Të gjithë po përballemi me një nga kërcënimet më të mëdha të natyrës ndaj njeriut, me atë që njeriun e ka shoqëruar që prej motmotesh, qysh sa ka lind, veçse me ndryshimin se qëmoti njeriu u trembej fatkeqësive natyrore, por më mirë të themi i respektonte, ndërsa njeriu i sotëm, jo vetëm nuk merr mundimin ta njohë, (ligjet e natyrës i kemi nën hundë, por pak dimë t’i nuhasim), jo më ta zotërojë, por as nuk i thërret memories së të parëve të vet, se si e rregullonte katragjyshi i tij këtë marrëdhënie me natyrën, ku zakoni në logun e burrave deri në vitet e para ’90-s ishte që dikush thërriste traditën e para ardhësve, dhe të tjerët bëheshin arsyeja e tyre. Madje, syresh si në vendimmarrje apo poshtë në katund i bëjnë kërshëri edhe ekspertit, më mirë të themi nuk pyesin as për ekspert, kur dihet se fatkeqësitë më të mëdha njerëzimit i kanë ndodhur nga mosdëgjimi i njerëzve të zgjuar.

Ndaj dhe po ndodh që nuk ka ditë mos dëgjosh se aty u shembën disa shtëpi, se atje rrëshqitën disa lagje me banesa, se tutje tej po mbyten disa si fshatra me shtëpi, bashkë me dhenë e dhi. Dhe për çfarë? Sepse si asnjëherë tjetër, shqiptari vuri dorë për herë të parë në historinë e vet njerëzore mbi natyrën. Për rast të parë, qysh nga koha e pellazgëve, romakëve apo e bizantit, madje edhe atë dovletit, ndodhi që të pritej një pemë, më saktë një pyll e të zëvendësohet me një ngrehinë. Në sa e sa fshatra apo korije me pyje, fshatarët tanë trima prenë drurë për t’u ngrohur një dimër dhe për të shitur e fituar ca kacidhe me lekë, ku pas një apo dy vjetësh, shiu që tashmë binte mbi dhera dhe jo mbi pemë e bar si dikur, iu ka marrë shtëpinë e katandinë, siç dëgjohet çdo natë në emisione lajmesh. Në sa e sa dikur pyje, u dhanë leje mjedisore për kompani të huaja të prisnin ca shqopë e mare, por ja që ata morën edhe ca ah, edhe ca lis e pishë, edhe ca pare.

Rezultati, Shqipëria nga një vend me 83% të territorit me pyje në vitet e mbretit, arriti në 35% në vitet e dovletit (para ‘90), dhe sot kemi 1,020,700ha (10,000km2) sipërfaqe të njohur për pyje, por që pyje s’kanë ose 10% të sipërfaqes së vendit, kundrejt 65-70% që ka pothuajse çdo vend sot në botë, por që vetëm pyje kanë. Ju kujtojmë se Suedia me 90% të territorit me pyje importon dru rifuxho dhe nuk pret prej pyjeve të saj, dhe eksporton atë pak dru cilësor të sajën i quajturi dru suedez për disa lloj punimesh tipike cilësore, që shpesh marrin dhe emrin e vendit nga vijnë si shkallë suedeze etj., etj...

Rezultati tjetër! Që vendi ynë mbytet me një pikë shi, si një foshnje në një legen me ujë - stuhi në një kupë çaji (storm in tea cup) nga ato të dramave të Shekspirit. Por, kjo lloj mbytjeje mund të falet për popujt në fillimet e veta, (40000 njerëz vdiqën nga hiri vullkanik gjatë  shkatërrimit të Pompeut në kohën romake, sepse nënvlerësuan forcën e natyrës), kur fatkeqësitë për aq kohë sa nuk njiheshin, dhe për aq kohë sa nuk mateshin merrnin kuptimin e fatkeqësive natyrore, por jo sot te ky popull i palëvizur nga këto troje, qysh prej mijëvjeçarësh, (nuk njihen migrime të pellazgeve apo ilirëve apo shqiptarëve, as nga jashtë brenda e as nga brenda jashtë), pra, popull i lidhur me kontratë të patundshme me natyrën. Ndaj dhe qëmoti, ky popull nuk gaboi, kur ndërtoi me kilometra larg vijës bregore, si fshatin Velipojë, po kështu edhe Lezhën, madje nëpër kodra, po kështu edhe Talen apo Fushë-Kuqen.

Si mendoni ju homosapiensit e sotëm që fushat zutë, se ky popull nuk dinte të ndërtonte alla golemçe, me ndërtesa para dunave të detit, shpesh edhe brenda në det, sikundër po ndodh sot. Jo ore jo, sepse njerëzimi ka qenë po aq i mençur, por jo arrakat me natyrën, ndaj dhe ndërtoi Divjakën 5 km larg, Nartën e Zvërnecin prapa dunave bregore, Fushë-Kuqen 6 km larg detit dhe qytetin e Vlorës larg Skelës etj.

Ndaj dhe kjo mbytje apo përmbytje nuk të falet sot. Se më parë se të kishe përmbytjen sot, ti o njeri nuk doje, nuk dite, nuk munde të mbaje dot një pengesë barrierë prej një metri lartësi, qëkur të fryjë Shiroka apo Afrika apo Juga të të mos të të venë ujërat e kripura në tokën tënde me ushyret e ëmbla të stinës. Kujdes, se kombet si Danimarka e Holanda mbajnë e mirëmbajnë pengesa të tilla deri në 10 m lartësi, që mbrojnë vatanin nga rreziqet natyrore. Se më parë se të kesh përmbytjen sot, ti o njeri kishe prerë pemët, që bëjnë çdo veprim tonin me përjashtim të ecjes, dhe si të tilla ato do të mbanin secila 300 litra ujë si depozitë dhe 300 litra të tjera për transpirim, pra çdo pemë thith në momentin e rënies së shiut rreth 600 litra ujë, që në rastin tonë përkthehet se këta përrenj që furnizojnë Fierzën, Komanin e Vaun e Dejës, nuk do të jenë më përrenj, por secili prej tyre do të jetë një lumë i madh, madje me llumë, për shkak të gërryerjes që i bëhet tokës pa pemë, pa dru apo pa bar, pra, që i bëhet tokës dikur pyll në burim të përroit. Që të dini, të dashur lexues, edhe më mirë vlerën e pyllit, sot dihet botërisht se 1 acre pyll mban 10 njerëz dhe 1 acre me grurë mban më pak se 5 njerëz. Por, në vendin tonë amë, sa gjen eskimez në shkretëtirë, aq gjen pemë nëpër malet tona, me përjashtim të tri zonave park natyror, e theksoj natyror, jo njerëzor, Dajt, Vithkuq e Llogora, ku sot nëpër inxhinierët e pyjeve qarkullon edhe një shprehje, sa reale dhe vrastare - se në Lurë nuk ka më se çfarë të shkatërrohet. Mos u çudisni nga kjo gjëmë, se ashtu sikundër 100 burra rrejnë, por një kosh plehu nuk rren, pra, janë malet tona kreshnike e krenare që nuk të lejojnë të rresh. Shkoni e i shikoni, por kujdes ruhuni nga ndonjë përrua me baltë, nga ndonjë rrëshqitje dheu.

Imagjinoni i dashur popull fatkeq nga mendja, se lumi i Bunës, që heq një sasi prej 1800 m3/sek, sot i duhet të heqë 6000m3 në sekondë. Ku do ta gjejë shtratin ky lum të heq 3-4 fish-in e vet. E zëmë se do të ndërtojmë një shtrat rezervë, si vjenezët që ndërtuan një shtrat rezervë Danubi në Vjenë, por nuk mund të ndërtohen 3-4 shtretër të tillë, se kanë jo vetëm kosto të mëdha, por kanë edhe amortizim të shpejtë nga mbushjet prej përrenjve me baltë, për shkak të mungesës së pyjeve.

Zgjidhja. Së pari të nderuar deputetë, ministra, politikanë hiqni dorë nga ofshamat për motin me shi apo pa shi, por shtrojeni këtë popull që me dorën e tyre të mbjellin pyje me pemë, sepse ky popull ka kohë që nuk mbjell me një dorë që të mund, sipas proverbit, të korrë me të dyja, përkundrazi vetëm korrë, madje lejon të tjerët që të korrin me shtatë duar. Mëso veten dhe të tjerët, që më parë se të ngresh një ngrehinë merr parasysh rreziqet që sot nuk duhet të quhen më natyrore, por njerëzore. Detyroni kryetarët agronomë të komunave, që përpos portretit të Presidentit nëpër zyra të varin hartat e gjeorreziqeve natyrore, që kur nuk i njeh dhe nuk i respekton bëhen njerëzore, sepse natyra tiparin më të lartë të ligjeve të saj nuk ka zemërimin, por dhembshurinë, ndërkohë që njeriu ka papërgjegjshmërinë apo arrakatinë. Si mundet të ndërtohet përpara zonave të shkarkimit të tri digave që nuk janë të vogla, që do të thotë se këto diga deri në shkarkimin e tyre në det do të kenë një zonë të komanduar të quajtur buferike, pra një shtrat rezerve ujërash midis dy argjinaturave apo pendëve sa natyrore dhe njerëzore, ku askush nuk duhet të guxojë të afrohet, as me toka buke e jo më me katrahure ngrehina, pa xokule, me lartësi 10cm nga sipërfaqja e tokës, nën nivel deti, nën nivel lumi. E po kjo nuk është zemërim natyre, por arrakati njerëzore, pse jo dhe shtetërore, megjithëse nuk ka vendimmarrës të këqij, por qytetarë të papërgjegjshëm. Nuk është se ra shi me gjyma, apo siç thonë pellazgët e vjetër dhe anglezët e sotëm, shi me mace e me qen (cats and dogs) dhe o bubu ç’na gjeti kjo hata. Tani po e kuptoj, pse shqiptarët e sotëm flasim me zë të lartë, sepse kanë forcë mendimi të ulët.

9 Komente

Mire populli qe eshte fatkeq nga mendja (s'jam shume dakort me kete, se gjyshja ime s'kishte shkolle, po ti priste duart po ti thyeje degen ullirit, dhe gjithashtu kishte nje shprehje: zjarrit dhe ujit nuk i besohet!), po nga keta njerezit me nje dynja mend, çfare u be qe te mos lejoheshin njerezit te ndertonin dokudo? U shkarkua nga detyra ndonje pergjegjes per ndertimet, abuzimet me fondet etj etj? Ja dhe u mbollen peme, kush do siguroje qe s'do priten serish pa i dhene llogari kujt?

Vej re se ka disa linja mendimi persa i perket shkaqeve qe cuan ne keto permbytje.

1) E para i adreson pergjegjesite per katastrofen prerjes se pyjeve, ndertimeve te pakontrolluara dhe keperdorimit te territorit ne pergjithesi.

2) E dyta fajeson per kete keqmenaxhimin e depozitave te ujit te hidrocentraleve.

3) E treta mund te jete dicka midis dy te pareve. Pra permbytjet ndodhen jo vetem si rrjedhoje e keqmenaxhimit te hidrocentraleve, por edhe per shkak se shkaterrimi i territorit ka arritur ne nivele te tilla qe s'mban me dhe te dyja keto se bashku dhane rezultatin qe pame. Fakti qe permbytjet ndodhen jo vetem ne Shkoder, por edhe ne zona te tjera te vendit mund te jete ne favor te kesaj alternative.

4) Rreshjet keto vitet e fundit kane qene te jashtezakonshme, pra shume me te medhaja se vitet e tjera, ne gjithe rajonin e Ballkanit . Ne fakt edhe vendet fqinje u perfshine nga i njejti problem. Kjo arsye mund t'i bashkangjitet te parave.

 

Si qendron e verteta? Kur do fillojme te flasim me ze jo te larte per te kuptuar se cfare ka ndodhur? Kujt duhet t'ja kerkojme pergjegjesite? Kujt duhet t'i dergojme faturen? Qeverise, Zotit, natyres, njerezimit, vetes tone?! Ky nuk eshte thjesht nje problem shuarjeje kurioziteti, por eshte nje problem jetesor per te parandaluar permbytje te tilla ne vitet ne vazhdim, jo vetem per te evituar vuajtjet njerezore, por edhe per te mos ta renduar me tej ekonomine e vendit tone tone goxha te pazhvilluar dhe nga me te varferat e Europes.

Tani po e kuptoj, pse shqiptarët e sotëm flasim me zë të lartë, sepse kanë forcë mendimi të ulët.

Bukur, me pelqeu.  

Thonë që ishulli i mirënjohur i Pashkës, ka njohur fundin e vet, si pasojë e ezaurimit të burimeve të veta natyrore. Nuk e mbaj mend ku e kam dëgjuar pyetjen: Çfarë i shkonte në mendje banorëve, kur i vunë sopatën pemës së fundit? Siç duket do kemi rast ta marrim përgjigjen prej Shqipnie.

 

 Koth, me ke kenaq.E njihke problemin dhe me te tillet kam shume deshire te komunikoj.Sazani eshte miku im por eshte bere  krahme Ilir meten dhe poja keput katundit si dhe Shezaiu.Vajti e firmosi per te ardhur prej Greku nepermjet kapiden... Gavrilit, fekalet e Athines....! 

  As ehe nje kacidhe nuk duhet planifikuar pa ditur se perese do te hidhen paret. Duhet  thirr ne pune punonjesit e Institutit te veprave Kullim-Ujitje...! ata dine ta bejne me se miri.Nuk e bejne dot rronxhoponxhot ate pune.Une e kam pat mbuluar dikur zonen Bregdetare......E njoh ne detaje.

   Nuk jemi perpara fatkeqesise natyrore,  por NJEREZORE

Tung

 Koth; "....Pra te kryeht nje studim i plote fizibiliteti, i plote fare, le te kushtohe sa te doje. Do e paguajne qytetaret shqiptare kete dhe ky eshte solidariteti absolut qe mund te bejne ata me Shkodren po dhe jo vetem me ta..."

 

  Nuk ka pse paguhet nga taksat direkt, keshtu veprojne qeverite primitive qe s'kane aftesi dhe dituri nga makroekonomia. Studime te tilla paguhen nga obligacionet e ndryshme, gje qe e çliron dhe qeverine nga shpenzimet. Jane disa lloje obligacionesh, gje per te cilen une kam folur pjeserisht me perpara. Kjo eshte nje teme shum e gjere ku une me krenari e kam thene se do te doja ta ndihmoja ate qeveri te ndyre dhe qeverite e tjera, sepse keshtu une ndihmoja Shqiperine, mirpo kafshet drejtues te atij vendi nuk denjojne te pyesin me tej dhe te ndigjojne per te miren e tyre dhe te popullit qe drejtojne.  

S'ka me permbytje, se pe ça dielli kishte sot. Pastaj boll, tre dite se me shume behet i merzitshem si muhabet.

Megjithese sinqerisht, me mire keshtu se te degjoje dje drejtorin e keshit qe thoshte se sherbimin meteorologjik e marrin nga meteoalb, qe eshte nje kioske mes pallatesh para te ciles kaloj çdo dite, eshte akoma me e rende se te degjoje vjet se po te nevojitej do e shperthenin me dinamit nje porte shkarkimi qe nuk e dinin a funksiononte apo jo. Keta me ça kuptova une s'kane me as stacione ne çdo rreth per te mat rreshjet. Habitem nga i nxjerrin statistikat qe ka qene viti me i lagesht. se sateliti i fevziut si mat dot keto gjona.

Nje pyetje per ata qe  duan te mesojne nga pergjigja e sakte.Shi nuk po bie.Territori shqiptar  ka tre te katertat male dhe kodra.Uji nuk po iken normal  per ne det.Pse ?

    Se i eshte zene udha ujit, grykderdhjet e lumenjeve.DELTAT JANE........ TE MUFATME.....

Le te pyeten  jo shkencetaret me por peshkataret...

 N

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).