Fatos Kongoli, një prej shkrimtarëve më të mediatizuar në vend, së fundi ka nxjerrë në treg një autobiografi me titull “Iluzione në sirtar” dhe me një nëntitull intrigues: “Pothuajse roman për vetveten”. Është një libër interesant, jo aq prej aftësisë krijuese të autorit, sesa më tepër se për gjithçka që mbart, për dimensionin e sinqertë që përpiqet të tregojë K-ja tjetër e letrave shqipe, siç parapëlqen të quhet. Ky lavdërim, “K-ja tjetër pas Kadaresë”, i marrë prej një gazete franceze në vitin e largët 1997, duket se i ka pëlqyer jashtë mase autorit, që në librin e sipërcituar e përmend disa herë. Por më shumë se për një krahasim të vlerave letrare me Ismail Kadarenë, “Iluzione në sirtar” i shërben po aq shumë lexuesit shqiptar për arsye ndoshta edhe më të rëndësishme. Pozicionin e artistëve nën diktaturë, rolin dhe përgjegjësinë e tyre, fatin, por dhe zgjedhjen që kanë bërë me një sistem kriminal.

Në këtë këndvështrim, Kongoli vërtet ka shkruar një libër të sinqertë dhe që mund të tronditë ambientin. Jo prej historisë së jetës së tij vetjake, të zgjatur ndoshta përtej parëndësisë së një skenari që nis e mbaron me djalin e një funksionari të lartë komunist, që shkollohet si dhe ku i leverdis, Paris a Pekin pak rëndësi ka, dhe përfundon si drejtues në një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të propagandës komuniste, atë të botimit të librit artistik “Naim Frashëri”. Pikërisht të djalit të regjimit dhe jo të talentit, pasi siç thotë Kongoli, hija e mos-talentit e persekutonte vazhdimisht. Por për regjimin një matematicien i diplomuar në Pekin mund të punonte si redaktor letrar në Qendër me të njejtën lehtësi siç një një kooperativist bëhej anëtar i Byrosë Politike. Libri i Kongolit ka rëndësi për tjetër gjë: për tipizimin e njeriut të përkëdhelur në socializëm, që s’ka ide, s’ka talent, që s’e vret ndërgjegjja për aktet e tij. Të Njeriut të Ri komunist, që sot përpiqet t’ia vërë fajin jo vetvetes si pjesë e regjimit, por një personi në krye të tij.

Libri i Fatos Kongolit thotë disa të vërteta të mëdha për autorin.

Së pari, që shkruante jo se i shkruhej, jo se ndjente atë që artisti nuk jeton dot pa e thënë të vërtetën e tij. Përkundrazi. “E kisha stërmundim”, përsërit vazhdimisht autori për procesin e krijimit. Për të kaluar në një tjetër pohim të habitshëm. Librin e tretë, thotë Fatos Kongoli, “e shkruajta në një gjendje shpirtërore edhe më të rëndë, i shtyrë nga motive edhe më pak letrare nga ato që më kishin shtyrë të ngutesha për librin e dytë”. Një pohim i fortë, dramatik, që tregon se nën diktaturë njeriu për të “rregulluar statusin social”, siç pranon ai vetë, shkruante libra që i thurnin lavde regjimit. Deri më sot kurrkush më parë se Kongoli nuk e ka pranuar këtë të vërtetë, tashmë të ditur për shumicën e “inxhinierëve të shpirtrave”.

E vërteta pasuese është edhe më e rëndë: Fatos Kongoli ka denoncuar një njeri, ka dhënë dëshmi të rreme për të (fatziu nuk i ka pranuar as nën tortura bisedat me Kongolin, madje siç pohon ky vetë, as ia ka hedhur sytë në ballafaqim në hetuesi), ka dalë dëshmitar në gjyq dhe ka mbajtur me devocion postin e shefit të redaksisë në shtëpinë më të madhe botuese të librit në vend. Por habia kalon përmasat kur pas 30 vjetëve, njeriu që pëlqen të vetëquhet K-ja tjetër e letrave shqipe, thotë në faqen 189: “Të them të drejtën ndërgjegjja nuk më vret dhe aq për Hysenliun (viktima sh.a). Për mua, siç e kam thënë dhe më sipër, ai ishte një tip enigmatik, përderisa kryente detyrën e shefit të kuadrit…”. Sinqeriteti i Kongolit në këtë pikë i kalon caqet e naivitetit edhe për një UFO të ardhur jo më sot, por edhe sikur të kishte zbritur më 1982-in në Tiranë.

E vërteta tjetër tronditëse është se Fatos Kongoli pohon në afro 400 faqet e autobiografisë së tij se, inatin me regjimin nuk e kishte për tjetër gjë përveçse prej faktit se nuk e pranuan që s’e pranuan në Partinë e Punës me gjithë dashamirësinë e disa shefave lokalë, që donin të zbusnin përjashtimin e babait nga partia ngaqë pinte me Beqir Ballukun, dhe mezi e nxorën jashtë shtetit në vitin 1989 ndërkohë që duhej të udhëtonte qysh më 1986-ën. E si për t’i vënë kapak sinqeritetit, Fatos Kongoli rrëfen se në një prej të paktave ditë më të rëndësishme të shqiptarëve gjatë shekullit të 20, themelimit të opozitës anti-diktatoriale, përfundoi në rajon të policisë si i akuzuar nga studentët protestues për prishje të mitingut nën efektet e alkoolit .

Fatos Kongoli, i parë jashtë fatit dhe arsyetimeve të tij të diskutueshme, me këtë libër i ka pohuar shoqërisë shqiptare disa të vërteta të rëndësishme. I tregon se ashtu si dhjetëra intelektualë nën diktaturë, i mungonte jo vetëm talenti, por dhe mendimi, guximi dhe shpirti për t’i bërë ballë regjimit. I tregon se ashtu si dhe qindra artistë nën diktaturë, krijonte jo për magjinë e shpirtit dhe artit, por për të rregulluar “statusin shoqëror”. I tregon se sot pas 20 vjetëve jo vetëm nuk ka ndryshuar asgjë në ndërgjegjen e tyre për viktimat që kanë marrë në qafë, por kanë kurajën të justifikohen se “fundi i tyre dihej, ne duhej të ruanim kokën”. Ndaj për të gjitha këto libri i Fatos Kongolit është një prej dëshmive më të rëndësishme në këta 20 vjet që është botuar në Tiranë. I rrëfen Shqipërisë të vërtetën e diktaturës, rolin e saj kriminal, por dhe ingranazhet, po të tillë, që i shërbenin asaj. I paraqet shoqërisë hipokrizinë e “artistëve me zor” dhe “artit” që bëhej në funksion të saj. I flet të gjithëve për personalitetin e dyzuar të “inxhinierëve të shpirtrave”, që donin të forconin pozitat e tyre me libra mediokër për t’i shpëtuar emërimit në fshat, në veri apo gjetkë, paçka se sot përpiqen që këtë pakt me djallin ta paraqesin kinse si kundërshti me të. Që të shfaqen njësoj edhe sot, kur pa asnjë grimë pendese dhe ideje, parapëlqejnë të citojnë tituj gazetash që i barabisin me të tjerë, aspak të ngjashëm, jo vetëm prej talentit, por edhe prej gjesteve të qarta karshi shoqërisë dhe lirisë. Ndaj për të gjitha këto ndoshta është i pavend krahasimi me “K-në tjetër”, pasi me shumë gjasë keqkuptimi është më i mundur sesa vlera e krahasuar me Kadarenë.

7 Komente

Ja ku e c'mitizuam dhe Tosin...  dhe tani qe mbetem fare pa shkrimtare... a nuk i shpikim ca ?

Une kam lexuar nje pjese te mire te veprave te Kongolit dhe me kane lene nje shije te mire.Eshte nje nder autoret shqiptare me  te preferuar,pse jo edhe i dyti ne radhe pas Kadarese.

E cuditshme, mire qe gjate kohes se komunizmit, Kongoli shkruante me zor, po tani ne kohen e demokracise, kush e detyron te shkruaje? Mos ndoshta, kjo autobiografi duhet pare ne nje tjeter drite, ne nje tjeter kendveshtrim nga c'e ka pare autori i ketij shkrimi? Ndoshta mund te jete dhe nje "larje ndergjegje" , apo per te shkaktur buje, por mund te jete dhe vetrrefimi, me se fundi, i sinqerte, i nje njeriu qe s'ka qene kurre i lire te zgjedhe.

U dashka me e lexu. Po Arbani cne?

 

Një tjetër K.

 

sa i keq dhe cinik tregohet ky Arban Hasani, ndaj fatos Kongolit, ne kete shkrim...  qe ne titull bile.  gati sa s'thote:  Nje tjeter K*r..

nejse, c'mund te presesh nga nje shkrim i gazetes Tema...

 

Lexova me heroizem roman Jete ne nje kuti shkrepsesh edhe e ndiej veten te vaksinuar perjetesisht kunder kongolit.

silk, mua kete efekt m'a beri 'Bolero ne shtepine e pleqve'...not my cup of tea...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).