Aeroporti “Nënë Tereza”, ndryshe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, është një ndërtesë moderne e ndërtuar dhe pajisur sipas standardeve ndërkombëtare, nga e cila për 6-mujorin e parë të këtij viti u operuan 9360 lëvizje të trafikut ajror dhe udhëtuan rreth 645 mijë pasagjerë. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 9.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë, një vit më parë. Ndërsa për vitin 2009, nëpërmjet këtij aeroporti fluturuan 1,394,688 pasagjerë, çka krahasuar me vitin 2008, flet për një rritje në nivelin mbi 10 për qind. Sikur të ruhej i njëjti trend, viti 2010 duhet të paraqesë një numër total fluturimesh mbi 1.5 milion pasagjerë, shifër që mund të rritet edhe më tej si rrjedhojë e liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian.Por, ndërsa aeroporti në fjalë rrit vëllimin e operacioneve e bashkë me të edhe fitimet për Tirana Airport Partners (TIA), konsorciumi që menaxhon bashkë me aeroportin edhe të gjithë hapësirën e qiejve shqiptarë, këta të fundit janë bërë monopol i pandryshueshëm për pronarët e koncesionit.

Asnjë aeroport tjetër nuk mund të përdoret për qëllime civile komerciale, duke qenë se diçka e tillë ndalohet haptazi në kontratën e nënshkruar mes qeverisë shqiptare – atë kohë drejtuar nga ish-Kryeministri Fatos Nano – dhe investuesve të TIA.

Në kontratën mes palëve, parimi i ekskluzivitetit, thënë ndryshe, monopolit, është betonuar duke theksuar se “Qeveria e Shqipërisë garanton se gjatë Afatit të Koncesionit nuk do të licensohet, autorizohet dhe as operohet asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të uljeve emergjente”. Diçka e tillë ka marrë fuqi ekzekutive në vitin 2004, me fillimin e funksionimit të aeroportit të ri dhe do të vazhdojë të jetë në fuqi për 20 vjet që nga ky çast. Kjo do të thotë se vetëm pas rreth 15 vjetësh, në kontratë mund të rishikohet parimi i monopolit të ligjëruar për pronarët e rinj ish-Rinasit.

Rishikimi i ekskluzivitetit
Monopoli në fjalë mund të reduktohej në thjesht problem moral apo të një retorike anti-monopol me karakter higjenik, sikur të mos ishte për pasoja direkte që po i shkaktohet zhvillimit të disa zonave në jug dhe veri të Shqipërisë, pikërisht nga kufizimi i hapësirave ajrore dhe mospërdorimi i çdo gjëje që fluturon me pasagjerë për arsye fitimprurëse. Aeroporti i përfunduar i Kukësit dhe aeroporti ende në projekt i Sarandës janë dy projektet kryesore që kanë ngrirë për shkak të kontratës në fjalë. Për më tepër, ekzistenca e një monopoli përkethehet në kosto të panegociueshme, për sa kohë sektori menaxhohet nga vetëm një operator dhe nuk ekziston asnjë konkurrent në horizont.

Në rastin e Kukësit, një aeroport funksional nuk do të thoshte vetëm zhvillim i mëtejshëm i zonës, por kombinuar me rrugën tashmë drejt përfundimit që lidh Shqipërinë me Kosovën, do të maksimizonte shkëmbimet jo vetëm mes dy vendeve, por mbi të gjitha do të ndihmonte vërtet shqiptarët matanë kufirit. Këta të fundit janë më së miri në dijeni të kësaj mundësie dhe të këtij ngërçi, duke qenë se janë po të njëjtët që kanë lobuar fort për liberalizimin e trafikut ajror shqiptar, të paktën për rastin e Kukësit, duke kërkuar bërjen funksionale të këtij aeroporti. Aeroporti tjetër, ai i Sarandës, është ende në nivel projekti, por sërish nuk mund të bëhet operativ për sa kohë, Tirana Airport Partners ka të monopol absolut të fluturimeve tregtare në qiejt shqiptarë. Këta fundit janë operativë vetëm për palën në fjalë dhe në gjendje të ngrirë për çdokënd tjetër.
Në këtë pikë, gjithë debati nis te rishikimi i një kontrate dukshëm disavantazhuese për palën shqiptare, por e cila ka shumë pak shanse të ndryshohet vetëm me vullnetin e njërës palë. Kontratë nuk ka dispozita të qarta që mund të lejojnë një ndryshim të rregullave të lojës, përveç rasteve të jashtëzakonshme, si katastrofa, çështje sigurie etj.

“Qeveria e Shqipërisë nuk do të lejojë dhe do të detyrojë Organin Shtetëror te Autorizuar dhe asnjë ent shtetëror të mos përpiqen të lidhin ose të ndërmarrin lidhjen e ndonjë marrëveshjeje të cfarëdolloji me të tretët, e cila mund t’u japë ose synon t’u japë ndonjë nga të drejtat sipas Koncesionit palëve të treta ose të marrë çdo masë që përfshin lidhjen e kontratave, që në çdo mënyrë tjetër mund të cenojë të drejtat ekskluzive të dhëna Shoqërisë sipas kësaj Kontrate”. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, është i vetmi operator i çfarëdolloj fluturimi të mundshëm dhe çdo mundësi apo nevojë e re duhet të kalojë më parë nga dashamirësia apo jo e zotëruesve të koncesionit.

Në këtë pikë, qeveria shqiptare ka ndërmarrë, të paktën publikisht, disa hapa për rinegociimin e këtij kushti në kontratë, ndërsa përfaqësuesit e TIA janë shprehur “përgjithësisht të hapur për negociata”, por në veçanti kanë thënë se vënia në funksionim e aeroporti të Kukësit i dëmton financiarisht. Jo shumë kohë më parë, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Andrea Gebbeken, tha madje se futja në punë e aeroportit të Kukësit nuk është në leverdinë e asnjë pale. Ndërsa kjo deklaratë mbi aeroportin e Kukësit është lehtësisht e debatueshme, nga ana tjetër, Gebbeken shtoi se do të ishte e gatshme të merrte përsipër menaxhimin e Aeroportit të Sarandës, “por edhe për këtë nevojitet shumë punë”.

Për më tepër, bllokimi i këtyre dy projekteve është edhe një problem politik për qeverinë “Berisha”, duke qenë se ndërtimi i Aeroportit të Sarandës dhe vënia në punë e atij në Kukës, ishin pjesë e strategjisë së Berishës për programin e dytë qeverisës. Nuk dihet saktësisht se në ç’pikë ndodhet grupi i punës i ngritur nga qeveria enkas për të rinegociuar këtë çështje, por ndërkaq, Drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, tha për “MAPO”-n, se TIA është shprehur e hapur për negociata dhe përballë këtij qëndrimi dashamirës, gjasat janë që bisedimet të vazhdojnë, duke shpresuar për arritjen e një rezultati pozitiv për palët.
Ekziston edhe një shpjegim logjik për mospëlqimin e Kukësit dhe aprovimin e pjesshëm për Sarandën. Në rastin e aeroportit tashmë të ndërtuar të Kukësit, një pjesë e madhe e shërbimit do të bëhej për Kosovën dhe veriun e Shqipërisë, duke mos premtuar për rritje të ardhurash në raport me administrimin e fluturimeve nga “Nënë Tereza”. Ndërsa në rastin e Sarandës, TIA mund ta ndërtonte vetë terminalin e ri, çka tradicionalisht nuk paraqitet biznes edhe aq i keq.

Kukësi, Saranda dhe të tjerë
Aeroporti “Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan” i Kukësit ka kushtuar një vlerë totale prej rreth 22 milionë dollarësh. Mban këtë emër në nder të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, qeveria e të cilit mundësoi ndërtimin e aeroportit përmes një ndihme bujare, e cila u kombinua më pas me financimet e shtetit shqiptar. Aeroporti në fjalë u projektua gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, ndërsa ka nisur së ndërtuari në vitin 2003. Por, aeroporti nuk ka gjasa të nisë funksionimin, për shkak të marrëveshjes së koncesionit të lidhur mes qeverisë shqiptare dhe shoqërisë “Tirana Aeroport Partners”. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, qeveria shqiptare merr përsipër që të garantojë se gjatë afatit të koncesionit nuk do të licencohet, autorizohet dhe as operohet asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të uljeve emergjente. Ndërsa, Aeroporti i Sarandës ndodhet në një fazë mes projektit, premtimit elektoral dhe nevojave reale të zonës për t’u zhvilluar. Autoritet vendore të qytetit janë shprehur tashmë se pengimi i këtij projekti pengon premisat për zhvillim të turizmit të zonës, ndoshta për faktin e thjeshtë se nga kryeqyteti, duhen të paktën orë udhëtim për të mbërritur në destinacion. Ekzistojnë edhe zona të tjera ku ekzistojnë mundësi të mira për zhvillimin e infrastrukturës aeroportuale, të tilla si Vlora, Gjadri, Kuçova etj. Nëse kjo premisë mund të tingëllojë e tepruar, mjafton të përmendet rasti i Hungarisë, ku ka mbi 22 aeroporte dhe rasti shumë më modest i Maqedonisë, ku ka dy aeroporte ndërkombëtare, një në Shkup dhe një Ohër. Shqipëria vazhdon të ketë vetëm një të tillë.
 

19 Komente

Muhabet i vjeter dhe bajat. Me interesant do kishte qene publikimi i kontrates se koncesionit qe te dihej se cili eshte denimi ne rast prishje te nje-anshme te kontrates. Nuk duhet te jete e veshtire qe te gjendet ne baze te nje kerkese zyrtare per informacion.

Aeroporti “Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan” i Kukësit.....

shiko ca emri i kane vene... d.m.th, sikur ne te ardhmen, ky aeroport internacional  te vihet ne shfrytezim..., do tu duket te huajve qe do te duan te bujtin ne kete aeroport, sikur shkojne ne Lindjen e Mesme,e jo ne Shqiperi....

Mban këtë emër në nder të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, qeveria e të cilit mundësoi ndërtimin e aeroportit përmes një ndihme bujare, e cila u kombinua më pas me financimet e shtetit shqiptar

E bukura eshte se aeroporti eshte ndertuar me financime te shtetit shqiptar.

Para se lejohet te punoje ai aeroport, duhet ti ndryshohet emri pastaj te shikohet eksluziviteti. Ky eshte nje Turp!

 

 

E bukura eshte se aeroporti eshte ndertuar me financime te shtetit shqiptar.

 

Sa ka financuar shteti dhe sa EBA?

Po me pyet mua apo autorin e shkrimit?

 

Kujtova se mos dije ti ndonje gje me teper....

kujt i sherben aeroporti i kukesit si perfundim?

Zajed bin Sultanit

kot me pyt, po tokat qe ka pushtuar ky aeroport a i jane konpesuar pronareve ne vlere monetare? Se me cfare mbaj mend ka pasur ne ato kohe edhe konflikte fizike midis pronareve dhe policise se shtetit.

Paska goxha emer ky aerroporrti: Aeroporti “Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan” i Kukësit"!

Kush ma sqaron kush eshte ky Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan dhe cfare ka bere ky per Shqiperine qe nje objekt ne Shqiperi te emertohet sipas emrit te tij?

Me falni per injorancen! smiley

Me mire tja kishin vene emrin Borat Sadiyev! smiley

Aeroporti “Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan” i Kukësit ka kushtuar një vlerë totale prej rreth 22 milionë dollarësh. Mban këtë emër në nder të Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, qeveria e të cilit mundësoi ndërtimin e aeroportit përmes një ndihme bujare, e cila u kombinua më pas me financimet e shtetit shqiptar. Aeroporti në fjalë u projektua gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, ...

 

Pjese nga shkrimi i mesiperm smiley

Flm! Nuk e lexova te gjithe shkrimin!

Se pari: A e fali kete shume Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan apo eshte investim? Nqse eshte investim ai do te marre fitimet dhe kaq! Cna duhet emri i tij atje! Nejse!!!!!

Se dyti me lart thuhet:
"Por, aeroporti nuk ka gjasa të nisë funksionimin, për shkak të marrëveshjes së koncesionit të lidhur mes qeverisë shqiptare dhe shoqërisë “Tirana Aeroport Partners”. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, qeveria shqiptare merr përsipër që të garantojë se gjatë afatit të koncesionit nuk do të licencohet, autorizohet dhe as operohet asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të uljeve emergjente."!

Tani nqse eshte nenshkruar kjo marrveshje me pare atehere perse eshte ndertuar ky aeroport? ose anasjelltas, nqse aeroporti ishte ndertuar me pare atehere me cfare bija mendsh nenshkruhet kjo marrveshje me "ekskluzivitet" dhe nxjerr ne tako nje investim prej 22 milion $?

Nga do qe ta kapesh common sense i qeveritareve te atehershem te ben te marresh malet! #-o
 

Asnjë aeroport tjetër nuk mund të përdoret për qëllime civile komerciale, duke qenë se diçka e tillë ndalohet haptazi në kontratën e nënshkruar mes qeverisë shqiptare – atë kohë drejtuar nga ish-Kryeministri Fatos Nano – dhe investuesve të TIA.

kontrata te tilla, vetem nje masakara si Nano mund ti nenshkruante....

 besoj se me kohen do lindi nevoja per nje aeroport dytesor edhe me shume duke pare se fluksi i udhetimeve  eshte gjithnje ne rritje dhe detyrimisht do ndryshoje edhe kontrata pa sens llogjik qe eshte firmosur.sa per emrin e aeroportit nqs eshte e vertete se jane dhuruar bujarisht 22 milione dollare per ndertimin e aeroportit atehere nuk me duket i habitshem fakti qe mban ate emer

Imagjinoj biznesmenin John Doe qe ndez blekberrin dhe merr gruan ne telefon:

- Honey, we just landed in Zajed Bin Sulltan Al-Nahyan. Dubai seems so impresive, I see mountains behind the desert sand cloud.

Gruja - Oh honey, you're so lucky. Wish I were there.

- Unbelievable, technology is everywhere, they have managed to make weather feel like real Vermont winter, it feels like 20 degrees (F), love this place already and.........

nuk mbaron dot se nuk ka me sinjal telefoni.

 O cun kali i fale nuk shihet nga dhembet.Beje ti dhe verja emrin Drin!

Tashti, pertej cicmiceve ne lidhje me emrin e aeroportit te Kukesit, mendoj qe ceshtja e ka nje zgjidhje, madje me nje kosto jo dhe aq te madhe.

E gjithe ceshtja eshte nese ia vlen ti futesh asaj andralle, nese nje apo dy aeroporte te reja ne Shqiperi jane rentabel ne kushtet e Shqiperise dhe mbi te gjitha dhe me e rendesishmja, nese ekziston vullneti dhe pavaresia dhe per te mos ngelur pa permendur edhe aftesia e funksionareve perkates per ti hyre kesaj rruge.

Nje kontrate tregtare mes nje konsorciumi dhe nje qeverie nuk eshte domosdoshmerisht e shenjte dhe e paprekshme.

Autoriteti aeroportual shqiptar nuk besoj se ka kellqe qe te ngreje nje biznes rentabel me keto dy aeroporte. E vetmja menyre per te shmangur monopolin e Hochtief Airport eshte afrimi i nje konsorciumi tjeter europian per te marre sipas modelit BOOT aeroportet alternative dhe qe ne kete moment sipas ligjit antimonopol europian ajo klauzole e kontrates mbi monopolin e sherbimeve aeroportuale nga ana e Hochtief Airport rrezohet. Ndoshta edhe nuk mund ti shkohet aq gjate asaj rruge derisa te kaloje ne procese gjyqesore dhe penalitete financiare, nese kjo strategji mbahet si presion per Hochtief Airport, qe te investoje ne keto dy aeroporte, sepse Hochtief kapacitetet i ka, por e vetmja arsye perse nuk i merr keto hapa investimi, eshte sepse nuk eshte e shtrenguar ti beje, ose e thene me shqip, deri tani e ka bythen e vete te ngrohte.

Mendoj qe kjo strategji ne keto momente qe jetojme jep me te vertete rezultate, duke patur parasysh qe koncerni meme Hochtief eshte tani ne nje pozite shume te veshtire, si pasoje e sulmit agresiv te koncernit tjeter te fuqishem spanjoll ACS per te gllaberuar Hochtief. Nderkohe koncerni meme Hochtief po ben perpjekje qe te shkepuse Hochtief Airport nga portfolio e aseteve te veta duke e nxjerre ne nje shoqeri aksionere mevete. Pra ne kushte te tilla, kur Hochtief po perballet me probleme madhore ekzistenciale te saj, nje strategji e qeverise qofte per daljen nga monopoli, ose edhe per angazhimin e Hochtief Airport ne investime te mundshme ne Kukes dhe Sarande, mund te jete shume e suksesshme.

 Shqiperia e ka te domosdoshme te pakten dy aeroporte alternative per shoqerite e lira, si Virxhin, Ryaneir, Jet , Thomas Kok, etj,, mirpo kontrata e bere/pranuar nga maskarai (siç e quan me te drejte Beluli) Nano, nuk i jep mundesi asnje aeroporti te fuksionoje. Une mendova se kete pune mund ta zgjidhi vetem EU, komisionet e konkurences dhe monopolit aty. Edhe mendimi i Pedros mu duk i shkelqyer per kete problem. 

Mendoj se vete aeroporti i Kuksit dhe shoqatat e ndryshme aty, mund dhe duhet te bejne perçapje per ta ndryshuar ate klauzolen poshteruese dhe demtuese per ekonomine e Kuksit. 

Edhe pa i ditur shifrat une besoj se investimi i asokohe i Hochtiefit ne Rinas ka qene dhe eshte shume fitimprures. Manaxhimi i aeroporteve eshte fileto e Hochtiefit. Ka pak gjasa qe managmenti i Hochtiefit te beje leshime persa i perket eksluzivitetit te percaktuar ne kontrate. Leshimet (ndoshta) do benin qe planet e Katarit per tu futur te Hochtiefi te rishikoheshin, si edhe do e dobesonte poziten e Hochtiefit karshi ACS'se. Nuk e kam shume te qarte se mbi cbaze ligjore  qeveria shqiptare do kerkonte rishikimin e nje kontrate te tille, por nese e mundur, do te doja qe qeveria shqiptare ti vleresonte patjeter shanset per sukses te nje kuturisjeje te tille. Sidomos tani qe Shroederi iku dhe hochtiefi ndoshta nuk e ka me ate mbeshtetjen politike qe ka patur dikur. Eshte shume me fitimprurese se psh gjyqet e humbura ndaj pronareve ne Strasburg.

Tashti pavaresisht nga keto gjithashtu mendoj qe ka pak gjasa qe aeroporti e Kukesit, Sarandes, Skraparit, Fierit, Pukes apo cdo lloj aeroporti tjeter i ndertuar apo ende i pandertuar te kete mundesi te behet fitimprures.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).