TIRANE- Shkarkohet në mënyrë të beftë dhe pa asnjë motivacion zyrtar, drejtoresha e Institutit Gjeografik Ushtarak, Miranda Zeka. Vendimi është marrë pak javë më parë me firmën e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, i cili ka emëruar në këtë detyrë nënkolonel, Armir Çanin. “Gazeta Shqiptare” shkruan sot duke iu referuar
burime zyrtare pranë ministrit Imami se shkarkimi i Zekës nga kjo detyrë mund të lidhet me negociatat dypalëshe që kanë filluar me palën greke në datën 26 nëntor për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re të përcaktimit të kufirit detar. Ndërkohë të njëjtat burime nuk saktësojnë se çfarë pozicioni ka mbajtur Zeka lidhur me këtë çështje, që ka shtyrë ministrin Imami drejt vendimit për shkarkimin e saj. Ish-drejtoresha ka qenë një nga 11 negociatorët e paktit detar të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Investigimi disamujor i "Gazeta Shqiptare" mbi këtë marrëveshje nxori në dritë përgjegjësinë e saj direkte, për firmën e hedhur pro paktit detar anti-kushtetues që cenonte sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon.

Skandali u thellua kur Zeka pohoi në mbledhjen me dyer të mbyllura të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, të datës 25.09.2009, se harta e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, e përcaktuar në bazë të marrëveshjes dypalëshe nuk ekzistonte. Ndonëse ligji por dhe produkti i negociatave me palën greke e detyronte Institutin Gjeografik Ushtarak të përgatiste hartën e kufirit të ri detar, Zeka iu ishte shmangur këtyre detyrimeve. Megjithatë ajo u pozicionua dhe si një nga "avokatet", e marrëveshjes gjatë shqyrtimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi në datën 26 janar 2010, me votim unanim 9-0, marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Një ndër arsyet më të forta që detyruan gjykatën të merrte këtë vendim, ka qenë fakti se anëtarët e grupit negociator të palës shqiptare nuk e kishin marrë lejen speciale nga Presidenti i Republikës, për të negociuar me palën greke.

3 Komente

Shume i drejte shkarkimi i drejtoreshes. Biles, nese eshte e mundur, ti ngrihet edhe nje akuze penale per shperdorim me dashje te postit zyrtar.

hajde titull hajde! Per koke te titullit! ueeeeeeeeeee

Shkarkohet ne menyre te befte....... para disa javesh....... gazetari s'e ka idene....... ben titull bombastik te shesi 50 lek topin e letres ligjenike te cilesise se ulet te quajtur gazeta shqiptare.......ku ta zesh e ku ta lesh kete muhabet.......

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).