejte. 

Por nuk them se rezultati duhet marre si e vertete absolute, as Barro s'besoj ta thote kete, pasi te dhenat mund te ken pasur edhe ndonje biais te panjohur qe i ka shpetuar, vecse kur lexoj ato qe shkruan Friedman, ose kur shohim rritjen e vendeve si Kina, Azerbazhajni apo Bjellorusia me liri te kufizuar politike, besoj gjithnje e me shume  se perfundimi i studimit ndoshta vlen edhe per ekonomine reale. 

(all from businesses they are supposed to be regulating)

(është pará që vjen nga sipërmarrje që janë me probleme në terma të korrektesës ligjore)

 

Te keqen e perkthimit...

 

1. politika amerikane ka ca kohë që ka mbetur në llucën e një dialektike të ashpër, gjë që është bërë shkak të paguhet një kosto e madhe në shumë drejtime

 

Prap po i qan hallin Amerikes Muci? Thua se gjerat ne Shqiperi jane vaj, qe i mbetet kohe Mucit te perktheje artikuj te NY Times mbi problemet Amerikane...

 

Prap po i qan hallin Amerikes Muci? Thua se gjerat ne Shqiperi jane vaj, qe i mbetet kohe Mucit te perktheje artikuj te NY Times mbi problemet Amerikane...

Une te vleresoj guximin.  Sepse une psh s'do kisha guximin  t'i thosha dikujt pse shkruan ti, pse interesohesh ti per x subjekt e aq me teper ne bllogun tend apo ne gazeten tende.  Le qe kur teshtihet ketu, jo ftohje, por me pneumoni behet gjindja ... po nejse se muhabet me vete.

_________

Thomasi me englendis.  Me ndonje perjashtim te vockel (tipik siperfaqesorce e tij) edhe ketu jam englendisur.

Flm per vleresimin.  Ky s'eshte shkrim e para punes, por nje perkthim.  E dyta, nje person pulbik si Muci me mundesi perdorimi te medias shqiptare (biles nje nga me te fuqishmet) dhe si qytetar i preokupuar qe na paraqitet ka nje qerre me material per te shfrytezuar mbi problemet kolosale dhe ndergjegjsimin e publik shqiptar mbi to, para se te arrije te perktheje Thomasin mbi problemet strukturore te Amerikes.  E me ne fund, une e ti engledisemi nga Thomasi por dhe hidherohemi per problemet qe ve ne pah, kurse qytetari mesatar Shqiptar as qe e ka idene per keto gjera dhe s'besoj se interesohet dhe aq shume.

pse shkruan ti, pse interesohesh ti per x subjekt

shkrim, duke iu referuar edhe nje shkrimi te meparshem te tij.  Interesim duke iu referuar perkthimit.  Se duhet te te ngjall interes qe te perkthesh dicka, kur nuk e ke perkthimin aktivitet te perditshem. 

Sa per shqetesimet e qytetareve shqiptare kliko tek ResPublica (linku eshte vene per kollajllek) e do shohesh artikuj te ndryshem. 

Une e solla ne peshk meqe ka goxha anetare ne kete ane te Atlantikut.  Megjithate edhe doren ne zjarr per sasine e interesave te qytetareve shqiptare nuk e ve.  Nuk po mbroj aspak veten me kete post, por thjesht per korrektese sqarimi. 

Tani, mundesisht po pate gje specifike per artikullin, bujrum, ne te kunderten ... mos ma merr per keq te lutem.

Besoj ne peshk vime per te diskutuar probleme qe lidhen me boten Shqiptare.  Artikulli mund te lexohet pa problem nga antaret pertej Atlantikut duke shkuar tek faqja e NY Times.

Mire.

Nuk besoj se niveli i demokracise ne SHBA mund te krahasohet me nivelin e demokracise ne Evrope. SHBA i afrohet me teper oligarkise, vendimet ne shumicen e rasteve merren sipas interesit se klases me te pasur, firmave nderkombetare. Sa per statistika, software interesant ka Hans Rosling, http://www.gapminder.org/.

Flm, per faqen. Une perdor data.un.org 

P.S. Amerika ka pasur ne pergjithesi rritje me te larte se Europa 30-40 vitet e fundit.  

smiley. Asgje. Varet se cfare quan rritje. Psh jetegjatesia ne SHBA eshte me e ulet se ne Evrope me 2-3 vjet. Po kerkoja per Inequality index, por nuk eshte perfshire akoma. Kam pershtypjen se ky indeks do jete shume me i larte ne SHBA se ne Evrope. Aty ka shume indekse te tjera qe ndoshta jane me te rendesishme se GDP per capita.

Flas per rritjen ekonomike ose rritjen e PBB/person qe eshte indikatori i zhvillimit ekonomik me i pranuar. Per zhvillimin e standartet e jeteses, duhet pare HDI

 

qe pozitat politike e ekonomike te Kines ne bote sa vijne e po behen te pamohushme, ky eshte fakt. Faktori kinez po ja fut friken keq Rusise, Europes e Amerikes. Kina ka nji ambicie te frikshme per dominim dhe USA e Europa jane tu e pa veten keq me masa shtrenguse qe marrin kunder Kines se dhe ato kane nji efekt te kundert. M'vjen n'mend ajo barcaleta kur ai femija pyti babin se c'ben zoti. Dhe kur babai i tha se "zoti ben gjithcka", femija e kapi n'ajer dhe u pergjigj: a-ha, e kuptova, qenka kinez.

 ".... Ne kemi zënë të tregojmë një barceletë në Ambasadën tonë: “Kur na marrin në telefon nga Kina, duket sikur na marrin nga apartamenti përballë; dhe kur na marrin në telefon nga apartamenti përballë, duket sikur na marrin nga Kina”. Ca nga ne kanë punuar në Ambasadën tonë të Zambias, dhe bëjnë be se shërbimi i atjeshëm i telefonisë mobile është më i mirë se sa ky i Amerikës..."  smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).